OPINIONE

BRAVO EDI RAMA! NËSE NUK DI, PYET O BURRË!

SHKRUAN: Prof. dr. Enver Bytyçi

Mbrëmë përmes një interviste të zëdhënësit të BDI-së në Maqedoni, Artan Grubi, mësuam se marrëveshja e partive politike shqiptare na qenka firmosur në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Në emission, gjatë intervistës, u shfaq vazhdimisht një foto e tryezës së bisedimeve dhe nënshkrimeve, nën mbikëqyrjen e zotit Rama.

Ndërsa sot kemi produktin negativ të këtij akti:

1. Produkti kryesor është bllokimi i institucioneve të Maqedonisë, një akt ky i mirëllogaritur nga vetë presidenti i vendit, Igor Ivanov, për të krijuar alibinë e tij për bllokimin e jetës institucionale në këtë vend. Kjo përbën një pengesë të rrezikshme me mundësi potenciale për të sjellë në vëmendje e përsëritur ngjarjet e pranverës së vitit 2001. Megjithatë unë besoj se Maqedonia nuk do të shkojë deri në një përplasje të tillë. Kjo sepse atëherë ishin shqiptarët nismëtarët dhe autorët e nisjes së konsflitit, ndërkohë që sot duken krejt të qetë e të painteresuar për një gjë të tillë. Interesi ynë është stabiliteti e paqja në Maqedoni. Çdo konflikt atje do të sillte pasoja katastrofale për perspektivën e shqiptarëve. Ndersa Gruevski, Ivanovi e të tjerë mundet të kenë si interes konfliktin dhe destabilitetin. Zoti Rama ua dha alibinë për një përpjekje të tillë! Beavo!

2. Produkti i dytë I marrëveshjes së nënshkruar në Tiranë është kriza e marrëdhënieve bilaterale midis Shkupit dhe Tiranës. Nisur nga akti formal i nënshkrimit të marrëveshjes në zyrën e Edi Ramës, presidenti maqedonas ka sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për atë që ai e quan “ndërhyrje të Tiranës zyrtare në punët e brendshme të Maqedonisë”. Për herë të parë artikulohet një akuzë e tillë e mbështetur në një provë, të cilën kryeministri ynë ua dha peshqesh në dorë autoriteteve maqedonase në Shkup. Kjo e ka vënë në vështirësi edhe aleatin e zotit Rama, zotin Zaev, si dhe partitë shqiptare në Maqedoni. Por ka vënë në siklet edhe miqtë e shqiptarëve në Europë e në SHBA.

Është e qartë se Ivanov i përdor firmat e krerëve të partive politike shqiptare në Maqedoni të hedhura në zyrën dhe prezencën e zotit Rama si preteks për akuza dhe refuzim të mandatimit të Zaev për formimin e qeverisë së re. Por është e vërtetë gjithashtu që zoti Rama ia dha atij këtë preteks vetë në dorë. Eshtë dhurata e kryeministrit tonë të papjekur për një politikë revanshiste antishqiptare të Gruevskit dhe Ivanovit në Maqedoni.

Ky akt amatoresk i diplomacisë shqiptare dhe vetë kryeministrit tonë pa formim diplomatik erdhi për shkak të dëshirës së tij për protagonizëm. Protagonizmi është egoizëm, është mospranim i tjetrit dhe vënie e interesit vetjak mbi çdo gjë tjetër. Protagonizmi është unitarizëm, sjell arbirtrarizëm e autoritarizëm, madje është dhe mbetet nxitje e brendshme e njeriut për t’u shndërruar në diktator. Protagonizmi djeg etapat, nënçmon ekspertizën, nënvleftëson pasojat dhe shkakton trauma të pallogaritshme. Në familje e shkatërron atë. Në një rreth shoqëror rrënon kulturën e komunikimit dhe të marrëdhënies normale midis njerëzve. Në një shtet e shoqëri prodhon konflikte sociale e politike artificiale, të cilat kur plasin, shfrytëzohen për të mbuluar dështimet e një qeverisjeje të caktuar. Kjo e fundit ka ndodhur me marrëveshjen e nënshkruar në zyrën e prezencën e zotit Rama.

Argumenti se nënshkrimi në Tiranë i marrëveshjes për platformën e shqiptarëve në Maqedoni është nxitur nga egoja për protagonizëm përforcohet nëse kemi parasysh se bisedimet mund të bëheshin në Tiranë dhe aktorët e autorët e saj të ktheheshin e në një moment tjetër ta nënshkruanin atë në Shkup. Por edhe fotoja e shfaqur në media është në vetëvete një lloj karshillëku protagonistësh. E panevoshme deri në infinit. As diktatori komunist nuk do ta lejonte një idiotësi të tillë.

Ky lloj egoizmi fatkeqësisht solli përmbysjen e principeve shtetërore të vendit tonë sa i përket sjelljes dhe marrëdhënieve me fqinjët. Politika dhe diplomacia jonë, e karakterizuar dhe e vlerësuar si diplomaci e ekuilibrit të admirueshëm, prodhoi nga njëra anë dy aleat miq, Serbinë dhe Turqinë dhe nga ana tjetër dy armiq, Greqinë dhe Maqedoninë. Ndërsa Mali i Zi qëndron në pjesën neutrale të politikave të qeverisë së Rilindjes, për shkak se konsiderohet “i pa rëndësishëm” për nxitjen dhe zhvillimin e protagonizmit të kryeministrit Rama. Greqia dhe Maqedonia shërbejnë gjithashtu si stmul i retorikës nacionaliste, strehë ku është futur kozmopoliti Edi Rama për shkak të nevojës për të maskuar dështimet e paimagjinueshme në politikat e brendshme.

3. Kostoja e veprimit amatoreskt të zotit Rama në raport me partitë shqiptare në Maqedoni ka mundësi të kthehet në kosto për shqiptarët, kudo që jetojnë. Protagonizmin e zotit Rama do ta paguuajnë më së pari shqiptarët e Maqedonisë. Mund të jem i gabuar dhe dëshiroj që të gabohem. Por kam ndjesinë së bashkësia ndërkombëtare krahas presionit që do t’i bëjë Ivanov për dekretimin e Zaev për formimin e qeverisë së re të Shkupit, do të bëjë presion te partitë shqiptare që të heqin dorë së paku prej disa pikave kyçe të marrëveshjes në fjalë. Pse? Thjesht se kryeministrit të Shqipërisë i pëlqen të duket dhe të rrëmbejë flamuj që kurrë nuk ka dashur t’i valvitë. Pra, se zoti Rama kërkon protagonizëm dhe jo zgjidhje, kërkon duk dhe jo punë, kërkon reklamë dhe jo produkt, kërkon shou dhe jo sukses substancial.

Ndërkaq ky akt do të ndëshkojë imazhin e shqiptarëve kudo ku janë, dhe mund të dëmtojë përpjekjet e Kosovës për institucionalizimin e pavarësisë së vendit, për shkak se amatorizmi dhe protagonizmi i zotit Rama do të shërbejë e po shërben si “nitrat amon” në kopshtin e shpifjeve antishqiptare, ku rritet e zhvillohet predikimi i vjetër dhe i ri, sipas të cilit, “shqiptarët përbëjnë rrezik për shpërthime të reja konfliktesh në rajon”. Këtë e shohim sidomos në retorikën e Nikoliç dhe mikut të zotit Rama, Vuçiç, në Beograd. Kështu, me dorën e tij, kryeministri ynë idiot lehtëson promovimin e tezave të propagandës serbo-sllave të kohëve të errëta për shqiptarët. Bravo zoti kryeministër! Nëse nuk di, të lutem pyet dhe konsultohu, o burrë! O burrë!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *