POLITIKA KOMBËTARE

FITORJA E PIRROS DHE VIOLINA E NASTRADINIT

SHKRUAR NGA SEJDI PEKA

Nuk ka asnjë dyshim se “fitorja” e “Rilindjes” së Edi Ramës në zgjedhjet farsë të 21 Qershorit, ishte në të vërtetë një goditje e rëndë për demokracinë në Shqipëri. Dasma e dy aligatorëve të së majtës ish-komuniste, shumë shpejt u kthye në mort. Ndodhi ajo që e kam shënuar gjithnjë dhe vazhdimisht në shkrimet e mia. Në zgjedhjet e 21 Qershorit doli në pah edhe pabesia që i karakterizon bolshevikët, eliminimi në të gjitha format edhe i bashkëpunëtorve të tyre, tradhtia dhe pabesia për të mbajtur me çdo kusht pushtetin. Kjo “fitore”, lus Zotin që kurrë më mos i ardhtë demokracisë në Shqipëri.

Duke u larguar nga emocionet e natyrës politike, këtë mendim nuk e kam vetëm unë si qytetar dhe si gazetar që kam ndjesinë e investigimit, por janë institucionet ndërkombëtare, është DASH që jep alarmin menjëherë pas zgjedhjeve të 21 Qershorit, “për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Shqipëri”, janë qytetarët shqiptarë që mbetën të shokuar, se si është e mundur të fitojë anti-vlera kundër vlerës së demokracisë në Shqipëri. Në këtë raport theksohet ndër të tjera për shkelje sistematike të të drejtave më themelore të njeriut. Është Shqipëria, në të gjitha institucionet shtetërore, një korrupsion i trishtë që ka kapur për fyti shtetin dhe qytetarët. Në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, se vota blihet dhe vidhet, se administrata shtetërore është e shantazhuar nga qeveria për të bërë të mundur vjedhjen dhe manipulimin e votës së lirë të qytetarëve. Raporti i DASH,vjen si një rrufe, fill pas zgjedhjeve vendore, duke ja shndërruar ne helm fitoren “si të Pirros” dyshes Rama-Meta. Nastradini po vidhte në një dyqan dhe më parë po priste hekurat e dritareve me një sharrë hekuri. Prerja e hekurave po nxirrte një tingull dhe disa udhëtarë që po e dëgjonin, i thanë njëri-tjetrit se “dikush po i bie violinës, por nuk po dëgjohet mirë”. Nastradini duke dëgjuar fjalët e tyre u përgjigj: “mos u mërzitni, nesër do t’ia dëgjoni zërin më mirë”. Dhe me të vertetë, të nesërmen të gjithë dëgjuan se ishte vjedhur dyqani. Në këtë kontekst edhe Edi Rama në rolin e Nastradinit, i vodhi zgjedhjet e 21 Qershorit dhe institucionet që monitorojnë Shqipërinë në proceset demokratike reaguan shumë shpejt për vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, në sinkron me këtë raport të rëndësishëm të DASH, vjen letra që Ambasadori Amerikan në Shqipëri Donald Lu, i dërgon Halim Kosovës, Kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës. Nuk është për t’u çuditur se Ambasadori nuk i uroi Erion Velinë dhe as Edi Ramën “për fitoren si të Pirros” në zgjedhje. Në letrën e Donald Lu që i dërgon Halim Kosovës theksohet, po citoj: “I dashur Dr.Kosova.Doja të ju dërgoja këtë letër për t’ju përgëzuar për fushatën pozitive për Bashkinë e Tiranës dhe të përqendruar në problematika. Ambasada jonë ka folur shpesh në muajt e fundit rreth politikanëve të korruptuar dhe kriminelë që janë përfshirë në blerje vote, shantazhim dhe manipulim të institucioneve demokratike. Në kontrast me këtë, ne pamë që ju personalisht i angazhuar në një proces të ndershëm dhe të hapur. Ju folët për çështje që shqetësojnë votuesit e Tiranës. Ne mendojmë se fushata juaj ishte një shenjë për qytetarët shqiptarë se sistemi i tyre politik po maturohet. Mezi pres të bisedoj me juve për këto çështje në një të ardhme të afërt”, e mbyll letrën e tij Ambasadori Donald Lu. Amerika foli qartë dhe gazi i Edi Ramës u kthye në mort për Rilindjen, “për adresën” që i ka mbetur Partisë Socialiste. Po kush janë në të vertetë “politikanët e korruptuar dhe kriminelët që janë përfshirë në blerje vote, shantazhim dhe manipulim të institucioneve demokratike”.

Mesazhi i Amerikës si gjithnjë është i qartë. Vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve të 21 Qershorit e ka bërë Edi Rama dhe Ilir Meta. Partia Demokratike ka kërkuar gjithnjë dhe vazhdimisht,që Parlamenti i Shqipërisë të ndalonte me ligj persona të kriminalizuar të kandidonin në zgjedhjet lokale. Por Edi Rama me kokëfortësi hodhi poshtë edhe kërkesën e Amerikës dhe institucioneve ndërkombëtare, kërkesën e opozitës në përgjithsi,duke kandiduar kriminelë për Kryetarë të Bashkive nga e majta ish-komuniste. Disa media këtu në Shqipëri,bënë publike shumë kandidatë të Partisë Socialiste që ishin përfshirë në vepra kriminale të drogës dhe prostitucionit. Kandidatët e Partisë Socialiste, ishin akuzuar nga prokuroritë e vendeve të demokracive Perëndimore dhe ishin arrestuar për vepra kriminale. Janë pikërisht këta kriminelë që u duheshin Edi Ramës dhe Ilir Metës për të manipuluar me mjete të terrorit dhe shantazhit votuesit shqiptarë, duke i frikësuar dhe terrorizuar nga njëra anë, nga ana tjetër duke i mashtruar me blerje të votës. Ishte tronditëse, e vështirë për t’u kapërdirë pa e dënuar si akt mizor, rastin e një vajze të re nga Vora, që me një mesazh i drejtohej gazetarit të Opinion në TV Klan: -Jam e dëshpëruar – shkruan vajza e re-se familja e jonë nuk mundet që të shkojë të votojë, jemi të kërcënuar se në rast se do të shkojmë të votojmë jeni në rrezik për jetën.

-A ka gjë më të tmerrshme për demokracinë në Shqipëri, kur bandat kriminale të qeverisë Rama-Meta kërcënojnë qytetarët me jetën e tyre në rastin kur ata shprehin vullnetin e tyre të lirë. Është mjaft për t’u çuditur se si në Tiranë fitoi Erion Veliaj! Sigurisht Edi Rama organizoi gjithë potencialin ekonomik dhe politik të shtetit kundër Halim Kosovës dhe të gjithë kandidatëve të opozitës në Shqipëri. Duke ju referuar përsëri letrës së Ambasadorit Amerikan, si rregull duhej të fitonte Halim Kosova. Por ja që për fatin e keq të Shqipërisë, Shqipërinë dhe demokracinë në Shqipëri e kanë kapur për fyti pinjollët e brezit të dytë të diktaturës komuniste. Personalisht mendoj se Erion Veliaj është fytyra më e përçudnuar e pinjollëve të diktaturës komuniste. Nuk mendoj se i biri ose nipi etj., duhet të përgjigjen për bëmat dhe gjëmat e para-ardhësve të tyre. Por riciklimi në politikë pikërisht i tyre është një kërcënim për demokracinë. Kristaq Rama është Babai i Edi Ramës që vari në litar Havzi Nelën, poetin e vargjeve të lirisë me 10 Gusht 1988. Nuk është për t’u çuditur se edhe Erion Veliaj është nipi i Saliko Sulos, kriminelit komunist që me urën e zjarrit në dorë hyri në Krumë në vjeshtën e vitit 1944 si Komandant i Batalionit të dytë të Brigadës së 5 të Shefqet Peçit.

Pas masakrës së Buzmadhes, në Krumë, ai urdhëroi të digjeshin dhe të plaçkiteshin shtëpitë e familjes time. U lidhën me litar burrat e fisit tim, u plaçkitën malli dhe bagëtia, u dogjën shtëpitë. Një xhaxhai im u pushkatua. Ishte vjeshtë. Familja ime kishte mjaft bagëti, qindra bagëti, që kishin zbritur nga kullotat verore. Partizanët e uritur, u lëshuan si të tërbuar duke therur cjepët e majmur. Gjyshi im më tregonte se partizanët i thernin cjepët e majmur me brisqet e rrojës se nuk kishin thika. Kafshët e mjera përpëliteshin për një kohë të gjatë derisa u pritej koka nga barbarët e uritur. Nuk kishte më tmerr. Mishin e zienin në kova dosido dhe mishin e konsumonin ashtu si të pazier. Plasi një epidemi dizenterie nga dhjami dhe mishi i pazier tek partizanët. Një “baxho” që funksiononte për prodhimin e djathit “kaçkavall” u zaptua, u shtrua me kashtë dhe u bë spital partizan. Në këtë gjendje të rëndë, disa partizanë vdiqën apo u helmuan nga sëmundja e dizenterisë. Saliko Sulo, një kriminel ordiner dhe i pashpirt, gjyshi i këtij Erionit të famshëm që “fitoi” votat në Tiranë, i kërkonte llogari Gjyshit tim dhe deshi ta pushkatonte, duke e akuzuar se “ti armiku i popullit na i vrave shokët partizanë me mishin e dhjamosur”.

-Ka për t’u vra buka ime,-ishte përgjigjur Gjyshi im. Ndoshta edhe urrejtja i errëson mendjen njeriut, por siç shkruan Emil Zola në “Zherminal”, “urrejtja është e shenjtë, ajo është një shprehje e zemrave luftarake dhe të fuqishme që poshtërsia dhe marrëzia u ngjallin zemërim. Të urresh do të thotë të duash”. Gjyshi i Erion Velisë, një kriminel komunist, e la familjen time në dimrin e egër të vitit 1945 pa strehë mbi krye. I grabiti mallin dhe pasurinë me mizori barbarësh, i vuri në tortura njerëzit e familjes time të tregonin se ku ishte dhe strehohej babai im, që me armë në dorë nëpër male, po kundërshtonte instalimin e regjimit komunist në Shqipëri dhe në Kosovë. Në këto kushte familja ime do të internohej në Kalanë e Beratit dhe do të vuante për një gjysmë shekulli diktaturën komuniste, persekutimin e tmerrshëm komunist. Ndoshta Erion Veliaj nuk mundet të përgjigjet për gjëmat e gjyshit, apo ndoshta të Nënës së tij kundër popullit, por e akuzoj se nuk ka moral. Nuk ka moralin që si marionetë e Edi Ramës, një manjak i etur për pushtet dhe hajdutëri, paturpësisht dhe padrejtësisht të mashtrojë popullin me mjete të terrorit shtetëror, të bëhet qytetari i parë i Tiranës.

Politika ka një moral. Për të zezën e vet e kanë pinjollët e diktaturës komuniste. Populli dhe koha e demokracisë do t’i gjykojë për tradhti ndaj interesave kombëtare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *