HISTORIA

SHEFQET VËRLACI, NJË JETË PLOT SFIDA

Shkruar nga Miranda SADIKU

Shefqet Vërlaci njihet si i pari kryeministër shqiptar i cili përuroi në Kavajë fillimet e punimeve të hekurudhës Durrës -Elbasan në vitin 1940. Në regjimin komunist ai ishte i shpallur “ kriminel lufte” edhe pse kishte vdekur, ndërsa gjatë të gjithë karrierës së tij politike madje edhe pas vdekjes deri në ditët e sotme, njihej si njeriu më i pasur i Shqipërisë. I lindur në Elbasan më 15 dhjetor të vitit 1878, Shefqet Vërlaci pasi mori mësimet e para në qytetin e lindjes, arsimin e mesëm e kreu në qytetin e Manastirit. Historiani Kastriot Devishi thotë për ATSH-ne se “më pas Shefqet Vërlaci shkoi në Stamboll për të kryer arsimin e lartë në shkollën e lartë të administratës në Mylqije, por nuk mundi ta përfundonte atë.

Në moshën 32 vjeçare i kthyer në Shqipëri, Vërlaci në vitin 1910 zgjidhet deputet i Elbasanit në Parlamentin e Perandorisë Osmane. Por, për shkak të konflikteve që pati me Turgut Pashën ai u arratis. Ndërsa dy vjet më vonë, në muajin nëntor ishte një ndër anëtarët e partisë së Elbasanit që përkrahu pavarësinë e Shqipërisë”. Duke qenë një figurë e njohur dhe një patriot, politikan dhe pushtetar i njohur, emri dhe pozicioni i tij vinte gjithnjë në rritje. Në 21 gusht 1914 Shefqet Vërlaci ishte anëtar i delegacionit që i dorëzoi në Gjermani kurorën e fronit të Shqipërisë Princ Vidit. Në zgjedhjet e 5 prillit të vitit 1921 zgjidhet deputet, ndërsa në këtë fushatë kryesoi në Elbasan grupin Pleqësor. “Fillimisht Vërlaci bënte pjesë në Partinë Përparimtare dhe pas shpërbërjes së kësaj partie ndikoi që deputetët e Elbasanit të bëjnë pjesë në formacionin jetëshkurtër politik të quajtur Partia Kushtetuese, ndërsa vetëm një vit më pas ai është ndër emrat më kryesorë të Partisë Popullore”, thotë Dervishi.

Sipas tij, “Shefqet Vërlaci ishte një ndër të parët që propozoi në Këshillin Kombëtar heqjen e titullit “ bej” e zëvëndësimin e këtij titulli me fjalën “ zotëri” . Postin e parë si kryeministër i vendit ai e mori në vitin 1924 nga datat 3 mars deri më 27 maj.Gjatë viteve 1925 – 1928, kur Shqipëria ishte republikë, u bë senator. Në vitin 1928, në 1 shtator si anëtar i Komisionit të Asamblesë në emër të Asamblesë i komunikoi Mbretit Zog vendimin e posaçëm që e shpalli Shqipërinë Mbretëri Parlamentare. “Shefqet Vërlaci ishte ndër më kryesorët e Asamblesë së 12 prillit që kreu të ashtuquajturën “Bashkim personal” mes Italisë dhe Shqipërisë”, thotë Dervishi.

Zgjidhet për herë të dytë kryeministër në vitin 1939 si dhe mbante postin e Ministrit të Punëve Botore dhe më 16 prill të po të këtij viti, i dorëzoi në Romë kurorën e fronit shqiptar Viktor Emanuelit III. Po këtë vit ai u zgjodh senator i Mbretërisë Italiane. “Marrëdheniet e tij me italianët kanë qenë vërtetë të çuditshme. Ndonëse kishte pranuar të vihej në shërbim të tyre, ruante një autoritet të veçantë, që buronte nga qenia si njeriu më i pasur i Shqipërisë, i cili nuk e njihte nënshtrimin”, thotë Devishi. Sipas tij, “kjo ishte arsyeja që mes tij dhe italianëve filloi një konflikt politik i pashmangshëm”. Ministri i Jashtëm italian, njeriu që përgatiti pushtimin e Shqipërisë, konti Galeazzo Ciano, në ditarin e tij shkruante “…. Po ta kisha njohur më parë nuk do ta kisha mbështetur emërimin e tij. Është njeri nursëz e do të na bezdisë…”. Në vitin 1941 si pasojë edhe të konflikteve të shumta politike që pati me Mëkëmbësin Jakomoni, ky i fundit kërkoi zëvëndësimin e tij, çka u realizua më 3 dhjetor të vitit 1941 ku në vend të tij u emërua Mustafa Kruja. “Pas largimit nga posti si kryeministër, Shefqet Vërlaci thuajse u tërhoq plotësisht nga politika. Para se në Shqipëri të vendosej regjimi komunist u largua në Itali së bashku me djalin e tij Ismailin, dhe vajzën Behije (ish e fejuara e Ahmet Zogut). La në Shqipëri gruan dhe vajzat Fezilet e Mehtap.

Është për t’u përmendur fakti se Shefqet Vërlaci ka qenë martuar me të bijën e Ymer Pashë Vrionit, Semiramis. Vërlaci ishte baxhanak me armikun e tij politik Aqif Pashë Elbasani. Gruaja e tij pasi u dënua me 5 vjet burg nga komunistët vdiq në mjerim të plotë. Në Shqipëri jetoi vetëm vajza e vogël e Shefqet Vërlacit, Mehtapi, e cila ishte e martuar me Qemal Biçakçiun dhe vajza e dytë Fezileti, e cila ishte martuar me Is’han Libohovën. Vdes në vitin 1946 në spitalin e Cyrihut dhe më pas varroset në Romë në parcelën dytësore 1537 të varrezës së këtij qyteti. Edhe një vit pas vdekjes së tij, qeveria komuniste vazhdonte të kërkonte ekstradimin e tij në Shqipëri si “kriminel lufte”.

Shefqet Vërlaci ka qenë njeriu më i pasur në Shqipëri. Vetëm në vitin 1939 ai kishte në pronësi të tij 3700 hektarë ose rreth 1 për qind të fondit të përgjithshëm të tokës në Shqipëri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *