HISTORIA

VRASJET E 26 SHKURTIT 1951

Shkruan: Xhafer SADIKU

26 shkurt 1951 – Ashpërsim i terrorit stalinist

Viti 1951 karakterizohet nga ashpersimi në terrenin shqiptar i politikës staliniste të regjimit komunist. Kështu, më 19-23 shkurt 1951, Enver Hoxha mblodhi Plenumin e IX të Komitetit Qendror të PPSH, ku mbajti raportin “Mbi gjendjen politike dhe punën e Partisë”.

Në plenum u theksua se: “urrejtja kundër armikut të klasës nuk ka qenë e fortë sa duhet” dhe se “janë manifestuar shfaqje liberalizmi, zemërgjerësie, butësie, oportunizmi kundrejt armikut të klasës”.

Në njërën nga ditët që zhvillonte punimet mbledhja, më 19 shkurt 1951, në afërsi të përfaqësisë së Bashkimit Sovjetik, u vendos një sasi lëndësh eksplozivi.

Të nesërmen, më 20 shkurt 1951, u bë mbledhja e Byrosë Politike, ku ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu, propozoi:
“Të arrestojmë rreth 100 ose 150 veta, nga këta të cilët nja 10 ose 15 prej tyre ti pushkatojmë duke zgjedhur sigurisht nga ata më kryesorët, mbasi kanë dashur të organizojnë atentate të tjera. Kjo masë do të proçedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana, të familjeve reaksionare brenda një muaji”.

Ditën e fundit të punimeve u aprovua rezolucioni i Plenumit, i cili vinte detyrë të rritej vigjilenca revolucionare e Partisë për zbulimin e armiqve dhe “të forcohej lufta e Partisë për zhdukjen e tyre”.

Natën e 26 shkurtit 1951, 22 prej të arrestuarëve u pushkatuan. Nuk u ishte komunikuar asnjë akuzë dhe asnjë nuk kishte dalë në gjyq.
Të ekzekutuarit ishin: Sabiha Kasimati, Tefik Shehu, Pjerin Guraziu, Jonuz Kaceli, Anton Delhysa, Haki Kodra, Gafur Jegeni, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasaruho, Zyhdi Herri, Gjon Temali, Petro Konomi, Niko Lezo, Pandeli Nova, Thoma Katundi, Mehmet Shkupi, Ali Qorraliu, Fadil Dizdari, Hekuran Troka, Lluka Rashkoviç.

Pas ekzekutimit të tyre, do të kishte vrasje të tjera. Kështu, pas 25 ditëve u varën dy fshatarë të cilësuar kulak, në rrethin e Devollit; në rrethin e Lushnjes u ekzekutuan 9 të tjerë, në Vorë u ekzekutuan dy. Të ekzekutuar pati edhe në rrethe të tjera, ndërsa të dënuarit politikë ishin me qindra.
______________
PPSH, Dokumente kryesore, vëllimi II, Tiranë 1972, f. 181-186.
AQSH, fondi 14/APOU, viti 1951, dosja 1, fl. 228-228/1.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *