KULTURA

PLATFORMA E PARË PUBLIKE KUNDËR REALIZMIT SOCIALIST

SHKRUAN: IZET DURAKU

Ftesë për një debat publik ndaj statusit të shkrimtarit në shoqëri dhe lirisë së tij krijuese

Anton Pashku, bashkë me Hysni Hoxhën, Ali Podrimjen, Samedin Mumxhiun, Gani Bobin, Rexhep Ismajlin , Eqrem Bashën dhe Mensur Raifin, në vitin 1971, ishte hartuesi në gjuhën shqipe i platformës së parë publike, “Vox clamantis in deserto” – manifesti i parë, që përmbyste e përplaste në honin e hiçit Realizmin Socialist si metodë letrare.

Tashmë është e njohur Promemorja e Kasem Trebeshinës drejtuar E. Hoxhës shkruar me kthjelltësi, nerv e kurajo intelektuale kundër kësaj metode krijuese që në fillim të viteve ’50. Mbase teksti i saj në forma të ndryshme u bë i njohur edhe në rrethe të ngushta krijuesish, por deri në shembjen e diktaturës në Shqipëri, ai mbeti i panjohur për lexuesit. Kështu që “Vox clamantis in deserto” ka meritën e dokumentit të parë publik të botuar shqip tek “Rilindja”, gazeta me tirazhin më të madh aso kohe në Kosovë. Manifesti pati fatin të bëhet i njohur në rrethe të gjëra krijuesish e lexuesish si në Prishtinë, Shkup e kudo në botë ku jetonin shqiptarët.

Pavarësisht kufizimeve të njohura për gjithçka që botohej në Prishtinë, duke qenë se “Rilindja” vinte në Tiranë, së paku në Bibliotekën Kombëtare, ka qenë e mundur njohja e këtij shkrimi edhe në rrethe të ngushta krijuesish në Shqipëri.

Pa e lidhur me këtë shkrim, fillimi i viteve ’70 në Shqipëri, përkon me një frymë të re, që u duk se do të merrte jetë edhe në letërsi dhe arte. U hapën disa ekspozita në pikturë, u botuan poezi dhe prozë ku fati ekzistencial i njeriut të thjeshtë me dashuritë dhe zhgënjimet e veta po shfaqej si kurrë më parë. Po ditët e ngrohta me diell mbaruan shpejt dhe sërish në jetën tonë si në letërsi dhe në arte u dje acari i shtypjes ideologjike.

Në ish- Jugosllavi që nga viti 1953, kur u mbajt Kongresi i Lidhjes së Shkrimtarëve të atij viti, falë edhe shkrimtarëve të shquar si Mirosllav Kërlezha dhe Josip Vidmari, zhvlerësohet realizmi socialist si doktrinë shtetërore. Dikush mund të thotë me të drejtë se metoda e realizmit socialist është legjitime në një pluralizëm estetik dhe ku nuk ka doktrina zyrtare të metodave letrare. Në këto kushte paradoksalisht ngjan disi e pakuptimtë britma e shqetësuar e këtij grupi të pazakontë krijuesish e filologësh me emër në Kosovë që ngriheshin me një forcë dëshpëruese kundër kësaj rryme, që po ia zinte frymën dhe po e shterpëzonte letërsinë dhe kulturën e re në Kosovë. Por siç është e provuar, pavarësisht deklarimeve e qëndrimeve publike zyrtare, parajsa krijuese në përgjithësi në Jugosllavi e veçanërisht për shkrimtarët e artistët shqiptarë në Kosovë, ishte thjesht iluzore.

Në vende të tjera, qoftë edhe në Beograd, “Vox clamantis in deserto” mund të perceptohej mbase si një shkrim i zakonshëm, madje edhe në përputhje me vijën politike shtetërore të kohës për kulturën, por siç shprehej një miku im shkrimtar nga Prishtina,në kontekstin shqiptar kjo do të merrte konotacione të tjera. Në një vend ku liria stilistike është e lirë, problemi kalon në një rrafsh tjetër: Çfarë është liria tematike?!

Në një vend si ish – Jugosllavia, ku mohohej liria kombëtare, nuk mund të kishte as liri krijuese. Mund të tolerohej çfardo modernizmi e hermetizmi, po nuk lejohej as si shprehje artistike ideja e çlrimit kombëtar, as tema aktuale apo historike e shtypjes kombëtare të shqiptarëve. Kjo temë ishte tabu në ish-Jugosllavi. Kundër saj vepronin mekanizma ideologjike, partiake e shtetërore.

Liria tematike, edhe sipas mikut im në Prishtinë, mbetet ende sot një tabu që nuk e prek kush si atëherë kur funksiononin komisionet idelogjike në Parti edhe tani, për shkak të një gjendjeje post-totalitariste dhe post revolucionare, masat restriktive janë të formave të ndryshme. Sipas tij, sot në Kosovë kemi një konformizëm vullnetar dhe pajtim vullnetar me dogmat. Gjithkund funksionon sipas parimit të monopolit institucional. Pozita e shkrimtarëve është larg normalitetit. Intelektualët e në veçanti shkrimtarët, të cilët dikur ishin i vetmi zë kundërshtues, tani disa prej tyre janë përjashtuar edhe nga procesi social.

-Është situatë komplekse, i nderuari mik. Neve na mungon ndërgjegja historike.
Po mik, është një situatë komplekse, ku gjenden edhe sot krijuesit jo vetëm në Prishtinë, por edhe nëTiranë. Një situatë për të cilën së paku duhet dolur, duhet debatuar. Afërmendësh, askush nga shkrimtarët, mbase, nuk do të shkonte deri atje sa të kërkonte përkëdhelje shtetërore. Po larg qoftë, nuk duhet të ketë as përbuzje, poshtërim e nëpërkëmbje! Në një shkrim të Salman Ruzhdies, botuar në numrin e dytë të “Illz-ve” shkëputëm këto pak radhë:

“Kombi ose bën pjesë të tij shkrimtarët e vet më të mëdhenj (Shekspiri, Gëte, Tagore) ose kërkon t’i shkatërrojë ato (ekzili i Ovidit, ekzili i Soynka-s). Këto fate nuk janë kaq të ndara nga njëri-tjetri. Mos nderimi i shkrimtarëve nuk është i denjë për letërsinë; shkrimtarët e mëdhenj shkaktojnë trazim në mendje dhe në zemër. Ka nga ata që besojnë se persekutimi është diçka e mirë për shkrimtarët. Kjo nuk është e vërtetë.”

“Vox clamantis in deserto” si manifesti i parë publik në gjuhën shqipe kundër metodës së realizmit socialist ka vlerën e një dokumenti për përpjekjet e dëshmuara herët që edhe letërsia shqipe të hynte në rrjedhat e kohës duke përfituar nga mundësitë që të jep liria krijuese. Revista “Illz”e riboton artikullin pas 46 vjetësh, tashmë në Tiranë, si shenjë nderimi ndaj Anton Pashkut dhe gjithë autorëve të këtij manifesti kulturor. Sidomos Anton Pashku, po edhe gjithë autorët e tjerë të kësaj platforme, për shkak të shkeljes së tabusë së realizmit socialist, u ndaluan të botohen, u rrethuan me heshtje të plotë në Shqipëri. Ndoshta qëndrimi i Tiranës zyrtare arriti të çajë barrierën e kufirit duke mbërritur aso kohe deri në Prishtinë, ku Anton Pashku, së paku nuk e pati zyrtarisht kurrë aureolën e një shkrimtari të shquar, ashtu siç ishte dhe është, një mjeshtër i pazakontë i shprehjes artistike që me nuancat më të holla gjuhësore e me një vështrim prej hyji, të portretizojë shpirtra dhe situata të zakonshme, absurde e deri apokaliptike.

Duke botuar “Vox clamantis in deserto”, ndër të tjera, përveç nderimit publik dhe shtimit të vëmendjes ndaj traditës më të mirë letrare, shpresojmë të nxisim debatin publik ndaj disa temave ende tabu apo periferike për statusin shoqëror të shkrimtarit shqiptar, për lirinë krijuese dhe për mundësitë botuese të tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *