POLITIKA KOMBËTARE

EKSPERTËT E SIGURISË DHE MEDIAT TONA

SHKRUAN: BAJRAM MJEKU

Treni “historik” serb, i cili më 14 janar të këtij viti u nis të hynte nga Beogradi në Mitrovicë, nxori në pah paaftësinë e të ashtuquajturve ekspertë të sigurisë, të cilët jo rrallë dhe pa dije elementare, denjojnë të jenë mysafirë në studiot e televizioneve tona dhe pa arsye terrorizojnë trurin tonë.

Shkas për këtë shkrim, ishte emsioni i mbrëmshëm i radhës Click në TV 21. Kur moderatori i emisionit i pyeti të ashtuquajturit ekspertë të sigurisë se më e fuqishme është ushtria apo forcat e armatosura, që të gjithë heshtën pa dhënë as edhe një përgjigje! Ushtria është komponentë e forcave të armatosura, në krye të të cilave është Komandanti Suprem, në rastin tonë Presidenti i Republikës. Në kuadër të forcave të armatosura shtrihen ushtria, pastaj mbrojtja territoriale, të cilën nuk e kemi dhe Policia, e cila angazhohet si forcë mbrojtëse vetëm në raste të luftës.

Ekspertët tanë të sigurisë, duhet të kuptojnë një herë e mirë se numri i ushtarëve në rast lufte nuk determinon suksese në mbrojtje të vendit, por janë tre komponente kryesore, të cilat nuk i kemi: Aviacioni, artileria dhe njësitë e blinduara, të cilat Kosova i disponon vetëm në letër. Në kuadër të këtyre tre komponenteve hyjnë edhe forcat detare, por në mungesë të hapësirës detare, Kosova nuk ka nevojë t’i ketë.

Në fakt, çka është eksperti i sigurisë në këtë rast? Eksperti është person profesional, i cili disponon aftësi dhe shkathtësi të nevojshme shkencore e profesionale, të cilat janë të domosdoshme për vërtetimin e fakteve relevante. Eksperti zbaton ekspertizën sipas urdhërit të organit, i cili udhëheq me procedurën, në mënyrë që me sjelljen e përfundimit të caktuar ndihmon organin në vlerësimin e fakteve të rëndësishme në situata të caktuara dhe të ndjeshme.

Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon të harrojë se kur është shpërbërë ish-Jugosllavia në gjysmën e parë të vitit 1991, në kuadër të ish-armatës jugosllave ishin së paku 720 oficerë dhe nënoficerë, të cilët sot janë lënë të harruar dhe nuk pyeten për asgjë! Nuk mund të jetë ekspert i sigurisë, pse në një kohë të caktuar përmes lidhjeve “speciale” është emëruar më së shumti një vit këshilltar i Ministrit të Brendshëm, apo pse dikur ka punuar elektricist në objektin e ish-Sekretariatit për Punë të Brendshme!

Kosova, ende nuk e ka qoftë një analist ushtarak, i cili në fakt do të duhej t’i dinte së paku kapacitetet ushtarake të shteteve fqinje të Kosovës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *