POLITIKA KOMBËTARE

SA LEKË KUSHTON DISIDENCA

SHKRUAN: REXHEP SHAHU

Ndajini veç hajdutët, ordinerët, pedofilët, ndajini ata që hynin në bugje se përdhunonin apo abuzonin nxëneset e tyre dhe për të ruajtë nxënëset e familjet e tyre pajtoheshin e pranonin të gjithë të dënoheshin me çdo lloj dënimi vetëm të mos merrej vesh përdhunimi apo abuzimi me nxënëset e mitura, ndajini këto nga armata e të dënuarve të diktaturës dhe pastaj ua heq kapelën atyre që mbeten.

Pastaj unë i ndaj vetë veç ata që realisht nuk i donte partia sepse ata e sfidonin dhe partia nuk pranonte sfida, partia i kishte në shënjestër më të zotët, nuk i toleronte më të zotët, nuk i toleronte dhe i ndëshkonte më ashpër e më vrazhdë se të tjerët.

Pasi të ndahen këto dy kategori që s’kanë asgjë të përbashkët, pastaj unë i ndaj veç hajdutët e pafajshëm se vidhnin në kooperativë, në fermë a në ndërmarrje shteti drithë a miell a fasule se nuk kishin dhe ndani veç ata që donin t’ua bënin varrin të tjerëve.

Pasi të ndahen këto, ndajini edhe ato që pa dhimbje e me kranari shitën disidencën e vitet e burgut me para e me kompensime të tjera, pa menduar dhe pa ndjerë dhimbje për asgjë, pa menduar se kështu pohojnë se askush nuk ka hyrë në burg politik si disident por kanë hyrë për biznes e me llogari për të bërë burg me fitue pare si vend pune.

Burgu nuk ka qenë vend pune apo ndërmarrje me shitë vite burgu me pare, me përfitime sepse kjo gjë nuk ka asnjë lidhje me disidencën, as me disidencën e rreme që mashtron veten edhe në se ka dashtë me e vra me kallashnikov Enver Hoxhën.

Pastaj ma ndani edhe atë kategorinë që nuk len gur pa luajtë e mik pa futë e bakshish pa dhënë, deri ne 40 përqind të shumës për me marrë lekët e viteve të burgut.

Po nuk u pastruan listat e të dënuarve politikë, po nuk u qartësua se kush ka qenë i dënuar politik e kush bastard që nxjerr në pazar dhe shëmton disidencën, po nuk u diferencuan vetë të përndjekurit realë nga bastardët që i ka futë qëllimshëm partia për ta shëmtuar këtë kategori, atëhere e keqja do ta mbulojë këtë vend gjithnjë e më shumë.

E keqja nuk do ta lejojë shoqërinë të nderojë disidentët realë nga pornodisidentët që për pak lekë e ndonjë privilegj, apo që të mos u zbulohën pjesë të shëmtuara të jetës apo histori që i bëjnë me turp, shesin shpirtin, nderin e dinjitetin, puthen me xhelatët, martohen me xhelatët, por jo në emër të faljes e paqes.

Sa lekë kushton disidenca…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *