HISTORIA

TA SHPALLIM APO JO TRADHTAR HASAN PRISHTINËN?!

SHKRUAN: XHAFER SADIKU
Kur Historinë e Shqipërisë e shkruanin sovjetikët – Seminari në KQPPSH në vitin 1959

Problemi i Kosovës u trajtua në histori sipas orientimeve të Byrosë Politike. Ngjarjet e saj u panë si pjesë e pandarë nga pjesa tjetër e atdheut, deri më 1913. Në seminarin e KQPPSH mbajtur në 1959, pati mendime që në tekstin e historisë të flitej edhe pas vitit 1913, por nuk u gjet e arsyeshme.

• Pikpamjet e Zekiria Rexhës dhe Rifat Spahiut

Zekiria Rexha dhe Rifat Spahiu paraqitën një promemorje për kryengritjen e vitit 1912, në Kosovë. Ata parashtronin një varg mendimesh në lidhje me vlerësimin e kryengritjes shqiptare të vitit 1912, mendime qe i diskutuan edhe në redaksinë që shkruante historinë e Shqipërisë. Një varg mendimesh të tyre përputheshin me ato të redaksisë, ku mund të përmendim vlerësimin e rolit dhe rëndësinë e kryengritjes të vitit 1912 si më e madhja prej Lidhjes së Prizrenit, më masivja që ndikoi në ngjarjet e mëvonshme ballkanike, karakterin kombëtar të kërkesave, vlerësimin negativ të ndërhyrjes së fuqive të mëdha dhe të qeverive të Ballkanit etj.

Pas diskutimit dhe vrejtjeve të tyre, redaksia e pa të arsyeshme të ndryshonte qendrimin ndaj udhëheqësit kryesor të kryengritjes, Hasan Prishtinës. Në variantin e parë, redaksia e kishte cilësuar Hasan Prishtinën si udhëheqës që bëri lëshime xhonturqve me planin prej 14 pikash. Në qendrimin e redaksisë kishte padyshim ndikim pikpamja e historianëve sovjetikë I. Sankievic dhe I. Galikin, të cilët e cilësonin pa të drejtë Hasan Prishtinën si tradhëtar të kryengritjes.
Argumenti i Rexhës e Spahiut ishte me vend kur theksonin se Memorandumi i Hasan Prishtinës kishte karakter kombëtar, pasi që në kushtet që u krijuan në Kosovë, kërkesat më radikale mund të shpinin në luftë vëllavrasëse midis kryengritësve.

• Idetë e redaksisë dhe Drejtorisë së Arsim – kulturës

Zekiria Rexha e Rifat Spahiu mbronin idenë se Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, u arrit “vetëm në saje të kompaktësisë dhe unitetit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës pa dallim shtresash shoqërore, krahine e feje, vetëm në saje të flijimeve të mëdha materiale dhe të heroizmit patriotik të tyre”.

Ndryshe nga ata, redaksia e historisë dhe Drejtoria e Arsim –Kulturës theksonin se çeshtja kishte karakter parimor dhe nuk kufizohej vetëm në rastet e kryengritjes së vitit 1912, por edhe të dy viteve para saj.

“Kjo është një pikpamje e njëanëshme që nuk përputhet me realitetin historik”, -vinte në dukje drejtoria e Arsim –Kulturës. “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është rezultat i luftës së gjithë popullit shqiptar dhe i kolonive shqiptare jashtë vendit. Të gjithë patriotët, në veri e në jug kanë kontribuar në një mënyrë ose në një tjetër-me propagandë ose me armë, me shkolla ose klubë, në parlamentin turk ose jashtë tij- në lëvizjen kombëtare që shpuri në fitoren e pavarësisë. Pohimi i këtyre shokëve nuk është as historikisht dhe as politikisht i drejtë”.

Zekiria Rexha e Rifat Spahiu theksonin se “Kryengritja e Kosovës mbas Lidhjes së Prizrenit e këtej nuk kanë pas karakter sopontan, por kanë qenë të frymëzuara nga kërkesat ekonomiko-shoqërore e politike të shtrueme që në Lidhjen e Prizrenit për popullin shqiptar”.

Por Drejtoria e Arsim –Kulturës kundërshtonte mendimin e tyre, duke thënë se edhe ky pohim nuk i përgjigjet së vërtetës historike. Theksohej : “E vërteta është se në Kosovë pas Lidhjes së Prizrenit ka pasë shumë kryengritje lokale kundër turqve, por shumica e tyre kanë qenë spontane, të drejtuara kundër abuzimeve të administratorëve turq në një krahinë të caktuar ose kundër mbledhjes së taksave në kohën kur malësorët ishin ngushtë ekonomikisht ose kundër vendosjes së ndonjë takse të re. Përveç kësaj në këto lëvizje ka pasur edhe rryma reaksionare të drejtuara nga krerë reaksionarë të Kosovës, të cilët ishin kundër çdo reforme, për ruajtjen e privilegjeve të tyre tradicionale edhe pas revolucionit xhonturk, për kthimin e regjimit të Sulltan Abdyl Hamitit gjë që detyrohen ta pranojnë edhe këta vet. Në këtë kategori ka qenë edhe Isa Boletini, por ky ndryshe nga krerët reaksionarë të Kosovës, siç e pohojnë me të drejtë edhe këta, ka qenë inkoshient, sepse pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u bë mëbështetje e sigurt e qeverisë së Vlorës pasi kuptoi gabimet e tij të mëparshme”.

“Si përfundim, ne mendojmë që figura e Hasan Prishtinës të mos cilësohet tradhëtar, por edhe të mos ngrihet aq siç kërkojnë ta paraqesin”.

vijon

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *