HISTORIA

PËR KË DO TË VOTOJË MINORITETI SHQIPTAR NË SHQIPËRI?

SHKRUAR NGA AHMET KOLGJINI NË MARS TË VITIT 1991

Që ka një minoritet grek në Shqipëri, kjo dihet; që ka gjithashtu, edhe një minoritet maqedonas a sllav, edhe kjo dihet. Por, që ka edhe një minoritet shqiptar, këtu, brenda në Shqipëri, kjo nuk dihet a dihet. Në këtë rast të dhimbshëm dhe unikal, vetë termi minoritet shqiptar këtu, brenda në Shqipëri duket paradoksal. Duket, por është real. Dhe me të vërtetë realiteti qenka më fantastik se fantastikja.

Atëherë mbetet vetëm për të sqaruar se cilët e përbëjnë këtë minoritet. Këtë minoritet e përbëjnë të gjithë ata, të cilët, për vite me radhë, kanë qenë objekt i luftës së klasave, të gjithë ata që u bënë viktima të kësaj lufte; të gjithë ata që u shtrënguan ta ndjenin veten të huaj në vendin e vet; të gjithë ata, mbi të cilët u zbatua parimi i mëkatit origjinal. Simbas një llogjike perverse nipat dhe stërnipat duhej të lanin mëkatet e gjyshëve dhe të stërgjyshëve. Janë të gjithë ata, të cilëve, me reformën arsimore të vitit 1968, u mohohej jo vetëm shkollimi i plotë, por edhe arsimi i mesëm profesional; të gjithë ata, të cilët, edhe detyrën e shenjtë ndaj atdheut, e kryenin jo si ushtarë, por si robër lufte, me shatë dhe me lopatë. Janë të gjithë ata që bënë me krahë – të rrethuar nga tytat e pushkëve, – bonifikimin e kënetave, që hapën kanalet e mëdhenj ujitës, që ndërtuan aeroporte, fabrika dhe uzina, spitale dhe banesa. Janë të gjithë ata që nxorën, me shpirt ndër dhëmbë, nga thellësitë e tokës kromin, bakrin, piritin. Janë të gjithë ata, të cilët për vite me radhë i janë shtruar arbitraritetit dhe imponimit për shkollë, për punë, për banesë; për të mos përmendur raste të tjera të paimagjinueshme dhe të pabesueshme. Edhe vdekja vetë nuk bën dallim ndërmjet njerëzve, kurse pushteti i popullit ka bërë dallim edhe ndaj të vdekurve. Të gjithë këta shqiptarë përbëjnë një masë të konsiderueshme, një kontigjent konsistent për nga numri, vlerat dhe qëndresa.
Me komunizmin, që dikur joshte njerëzit, ngjau si me ylberin që, i parë nga larg, të mahnit me gjithë spektrin e ngjyrave e të duket i mistershëm. Një mirazh që zë fill nga shkretira shpirtërore dhe mbaron me shkretirën shpirtërore dhe me shkretirën lëndore. Sot komunizmi shkakton alergji dhe është bërë gërdia a neveria më e madhja në këtë botë.

Dikur, komunistët predikuan dhe premtuan bashkimin dhe vëllazërimin, por mbollën përçarjen; premtuan begatinë, por sollën mjerimin; premtuan të vërtetën, por përhapën gënjeshtrën; premtuan drejtësinë, por zbatuan padrejtësinë; premtuan lirinë, por vendosën diktaturën; premtuan demokracinë, por vendosën autokracinë.

Në këtë agim të ndritshëm të lirisë së individit, njerëzit përditë po ndërgjegjësohen, prandaj një gjë është krejt e sigurt: ata që përbëjnë minoritetin shqiptar, këtu, brenda në Shqipëri, nuk do t’ia japin votën partisë që është tashpërtash në pushtet, sepse ajo i ka trajtuar për vite e vite rresht si kafshë barre për të mbajtur mbi shpatulla gurët e ngrehinës së pushtetit më autentik dhe pa precedencë në histori për mohimin, dhunimin dhe depersonalizimin e qytetarëve të vet.

Motra dhe vëllezër, që jeni marrë nëpër këmbë, le të besojmë në demokracinë dhe votat tona t’i japim vetëm për demokracinë, se ajo na mbron dinjitetin njerëzor. Te demokracia çdo shqiptar i vërtetë gjen vetveten. Vetëm demokracia përfaqëson dhe shpreh aspiratat mbarëkombëtare dhe jep mundësinmë e realizimit të tyre.

GAZETA MINERVA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *