HISTORIA

SI E FALSIFIKOI STEFANAQ POLLO HISTORINË ME POROSI TË ENVER HOXHËS

SHKRUAN: AV. XHAFER SADIKU

Në mbledhjen e 31 janarit 1962, Byroja Politike e KQ të PPSH vlerësoi partishmërinë e historianëve në shikimin e çeshtjeve të historisë. Që në fillim duhet thënë se Enver Hoxha dhe të tjerët, duke qenë marksisë, ishin kundër bejlerëve në përgjithësi dhe Esat Toptanit në veçanti. Që këtej ata e kishin paravendosur vendin që do tu caktohej në histori, pavarësisht rolit të tyre të vërtetë në ngjarjet e mëdha me rëndësi kombëtare.

Mendimi i krerëve të regjimit ishte se “duhet të dalin më mirë përpjekjet e popullit për liri dhe pavarësi se sa grupet e ndryshme të bejlerëve dhe agallarëve që paraqiten si udhëheqës të lëvizjes kombëtare”.

Enver Hoxha theksoi: “Mungesa e dokumentacionit ka qenë një tjetër anë negative për historinë tonë. Për të studjuar këtë periudhë me rëndësi të madhe, shokët tanë historianë që janë marksistë duhet t’i kishin dhe nuk them se nuk i kanë pasur parasysh disa gjëra… Të bëhet një analizë marksiste e dokumenteve të kësaj epoke nëpërmjet shkrimeve, raporteve ose botimeve të ndryshme monografike që edhe këto nuk mungojnë. Ka edhe shkrimtarë përparimtarë, përveç marksistëve me Leninin në krye që mund të studjohen…”

“Ne rrëzuam një pushtet të tërë, kapitalizmin dhe feudalizmin dhe vendosëm pushtetin popullor”, – theksoi Enver Hoxha, – “prandaj asgjë nuk na tremb të rrëzojmë e të hedhim poshtë si gjëra pa vlerë edhe disa pikpamje e teza historike që s’janë të drejta”.

Qendrimi ndaj qeverisë së Vlorës

Redaksia e kishte paraqitur zbehtë figurën e Ismail Qemalit dhe qeverinë e tij. Kjo me sa dukej edhe nga sugjerimi i historianit Prof. A. F. Millor. -Ju keni të drejtë që e keni paraqitur të zbehtë programin e qeverisë së Vlorës, sepse i tillë ka qenë ai, – vuri në dukje Enver Hoxha. Po të analizojmë këtë program dhe të shohim se ku mbështetej, do të shohim se qeveria e Vlorës e kryesuar nga Ismail Qemali ishte shumë e dobët në këtë drejtim.

Gjestin e madh historik të 28 nëntorit 1912 Ismail Qemali e mbështeti më shumë në shtetet e mëdha, në diplomaci”.
Enver Hoxha theksonte se Ismail Qemali nuk kishte krijuar një mbështetje të fortë në masat e popullit, se nuk kishte parrulla ekonomike në lidhje me problemin fshatar pasi që problemi fshatar ishte më i rëndësishmi për tu zgjidhur në atë kohë. Por ai mund të merrte ndonjë masë sporadike.

Hoxha ishte i mendimit se “Ismail Qemali veproi drejt kur në çeshtjen e Beqir Grebenesë. Kjo ishte një politikë e zgjuar e tij, sepse ai konkretisht pa se Turqia në atë kohë nuk përbënte ndonjë rrezik për Shqipërinë. Rrezik për vendin tonë ishin në atë kohë krali i Serbisë, perandori i Austrisë ose i Gjermanisë etj. Prandaj për vendin tonë nuk prishej ndonjë punë në qoftë se vinte këtu ndonjë princ turk”.

Në momentin kur Turqia bëhej e parrezikshme për ne, vinte në dukje Hoxha, “Ismail Qemali ngrihet dhe bën një gjest të zgjuar politik dhe këtë në marrëveshje edhe me bullgarët. Me këtë hap të tij ai synonte të përçante frontin e atyre që në Ballkan ishin kundër Shqipërisë. Mirë po pjesëtarët e qeverisë së tij e mbytën se ata shihnin që kjo ish mjaft e rrezikshme për ta. Pra edhe krerët e lëvizjes fshatare kanë bërë politikë”.

Enver Hoxha e kritikonte qeverinë e Vlorës se ngarkoi Esat Toptanin për të krijuar forcat e armatosura. Teza e Hoxhës ishte se: “Esati mendoi se për të marrë në dorë fuqinë duheshin krijuar forcat e armatosura, prandaj krijoi xhandarmërinë dhe punoi me masat fshatare për interesat e tij, sipas Hoxhes, tradhëtare, gjë që nuk e bëri qeveria e Vlorës dhe arriti një moment që ajo u zhduk”.

Në këtë drejtim, theksonte Hoxha, “duhet kritikuar qeveria e Vlorës. Ajo nuk u organizua si duhet dhe nuk u kujdes të mbështetej te populli. Kështu duhet gjykuar kjo qeveri, mendoj unë për të dalë pastaj drejt në disa çeshtje të tjera që janë akute”.

Për kryengritjen fshatare të Shqipërisë së mesme

Qëndrim të njëjtë kishte Byroja Politike edhe për kryengritjen e fshatarësisë së Shqipërisë së mesme. Për Enver Hoxhën, pikpamja se rreth qeverisë së Vidit u grumbullua vegjëlia, se ajo ishte e vetmja forcë shtetërore që duhej mbrojtur ishte një pikpamje e historiografisë gjermane… Ardhja e Vidit nuk duhet konsideruar si një akt pozitiv, po si një konjukturë e shteteve të fuqishme të antantës dhe të shteteve të Evropës qendrore për përgatitjen e luftës së madhe botërore. Në një kohë kur po përgatitej kjo luftë “duhet të ishin naivë të thoshin se qeveria e Vidit ishte me të vërtetë një qeveri pozitive. Dihet dhe është fakt se sa kohë që ishte Vidi në fuqi, në Shqipëri vepronin komisioni ndërkombëtar i kontrollit ku lëvrinin të gjitha intrigat”.

– Nuk është e drejtë të cilësosh qeverinë e Vidit si një qeveri në interes të vendit, për faktin e pjesëmarrjes në të të dy patriotëve, – tërhoqi vëmëndjen Hoxha. Ju sillni edhe faktin që Vidi vrau pashallarët, po këtë ai e bëri për të mobilizuar masat në favor të qeverisë së Durrësit dhe ky akt tregon karakterin tranzitor të qeverisë së Vidit.

Për ta konkretizuar, Hoxha vuri në dukje se: “Gjesti i ngritjes së flamurit në 28 nëntor 1912 u prit me entusiazëm të madh nga i gjithë populli. Ashtu u prit ai edhe nga fshatarësia e varfër, e mesme dhe e pasur e Shqipërisë së mesme, e cila nuk u ngrit kundër shpalljes së pavarësisë. Prandaj fillimi i kryengritjes nuk mund të klasifikohet si lëvizje antipatriotike, qëndrimi i favorshëm ndaj gjestit shumë të rëndësishëm të ngritjes së flamurit dhe qeverisë së Vlorës ishte i vetmi qëndrim patriotik në këtë periudhë”.

Sipas Hoxhës, kryengritësit “ngritën krye kundër austro-hungarezëve, italianëve dhe serbëve që përfaqësonin antantën”. Ai theksoi se ata “luftonin kundër Vidit, ndërsa kundër qeverisë së Vlorës, të Ismail Qemalit dhe ngritjes së flamurit nuk vërtetohet të kenë bërë ndonjë akt…” Kjo ka rëndësi të madhe , – theksoi Enver Hoxha.
Me mendimin e tij ishte edhe Stefanaq Pollo, por ai vuri në dukje se “neve nisemi se çfarë përfaqësonin këto në momentin historik”.

-Tani ju si do ta zgjidhni këtë kontradiktë? – u tërhiqte vëmëndjen Hoxha. Ju thoni se ishin xhonturqit që frymëzonin kryengritësit. Kjo ka të bëjë me parrullën rutinë për të diskredituar lëvizjen fshatare. Kur xhonturqit filluan lëvizjen në fillim ishin përparimtarë. Në këtë lëvizje kanë marrë pjesë edhe patriotët shqiptarë si Bajo e Çerciz Topulli, Mustafa Qemali etj… Lëvizja e rebelëve thoni ju në fillim ishte fare reaksionare pastaj me ardhjen e Haxhi Qamilit në krye të saj mori një formë tjetër, që ju nuk e thoni me plot gojën.

Sipas Enver Hoxhës, çeshtja duhej studiuar. Perandoria otomane që në 1913-1914 po coptohej a ishte më rrezik si përpara për Shqipërinë, në një kohë kur Greqia, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria dhe Rumania e kishin konkretizuar pavarësinë e tyre dhe e kishin bllokuar krejtësisht vendin tonë nga Turqia? Ishte në këto situate rrezik imediat për ne Turqia në një kohë kur ajo po shkatërrohej për vehte dhe Shqipëria ishte e rrethuar nga gjithë këto shtete që përpiqeshin dhe luftonin ta copëtonin?

Një pjesë e kryengritësve kishin kërkuar atë që kishte kërkuar edhe Ismail Qemali. Enver Hoxha kritikoi redaksinë: “Pse e mbulojnë ata këtë gjest të Ismail Qemalit dhe vënë në dukje atë që Haxhi Qamili ka thënë se se duam një mbret të Turqisë?

Duke e parë çeshtjen në këtë frymë, me këtë metodë studimi, nuk mund të dalim me konkluzionin se kjo lëvizje ishte antipopullore, anti shqiptare vetëm pse disa krerë të saj kanë hedhur disa parrulla reaksionare. Ky është një fakt që ne nuk mund ta fshehim, -theksonte Hoxha, por … lëvizja fshatare e Haxhi Qamilit, ishte një lëvizje përparimtare dhe i tregonte popullit se rruga e shpëtimit të tij ishte lufta me armë në dorë, se intrigat diplomatike të çojnë dhe në fakt çuan në greminë”.

Byrosë Politike i bënte përshtypje organizimi i pushtetit nga kryengritësit. Unë di, – theksonte Hoxha, – “se më 1945-1946 në Bankën Kombëtare ishin mjaft materiale që kish grumbulluar Lef Nosi… Disa prej tyre i kam lexuar në atë kohë. Në to flitet edhe për organizimin e këshillave të Haxhi Qamilit dhe më ka bërë përshtypje se ato kishin një një karakter popullor që u afroheshin shumë këshillave tona nacional çlirimtare… Unë mendoj se kjo çeshtje ka një rëndësi shumë të madhe jo vetëm për lëvizjen fshatare të Shqipërisë së mesme tek të cilët shohim një konseguancë edhe më vonë. Prandaj edhe unë jam dakord me shokët që kjo periudhë e historisë të rishikohet dhe të vihet drejt. Të rrëzohen disa norma që pengojnë historianët tonë në gjykimin e drejtë të kësaj çeshtje dhe t’ju bëhet kritikë elementëve negativë. Veçanërisht për kryengritjen e Shqipërisë së Mesme dhe për Haxhi Qamilin të mos shpejtohemi për të dhënë konkluzione, megjithëse jam i bindur për ato që them… Problemi duhet marrë në kontekstin kombëtar dhe ndërkombëtar”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *