HISTORIA

HISTORIA E NJË MARTIRI

Shkruar nga Prof. Apostol KOTANI

Ndër klerikët ortodoks që njeh historia si martirë të kombit shqiptar radhiten: Papa Kristo Negovani, At Stath Melani, Dhimiter Misha, Papa Llambro Ballamaci etj., të cilët, ashtu si patriotë të tjerë të shquar të fjalës e të shkollës shqipe si Naum Veqilharxhi, Petro Nini Luarasi, Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri e dhjetra të tjerë u përndoqën tërë jetën.

Ata u burgosën, u torturuan e u helmuan ose u vranë barbarisht nga armiqtë e kombit, sidomos nga grekërit, vetëm e vetëm se donin që ashtu si në familje, edhe në shkollë e në kishë, shoqëri e kudo të flitej e të shkruhej në gjuhën shqipe, sepse luftonin kundër synimeve shoviniste, luftonin për të drejtat legjitime, lirinë, pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Shqipërise. Një ndër këta patriotë që nuk e mposhtën dot as ndjeket e as persekutimet e Patriarkanës së Stambollit e të regjimit të Sulltan Abdyl Hamitit, as ato të fanariotëve dhe banditëve grekë të viteve 1913-1914 e as hordhitë tradhëtare të Esat Pashë Toptanit dhe Mustafa Ndroqit, por që gjithë jetën e vet dhe të familjes e shkriu për gjuhën shqipe, për shkollen shqipe, për kishën kombëtare shqiptare, për lirinë, pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë, është edhe At Stath Melani. Veprimtaria patriotike e At Stath Melanit, e cila kap një periudhë rreth 35 vjeçare dhe u zhvillua në Stamboll, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbi dhjetë vjet në Shqipëri, është akoma e njohur në brezat e moshuarve krahinave të Shqipërisë Jugore dhe më gjërë. Për veprimtarinë atdhetare të tij hedhin dritë një mori shkrimesh në libra, gazeta e revista të kohës, që kur ishte gjallë dhe pas rënies dëshmor për kombin shqiptar. Ai as pasurinë e gjithë botës nuk e vinte përpara detyrës së shenjtë ndaj Atdheut. I mirënjohuri patriot, Mihal Grameno, që në vitin 1907 shkruante për të: “Atdhetar i flaktë, i zgjuar dhe trim, si një nga të paktët patriotë që përpiqeshin për të drejtat kombëtare në kohën e Sulltan Abdyl Hamitit”. Për të ka folur e shkruar me respekt Fan. S. Noli dhe shumë patriotë e bashkëluftëtarë të tij, shoqeri patriotike dhe redaksi gazetash. Veprimtaria e At Stath Melanit nuk kufizohet vetëm në fushen e propagandës e të organizimit. Ai ishte njëkohësisht edhe një luftëtar i pa epur, për më tepër një komandant çete i zoti, që paraprinte me shembullin e tij në çdo ndeshje me armiqtë. Ai ka qenë bashkëluftëtar me Riza Velçishtin, Mihal Gramenon, Çerçiz Topullin, Sali Butken, Hajredin Tremishtin, Kopi Tushemishtin, Pamdeli Çeçon, Mihal Dhosin, etj.

Më poshtë jepet një letër dërguar At Stath Melanit nga patrioti Ikonom Kozma Ikonomi. Kjo letër është dërguar nga Iliasi i Himarës më 5 Mars 1917 pasi At Stathi u kthye në Shqipëri nga Amerika në fillim të vitit 1917. Letra u botua nga Dr. Thoma Qomora në gazetën Illyria të datës 27-29 Nëntor 1996, ku ndër të tjera shkruhet:“… O i nderuari dhe i dashuri im, mik dhe shok i istikamit… të kam rixha që të tregosh shumë kujdes se me sa më thane grekërit kanë dërguar pesë spiunë (asfalios) të kishave greke e serbe për të vrarë e prerë shqiptarët. Këto m’i tha miku im Agajoti Koço Dhjako, që ia kish thënë Llambro Konduri, çobani ku kane fjetur ata të pestë. Njëri nga ata kish thene se: “Ne jemi ata qe do t’ua rregullojme samarin, prandaj ta mblidhni mendjen e të bashkoheni me ne…se atyre që kundërshtojne gjuhën greke, që duan gjuhën shqipe në të psallturë dhe në skoliat, atë gjuhë arixhifkë, do t’u presim kokën e do t’ua dërgojmë në Athinë e që atje kryepeshkopi do t’ua shpjerë në Stamboll te Patriku”. Pesë spiunat ishin: Jorgo Jankulla, Jani Maksakuli, Lefter Kakavja, Pano Perikliu dhe Sotir Jorgji. Jorgo Jankulla i pat thënë çobanit Llambro Konduri se: “Në Allvani kanë ardhur shumë njerëz nga Greqia… për të vrarë e për të prerë të gjithë ata shqiptarë të çdo feje, e sidomos myslimanë e katolikët që jane kundra kishave ortodokse të Greqise dhe Serbisë”.

O At Stathi! Mos harro fare se pabesia e grekërve dhe e serbëve nuk kanë fund. Dhamo Dhimoklisi që është vëllai im më tha se grekërit në bashkëpunim me serbët duan të hapin një shkollë për priftër ortodoksë në Shqipëri dhe jashtë saj në Kosovë e Çameri, për t’i greko-sllavizuar shqiptarët. Dhaskalët e këtyre shkollave janë përgatitur në Vallahos të Janinës, në atë lanet shkolle të “Vorioepirit”. Duhet të tregohemi syhapur se këto dy kisha të satanait kërkojnë të shkatërrojnë çdo gjë tonën. Duan të hapin edhe një shkolle greke në Himarë sepse mëtojnë se Himara është Greqi. Janë kapur rrugës duke ardhur për këtej Arhimandriti Vasil Sima dhe Ikonomi Angjel Calimaqi me një barrë librash në gjuhën greqisht, të ngarkuara në tri mushka. Përkthyes kishin Jovan Dragiçin, një serb që dinte shumë mirë greqisht dhe shqip. Me anën e atyre librave përhapet zëri për të marrë tokat tona. Kanë dhe plot harta. Kërkojnë Shqipërinë njëra deri lart mbi Vlorë ta kenë grekërit dhe pjesën tjetër ta marrin serbët. Por këta armiq i shpuri në shteg dhe i zuri të gjallë, të tre, çeta e Thanas Denit, i cili i beri çeço dhe i detyroi t’i rrëfenin të gjitha, i zbertheu avokati Neço Duka. Më tha Dhimosten Gjoka, një njeri që këtu në fshat e mbajnë si më të mençurin sepse ka qenë shumë vite në Misir se: “Në një kafene në Vlorë dëgjoi se në Permet ka ardhur një dhespot civil i quajtur Dhamaskinon, i shoqëruar nga dy vetë per t’u marrë me floras e faunas, por që fshehurazi takohen me grekomanë e fillosllavë. Bëjnë tertype për të vrarë ca njerez që nuk u shkojnë sipas uzhutit të tyre”.

Të lutem At Stathi, për të gjithë atë që kemi kaluar bashkë në kurbet, ku më shumë kemi qenë të pangrënë sea të ngrënë, ki kujdes se mos bie në pusira dhe kë për të shkuar në thikën e tyre. Unë dhe ti i jemi kushtuar Shqipërisë, prandaj e mbajmë edhe ballin lart. Erdhëm nga kurbeti për vendin tonë dhe për shqiptarët. Vatanin e kemi më të kushtuar se çdo gjë në këtë botë. Por Shqipërisë tonë o vella i është ngjitur si e pegera kisha greko-serbe e megaloidhese dhe Jugosllavise së madhe, të dyja kisha të thikaxhinjve. Ruaju Stathi! Dhe koburen e dyfekun mos i nda nga vetja se grekërit e serbët janë të pabesë, pa din e pa iman. Janë dhelpra plaka! … Të shrengoj për qafe e të puth, unë miku yt, e shoku i istikamit…”. – Ikonom Kozma Ikonomi nde Ilias, 5 Mars 1917. Më 24 Dhjetor 1917, At Stath Melanin e kishin ftuar edhe për të meshuar me rastin e krishtlindjeve dy nga bashkëfshatarët e tij, Çoli Toka dhe Kozma Penko. Ata i shkuan në Përmet për ta marrë. Kishin marrë edhe Xhemal Lushnjen, një burrë i urtë e i ndershëm, me kalin e tij, për ta hipur mbi të. Drejtimi i rrugës ishte Përmet-Petran-Lipivan-Melan. Spiunët e grekërve njoftuan bandën e Josif Suropullit, një hajdut dhe kriminel i regjur nga armët e të cilit kishin gjetur vdekjen shumë njererz dhe kishte plaçkitur shumë të tjerë dhe shumë shtëpira. Postkomanda e xhandarmërisë së Petranit u afroi një roje për sigurimin e udhëtimit, por fshatarët nuk e pranuan duke u thënë se neve jemi vetë që e ruajmë. Sapo mbrijtën tek e përpjeta e Lushnjes, në vendin e quajtur Balta e Kuqe e Lipivanit, papritur ranë nën zjarrin e armëve të bandës së Josif Suropullit. At Stathi tentoi të zbriste nga kali e të zinte pozicion, por nuk arriti dot pasi plumbat e armikut e goditën për vdekje. Ra nga kali dhe pas pak dha shpirt duke bëelbëezuar: “Rrofte Shqipëria e lirë. Atdhetarët do to ma marrin hakun or të poshtër”. Armiqtë nuk u mjaftuan me aq. Nën kërcënimin e vrasjes i detyruan edhe shoqëruesit të largoheshin me të shpejtë Pastaj kriminelët shkuan i prenë kokën, e futen ne nje torbe dhe u larguan drejt stanit të Budove ku fjetën atë natë. Të zotët e stanit e diktuan kokën e priftit në torbë, por nuk guxuan të ndërmerrnin ndonjë veprim. Që andej kriminelët u nisen për në Greqi për t’u vërtetuar porositësve të kishës greke se e kishin kryer krimin e vrasjes së At Stath Melanit dhe për të marrë shpërblimin e premtuar.

Lajmi i kobshëm i vrasjes së At Stath Melanit u përhap shpejt dhe bë vendin e ngjarjes erdhen me vrap fshatarët e Lipivanit, të Melanit e të Trebozishtit. Pasi fshatarët e mbështollën trupin e tij dhe e mbuluan me Flamurin Kombetar e shoqëruan në Përmet. Nuk mbeti njeri pa derdhur lot për atë atdhetar të madh, për atë klerik luftëtar të pa epur për çeshtjen kombëtare. Trupi i tij u varros me nderimet qe i takonin në Kishën e Shën Kollit. Vrasja e At Stathit shkaktoi një valë të madhe hidhërimi në krahinat e Përmetit, Leskovikut, Kolonjës, Gjinokastrës, Tepelenës, Delvinës, Sarandës, Çamërisë, Vlorës, tek shqiptarët jashtë atdheut në SHBA dhe gjetkë. Fan S. Noli, në një shkrim të botuar në gazetën Albania më 16 Mars 1918 do të shkruante për të: “Unë nuk jam mjaft i zoti të përshkruaj shërbimet e mëdha që i ka sjelle At Stath Melani atdheut. Po historia do të pasurohet me shërbimet e tij të larta dhe të rralla. … S’ka zemër shqiptari që të mos pikëllohet. … S’ka sy shqiptari që të mos lëshojë lumë lotësh për të pavdekurin hero dhe dëshmor të madh të Shqipërisë, At Stath Melani”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *