POLITIKA KOMBËTARE

FATMIR XHAFAJ ËSHTË MINISTRI JUAJ, SHOKË KOMUNIST

Shkruar nga Armand Maho

Fatmir Xhafaj do emërohej si hetues në Krujë në vitin 1984. Ishte 25 vjeç dhe dy vjet më parë ishte përzgjedhur nga organizata e Rinisë për t’i dërguar lule diktatorit, në një nga paradat e 1 majit.

Natyrisht pasi ishte testuar për besnikërinë ndaj partisë. Caktimi i tij në një vend të mbushur me “reaksionarë” dhe ” kulakë” duket që s’ka qenë dhe aq i rastësishëm. Fatmiri ishte piketuar nga regjimi si një i ri i devotshëm, dhe besnik ndaj figurës së diktatorit. Rasti për të treguar devotshmërinë e tij do i vinte vetëm pas një viti. Shtatë të rinj rreth të 20-ave mësohet se kishin ngritur dolli në një lokal të Krujës në ditën e vdekjes së Enver Hoxhës.

Njëri prej tyre i kishte spiunuar dhe Prokurori i Krujës, Idajet Beqiri ja jep çështjen për ta ndjekur Fatmir Xhafës dhe Kujtim Lulos. Kaq u desh që ndaj të paktën 6 të rinjve mes tyre dhe Arben Duka të binin pre e egërsisë së hetuesit të ri. Të gjithë tregojnë se më aktiv ishte Fatmir Xhafa, ndërsa prokurori tjetër përgjithësisht mbante shënime! Në një intervistë që realizova me të motrën e të ndjerit ( ka vdekur pas viteve 2000) Arben Duka, me tregonte për tmerre nga më ndryshmet qe kishte hequr i vëllai, por dhe të tjerë. Një prej tyre, do vriste veten pasi e kishin torturuar prej tri ditësh dhe më pas e kishin liruar me qëllim që ta mbanin nën vëzhgim. Në arsenalin e tij hetuesi i ri preferonte shkuljen e dhëmbëve me dare, por edhe vendosjen e vezëve të nxehta poshtë sqetullave, të aplikuara rëndom nga nazistët.
Dhe Xhafaj nuk ishte ndalur me kaq, por kishte torturuar, plaçkitur deri tek rrobat e trupit, përgjuar dhe përndjekur edhe të afërm të tyre “Me godiste me grushte, me pickonte ku të mundte, me kërkesat nga më absurdet. Kërkonte t’i tregoja se ku i kishim florinjte” me thoshte Valbona me zërin qe i dridhej nga ana tjetër e telefonit. Ne fakt në vitin 1985-1986, nuk e dimë se çfarë florinjsh kërkonte atë mot Ministri i Brendshëm. Si përfundim për të mos e zgjatur, familja e Arben Dukës ndahet më dysh. E ëma dhe i ati internohen. Tre fëmijët, 18-14 dhe 11 vjeç lihen vetëm në shtëpi, ndërsa Arbeni dënohet me 19 vjet burg. Babai i tij një ditë pas internimit ne 19 maj 1986 vdes nga dëshpërimi! Kjo është vetëm një pjesë e dosjes së Fatmir Xhafës!

Në CV-në e tij, ka preferuar të thotë se përgjatë viteve 80-të ka punuar jurist! Por në atë kohë ka pasur vetëm prokurorë, hetues ose gjyqtarë. Dhe Xhafaj nuk ka qene një nga ata që ky zanat “i kish zënë derën”, sepse ka pasur dhe hetues të mëshirshëm apo prokurorë që kishin kuptuar djallëzinë e pamëshirshme të diktaturës! Jo ai kishte qëllime të qarta. Ai kërkonte të binte në sy me devotshmërinë e tij duke shkatërruar jetën e të tjerëve. Sot ky është propozuar si Ministër i Brendshëm i këtij vendi. E bëra të gjithë këtë ekspoze sepse dëgjova ambasadorin amerikan të fliste për Xhafën, duke i premtuar atij mbështetje pasi ka pasur ” eksperiencë të mirë gjatë hartimit të reformës për drejtësi”! Por ambasadori amerikan duhet ta dijë, se Fatmir Xhafaj do reagonte në të njëjtën mënyrë mos më keq në rast se aso kohe do kapte ndonjërin prej nesh duke dëgjuar Zërin e Amerikës, apo duke shprehur ndonjë fjalë të mirë për vendin e lirisë që ai përfaqëson.

Të flisje mirë për Amerikën ishte si të gëzoheshe për vdekjen e diktatorit. Dënoheshe nga ligji për agjitacion e propagandë kundër pushtetit! Në rast se ambasadori nuk e di, po i themi se Fatmir Xhafaj është nga ai soj komunistësh prej të cilëve paraardhësit e tij lanë vendin e tyre për të shkuar drejt Amerikës! A nuk është ironike që ky njeri të bëjë një ligj ku kontrollohet integriteti moral i 850 prokuroreve dhe gjykatësve të këtij vendi, dhe këtë ta bëjë në emër të lirisë, drejtësisë dhe mbështetjes amerikane?! Me çfarë morali! Si mund ti kërkohet llogari zbatuesve të ligjit të këtij vendi nga shërbëtorë të diktaturave të këtij kalibri.

Viktimat e tij janë ende gjallë, i kanë ende të freskëta torturat!. Të përndjekurit e këtij vendi nuk kanë marrë ende dëmshpërblimin moral për atë që kanë hequr! Gjithsesi ata kanë qëndruar në lartësinë e tyre, nuk kanë kërkuar hakmarrje personale megjithëse kishin të drejtën e zotit për ta bërë këtë. Kanë shpresuar se këtë moral do ja verë në vend shteti i tyre, por dhe me ndihmën e madhe të vendit të lirive dhe demokracisë. Armikut numër një të regjimeve diktatoriale, dhe sidomos atyre komuniste. Vendit të Reganit të madh, që shembi lindjen komuniste. Por të shohin se drejtësia ngelet sërish në dorë të tyre, dhe ish-xhelati i djeshëm sot vesh petkun e ministrit, merr flamurin e drejtësisë ndërkohë që duhej të ishte flakur tej, kjo është e tepërt!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *