ENVER HOXHA ME SERBËT E PKSH
HISTORIA

JO ÇLIRIM, POR TRAGJEDI QË ENDE VAZHDON

SHKRUAN: DANIEL GAZULI

Sipari i kësaj tragjedie hapet natën e 28 tetorit 1944, kur forcat komuniste që qëndronin në ilegalitet apo që kishin penetruar ato ditë në Tiranën e pushtuar, në vend që të godisnin pushtuesit gjermanë, futeshin fshehtazi natën si hienat nëpër shtëpitë tiranase dhe arrestonin apo pushkatonin shqiptarët që ishin shënuar nëpër listat e vdekjes nga krerët e tyre. Kështu ia behën në mesnatë tek shtëpia e Ymer Dërhemit dhe arrestuan Akil Sakiqin, Nazmi Uruçin dhe Fahri Dabullën. “Ju kërkojnë për një sqarim”. Por i pushkatuan po atë natë.

Akil Sakiqi ishte nga Dibra e Madhe. Familja e tij atdhetare, e ndjekur nga genocidi serbo-maqedonas u shpërngul në Turqi, mandej u vendos në Tiranë. Akili, pasi mbaroi Liceun e Korçës, kreu Akademinë Ushtarake në Romë, degën e Rojes së Financës. Shërbeu me devotshmëri në Durrës, Shkodër etj., gjithnjë në prapavijë. Më 7 prill 1939 luftoi tok me Myftar Jegenin e mjaft oficerë të tjerë të Ushtrisë Kombëtare kundër agresionit italian. Edhe Nazmi Uruçi prej Dibrës së Madhe ishte nga një familje patriote. Fahri Dabulla nga Gjirokastra. Adili, Nazmiu dhe Fahriu, të tre oficerë të njohur të karrierës, atdhetarë të flaktë, shqiptarë të ndershëm e të panjollosur, e kishin kryer së bashku me E. Hoxhën Liceun e Korçës. Terroristi Hoxha i futi shokët e liceut në listat e vdekjes. I pangopur me vdekjen e tyre, ai i përmend ata me urrejtje patologjike dhe pa asnjë shenjë pendese edhe pas disa dekadash në librat e tij, kur rreket të falsifikojë historinë.

“Pak para plenumit më vjen S.Malëshova gjithë “alarm”.
– Po bëhet shumë terror, – më thotë gjithë zemërim.
– Terror? – e pyeta i habitur. – Ku ?
– Në Tiranë, – më përgjigjet. – po vriten shumë oficerë të penduar.
– Në Tiranë vazhdon lufta e madhe për çlirimin e kryeqytetit, – i thashë. – Kë quan terror ti? Dhe për cilët oficerë më ankohesh ?”

Çfarë hipokrizie! Dihet që në plenumin e Beratit (24-27 nëntor 1944) përpara të dërguarit të PKJ, V.Stoiniç, E.Hoxha pranoi tejet i nënshtruar: “Po vriten në Tiranë me dyzina njerëz dhe oficerë të dorës së dytë të cilët, duke pasur besimin e plotë në drejtësinë dhe në shpalljen tonë, dorëzohen. Një punë e tillë nuk është okazionale, por është tërë toni që i është dhënë punës organizative të partisë dhe të ushtrisë. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit”. Nata e 28 tetorit ishte caktuar nga Qarkori i PK për Tiranën si nata e vrasjeve masive të ushtarakëve të karierës. Atë natë u pushkatuan: Hamit Greblleshi, nga një familje autoktone tiranase, mësues dhe më vonë, pasi kreu Akademinë Ushtarake në Stamboll, oficer i Xhandarmarisë të shtetit shqiptar deri në vitin 1939, kur doli në lirim për arsye shëndetësore. “A mund të vritej një njeri që për tre muaj kishte shërbyer detyrën e oficerit të prapavijës? – pyet Kujtimi, djali i Hamitit. – Kjo pyetje na ka ndjekur tërë jetën qysh nga dita e vrasjes së babait tonë”. Djali tjetër, Mustafai, autori i romanit të famshëm “Gremina e dashurisë” u burgos dhe vuajti në skëterrën e burgjeve komuniste, por qëndroi se kishte genet e të atit, të cilit i kushtoi në qelinë 79 të burgut të Tiranës elegjinë “Qetësi”. Hamit Greblleshi u arrestua bashkë me oficerët e tjerë që jetonin në rrugën e Tabakëve, Hasan Dinen nga Maqellara e Peshkopisë, me akademi ushtarake të kryer në Itali, atdhetar bir atdhetari, Azis Blloshmin nga familja e njohur e Blloshmëve të Bërzeshtës, që kishte kryer studimet ushtarake në Vienë, Faik Shkupin, shqiptar nga Shkupi, i lauruar për ushtarak në Itali dhe shërbente në Shqipëri, Mehmet Dadon dhe Boris Belevskin, rus i bardhë, oficer në ushtrinë shqiptare, Aleks Mavraqi, Selmam Shtjefni, Bajram Cuka e të tjerë që nuk u dihen as varret.

Një nga ata dyzina të zhdukur është edhe major Muharrem Liku, bir i devotshëm i Tiranës. I shkolluar në Stamboll dhe i frymëzuar nga rilindësit, sidomos nga i kunati, Halit Bej Bërzeshta, ushtarak i shtetit shqiptar ai i shërbeu atdheut dhe mbretit me besnikëri. Ndaj u fut në listat e vdekjes. Më datën 1 nëntor 1944, në orën 3 të mëngjesit, trokitën në portën e shtëpisë. Vrasësit kërkonin Muharremin. Ai doli nga shtëpia sepse e ndjente veten të pafajshëm. Te porta pa njerëz të armatosur dhe oficerin tjetër të Ushtrisë Kombëtare, që kishte studiuar në Europë, Abdulla Saraçin, të arrestuar. Të dy i shoqëruan për diku, ndoshta asgjëkundi. S’kaluan veçse disa minuta në rrugë e sipër, kur krisi automatiku. Më parë ra Abdullai, pas tij plumbat përshkuan Muharremin. Kufomat i futën në një karrocë akulloreje. Kalimtarët e rallë panë në atë gëdhirje një karrocë, nga e cila varej një dorë e përgjakur. Mandej edhe dy duar të tjera. Pra ishin dy kufoma. Familjarët i gjetën, i nxorrën trupat e tyre të prishur dhe i varrosën te Varri i Bamit. Njëri gisht i dorës së Abdullait ishte i prerë bashkë me unazën e florinjtë. Po atë natë killerët arrestuan dhe vranë ushtarakun me gradën kapiten, Anton Fekeçi, lindur në Graz të Austrisë, por që banonte e shërbente në Shqipëri, nga që e ëma, Gjystina, ishte shkodrane nga familja e dëgjuar Bumçi. Antoni ishte një oficer model me formin perëndimor dhe shumë i aftë profesionalisht. Në mesnatën e 30 tetorit e thirrën në shtëpi dhe e pushkatuan 100 metra larg saj. Pastaj u kthyen përsëri, e nxorrën familjen në rrugë, se shtëpia u duhej, ashtu si u duheshin edhe orenditë, makina e shkrimit etj. Tragjedia e kësaj familjeje u mbyll me vdekjen në burg të Frederikut, djalit të Antonit, i dënuar për agjitacion e propagandë, si mijëra bij të tjerë të këtyre martirëve. Genocidi për motive politike vazhdon me intensitet brenda dhe në rrethinat e Tiranës. Më 3 nëntor 1944 forcat komuniste pushkatuan pa gjyq në Sharrë të Tiranës tre deliallisët e shquar të Shijakut: Kapllan Deliallisi, deputet i Shijakut në Parlamentin shqiptar dhe i vëllai, Jakup deliallisi, ish-kryetar i komunës së Shënavlashit dhe të Luzit. Bashkë me ta u pushkatua edhe Shefqet Deliallisi, i biri i atdhetarit të njohur Ymer Deliallisit – sekretar personal i Ismail Qemalit, një oficer i ri, i diplomuar në Akademinë Ushtarake në Romë, por që e priti me indinjatë pushtimin fashist dhe u vetlargua nga detyra, sepse ishte kundër pushtuesve, ashtu siç kanë qenë brez pas brezi deliallisët e Shijakut. Bashkë me këta martirë, u pushkatua edhe Isuf Allamani, nga familja në zë e Allamanëve të Matit. Ç’kishte bërë Isufi që e vranë? Kishte studiuar për agronomi në Universitetin e Firences dhe ishte kthyer në Shqipëri për të dhënë ndihmesën në ripërtëritjen ekonomike të vendit. Ai themeloi Fermën e Xhafzotajt, një ekonomi moderne bujqësore e kapitaliste dhe ishte drejtori i saj, kur u arrestua e u pushkatua pa gjyq, ndonëse nuk ishte përzier fare në çështjet politike. Po në Sharrë u pushkatuan pa gjyq dhe u hodhën mbi njëri-tjetrin në një përrua, pesë viktima të tjerë: kapiten Bajram Cuka, Selim Kelmendi, Ndue Pali, Minella Toçi dhe Selaudin Korça.
Selim Kelmendi, nga Vuthaj i Gucisë, i kishte ikur me armë në dorë terrorit serbo-malazez tok me dy vëllëzërit e tij, Rustem e Ramë, pjestarë të çetës së Azem Galicës, por nuk i shpëtoi dot terrorit të çetnikëve shqiptarë. Selaudin Korça, i biri i patriotit të madh, klerikut, filozofit, publicistit, poetit dhe antikomunistit të njohur Hafëz Ali Korça, që vazhdonte studimet e larta në Itali, por që erdhi në Shqipëri për t’u bërë pre e terrorit komunist. Më 10 nëntor, ra pre e këtij terrori tek Ura e Brrarit, oficeri Subi Topulli nga familja e shquar e Topullenjve të Gjirokastrës. Vrasësit e masakruan dhe zhdukën çdo gjurmë të tij, duke hapur fjalë se ishte arratisur nga Shqipëria. Vijmë kështu te nata e 12 nëntorit në Tiranë, që është, quajtur edhe “nata e Shën Bartolemeut”. Atë natë u bë masakra më e madhe, një dënin dhe vrasje kolektive pa gjyq e 14 figurave të shquara të kombit e të kulturës shqiptare. Ismail Agë Petrela është një nga figurat madhore të Shqipërisë, që u pushkatua mesnatën e 12 nëntorit. Pse e kishin futur në listat e vdekjes Ismail Petrelën? Sepse ishte nga një familje e madhe, vetë ishte një nacionalist i shquar, një luftëtar i lirisë, një demokrat i vendosur, një burrë i mençur tiranas, një intelektual i njohur që dinte disa gjuhë perëndimore, një njeri i kulturës, sidomos e asaj muzikore. Kulmet e veprimtarisë atdhetare të Agë Petrelës janë pjesëmarrja aktive në Revolucionin e Qershorit, në Lëvizjen e Fierit, në Konferencën e Pezës, në Kuvendin e Mukjes dhe lufta kundër pushtuesve italianë në krye të çetës së tij, që vepronte në Shqipërinë e Mesme. Ja, përse e vranë komunistët Ismail Agë Petrelën! Në çastin e pushkatimit u tha ekzekutorëve: “Qëlloni, burrat një herë vdesin!”

Terroristët këtë herë zgjodhën për të masakruar familjen e shquar Kokalari nga Gjirokastra. Pushkatuan natën e 12 nëntorit në skutat e hotel “Bristol”-it Muntaz, Vesim dhe Syrja Kokalarin. Muntazi dhe Vesimi, pionierë të arsimit kombëtar, themelues të shtëpisë botuese “Mesagjeritë Shqiptare” që botoi vepra madhore të letërsisë sonë e të huaj, intelektualë të klasit të parë, bashkë me vëllanë e tyre Hamit Kokalarin, i cili shkroi atëbotë librin e famshëm “Kosova – djep i shqiptarizmit” dhe motrën Musine, shkrimtaren e parë shqiptare, nacionalisten dhe demokraten e shquar, që diktatura më pas e burgosi dhe e internoi gjersa vdiq. Po atë ditë terroristët komunistë pushkatuan edhe Nebil Çikën, filozofin, publicistin, demokratin e madh. Ai ka qenë redaktor dhe kryeredaktor i mjaft organeve të shtypit të lirë shqiptar si “Revista Pedagogjike”, “Reforma”, “Jeta”, “Arbëria”, “Miku i Popullit”, “Minerva”, “Bota e Re” etj. dhe autor i veprës së njohur “Njimendësia shqiptare” që e vendosi atë në elitën e zgjedhur të kombit. Pikërisht këtë elitë vrau komunizmi. Ai goditi familjet e mëdha që kishin nxjerrë njerëz të shquar, për të ndërprerë traditën, për të tharrë burimin, për të venitur e nënshtruar Shqipërinë. Një nga ato, është edhe familja tiranase Lleshi. Të gjithë burrat e saj u sakrifikuan për një Shqipëri të lirë, të bashkuar në trojet e saj etnike dhe demokratike. Muharrem Lleshi e priti me indinjatë pushtimin italian, ndërsa dy djemtë e tij Sulejmani dhe Islami, nacionalistë, u internuan nga italianët në Itali dhe Porto Romano, më pas ishin luftëtarë të batalianit “Besnik Çano” që luftoi edhe në Kosovë për çlirimin e saj. Sulejmani themeloi gjimnazin e Gjakovës dhe qe drejtori i parë i tij. Në mesnatën e 12 nëntorit, terroristë të armatosur hynë në oborrin e shtëpisë së Lleshëve, ku ishin strehuar demonstrues antifashistë apo ilegalë dhe thirrën emrin e Muharrem Lleshit. Sa u shfaq ai te pragu i derës, një breshëri automatiku e la të të vdekur e të mbuluar me gjak. Familja tjetër e njohur tiranase që u godit ishte ajo Stërmasi, që kishte nxjerrë njerëz të dëgjuar si Xhaferr Stërmasin, flamurtar i Pavarësisë. I biri, Reshati, i mëkuar me shqiptarizëm dhe dije, kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali dhe shërben me devotshmëri në Ushtrinë kombëtare Shqiptare. Në prill të vitit 1939, në shenjë proteste ndaj pushtimit italian, dha dorëheqjen, sepse nuk donte t’u shërbente fashistëve. Merr pjesë në protestat dhe demonstratat anti-italiane. Si nacionalist i kulluar, merr pjesë qysh në vitin 1942 në Organizatën e Ballit Kombëtar dhe në vitin 1943 u caktua komandant i Rinisë së Ballit të Tiranës, të cilën e udhëhoqi në luftë kundër pushtuesve italianë e gjermanë. Ja pse e vranë Reshat Stërmasin! Gjahut të tyre nuk i shpëtoi as Rifat Tërshana, nga Dibra e Madhe, oficer rekrutimi që shërbeu me përkushtim në Korçë, Fier dhe Durrës. Ndërkohë, ndihmoi edhe Lëvizjen NÇ. Por, nuk e llogaritën, kur e pushkatuan natën e përgjakshme 12 nëntorit. Terrori masakroi edhe njerëz të thjeshtë e të patrazuar në politikë. Lluka Xhumari, nga qyteti i Durrësit, kishte kryer në Itali shkollën teknike dhe ishte bërë mjeshtër në profesionin e tij. Njeri me inisiativë private, hapi një punishte të vogël të cilën e zgjeroi në shoqërinë automobilistike SAKT. E pushkatuan në rrënojat e hotel “Bristol”, sepse ishte njeriu i biznesit, i inisiativës së lirë, i ekonomisë së tregut, investitor i suksesshëm, bamirës, njeriu i së ardhmes. Po ashtu, edhe Ali Panariti, nga Korça, tregtar i njohur në Tiranë e Durrës, mandej sipërmarrës për ndërtim rrugësh. Terroristët me në krye sekretarin e celulës komuniste R.Dobrolishti, e morën Aliun nga shtëpia dhe e pushkatuan pa gjyq në breg të lumit të Tiranës, ku e gjetën fëmijët gjysmë të varrosur. Epilogu i këtij terrori fondamentalist ishte masakrimi i Jorgji Memës, nga një familje patriote e fshatit Shtërmen të Elbasanit. Kishte kryer shkollën Normale, por dëshira e tij ishte t’i shërbente si ushtarak shtetit shqiptar, mandej në funksionin e kryetarit të komunës së Baldushkut e të Mollasit. Jorgji dhe gjithë fisi i Memajve u hodhën në luftën për liri kundër pushtuesve të huaj. Komunistët e arrestuan në Tiranë më 16 nëntor 1944 dhe e pushkatuan menjëherë në rrugicën e shkollës “Kristoforidhi”. Tiranasit e mirë e varrosën në oborrin e kësaj shkolle martirin Jorgji Mema. Kështu u mbyll ky akt i terrorizmit komunist që përgjaku Tiranën, për t’i hapur rrugën terrorizmit shtetëror që përgjaku Shqipërinë dhe kombin për gjysmë shekulli me radhë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *