OPINIONE

ME RASTIN E 25 VJETORIT TË SHPALLJES SË AUTONOMISË POLITIKE TERRITORIALE – ILIRIDA

SHKRUAN: PROF. DR. VEBI XHEMAILI

Referendumi i mbajtur me sukses për AUTONOMINË POLITIKE TERRITORIALE- I L I R I D A u vendos të shpallet në mbrëmje më 7-dhe të bëhet publike më 8 prill 1992, ndërsa në mediat botërore dhe enciklopedinë angleze është shënua si datë e shpalljes së ILIRIDËS 8 prill. Ky Referendum i Shqiptarëve të Maqedonisë duhej bërë publik më 8 prill në sheshin e Tetovës para të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, Ky Referendum për Autonomi Politike dhe Territoriale të Shqiptarëve në Republikën e Iliridës IRJM, mbeti në hije pa u bërë publike dita e shpalljes nga presioni i pushtetit aktual të kohës.

Pas përfundimit të referendumit maqedonas të 8 shtatorit dhe aprovimit të Kushtetutës së vitit 1991, faktorit politik shqiptar nuk i mbeti gjë tjetër përpos të kërkojë rrugë tjetër për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve të Iliridës IRJM. Një rrugë e këtillë ishte organizimi i një referendumi të veçantë, ku populli shqiptar do të shprehte vullnetin e vet përmes deklarimit gjithëpopullor. Zhvillimet e këtilla politike, përmes deklarimit plebicitar, ishin karakteristikë e të gjithë popujve që përpiqeshin të fitonin lirinë përmes procesit demokratik në IRJM.

Referendumi i popullit shqiptar ishte kundërpërgjigje ndaj të gjitha vendimeve të njëanshme të faktorit politik maqedonas, të cilët anashkaluan skajshmërisht interesat kombëtarë të shqiptarëve të Iliridës në IRJM. Referendumi i popullit shqiptar të Iliridës IRJM u mbajt më 11 e 12 janar, 1992. Vendimin për shpalljen e referendumit për Autonomi politike dhe territoriale të shqiptarëve në IRJM e solli Kuvendi i Autonomisë më 27 dhjetor 1991. Qytetarët shqiptarë duhej të deklarohen se: A janë për Autonomi politike territoriale të shqiptarëve në Maqedoni. Referendumi i shqiptarëve në Iliridë IRJM u realizua në një atmosferë impozante dhe solemne. Pothuajse i gjithë populli shqiptar, iu përgjigj thirrjes plebicitare duke shpresuar se kjo është zgjidhja më e mirë. Sipas informatave nga Komisioni i cili ka qeverisur procesin e referendumit, ai ishte plotësisht i suksesshëm. Raporti nga Kuvendi i autonomisë më 16 janar 1992. u dërgua edhe te institucionet ndërkombëtare:

• Komuniteti Europian
• Presidenti i Konferencës së Paqes në Jugosllavi
• z Lord Carrington
• Presidenti i Parlamentit Evropian
• Kryetari i Komisionit të Arbitrazhit për Jugosllavinë
• Sekretari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara
• Kongresi, Senati dhe Programit të Departamentit të SHBA-së

Në këtë raport është theksuar se referendumi për autonomi politike dhe territoriale të shqiptarëve në Maqedoni ishte krejtësisht i suksesshëm. Por gjithashtu edhe theksoi pengesat dhe propaganda e qeverisë maqedonase kundër referendumit, mjetet e informimit dhe partive të tyre nacionaliste dhe kërcënimet që u janë drejtuar shqiptarëve dhe udhëheqësve të faktorit politik shqiptar. Rezultati i Referendumit të shqiptarëve në Maqedoni ishte pozitiv. Nga gjithsej 383,539 votues të, përfshirë si listën e votuesve, votuan për autonomi 360,928 ose 99.9%, ndërsa 57 votues, nga ata që dolën në votime votuan kundër. Policia maqedonase u përpoq për të ndaluar procesin e votimit, kryerjen e një kontrollimi të 260 qendrave të votimit, kurse nga 120 qendrat e votimit u konfiskua materiali zgjedhor. Komuniteti ndërkombëtar ishte i njohur edhe me një fakt që numri i shqiptarëve që sipas statistikave zyrtare 400.000 banorë, është falsifikuar krejtësisht, sepse pas referendumit doli në pamje një fakt tjetër i rëndësishëm, që elektorati shqiptar përfshin më shumë se 383.000 votues.

I L I R I D A

Kjo ide rrodhi si pasojë e pozitës së vështirë të shqiptarëve të Maqedonisë pas vitit 1990 ku sllavët e Maqedonisë u vërsulën kundër të drejtave natyrore që kishin shqiptarët pas vitit 1974, kundër arsimit dhe kulturës shqiptare, duke krijuar një shtet totalitar në dëm të popullatës shqiptare që jeton me shekuj në këto troje të veta historike. Kjo situatë e krijuar e shtyri grupin parlamentar që të protestojë në organet ndërkombëtare-botërore më 24 06 1991. Grupi parlamentar i informon organet ndërkombëtare: Këshillit ministror BEE z. Hans van den Bruk, dhe Komisionit Arbitrarë konferencës Paqësore në Hagë z. Rober Bandinter, për një përpjekje të fundit të shqiptarëve për një dialog në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve në të gjitha fushat për një barazi të plotë në mes të dy këtyre komuniteteve. Por doli e kundërta pasi as Jugosllavia as Maqedonia nuk janë të interesuara për jetë të përbashkët me shqiptarët në bashkësi të barabartë dhe demokratike, por synojnë që të krijojnë kushte për jetë “ të përbashkët në të cilën do të inkuadrohet filozofia e sovranit dhe të nënshtruarit-shërbëtorit të tij.

Me shpalljen e kushtetutës së Maqedonisë shqiptarët u eliminuan si subjekt shtet formues dhe e tërë sovraniteti i shtetit kaloi vetëm në duar të popullatës sllave që jeton në territorin të Maqedonisë, ndërsa shqiptarët u shpallën si pakicë dhe nëpërmes të kësaj preambule sundimi serb mbi shqiptarët nga lufta e Parë ballkanike e vitit 1912 me këtë preambulë në mënyrë tejet perfide kalonte sovraniteti shtetit prej serbëve në duar të pushtetit sllavo-maqedonas.

Kjo situatë e krijuar politike në Maqedoni e shtyri grupin parlamentar në atë kohë të reagojë me të shpejt me një dokument të ri (Memorandum) duke i informuar të gjitha institucionet Ndërkombëtare se shqiptarët nuk janë aspak të kënaqur me metodat e veprimit të politikës të shtetit të Ri të Maqedonisë. Prandaj grupi parlamentar në krye me Kryetarin e PPD, Nevzat Halilin hartoi Memorandumin në gjuhën angleze dhe i informoi të gjitha institucionet Ndërkombëtare: “se Maqedonia pas ASNOMIT është krijuar si republikë multinacionale e shqiptarëve -maqedonasve dhe turqve. Por si duket Maqedonia në rrethanat e krijuara përgatitet të shpallet si shtet njënacional duke e grabitur pushtetin dhe duke i krijuar primat mbi popujt tjerë që deri dje luftuan sëbashku për çlirimin e këtij territori. Shqiptarët e kuptuan qëllimin e errët të pushtetmbajtësve maqedonas dhe ishin të bindur se me këto akte nuk jemi të barabartë në vetëqeverisje me maqedonasit. Prandaj grupi parlamentar me të shpejtë përgatiti Memorandumin dhe më 22 tetor iu dorëzua Gjyqit të Hagës. Ky Memorandum nga shtypi maqedonas u botua në gazetën “ Puls” nr. 43. më 14 nëntor 1991, duke akuzuar aktivistët shqiptarë se po i futin flakën Maqedonisë dhe se përgatisin masën shqiptare drejtë autonomisë.

Kur u shpallë autonomia sa komisione u krijuan dhe si ka funksionuar autonomia;

Pas shpalljes së kushtetutës në republikën e Re të Maqedonisë ishin pjekur kushte për ndryshimin e formave të veprimit të PPD dhe PDP në koordinim me grupin parlamentar që në atë kohë vepronte si trup i vetëm dhe ishte këmbëngulës në mbrojtjen e të drejtave nacionale.

1. Kryesia e Partisë së PPD, sëbashku me grupin parlamentar u thirr më 16 02 1992: me këtë rend dite: Mbledhje e grupit parlamentar për themelimin Kuvendit për Autonominë politiko-territoriale në Maqedoni.

Konkluzat e mbledhjes:

-Prej sodit deputetët të konsideroheshin si kuvendarë të Kuvendit për Autonomi
-U konstituua Kuvendit për Autonomi politiko-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni,
-U bë verifikimi i mandateve të kuvendarëve
-u suallë vendim për rregulloren e punës.

2. Më 16. 02 1992, në Kuvendin e mbajtur të Autonomisë u caktuan organet e para për jetësimin e Autonomisë:

-Komisioni për caktimin e kufijve të Autonomisë
-Komisioni për mbrojtjen e Autonomisë
-Komisioni për çështje politike
-Komisioni për Ekonomi
-Komisioni për arsim dhe kulturë
-Komisioni për mbikëqyrje- i udhëhequr nga Kryetari Nevzat Halili

Veprimtaria për jetësimin e autonomisë

-Komisionit për caktimin e kufijve të Autonomisë Politiko Territoriale, kamë pasur një detyrë shumë të ndjeshme politike dhe strategjike për caktimin e kufijve të Autonomisë shqiptare. Pasi çdo veprim i yni mund të sillte pasoja katastrofale në dëm të çështjes sonë kombëtare. Por ka pasur në mesin tone edhe individ që filluan të largohen nga puna e komisionit duke u deklaruar se janë të sëmurë dhe nuk mundë të asistojnë në mbledhje, arsyet dihen. Në këto rrethana të tendosura politike në Maqedoni, komisioni i ynë filloi përgatitjet shkencore por njëherë kërkoi ndihmë nga ekspertë dhe njerëz me renome ndër shqiptarët dhe njohës të mirë nga Historia, Kultura dhe njerëz të politikës dhe njohës të mirë të drejtës Ndërkombëtare. Pra i ndamë detyrat për të kërkuar mbështetje politike dhe strategjike nga ekspertë nga Shqipëria dhe Kosova: Së pari kërkuam ndihmë nga Tirana.

Komisioni i ynë që doli nga Kuvendi i PPD për Autonomi, i bindur thellë së kemi pranuar një detyrë të shenjtë, se me jetësimin e Autonomisë Shqiptare një here e përgjithmonë do të shkëputemi nga zgjedha dhe abuzimet sllave. Të bindur thellë se kërkesa e jonë do të përkrahet edhe nga diplomacia evropiane, pasi ne kërkojmë një të drejtë historike që defakto i takon çdo pjese të popullit i shkëputur me dhunë kundër vullnetit të tyre nga forcat ushtarake serbe më vitin 1912-1913. Shqiptarët e Maqedonisë kësaj shkëputje arbitrare i kanë bërë rezistencë pa ndërprerë deri më sot duke mos e pranuar kur sundimin serbo-sllav.

Prandaj ishim të bindur thellë se kemi marrë mbi supe një barë të shenjtë kombëtare me jetësimin e autonomisë do të ruajmë nga hegjemonizmi sllav vlerat tona kombëtare.

Kontributi i dhënë nga profesorët dhe studiuesit e kësaj fushe nga Kosova në këtë komision ishte shumë i madh. Në këtë komision merrnin pjesë Profesorët më eminentë dhe njohës më të mirë të kësaj fushe si: Prof. Zejnulla Gruda, Prof. Esat Stavileci, Prof. Fatmir Sejdiu. Nga Maqedonia në këtë Komision ishin caktuar, për Kryetar Asllan Selmani, (Ky ishte i sëmurë dhe nuk asistonte në mbledhje). Për arsye mbledhjet udhëhiqeshin nga Nënkryetari Vebi Xhemaili. Në këtë Komision merte pjesë edhe Kryetari i Autonomisë Gjylias Fejzullahu. Për anëtarë të këtij Komisioni ishin: Prof. Masar Kodra, Iljaz Halimi, Abdurhaman Halit, Milaim Fejziu dhe Mithat Emini. Herë herrë sipas mundësive që kishte në këto mbledhje asistonte edhe Kryetari i PPD Nevzat Halili, për të mbikëqyrë mbarëvajtjen e punës të këtij Komisioni. Pasi ky Komision ishte për caktimin e kufijve të Autonomisë, ishte më i rëndësishëm për jetësimin e kësaj ideje në vepër. Pasi në këtë Komision caktohej fizionomia e Autonomisë se kah do të shkonte kufiri dhe cilat pika të territorit do të futeshin në kuadër të ILIRIDËS. Kumbar i ILIRIDËS ka qenë Prof. Ali Vishko. Mbledhjet si zakonisht mbaheshin në zyrat e Kryetarit për të “Drejtat e Njeriut”, Prof. Milaim Fejziut në Gostivar.

Intensiteti i punës dita ditës shtohej me të madhe pala maqedonase ishte e shqetësuar për veprimin tonë politik. Zyrat ku mbaheshin mbledhjet për jetësimin e Autonomisë çdo ditë vëzhgoheshin dhe kontrolloheshin nga pushteti, ku disa herë u demoluan, sigurimi i shtetit filloi ti marrë një nga një anëtarët e komisionit në biseda. Në këto rrethana politike situata kishte edhe emisarë të tillë që për çdo ditë raportonin te Kryetari Gligorov. Por kjo situatë e tendosur me presione të pa ndërprera nga pushteti aktual, fare nuk e zvogëlonte intensitetin e shqiptarëve atdhedashës të cilët na përkrahnin për veprën e shenjtë që e kishim nisur. Këta atdhetarë paraqiteshin edhe me letra nga të gjitha viset e Evropës dhe Amerikës që mos të heqim dorë nga Autonomia. Për çdo ditë na vizitonin plotë vullnetarë të gatshëm të pranonin të gjitha detyrat që do tu caktoheshin për të vepruar për të mirën e Autonomisë shqiptare. Diaspora shqiptare ishte ngritur në këmbë duke na dhënë përkrahje politike dhe –morale. Ajo fare nuk ka kursyer nga xhepi i saj anën financiare dhe të mirat tjera materiale.

Cilat qytete duheshte të hynë në kuadër të autonomisë;

Delegacioni për politikë në takimet e veta që pati brenda dhe jashtë mori këto të dhëna nga Institucionet Ndërkombëtare se autonomia u takon vetëm atyre qyteteve që kanë mbi 51% përlindë të popullsisë shqiptare. Me këto kushte të disfavorshme vetëm Tetova, Gostivari me Dibrën plotësonin normat juridike Ndërkombëtare e të drejtës për të fituar Autonominë, kjo tezë e ndërkombëtarëve do të na shërbejë si mollë sherri për përçarje. Pasi shkupjanet nuk ishin për këtë autonomi gjysmake, ku pjesa shqiptare e qyteteve tjera u gjind në një pozitë tejet të palakmueshme. Për këtë arsye kërkohej realizimi i autonomisë me të gjitha mjetet disponuese që Zona shqiptare që përfshinë territoret dhe qytetet deri mbi Katllanovë, duke përfshi Shkupin drejtë vijës Veles-Qustendil. Por kjo tezë ishte e pa pranueshme për ata individë që kishin studiuar në shkollat sllave në Shkup apo Beograd. Këta assesi ta kooptonin kërkesën tone për autonomi, se qëndrimi i ynë shkencor ishte se; Skupi (Shkupi) ka qenë Kryeqytet edhe i Dardanisë e më vonë edhe i Vilajetit të Kosovës deri me ardhjen e serbëve në trojet tona në vitin 1912, Ndërsa gjatë kësaj periudhe krahina e Maqedonisë shtrihej nga Lumi Pçinja që fillon nga Velesi, Shtipi deri në Selanik. Pra territori shqiptar fare nuk përkon me deklaratat e shkencëtarëve maqedonas se gjatë historisë Shkupi i ka takuar Krahinës së Maqedonisë. Edhe gjatë Lekës së Madh si nip i Ilirëve edhe gjatë sundimit turk deri në vitin 1912 ka qenë Kryeqytet i shqiptarëve.

Për fund desha të potencoj se politika sllave arriti të na përçajë përsëri, që disa nga funksionarët e PPD, të heqin dorë nga Autonomia politike territoriale e shqiptarëve të Maqedonisë. Prandaj kjo shpallje në sheshin e Tetovës ngeli në hije. Pasi atë ditë politika e shtetit maqedonas kishte përgatitur s’qenarë të ndryshme për ta parandaluar Shpalljen publike në Sheshin e Tetovës, Pushteti sllav shumë shpejtë e zbuloi aferën e armëve nga disa shqipfolës dhe filloi me të madhe burgosjen e aktivistëve që donin me forcë ta jetësonin dhe mbronin ILIRIDËN. Me burgosjen e shumë figurave të Iliridës, shqiptarët filluan ta heshtin veprimin e Iliridës. Pasi një pjesë nga ata pushteti i burgosi dhe një pjesë tjetër e vuri në hetime. Gjendja ishte alarmante pasi shqiptarët në momentin e caktuar nuk kishin as përkrahjen e shtetit amë.

Politika maqedonase kur u bind se shqiptarët janë të vendosur në rrugën e tyre drejt Autonomisë, ajo me të shpejtë përgatiti ligjin për komuna të reja, ku deri diku ia arriti qëllimit pasi arriti në territorin etnik shqiptarë të krijojë enklava maqedonase. Pas kësaj situate të krijuar shqiptarët kërkonin nga pushtetmbajtësit maqedonas, që edhe shqiptarët të jenë element shtetëformues siç ishin nga viti 1974, por edhe këtë kërkesë pushteti maqedonas e hodhi poshtë. Kjo gjendje nuk ka ndryshuar as sot e kësaj dite.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *