POLITIKA KOMBËTARE

KUSH MRIZON NË INSTITUTIN ALBANOLOGJIK?

SHKRUAN: PROF. BEKIM LUMI

E qartë, në Institutin Albanologjik të Prishtinës mrizojnë e vegjetojnë edhe pseudoalbanologë mjerana, të cilët para këtij instituti ma me dëshirë kishin me e vendosë shtatoren e Androkli Kostallarit, i cili, me “standardin” gjuhësor të vitit 1972, e ka sakatue gjuhën shqipe, se sa shtatoren e Profesorit Anton Çetta, i cili, me punën dhe veprën e tij të jashtëzakonshme kërkimore e studimore, sidomos në fushën e folklorit, e ka begatue, fuqizue e fisnikërue shkencën e albanologjisë.

Këta mjerana, këto fosile arkaike pseudoshkencore, këta xhuxhmaxhuxhë të albanologjisë, të cilët me “studimet” e tyne në asnjë rrethanë nuk mund të krahasohen me Profesorin Anton Çetta, duhet ta kuptojnë se reagimi dhe refuzimi i tyne për me e vendosë para Insitutit Albanologjik shtatoren e Plakut të Urtësisë, të Paqes e të Pajtimit, asht shprehje e injorancës, inferioritetit, mediokritetit dhe primitivizmit.

Me punën e tij madhore për pajtimin e gjaqeve në Kosovë gjatë viteve ’90, Profesor Anton Çetta kish me qenë ekzemplari ma i përsosun, ma unik e ma i dinjitetshëm për Çmimin Nobel për Paqe. Edhe pse me shumë vonesë, vendosja e shtatores së tij para Institutit Albanologjik të Prishtinës kish me qenë gjesti dhe akti ynë ma i vogël simbolik për nderimin, përshpirtjen dhe përjetësimin e figurës së tij të jashtëzakonshme.

Kosova dhe shqiptarët, tash e gjithmonë, kanë nevojë të identifikohen me njerëz e burra të tillë të mëdhenj si Profesor Anton Çetta.

One thought on “KUSH MRIZON NË INSTITUTIN ALBANOLOGJIK?

  1. Me vend. Profesor Anton Cetta meriton shume me shume se sa nje permendore.
    Por ai ka dashurine dhe respektin e te gjithe shqiptareve, te te gjitha moshave e prifesioneve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *