HISTORIA

ATA QË SAKRIFIKUAN PASURINË PËR SHQIPËRINË

SHKRUAN XHAFER SADIKU

Këshillat e Naim dhe Sami Frashërit për Murat Toptanin

Me 8 janar 1899, Naim e Sami Frashëri i dergonin nje leter te gjate Murat Bej Toptanit, ku shprehnin shqetësimin për fatet e Atdheut. Pavarësisht rezervave që kishin për disa figura intelektuale të kohës apo edhe kundërshtive për disa të tjerë, ajo që bie në sy ishte kthjelltësia me të cilën i shikonin zhvillimet në hapsirën shqiptare në Rumeli.

“Bir i ynë. Jeni edhe i ri, gënjeheni shpejt. Ne i kena njoft me kohë Radat e Anselmot, dijme sa u bën lëkura dhe tjerëve. A e mbani mend kur na shkrojshi prej Brukselles-i se Rocildi do të shpëtojë Shqipërinë. Mbrapa s’e patën vazhdimin e kësaj letër. E çka do ti bante Rocildi Shqipërisë? Shumë shumë një lëmoshë 100-200 lirash e asgja tjetër. Thoni mandej se në Bukuresht për çdo vjet do të mblidhen 150000 liravet. Këto janë andrra. Ta zem se u mblodh një shumë e madhe. Prej nesh tash për tash s’pritet shërbim tjetër, veç atij me hapë shkolla e me shtypë libra. Evropa sot s’don të dalë një poterë në Rumeli. Po të vërtetohet një e tillë gja, Evropa do ta shtërngojë qeverinë ta shtypi menjëherë. Thoni mandej se me këtë e atë do të shkoni në Dalmacije dhe aty do të hapni shkollë e shtypshkronjë e s di çka tjetër.

Mirëpo personat që numëroni janë që të gjithë të dyshimtë. As njeri prej tyne s’ mundet me pasë cilësinë e mësuesit…
Në është inisiativa juaj një punë që mund t’i dilet në krye, do të mund ju këshillojshim me i sjellë shpindjen familjes për disa kohë, me sakrifikue pasuninë, me u endë nëpër vise të huaja i pa frenuem dhe pa marrë parasysh flijet me qëndrue i patundun. Por na jemi të sigurtë se nuk do të mundeni me ba kurrgjë. Për kundra do të prishni punë. Pse njerzit me të cilët doni të shoqnoheni, as njeri s’asht i sinqertë e besnik. Secili është një tradhëtar në llojin e vet. Ndihmat që besoni nuk mblidhen. Kërrkush s’jep pes pare…

Deri më sot vetëm shoqnija e Bukureshtit i ka shërbye kauzës me besniki. Pak a shumë u shtypën libra, po mbajnë një shkollë. Për hir të këtij shërbimi gjuha e jonë po shkruhet e po pasunohet me një letërsi…”



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *