OPINIONE

DEKORIMI I KATËR FIGURAVE TË SHQUARA ANTIKOMUNISTE

SHKRUAN: RESHAT KRIPA

“Sa më shumë kohë shkon, aq më tepër ballist bëhem”.

Me daten 18 prill 2017 ne Presidence u zhvillua ceremonia e dekorimit te kater figurave te shquara te nacionalizmit shqiptar, zoterinjve Isuf Hysenbegasi, Kudret Kokoshi dhe Hysni Alimerko ( pas vdekjes) me urdherin ‘Nderi i Kombit” si dhe te zotit Avni Xhomaqi me “Dekoraten e Arte te Shqiponjes”
Fort i nderuari Shkelqesia Juaj zoti President i Republikes.

Me lejoni t’ju falenderoj per dekorimin qe i bete ketyre kater figurave te shquara te rezistences antikomuniste ne Shqiperi. Veprimi juaj nuk eshte vetem nje nder qe u behet ketyre figurave por eshte gjithashtu nje vleresim i madh qe i beni gjithe shtreses se te perndjelurve politike. Dua te theksoj se ky nuk eshte rasti i vetem qe ju keni ndermare inisiativa te tilla dhe ne e vleresojme qendrimin tuaj per kete veprim. Ndaj ju faleminderit edhe nje here i nderuar zoti President.

Por cili eshte kontributi i ketyre figurave qe merituan nderimin nga ana juaj? Dua te perqendrohem ne disa çaste te veçanta qe karakterizojne karakterin dhe veprimtarine e tyre dhe keto jane ngjarje qe i kam mbijetuar vete se bashku me ta ose qe m’i kane rrefyer miqte e tyre me te ngushte.

Me lejoni pra te filloj;

Isuf Hysenbegasi lindi në vitin 1913 në Starovë të Pogradecit. Ishte biri i Jasharit, një luftëtar i vendosur kundër pabesive greke që, në atë periudhë, ndesheshin në çdo hap që hidhte atdheu. Ati i tij i shkolloi të dy djemtë. Isufin e dërgoi në Romë, në Universitetin Shtetëror, që më vonë do të merrte emrin “La Sapienza”, në fakultetin e mjekësisë në vitin 1932, ku u laureua për doktor në mjekësi dhe kirurgji me rezultate të larta. Nga 100 pikë të mundshme mori 97. Një rezultat me të vërtetë i mrekullueshëm.

7 prilli i vitit 1939 e gjen në Tiranë. Është njëri nga tetë anëtarët e komisionit të të rinjve që shkuan për të kërkuar armë në pallatin mbretëror, por mbreti tashmë kishte ikur.

Në vitin 1941 shkon për specializim në Itali. Dikush i propozon që të vishej mjek ushtarak në frontin italo-grek, kundrejt një page të konsiderueshme. Doktori përsëri refuzoi. Rezultati ishin tetë muaj internim në ishullin Capraia ne Firence..

Viti 1945 e gjen në klinikën e tij në Tirane ku, në fund të dhjetorit 1946, arrestohet. Pas dy vjet torturash të tmerrshme në hetuesi, përballë të cilave qëndroi i paepur, dënohet nga Gjykata e Lartë Ushtarake me pushkatim. Pak më parë kishte vdekur nga torturat në hetuesi i vëllai Feriti. Kjo bëri që me vendim të Kuvendit Popullor, vendimi t’i kthehej në burgim të përjetshëm. Lirohet pas nëntë vjet burg.

U lirua në fund të vitit 1955 dhe u emërua të punonte në qytetin e Vlorës. Vlonjatët nuk do ta harrojnë kurrë figurën e ndritur të tij dhe në mënyrë të veçantë ish-të burgosurit politikë të cilëve ai u qëndroi gjithmonë në krah.:

I mbylli sytë më 4 tetor 1988. I mbylli i qetë, pa iu rënduar njeriu, pa u ankuar. I mbylli siç i mbyllin burrat e mëdhenj. Por i mbetën dy brenga pa u plotësuar. E para që nuk pa ditën e rilindjes së atdheut, ditën e demokracisë, së cilës i ishte përkushtuar dhe që do të vinte pas dy vitesh dhe e dyta për djalin e vetëm, Enin, që nuk kishte mundur t’i trasmetonte profesionin e tij, profesionin e mjekut, për të cilin ai kishte punuar gjithë jetën.

Megjithatë të dy këto dëshira u plotësuan, ndonëse ai nuk mundi t’i gëzonte. Shqipëria e shpërtheu perden e hekurt që e kishte ngujuar për gati një gjysëm shekulli, ndërsa Eni, me përkujdesjen e jashtëzakonshme të nënës së tij të nderuar, fisnikes Gjyltere Hysenbegasi, sot punon në profesionin e mjekut në Romë, duke ndjekur shembullin e të atit.

* * *

Kudret Kokoshi lindi në vitin 1908 në qytetin e Vlorës. Bir i një familje të madhe qytetare me tradita të pasura patriotike, nacionaliste dhe intelektuale. Lindi në ato vite kur Shqipëria përgatitej për të firmosur aktin më të madh të historisë së saj, që nga koha e Skënderbeut legjendar, aktin e pavarësisë kombëtare, ku krahas firmës së Plakut të Vlorës, do të vihej dhe ajo e Qazim Kokoshit, xhaxhait të tij. Do të ishte përsëri ky një nga ata që do të formonin treshen drejtuese Osmën Haxhiu, Qazim Koculi dhe Qazim Kokoshi në luftën patriotike të Vlorës më 1920, për të vazhduar me aktivitetin e tij patriotik deri sa do ta mbyllte jetën e tij në burgun e Vlorës më 1946 si kundërshtar i regjimit komunist.

Që kur ishte fëmijë Kudreti, i ati Hasan Efendiu, e kishte njohur karakterin dhe intelektin e të birit. E dërgoi në Romë ku kreu studimet e mesme dhe të larta, duke u laureuar ‘’Doktor në jurisprudencë‘’ në vitin 1933.

7 Prilli 1939 e gjen anëtar të gjykatës së shkallës së parë në Korçë. Më vonë shkon po me këtë detyrë në Shkodër dhe Tiranë. U angazhua në radhët e Ballit Kombëtar si anëtar i qarkorit të Vlorës dhe mori pjesë në të gjitha aktivitetet kryesore të tij.

Në vitin 1941 shkon në Kosovë për organizimin e gjykatave të atjeshme.
Më 28 nëntor 1942 është në ballë të demonstratës së madhe antifashiste të zhvilluar në Prizren.
Gushti i vitit 1943 e gjen ne Mukje, në konferencën historike.

Ne fund te dhjetorit 1944, duke u kthyer nga kampi i internimit ne kufirin Austro-Hungarez arrestohet dhe i lidhur i dorëzohet Shefqet Peçit në kufirin shqiptar.
Kështu për Kudretin filloi kalvari nëntëmbëdhjetë vjeçar i vuajtjeve të burgut të Burrelit.

Kudret Kokoshi ndërroi jetë më 26 prill 1991.

* * *

Hysni Alimerko lindi ne Tragjas te rrethit te Vlores ne 19 Janar 1919. Mesimet e shkolles fillore i kreu ne Vlore , me tej vazhdoi te ndjeke shkollen Teknike Amerikane te Harry Fultz deri ne 1935. Studimet e mesme i kryeu ne shkollen Normale te Elbasanit deri ne 1939.

Ndjek dhe perfundon shkelqyeshem studimet e larta Universitare ne Firenze te Italise deri ne 1943, ku titullohet Profesor ne Letersi-Histori. Njohes shume i mire i tre gjuheve te huaja Anglisht,Frengjisht dhe Italisht.

Pas perfundimit te studimeve universitare, emerohet si arsimtar ne Prishtine. Kthehet ne Vlore ku perfshihet ne levizjen antifashiste te Ballit Kombetar.
Merr pjese si degjues ne Konferencen e Mukjes, 1-2 Gusht te 1943. Nga Shtatori i 1943 zgjidhet si Sekretar i Komitetit Qarkor te Ballit Kombetar deri ne fund te vitit 1944.

Ne fillim te vitit 1945 emerohet profesor ne gjimnazin e Elbasanit. Ne 1946 transferohet per ne gjimnazin e Tiranes dhe ne Nentor te po atij viti transferohet ne gjimnazin e Peshkopise.

Me 16 maj te 1947 arrestohet si pjesemarres i grupit te ashtuquajtur te “Bashkimi Demokratik” .

Me 21 nentor 1947 me Vendim te Gjykates Ushtarake te Elbasanit denohet me vdekje. . Denimi kthehet me burgim te perjetshem dhe pune te detyruar nga Gjykata e Larte. Vuan 20 vjet ne burgun e Burrelit deri ne 1964.

Pas perfundimit tedenimit lirohet dhe punon si punetor i thjeshte per 16 vjet ne Fabriken e Tullave Vlore deri sa del ne pension.

Ne fillim vitet ’90 perfshihet dhe jep kontribut familjarisht ne levizjet antikomuniste. Mer pjese ne organizimin e Shoqates se ish te Perndjekurve Politike ku zgjidhet kryetar per degen e Vlores dhe njekohesisht Nenkryetar i Pergjithshem i Shoqates Kombetare te ish te Perndjekurve Politike deri ne vitin 1995.
Ne zgjedhjet e para demokratike per administrimin lokal te vitit 1992 zgjidhet anetar i Keshillit te Bashkise Vlore dhe njekohesisht Kryetar i Grupit te Partise Demokratike deri ne 1996.

Nderroi jete ne moshen 83 vjeçare ne Mars 2002

* * *

Avni Xhomaqi lindi me 18 dhjetor 1924 në fshatin Bejkovë të Kolonjës në një familje me tradita të pasura nacionaliste.
Ne vitin 1943, i ati i tij Zenel Xhomaqi rreshtohet ne rradhet e çetws balliste qe drejtohej nga Safet Butka.
Me krijimin e organizates se Ballit Kombetar edhe Avniu bashkohet me këtë organizatë.
Zenel Xhomaqin e arrestuan në fillim të vitit 1945. E dënuan me vdekje me pushkatim.
Me 23 maj 1945 arrestohet dhe Avniu. Vendimi, Avni Bejkova me vdekje me pushkatim. Më prapa ky dënim u kthye në burgim të pëtrletshëm.
Në 1946, Avni Bejkovën e dërguan në Burgun e Burrelit. U lirua pasi kreu 20 vjet në këtë burg. Por odisea e persekutimit nuk mbaroi këtu. E internuan në fshatrat e Elbasanit ku qëndroi deri në përmbysjen e sistemit totalitar.
Menjeherë sapo u krijua Shoqata e të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, me në krye të nderuarin Osman Kazazi, u bashkua me të duke mbajtur postin e anëtarit të kryesise kombetare, post të cilin e ruan deri në ditët tona.

* * *

Prill 1953. Kampi i punës së detyruar Vlashuk. Djali gjashtë vjeçar i toger Ademit, operativit mizor të kampit, ishte sëmurë rëndë. Një ftohmë e tmerrshme e kishte shpënë në buzë të varrit, me gjithë kujdesin që kishte treguar doktor Isufi. Shpëtimi i vetëm ishte inxheksioni me penicilinë oleoze, një medikament i kohëve të fundit që vinte nga SHBA. Një të tillë kishte avokati Jani Ikonomi nga Narta, një i burgosur politik. Togeri e mësoi një gjë të tillë dhe iu lut doktorit t’ia merrte duke i premtuar se do t’ia kthente përsëri.Ujku ishte shndërruar në dele. Doktori ndërhyri, e mori penicilinën dhe ia injektoi fëmijës që u shërua, por bashkë me sëmundjen togeri harroi edhe premtimin. Delja ishte kthyer përsëri në ujk.

Pas pak kohe u sëmur rëndë Bejo Vrazhdua nga Bolena. Edhe për këtë rast shpëtimi ishte penicilina oleoze. Doktori i kërkoi togerit të mbante premtimin, por ai ishte i atij brumi që premtimet i hidhte në koshin e plehrave pa e vrarë farë ndërgjegja, sepse nuk kishte ndërgjegje. Në fillim të qershorit Bejua mbylli sytë. Ajo ishte një ditë zie për gjithë kampin.. Më i prekuri, më i revoltuari ishte doktori. Një i burgosur, një nga ata që fjalën e fundit e thonë në fillim, i tha një fjalë të rëndë. Doktori iu përgjigj:

– Unë jam mjek. Detyra ime është të shëroj çdo të sëmurë, i kujtdo kraho qofte, aq më tepër kur ai është fëmijë. Ndoshta një ditë këtij djali do t’i vijë rëndë për xhestin e të atit.

Nuk dihet nëse ky djalë rron apo jo dhe se çfarë mendon për të atin, por po të jetonte duhej ta dinte se jeta e tij është ngritur mbi vdekjen e dikujt tjetër.
Maji i vitit 1954. Kampi i punës së detyruar Shtyllas. Sulejman Dizdari e ndjeu veten të sëmurë Ishte i pafuqishëm dhe me temperaturë. Doktori e pa dhe vendosi ta shtronte në infermieri. Por e ndaloi toger Ademi. Sulejmani bënte pjesë në forcat që duhej të shkonin në punë. Doktori u mundua shumë, bile u ndesh shumë ashpër me togerin, por ishte e pamundur. I sëmuri u detyrua që i mbajtur nga shokët të nisej. Por ai nuk ishte në gjendje të punonte. Duke shtyrë karron u rrëzua dhe nuk ngrihej dot më. Togeri urdhëroi disa të dënuar ordinerë ta mbulonin me dhe. Dëgjoheshin rënkimet e mbytura të Sulejmanit, por askush nuk kishte mundësi ta ndihmonte. Rojet nuk lejonin t’i afroheshe. Ai u mbulua me dhe duke patur jashtë vetëm kokën. Në mbarim të orarit të punës shokët e tij e nxorrën nga dheu dhe duke e mbajtur në krah e çuan në kamp. Atje shkëlqeu gjenia e doktorit. Ishte merita e tij nëse Sulejman Dizdari u kthye përsëri në jetë.

Doktor Isuf Hysenbegasi me përkushtimin e tij, me vetëmohimin e tij e ringjalli përsëri

Shtatori i vitit 1955 në kampin e punës së detyruar të Bulqizës. Me nismën e doktor Isuf Hysenbegasit u organizua fshehurazi një pasdite përkujtimore kushtuar tridhjetepesë vjetorit të luftës së Vlorës. Në atë pasdite nuk pati fjalime dhe kumtesa. Nuk pati kokteje dhe darka. Në vend të koktejit ishte çaji i ftohtë pa sheqer, dhe në vend të kumtesave ishin vargjet e mikut të tij, poetit të burgosur politikë Kudret Kokoshi, një figurë tjetër e shquar e nacionalizmit shqiptar. U deklamuan ‘’Toto Bolena’’ dhe ‘’Epopeja’’, ‘’Luftëtarit të Kombit’’ dhe ‘’Vegimi epik’’, ‘’Vlorës’’ dhe ‘’Këngën më të bukur këndoj’’, ‘’Spartaku’’ dhe ‘’Neroni’’, ‘’Nënës’’ dhe ‘’Gruas shqiptare’’, “Një ditë vjeshte “ dhe të tjera. Natyrisht atë natë dhe netë të tjera të gjithë përfunduan në qeli.

* * *

Në kohën kur Kudreti studionte në Itali për drejtësi në ambjentet studentore të asaj kohe shqiptarët konsideroheshin inferiorë në krahasim me studentët e vendeve të tjera. Një gjë e tillë nuk kishte si të mos binte ndesh me karakterin e Kudretit dhe të miqve të tij. Ndaj vendosën që t’i sfidojnë. Organizuan një konferencë në të cilën përveç profesorëve dhe studentëve të universitetit, morën pjesë edhe disa nga mendjet më të ndritura të asaj kohe në Romë. Kumtesën kryesore e mbajti Kudreti.

Foli e foli me oratorinë e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, për shqipet dhe vendin e tyre, për doket dhe zakonet e këtij populli, për besën dhe nderin e shqiptarit.

Foli për Pirron dhe Teutën, per Skënderbeun dhe Ismail Qemalin, për Faik Konicën dhe Fan Nolin. Foli per Bilbilenjtë që ‘’vanë në litare vetë‘’ duke dredhur cigaren. Në fund foli për historinë e malësorit krenar që luftonte pa u epur para hordhive pushtuese otomane. Dikur malësori trim kapet nga koshadhet turke dhe dërgohet para trikëmbëshit. Në ekzekutimin e tij merr pjesë edhe valiu i krahinës. Në momentin e hedhjes së litarit ai, gjithë fodullëk, i drejtohet me ironi malësorit:
– Eh or mik, a e ke ndjerë veten ndonjëherë më ngushtë se sot?
Malësori i qetë, pa i lëvizur qepalla, i përgjigjet rëndë rëndë me një krenari mospërfillëse:
– Po mor zotni! E kam ndier atëhere kur më ka ardhë miku për darkë dhe nuk kam patun as bukë dhe as krypë per t’i nxjerrun.
Suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Që nga ajo ditë nëpër gazetat e kohës filloi të shkruhej për Shqipërine dhe shqiptarët.
Në mars 1944 ndodhej në Kosovë, ku arrestohet nga gestapua dhe internohet në kampet e shfarrosjes në Prishtinë dhe, më pas, në kufirin Austro-Hungarez. Lirohet nga forcat aleate në fund të dhjetorit 1944. Mori rrugën e kthimit. Rrugës spiunohet nga agjentët shqiptarë të UDB-së. Arrestohet dhe i lidhur i dorëzohet Shefqet Peçit në kufirin shqiptar.
Nje farsë e vërtetë gjyqi i zhvilluar kundër tij. U quajt antishqiptar dhe bashkëpuntor i fashizmit. Lakejtë e regjimit lëshonin thirrje histerike. Prokurori çirrej dhe hakërrohej. Kudreti në vend që të revoltohej apo të mbrohej me termat juridike për të cilat ishte mjeshtër, u drejtohej me vargjet e tij që i kish shkruar pas demonstratës së zhvilluar në Prizren:

Mallkuar qofsh, Benito Musolini!
Një zë nëmës shpërthen nga çdo stërkalë,
Mallkuar qofshi ju që vdekjen bini,
Dhe nëma ushton nga mali në mal.

* * *

Po afronte festa e flamurit, 28 nentori i vitit 1991. Shoqata e te perndjekurve politike Vlore vendosi te mos lejonte qe ne shtizen e flamurit te ngrihej ai me yll. Per kete, me nismen e kryetarit te saj, Hysni Alimerko, u organizua nje takim me forcat e djathta, Partine Demokratike, Republikane dhe Bashkimin e Sindikatave te Pavarura e Shoqaten “Çameria”. Iu dergua nje kerkese Komitetit Ekzekutiv Pluralist ku shumicen e kishin ish-komunistet te cilen ai e refuzoi.
Me 27 nentor, me urdher te Komitetit u ngrit flamuri me yllin e kuq. Por Vlora kishte djem te gjalle. Xhemal Mustafaraj, ish- i denuar politike dhe Fadil Ndreu, lindur dhe rritur ne internim, hipen ne shtizen e flamurit, grisen yllin e kuq dhe e ngriten ate pa yllin e urryer. Ne mbremje komiteti u detyrua te pranonte qe te nesermen te ngrihej flamuri pa yll.

28 nentor. Suita e drejtuesve te Komitetit Ekzekutiv po drejtohej per te ngritur flamurin. Te porta e lulishtes, nje grup ish-te burgosurish politike me ne krye kryetarin Hysni Alimerko i dolen para dhe i thane:

– Duart e atyre qe kane ngritur flamurin e komunizmit nuk do te ngrene
flamurin e Ismail Qemalit! Ky flamur eshte i yni
Flamurin e ngriten duart e pastra te Altin Kokoshit, djalit 17 vjeçar te Burim Kokoshit, ish- i burgosur politike dhe nipit te Qazim Kokoshit, firmetar i aktit te pavaresise me 1912.
Ne ato çaste nga syte e Hysniut filluan te rridhnin dy pika lot.
Mos harroni, ne ate kohe Kuvendi i Shqiperise nuk e kishte vendosur ende heqjen e yllit nga flamuri.

* * *

Avni Xhomaqin e arrestuan më 23 maj 1945. E morën para syve të ngrirë nga tmerri i të vëllait katërmbëdhjetëvjeçar, Hasanit dhe e çuan në komandën e vendit. E futën në birucë.

Kështu erdhi dita e gjyqit, por Avniu nuk e kishte firmosur procesverbalin. Pasdite hetuesit bënë gjithçka që ai të firmoste një procesverbal tjetër, më të zbutur por ai nuk pranoi. “Nuk dua të më vrisni me duart e mia!”, u tha. E hodhi firmën vetëm në një variant të hartuar siç deshte ai. Gjithçka u mbyll pak minuta para se të niste seanca gjyqësore.

U dha vendimi, Avni Xhomaqi me vdekje me pushkatim. Më prapa ky dënim u kthye në burgim të pëtrletshëm. Ndërkohë i ati ishte ekzekutuar.
Në 1946, Avniun e dërguan në Burgun e Burrelit. U lirua pasi kreu 20 vjet në këtë burg. Por odisea e persekutimit nuk mbaroi këtu. E internuan në fshatrat e Elbasanit ku qëndroi deri në përmbysjen e sistemit totalitar.

Menjeherë sapo u krijua Shoqata e të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Avniu nuk mund te qendronte spektator. Ndergjegja e tij nuk e lejonte. Erdhi ne Tirane dhe mori pjese qysh ne konferencen e pare te shoqates, me 28 prill 1991, e cila zgjodhi në krye të nderuarin Osman Kazazi. Qysh nga Kuvendi i Pare i Shoqates dhe deri ne ditet tona Avniu ka qene anetar i Kryesise Kombetare te saj.

Eshte fati yne i madh qe sot e kemi ende ne mes tone kete figure te shquar te rezistences antikomuniste, kete enciklopedi te nacionalizmit shqiptar. Pyeteni per çfare te deshironi rreth historise se luftes se dyte boterore dhe perballjes se eger midis dy forcave, komunisteve dhe antikomunisteve dhe do te merrni nje pergjigje qe nuk do e degjonit nga asnje historian i njohur. Ate mund ta gjeni çdo mengjes duke pire kafe ne “Fast Fut Xheni” ne rrugen Ismail Qemali.
Avni Bejkova nuk ka qejf të zbresi në nivelin e fanatikëve partiakë. Ndoshta ky është edhe sekreti i mbijetimit të bindjeve të tij. Këtë bindje ai e ka edhe sot kur deklaron:

“Sa më shumë kohë shkon, aq më tepër ballist bëhem”.

Ky eshte Avni Xhomaqi.

***

ANËTARËSOHU NË GRUPIN MË TË FREKUENTUAR TË ANTIKOMUNISTËVE SHQIPTARË

LIDHJA E DYTË E PRIZRENIT

One thought on “DEKORIMI I KATËR FIGURAVE TË SHQUARA ANTIKOMUNISTE”

  1. zoti, ARBER GASHI, SI DUKET KINI SHUM LIDHJE ME VLONJAKET MBASI PO SHKRUANI VETEM PER TA , POR SIC DIHET BURA SI TA KISHTE NE CDP QOSHE TE KOMBIT N SI DUKET DOKTORE DUHET TE KISHTE LIDHJE DHE ME SAFET BUTKEN SI DHE ENVER HOXHEN MBASI ATA ISHIN PO NE TE NJHEJTAT VENDDI SI DO MIOS NE KORCE , TA LEM ME KAQ

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *