POLITIKA KOMBËTARE

FLIJIMI I MARIE SHLLAKUT VAZHDON TË LIHET NË HESHTJE NGA BASHKIA E SHKODRËS !

Ky shkrim është një letër e hapur drejtuar Kryetares së Bashkisë Shkodër znj.Voltana Ademi në ditën ndërkombëtare të gruas!

E nderuar znj. Kryetare!

Si femra e parë Kryetare Bashkie në Shkodër, për të cilen ndjehemi krenar, e të privilegjuar për përfaqësimin e femrës në pushtetin vendor si dhe për ta shfrytëzuar këtë në dobi të femrës për femrën, duke pas parasysh se zgjedhja juaj në krye të Bashkisë ka thyer tabunë e fanatizmit maskilist.

Por, krenaria zbehet kur vihet re që Shkodra një qytet që udhëhiqet për kaq dekada nga Partia Demokratike të lërë në harresë dhe në hije heroinën Marie Shllaku, antikomunisten e betuar e cila në moshë të re u pushkatua në Prizren për aktivitetin e saj politik. Shkodra i ka borxh Marijes, prandaj ky shkrim le ti shkoj në tryezë znj.Kryetare dhe Këshillit Bashkiak të Shkodres. Sepse nderimi i Maries është nderimi i femrës, nderimi i Shkodres si qytet, qoftë një hapësirë për memorial, një titull nderi pas-vdekjes, një aktivitet përkujtimor.

Nëse ju keni hezitim apo mos njohuri për veprimtarinë e saj, unë jam e gatshme t’ju sjelli të gjithë librat që janë shkruar për të, madje dhe t’ju informoj për aktivitetet që janë zhvilluar në Kosovë, Shkodër, e Tiranë, apo përkujtimin dhe vlerësimin që i bën Kosova me emra rrugësh e nderime të tjera. Prandaj Shkodra si qyteti i lindjes duhet ta vlerësoj dhe ta njoh aktivitetin e saj !
Boll me amnezinë institucionale prej disa dekadash!

Po e bëj këtë thirrje pikërisht me 8 Mars, pasi duhen kujtuar ato femra që u sakrifikuan për kombin, Shqipëria nuk ka vetëm Musine Kokalarin, ka shumë Musineja të tjera si Maria Shllaku, Bardha Gjomarku, Marie Tuci etj. Është për tu vlerësuar nderimi që Gjirokastra por jo vetëm ajo, po nderojnë Musinen, të cilat duhen marrë shembull dhe të jenë nzitje për nderimin e Marie Shllakut nga Shkodra. 8 Marsi është dita e sakrificës së femrës por edhe për të kujtuar përpjekjet e tyre për barazi, paqe e drejtësi.

Po e risjelli një poezi që duhet të jetë epitaf për femrat që u flijuan për idealet kombëtare, kjo u shkrua prej një nga të dënuarit në gjyq me Marie Shllakun, profesori shkodran Shefqet Kelmendi që i thotë të gjitha që duhen thënë për Marien si një vajzë 24 vjeçare që u quajt armike dhe u pushkatua, ajo e luftoi komunizmin me pushkë e penë.

Prandaj konsiderojeni këtë thirrje si domosdoshmëri dhe të nevojshme!

***
“Pranë një qyteti është një varr pa varr. Është një vajzë e re që prehet në qetësi e varrin e saj askush sot s’e di…
Nuk ia thau rinin dashuria e vrarë.
Nuk ia shkimi dritën ndonjë e papritur.
Hëna pesëmbëdhjetëshe e harroi vetveten. Theu pasqyrën e nusërisë. I dogji edhe studimet, se një zë nga brenda i thirri:
“Bija ime, rininë tënde falma mua. Digje zemrën për mijëra zemra, që gufojnë sot anekënd!”.
Dhe Shkodrania doli në ballë me flamurin e Skenderit.

Re të zeza sterruan qiellin. Tymi mbuloi tokën tonë.
Sokolesha s’iku natën në dhe të huaj për të shpëtuar lëkurën.
Mali iu bë çerdhe.Toka ujë i dha të pijë.
Po një ditë me mjegull shumë, pesëthepat të gjallë e zunë…
-Ti armike e popullit,- i thanë në një sallë,- fol për fajet e tua !
-Për tokat e të parëve luftova sa munda. Kreva veç detyrën.
-Po ti, a e di se për këto krime plumbi ty të pret?
-Nuk më trembet syri. Unë ia fala jetën Kosovës martire. Ndaj dhe jam krenare, se mbi varrin tim lule do të sjellin të rinjtë e kësaj toke.
-Varrin tënd, nepërkë, askush s’do ta dijë.
-Kjo ka pak rëndësi. Emrin tim, zotëri, ju s’e zhdukni dot!
E salla pikoi lot…
Brinjët ty t’i thyen, po nuk ta thyen zemrën…
Buzët t’i shkrumuan, po s’ta mbyllën gojën…
Sytë t’i shterruan, po në dritë u shndërruan…
Verë e vitit dyzet e gjashtë…

Sot Prizreni në gji të vet
Me xhelozi ruan një sekret.
Borxhlinj të jemi, motra jonë,
O Marija, o shqiponjë !”

Shkruar në burg Zejmen, Lezhë 1986.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *