POLITIKA KOMBËTARE

TURQIT E MAQEDONISË KUNDËR ZYRTARIZIMIT TË GJUHËS SHQIPE

Në linjë me VMRO-në, komuniteti turk e ka quajtur kërkesën e dalë nga Platforma shqiptare si një manipulim i përkryer që mund të nxitë tensione dhe konflikte me pasoja të mëdha për stabilitetin e vendit dhe rajonit

Partia Demokratike e Turqve (Türk Demokratik Partisi) është shprehur kundër zyrtarizimit të shqipes në Maqedoni, meqë sipas kësaj partie, kjo godet karakterin unitar të shtetit.

Partia që përfaqëson komunitetin turk përmes një komunikate ka shprehur kundërshtimin ndaj zyrtarizimit të shqipes në nivel shtetëror, ndërsa ka thënë se angazhohet për një Maqedoni të fortë dhe unitare.

“Dhënia e të drejtave ekskluzive të një bashkësie etnike rrënon kushtetutën, që garanton barabarësi të qytetarëve. Nga kjo duhen kuptuar reagimet e pjesëtarëve të komunitetit turk që këto zgjidhje i vlerësojnë si një manipulim i përkryer që mund të nxitë tensione dhe konflikte me pasoja të mëdha për stabilitetin e vendit dhe rajonit”, thuhet në komunikatën e Partisë Demokratike Turke.

Ky subjekt turk ka qenë prej 10 vitesh në koalicion me VMRO-DPMNE, ndërsa kryetari i saj, Bejxhan Ilaz, ka pasur postin e ministrit pa portofol në Qeverinë e Gruevskit.

Vitin e kaluar, komuniteti turk në qytetin e Manastirit kishte reaguar ashpër ndaj vendosjes së flamurit shqiptar në një nga xhamitë e qytetit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *