HISTORIA

LUFTA DHE DILEMAT SHQIPTARE

LUFTA DHE DILEMAT SHQIPTARE – Pjesë nga libri i Maxhun SMAJLIT KU AUTORI AS NUK MALLKON AS NUK FALË

SHKRUAN: SEFEDIN KRASNIQI

Në emër të Zotit, të popullit dhe të dëshmorëve të tij po e shfletoj bllokun tim të shënimeve, të regjistruar në luftën e fundit të Kosovës me Serbinë gjatë vitit 1998/1999, faqet e të cilit janë të mbushura me qindra ngjarje të ndryshme, sa tragjike e të dhembshme, aq heroike e krenare. Pa dyshim janë ngjarje këto të një periudhe të bujshme dhe dramatike për popullin e Kosovës, që me dimensionet e tyre të shumanëshme, prekin thellë shpirtërat e njerëzve, jo vetëm te periudhës në spikamë. A u t o r i

Me fjalët e sipërme, e nisë shfletimin e ditarit të luftës gazetari Maxhun Smajli për ta shkruar librin “LUFTA DHE DILEMAT SHQIPTARE”. Për lexuesit e faqes tonë, me dijen e autorit, zgjodhëm pak faqe, nga 239 sa ka libri, të ilustruara me mëse 130 fotografi dhe tituj gazetash të asaj kohe. Faqet që kemi zgjedhur janë krejt të ordinere, siç janë edhe fotografitë.

Reporteri i luftës Maxhun Smajli, në çdo faqe ka pasqyruar heroizmin real të luftëtarëve të UÇK-së në zona të ndryshme të luftës, si në Drenicë, Dukagjin etj. Heronjtë e tij janë të rendomtë, pa zbukurime dhe epitete. Ata as nuk janë “dragoj as zana që fluturojnë nga kodra në kodër” për ta çliruar Kosovën nga serbi. Ja sesi shprehet në mënyrën më të thjeshtë për të treguar heroizmin aq të madh që antarët e familjes së Shaban Jashari treguan gjatë luftës së 5, 6 dhe 7 marsit: “Në rrënojat e shtëpisë kishte mbetur e vrarë heroina, nënë Salë H. Jashari (57), e cila kishte luftuar deri në momentin e fundit. Se ajo kishte vrarë shumë police serbë dëshmon kufoma e një polici serb, të cilin e kishin harruar policia, e i cili ishte vrarë nga pozicioni i nënë Salës” (faqe 63).

Autori Salë H. Jasharin e quan “nënë”, sepse e di për nënë, sepse e don për nënë. Me heroizmin e saj, ajo edhe është nënë e gjithë Kosovës, që në moshë të shtyer nuk ka luftuar vetëm për famijlen Jashari të Prekazit, por dha shembullin sesi luftohet për Kosovën.

Me riprodhimin e shkrimeve të kohës në libër dhe shoqërimin e tyre me fotografi origjinale, autori u kumton lexuesëve se ai qysh atëherë ka guxuar t’ia bëj gjyqin forcave serbe para opinionit botëror, duke i demaskuar për dhunën që këta kanë ushtruar ndaj civilëve shqiptarë të pafajshëm. Forcave serbe të rregullta, në këto punë të pista dhe makabre, u ndihmonin edhe paramilitarët dhe civilët serbë, të cilët me parulla të ndryshme i porosisin shqipatarët:

“Nëse lëvizni, natën do t’u vrasim të gjithëve” (faqe 40).
“Bebja e vdekur, për shkak të pasigurisë, varroset natën” (faqe 70).

Por, Maxhun Smajli nuk ka treguar as më të voglën mëshirë as ndaj ushtarëve bastardë të UÇK-së që kishin marrë pushkën për të nxjerrë ndonjë gjak të vjetër apo për tu pasuruar duke maltretuar dhe rrahur shqiptarët në stilin e serbëve. Këtë tip të ushtarit bastard të UÇK-së e personifikon Pjetër Ukaj, i njohur me nofkën “Ujku”. “Ujku” në shtabin e Jabllanicës së Gjakovës provokon, kërcënon, keqtrajton dhe dhunon shqiptarë të pafajshëm njësoj sikur serbët.

Ja si i paraqet autori i këtij libri sjelljet e “Ujkut”: Ky filloi të më provokojë […] duke i thënë një ushtari që ishte në këmbë përballë tij, prapa meje: “A ta çojmë atje?”. Pastaj e vari shufrën e gomës në një varëse në uniformën e tij dhe e nxori një thikë të ndryshkur, apo të papastruar nga gjaku… Të njejtit ushtar i thoshte: “A t’ia bëjmë sikur atij tjetrit?”.

Apo edhe më keq: – Pasi hymë brenda dyerve të oborrit, në një plevicë në shtylla betoni, Ujku kishte qenë duke e rrahur një person rreth të 40-tave, … derisa e keqtrajtonte pa mëshirë, shikimin e mbante tek unë. Sikur donte të më thoshte se kështu do ta përjetosh edhe ti një ditë. (faqe 91).

E çfarë ka përjetuar reporteri i luftës Maxhun Smajli nga gjakatarët serbë që e kanë arrestuar 18 herë dhe peripecit që ka pasur gjatë luftës si gazetar, lexuesi do ta zbulojë vetëm kur ta lexojë librin e tij “LUFTA DHE DILEMAT SHQIPTARE” .

Autori nuk mallkon as kolaboracionistët shqiptarë të tipit të Ramadan Bales. Ai sikur ia lë Zotit që të lëshojë mallkimin në ta!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *