POLITIKA KOMBËTARE

REAGON PROF. DR. RIZA ÇAVOLLI

Më datën 21 shkurt 2017, GAZETA EXPRESS ka botuar njoftimin mbi gjetjet e Komisionit të ekspertëve për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës, me titull: “Gjetjet e Komisionit: Çakorri është jashtë territorit të Kosovës“.

Në këtë njoftim, nga zëdhënësi i Komisionit të ekpertëve, Tomor Qela, me rastin e prezentimit të raportit të gjetjeve, është përmendur edhe emri im, Riza Çavolli në kontekstin e literaturës ku është mbështetur Komisioni i ekspertëve duke thënë se Çakorri gjendet jashtë territorit të Kosovës.

Dëshiroj ta informoj opinionin se unë asnjëherë dhe në asnjë tekst apo punim timin nuk e kam shkruar një gjë të tillë. Për informim sa më të mirë të publikut, e vetmja gjë që unë kam shkruar lidhur me Çakorrin është sa vijon:

“Peja (qendër regjionale) prej pjesës së ngushtë të Grykës së Rugovës në drejtim të fushës shkon duke u zgjeruar. Ka formë të një trekëndëshi. Ndonëse e mbyllur nga perëndimi nga barriera malore, ajo me anë të Grykës së Rugovës dhe Qafës së Çakorrit i mundëson dalje më të shkurtër Rrafshit të Dukagjinit në bregdetin malazias“ (Dr. Riza I. Çavolli, Gjeografia Regjionale e Kosovës, Prishtinë, 1997, faqe, 350).

Për hir të informimit të drejtë të lexuesve, kerkoj nga redaksia e Gazetës Express dhe mediave tjera që këtë reagim ta postojnë sa më parë.

Prishtinë, më 2 mars 2017 

Me nderime, Prof. dr. Riza Çavolli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *