OPINIONE

MOJ KOSOVË T’U NDJEFTË E MIRA…

SHKRUAN FLORIM ZEQA

Nëse nuk mësohet nga historia, ajo përseritet prap në të njëjtën trajtë. Nuk e besoj që ka popull në rruzullin tokësor të jetë mashtruar më keq dhe tradhëtuar më shumë se sa shqiptarët.

Respekt për të gjithë akademikët e mirëfillt që nuk janë pjesë përbërse e llumit akademik në shërbim të politikës, klaneve mafioze dhe oligarkëve ekonomik.

Pas raportit të PISA-s për nivelin e ulët të arsimit shqip në Kosovë, është rasti i Demarkacionit me Malin e Zi që nxori në shesh nivelin katastrofal akademik në vendin tonë.

Përderisa në secilin shtet Akademia e Shkencave konsiderohet të jetë ajka e trurit kombëtar, tek ne na doli të jetë e kundërta e saj. Përfundimisht u dëshmua se vendi ynë, përveq një klase politike marrëzisht të degraduar, e ka edhe një të ashtuquajtur “Akademi të shkencave” të mbushur përplot plagjiat dhe militant partiak në shërbim të nëntokës politike.

Në vend se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) të jetë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve, që të jetë avangardë e proceseve pozitive politike në vend, ajo është shndrruar në shërbim të politikës ditore të kusarëve politik dhe jo vetëm kaq, me mospunën e saj ka kaluar në shërbim të interesave të shteteve fqinjë për humbjen e territorit të Kosovës.

Mirëpo është pikërisht kjo e akademi e kapur nga politika, që 18 vjet pas lufte dhe 9 vite pas rishpalljes së pavarësisë e cila nuk ishte në gjendje të ngriste asnjë padi për gjenocid kundër Serbisë!

Përveqse dështim total, heshtja e akademikëve paraqet mjerimin skandaloz të elitës intelektuale në vendin tonë. Të paktën akademikët tanë nuk është dashur ta harrojnë kaq lehtësisht djersën, sakrificën dhe gjakun e derdhur për lirinë e atdheut.
Mbase ne shqiptaret jemi i vetmi popull në rruzullin tokësor i cili vepron kunder vetëvetës, kundër ligjeve të natyrës duke i kënduar tradhetisë në vend që t’i këndoj trimërisë dhe lavdisë kombëtare.

U kënduam dhe vazhdojmë t’u këndojmë hajdutëve dhe kriminelëve që u pasuruan duke u thirrur në emrin e vlerave kombëtare, duke u thirruar në emrin e Ibrahim Rugovës e Adem Jasharit, në emrin e UÇK-së dhe gjakut të dëshmorëve të lirisë sonë,…që u pasuruan, u bënë milionerë duke vjedhur e uzurpuar, kush me laps e kush me gjoks, duke lënë në harresë të plotë fatin e popullit dhe të ardhmen e atdheut duke i “harruar” edhe kufijtë e shtetit të tyre.

Nuk ka nevojë të jesh ekspertë i demarkimit të kufirit, për të kuptuar shumë kjartë, se raporti të cilin e paraqiti për opinion, i ashtuquajturi Komision për matjen e sipërfaqes së territorit të Republikës së Kosovës, se është vërtetë një farsë politike, mashtrues dhe manipulues, qëllimkeq dhe antikombëtar, me prapavijë të mbrapsht dhe përmbajtje deri në marrëzi dhe hipokrizi intelektuale e mbështjellur nën “petkun” e një akademiku.

Farsë dhe hipokrizi politike është edhe kushti i demarkacionit në këmbim të liberalizimit të vizave. Pengesa kryesore e mosliberalizimit të vizave është klasa e korruptuar dhe servile politike e Kosovës, e cila djallëzisht ëdhtë duke u përdorur nga Beogradi, Podgorica, Shkupi dhe Brukseli për gllabërimin e sërishëm të tokave tona stërgjyshore.

Të thuhet se bjeshka e Bjelluhës deri në Çakorr, nuk na qenkan territor brenda kufijve të Kosovës, nuk mund të cilësohet ndryshe, veçse tradhëti kombëtare dhe delegjitim të shtetit të pavarur të Kosovës.

Në rrethana normale, për manipulime të këtilla antishtetërore të bëra ashiqare nga komisioni shtetëror, organet e drejtësisë do duhej t’i jepnin menjëherë urdhër policisë, që të apostrofuarit në atë komision të arrestohen me procedurë të përshpejtuar ligjore dhe të paraburgosën, për tradhti kombëtare.

Në fakt, u vërtetua katërçipërisht se ky komision dhe ai paraprak, paskan qenë të formuar jo për t’i mbrojtur territoret e shtetit të pavarur të Kosovës, por krejtësisht për qëllime djallëzore, për të arsyetuar nënshkrimet turpëruese dhe antikombëtare të liderëve shtetëror në bisedimet e Brukselit lidhur me Asociacionin e komunave serbe dhe atë të demarkacionit me Malin e Zi, nga i cili rezulton se Kosova i ka humbur mbi 8300 hektarë tokë nga territori i saj, të falura pamëshirshëm shtetit malazez.

Pra, komisioni servil dhe antikombëtar, dëshmoi qartë tradhëtinë kombëtare, nivelin e ulët moral dhe kombëtar të kastës aktuale politike dhe disa pseudointelektualëve dhe deputetëve të kuvendit, të cilët janë të gatshëm t’ia zgjatin vuajtjet e popullit të tyre deri në pafundësi vetëm e vetëm për t’u munduar për t’u shpëlarë nga të bëmat dhe dëmet e shumta që i shkaktuan popullit përgjatë këtyre viteve të paspavarësisë.

Kur është fjala tek deputetët të cilët me votën e qytetarëve janë ulur në kolltuqet e kuvendit, nën betimin për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe integritetin territorial të vendit,…në rast të votimit pro variantit qeveritar të demarkacionit, përveq ndjekjes penale nga drejtësia, duhet të ndjeken edhe si qent endacak kudo që ndodhen, brenda dhe jasht kuvendit të Kosovës nga qytetarët e Kosovës.

Situatën aktuale politike dua ta ilustroj me një anekdodë të huazuar nga miku im Lon Karrica, të dëgjuar nga gjyshi i tij Gjon Karrica (1902-1993): “Ishin kanë çue do njerëz me e matë dynjanë. Ja nisen me e matë me Lëmsha të mëndafshit. Mirë ju shkoj puna deri kur erdhen në trojet shiptare,…aty iu hargju lëmshi e pëni i mëndafshit. Megjithatë ishin të vendosur me mjete tjera me e vazhdue matjen,… e gjeten një Dreq dhe e mbytën, leshin e të cilit e bënën dredhë-dredhë dhe e maten Kosoven anë e mbanë nëpër bjeshkë, Kullë e Qakorr e deri në Pashtrik për të vazhduar tutje…”.

Fatkeqësisht vendi ynë sikurse tani edhe në të kaluarën shpesh është matë e ç’matë me lesh Dreqi, e ku tani bijtë e atij dreqit të vjetër po shkrryjnë e ladrojnë, po ndajnë e coptojnë trojet tona etnike.
Shqiptarët gjithmonë kanë qënë e zeza e vetëvetes dhe e mira e të huajve, andaj edhe i madhi Faik Konica me të drejtë e kishte thënë në kohën e tij ; “Ruaje Zot Shqipërinë prej shqiptarëve ” !

Përfundimisht këtë shkrim dëshiroj ta përmbylli me këto vargje; “Moj Kosovë t’u ndjeftë e mira, pse po të ndjekin këto orë të liga,…ky regjim nuk është i pari, kanë kaluar krajl e mbret, se ka gjatë as ky pushtet”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *