KULTURA

EDHE I VDEKUR ARMIKU HAVZI NELA I MBAN SYTË NGA JUGOSLLAVIA

SHKRUAN REXHEP SHAHU(fragmente nga libri im në proces për Havzi Nelën)

Natën e 10 gushtit 1988 e varën Havzi Nelën në dalje të Kukësit, pranë sheshit të axhensisë së udhëtarëve, në vendin më të populluar me njerëz.
Të nesërmen në mëngjes shokët e partisë e të pushtetit të Kukësit shkojnë ta shohin armikun e varur. Nuk pipëtinte asgjë rrotull. Qetësi.

Pëshpëritje nuk dëgjohen aty rotull. Ndoshta dy Drinat, i Bardhi e i Ziu, fëshfërijnë.

E shihni, edhe i vdekur ky armik i mban sytë nga Jugosllavia, tha njëri nga shokët e partisë, si për ta bindë veten e tij dhe të tjerët se është bërë mirë që partia e vari këtë armik të popullit. Këtë fjalë e mori era dhe ma ruajti mua gjithmonë. E dëgjoi ndonjë zog i trishtuar këtë fjalë dhe edhe zogu iku larg, sa më larg armikut dhe shokut të partisë.

Havzi Nela i varur në litar, me këmishë të zbërthyer e me bark jashtë, nuk e dëgjonte dot shokun e udhëheqjes së partisë. Havziun që lëkundej në litar era e kishte sjellë nga kishte dashtë ajo. Era, ajo e liga erë që frynte fllad, fllad gushti, fllad natë gushti, ia kishte kthye fytyrën nga Kosova, të cilën shoku i udhëheqjes së partisë e quante Jugosllavi. Se shoku i udhëheqjes së partisë nuk e dinte as donte ta dinte as ta pranonte as ta ndjente Kosovën, e cila ishte e huaj për shokët e udhëheqjes së partisë, ishte Jugosllavi për shokët e partisë. Havziu nuk i përgjigjej dot e ti thoshte se era më ka lëkundë dhe më ka kthye nga Kosova dhe ndoshta kjo është piktura a skulptura më e bukur e Havzi Nelës që era e zoti kishte bërë atë mëngjes, duke e kthye të varurin me fytyrë nga Kosova.

Aq afër armikut të varur sa iu afruan shokët e partisë e të pushtetit nuk i ishte afruar askush Havziut pos policëve që e kishin varë.
Nuk guxonte askush të afrohej. As të fliste ndonjë fjalë. Jo t’i fliste Havziut, por as zogjve nuk u drejtoi askush asnjë fjalë atë ditë që u gjet i varur Havzi Nela prej shtetit te sheshi pranë axhensisë së udhëtarëve në Kukës. Askush nuk ia la vetit të thoshte ndonjë fjalë, siç ia la vetit ai shoku i partisë që tha se “edhe i vdekur ky armik i mban sytë nga Jugosllavia”. Pëshpëritje a pëshpërima pati, por pëshpërima periferike, siç raportonin njerzit e sigurimit të shtetit. Aty pranë të varurit asnjë pëshpëritje, asnjë lutje, asnjë fjalë veç mallkimit në formë konstatimi të shokut të udhëheqjes që tha se edhe i vdekur armiku Havzi Nela i mbante sytë nga Jugosllavia.

Hetimi për Havzi Nelën që plagosi policin me pistoletë ndoshta është hetimi më i shpejtë e më i rrufeshmi që ka ndodhë ndonjëherë në historinë e hetimeve në dekadën e fundit të diktaturës komuniste.

Gojë më gojë e vesh më vesh ia përcillnin njëri – tjetrit punonjësit e Degës së Punëve të Brendëshme, të hetuesisë e prokurosisë, herë si përkrahje për mirë e herë si frikë apo si kundërshtim, thëniet e ndonjë hetuesi të Havziut, të cilët të ndodhur para presionit që ta hetonin urgjent çeshtjen, ishin shprehur pa kujdes duke thënë, çfarë ka bërë mor vëlla ky Havzi ziu, çfarë ka bërë mor jahu ky njeri që duan ta gjykojnë kaq shpejt. Ku e ka rrezikshmërinë aman Havziu në hekura… Është skandaloze që po na nxitojnë kështu. Ka plagosë një polic mor vëlla. E çfarë ka që nxitohet kaq shumë, ai nuk po na shpërthen burgun, nuk po na ikën askund.

VALIXHJA E MADHE E HAVZI NELËS MBUSHUR PLOT ME FLETORE.

A thua kush e i ka asgjesuar materialet në valixhen e madhe, tip kartoni, ngjyrë të errët të Havzi Nelës. Atë valixhe që kishte patur me vete në Arrën. Ajo valixhe ka qenë plot me fletore, me fletore shkolle të shkruara, të mbushura plot me shkrime, me vjersha e me shkrime. Asnjë libër nuk ka patur në atë valixhe, veç fletore shkollore të mbushura me shkrime.

Është asgjësuar si provë materiale, siç asgjesoheshin provat materiale me vendim gjykate. Nuk besoj se ndokush ka vjedhë ndonjë fletore në valixhen e Havziut.

Kjo do të ishte vjedhje heroike.

Askush nuk ka shkuar të interesohet për Havziun gjatë ditëve të hetimit. Askush. Asnjëherë.
Ai ishte i braktisur prej të gjithëve dhe këtë braktisje ai e konsideronte si dënim prej të gjithëve, bërje palë e të gjithëve me partinë e shtetin që e kishin dënuar dhe po e dënonin me dënim kapital, me varje në litar.

Duke e ndjerë këtë braktisje, ai trimërohej dhe na sfidonte të gjithëve. Ai nuk kishte çfarë humbiste. Ai u bë i huaji i të gjithëve, i papranuar nga askush. Sa as veten nuk e deshi më.

Havziu kishte ikë nga vendi i internimit, nga Arrni, me qëllimin e vetëm të shkonte ta takonte nënën. Ai, e kishte ndjerë përbuzjen e braktisjen e të gjithëve kur doli nga burgu para se ta çonin në internim në Arrën. Askush nuk pranoi ta merrte përsipër kujdesjen për të. As familja, as fshati, as zona, as kooperativa, as partia, as Këshilli. Vitet e gjata të burgut e kishin bërë të huaj në shtëpinë e tij, në fshatin e tij. Rreth dy dekada duke e quajtë partia armik, të gjithë e shihnin si armik. Duke blerë gozhdë me rregullue çatinë e rënë e të rrënuar të shtëpisë, duke diskutuar për lëndën e çatisë së shtëpisë, për trarët, për keprat, për pallzinat e shtëpisë, e thërrasin dhe e çojnë në internim sepse askush nuk kishte pranuar të thoshte po, le të rrijë në fshat Havziu se do kujdesem unë për të.

Pas gjithë kësaj braktisje, mosbesimi, mungese dashurie, Havziu e kishte marrë vendimin e tij. Donte t’i jepte fund jetës. Nuk ia vlente, nuk kishte arsye, nuk kishte motiv, nuk kishte pse të jetonte, nuk priste asnjë gjë të mirë, asnjë shpresë nga askush.
Kishte ikë nga vendi i internimit, duke e ditur se po bënte vepër penale, pasi ikja nga vendi i dënimit ishte vepër penale, kishte ikë të takonte nënën dhe me mendje të ikte nga kjo botë.

Kjo ishte arsyeja që kishte gjetë atë pistoletë. Me vra veten.

Por rrethanat diktuan që ai të qëllonte mbi policin i cili shkon në shtëpinë ku ishte strehuar Havziu për ta ndaluar e shoqëruar për në polici për veprën penale që kishte bërë, ikje nga vendi i internimit.

Havziu nuk kishte shkuar fshehtas te daja i tij, e kishin parë mjaft njerëz. Aty kaloi gjithë natën deri të nesërmën, pra shumë orë.
Policia pasi ishte njoftuar nga Arrni se ka ikë Havziu, vihet në kërkim të tij. Por në Kukës nuk ishte e vështirë të gjendeshe se ku je. Një polic, apo i plotfuqishmi, mjaftonte për 30 fshatra për ta ditë edhe se sa kokrra fasule ka sejcila vorbë që zihej në çdo familje. Aq më tepër nuk ishte e vështirë të gjendej Havzi Nela, i cili nuk kishte ikë nga Arrni ku vuante internimin për tu fshehë as për tu arratisë se po të donte e kishte bërë dhjetra herë. Pra nuk kishte ikë për tu fshehë, kishte ikë për ta takue nënën. Dhe natyrisht që policia e shteti e dinin këtë gjë se Havziu nuk do të arratisej. Dhe do të kërkohej tek njerzit e tij të afërt ose tek shtëpia e tij në Kollovoz.

Po të donte me u arratisë Havziu nuk kishte nevojë me shkue as te daja as te nëna.

Po të donte me ikë edhe nga shtëpia e dajës, nuk kishte pritë mëngjesin, nuk kishte pritë me ardhë polici te shtëpia e dajës së tij, kishte ikë natën, ishte arratisë natën se ai e dinte dhe njihte vendin më mirë se polici.

U cilësua terror plagosja e policit prej Havzi Nelës. Po shteti që e vari me litar në publik, a bëri terror, a është terrorizëm shtetëror varja e Havzi Nelës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *