POLITIKA KOMBËTARE

STRATEGJIA E BASHËS

SHKRUAN: ARMAND MAHO

Për ata që e kuptojnë, duhet pranuar që ideja e Bashës për të nisur protestat 4 muaj para zgjedhjeve është thjesht birlante. Vetë Rama ishte investuar fort që, nëpërmjet presioneve dhe tundimeve, të mbante me pahir Metën në qeveri, si kyçin e suksesit të tij, duke luajtur kartën e injorimit me Bashën. Nga ana e tij, Basha e la të kridhej në delirin e tij për tre vjet e ca. Duroi dhe presionin e partisë së tij dhe strukturave për protesta, duke kapërdirë dhe shumë akuza. Punoi fort me komunitetin ndërkombëtar duke pritur rastin e tij.

Rama, duke menduar se dhe një mandat tjetër e kish të sigurt u investua fort te fuqizimi i parave të krimit duke kanabizuar tërë vendin, dhe duke bërë karshillëk të hapur me personat e krimnalizuar që i siguruan pushtetin. U soll me arrogancë duke furnizuar klientët e tij me koncensione që të çimentonte pushtetin! Opozita qëndroi në heshtje! Eksperienca e saj me protestat e Ramës, në kohë të papërshtatshme kur pushteti i Berishës ishte në kulmin e tij, duket se i vlejti. Personalisht kam qenë pro tyre, megjithëse i pashpresë se me to mund të vinte rrëzimi i Ramës. Por Basha diti të presë, diti me raste të qendrojë dhe në hije, duke lënë të konsumoheshin me njëri-tjetrin Rama dhe Meta. Atëherë kur të gjithë prisnin të shpalleshin listat e opozitës për kandidaturat, ai bëri atë që nuk e mendonte askush. Kërkoi dorëheqjen e Ramës në fund të mandatit. Ishte momenti që kish pritur!

Dorëheqja do ishte e papranueshme në fillim të mandatit, por edhe në mes, por në fund ska asgjë anormale! Protesta që organizoi ishte një sinjal i mirë për ndërkombëtarët, në lidhje me pakënaqësinë që shoqëron. Nga ana tjetër rekordet e Ramës në lidhje me marrëdhëniet e Shqipërisë me botën nuk janë shumë për tu lavdëruar. Lumenjtë e drogës janë bërë problem i madh duke etiketuar atë vetë si kryeministër i kanabisit. Rreziku që paratë e saj mund të përdoren në zgjedhje për të manipuluar votat është real dhe evident. Goditja që mori nga Ylli Manjani ministri i Drejtësisë, si një kryeministër që i bën presion gjykatësve që të mbajnë në burg njerzit e thjeshtë ishte një tjetër sinjal. Gjërat janë thjeshtuar shumë dhe Rama duket se s’ka shumë zgjidhje. Në rast se ikën dhe pranon qeveri teknike ai e di fare mirë se është një kapitullim për të dhe dekurajim për bazën e tij. Qeveria teknike do i hidhte në erë të gjithë investimin që ai kish bërë për këtë ditë!

Presioni ka shkuar tek Meta, i cili tashmë duhet të zgjedhë të rrëzojë Ramën duke ikur nga qeveria që mos cënojë stabilitetin e zgjedhjeve, apo të vazhdojë me “qetësi e dashuri” të mbajë në këmbë një kryeministër të cilit në zgjedhje nuk ia ka besën as vetë se do e lerë pa vjedhur. Nga ana tjetër Bashës s’i mbetet gjë tjetër vetëm se të jetë lojtari kryesor. Në rast se Rama jep dorëheqjen atëherë era fryn nga velat e tij në rrugën drejt pushtetit. Por dhe ne rast se nuk e jep, atëherë deklarata nga ana e Bashës është bërë se me këtë qeveri nuk ka zgjedhje, dhe fare thjeshtë deklaron se nuk do hyjë në to. Rama, sado delirant e dritëshkurër të jetë në politikë, e di që zgjedhjet pa opozitën nuk ia njeh askush në BE, ndërsa në këtë lojë rrezikon të mbetet i vetëm pasi edhe Meta s’ka ndërmend të hyjë në një palë zgjedhje ku opozita nuk është. Kosto e madhe për të. Rama ndoshta s’e kupton, por është thjeshtë i kapur mat!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *