POLITIKA KOMBËTARE

VRASJA ZYRTARE E KOMANDANTIT DHE E DEPUTETIT

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

Smajl Hajdaraj u lind më 1951 në Dugaivë të Rugovës. Shkollën fillore 8 vjeçare e kreu në Rugovë, për të vazhduar Gjimnazin, drejtimin shkencor, në Pejë, të cilin e përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm. Fakultetin e Inxhinierisë, dega e elektroteknikës e mbaroi në Prishtinë, për të qenë, së fundi, në prag të magjistraturës.

Smajl Hajdaraj u lind dhe u rrit në shtëpinë konak të Arif Rekës, ish i burgosur politik për 9 vjetë radhazi në burgun – ishull të Goli Otokut, së bashku me: Haxhë Kerin, Cufë Sokolin, Bajram Ramën, Sylë Mehmetin, Azem Jakupin, Ali Hysin, Bajram Haxhinë dhe rugovas të tjerë. Nga kjo familje regjimi mbretëror jugosllav kishte pushkatuar 4 meshkuj. Gjyshi Reka, me të vëllanë Adem Smajlin dhe kushërinjtë Hajdarin e Bajramin, morën pjesë në mbledhjen e Junikut neutral, krahas burrave të shquar të Kosovës.

Në këtë trung bazal familjar, Smajl Hajdaraj mori një edukatë sipërore morale dhe atdhetare. Qysh si gjimnazist u shqua në disa veprime, siç ishte sigurimi dhe shpërndarja ndër shokë të literaturës, e cila për regjimin përbënte blasfemi kundër pushtetit. Pikërisht, për rrjedhën familjare dhe sjelljet e tij të dyshimta, do të kishte shumë telashe me profesorin e gjuhës serbokroate.
Smajl Hajdaraj punoi mësimdhënës në Shkollën Teknike “Shaban Spahia”, më 1977-79, më vonë si bashkëpunëtorë i jashtëm.
Pastaj punonjës i KEK-ut, shef i Distribucionit.
Në vitin 1990 ishte nga të parët që largohet nga puna, meqë ishte themelues dhe kryetar i Sindikatës të Pavarur në ish organizatën punuese “Elektrokosova” në Pejë.
Në një mandat 4 vjeçar ishte kryetar i kësaj organizate për të gjitha distribuimet e Kosovës.
Edhe aktiviteti politik i Smajl Hajdaraj është i begatë:
– Anëtar i LDK-së që nga themelimi i saj;
– Kryetar i Aktivit në Vendlindje;
– Sekretar i Nëndegës të LDK-së për Rugovë deri në vitin 1997;
– Kryetar i Nëndegës të LDK-së për Rugovë;
– Komandant i Shtabit Rajonal të Rugovës;
– Kryeshef i Operatives në Brigadën 136 “Rugova”.
Pas luftës i kthehet profesionit të inxhinierit dhe aktivitetit politik si dhe ndërtimit të vendit.
– Në zgjedhjet e para lokale, të pas luftës, zgjidhet deputet i Asamblesë komunale në Pejë;
– Anëtar i Komitetit për politikë dhe financa;
– Deputet në Parlamentin e Kosovës, legjislatura e parë.
Pas plot 38 ditësh jete parlamentare, më 17 janar 2002, në hollin e hyrjes të banesës të tij, në lagjën “Fidanishtë” të Pejës, ekzekutohet në një pritë mirë të organizuar nga njerëz të panjohur. Kanë kaluar plot 17 vjetë nga vrasja e trishtme e trimit Smajl Hajdaraj dhe ende nuk është bërë asnjë hetim serioz, nuk është arrestuar askush.

Kur Smajl Hajdaraj themeloi Forcat e Armatosura në Rugovë, duke përcaktuar edhe konturet e reziistencës, kishte kontaktuar me njerëzit e Rrafshit të Dukagjinit, për ta koordinuar luftën. Si epror institucional, Smajl Hajdaraj mbante kontakte të rregullta, me ministrin e mbrojtjes Ahmet Krasnqi, i cili aplikoi taktikën dhe strategjinë e luftës të Kosovës, me komandantin e Zonës të Dukagjinit, kolonel Tahir Zemaj.

Sepse respektimi i shkallës hierarkike në luftë, është bazë e zbatimit të ligjeve të luftës, larg anarkisë dhe bashibukizmit, siç ndodhi në kampin tjetër, atë të UÇK-së të SHIK-ut, të cilët, me veprimet banditeske, gjatë dhe pas luftës, tani po përballën me arrestime, hetime, gjyqe, dënime, burgosje.

Smajl Hajdaraj, si epror i formacionit ushtarak të krahinës të Rugovës, ishte i hapur dhe deklarues publik se i përket organizimit institucional dhe njeh për Komandant të Përgjithshëm të forcave të Armatosura, Presidentin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

Smajl Hajdaraj ishte admirues dhe zbatues i pahezitueshëm i vijës dhe filozofisë rugoviane, madje i gatshëm për çdo detyrë, deri në sakrificë. Pas luftës ishte i pari që hapi zyrën e LDK-së në Pejë, në një kohë që “këmerët e kuq” të LPK-së, me shantazhe e terror, ishin dyndur në tërë Kosovën dhe pak kush guxonte të shpërfaqej si përkrahës i dr. Rugovës.

Në mjediset e afërta me dr. Rugovën, është e njohur afria dhe përkujdesi i Smajl Hajdarajt për kryetarin Rugova, madje në momente të vështira ekonomike, duke i ofrua ndihmë materiale për Familjen Rugova.

Përkujdesja e Smajlit nuk mungoi as për sigurimin e financave për udhëtimet, organizimin e sigurisë fizike të Presidentit Rugova si dhe blerjen e një mercedesi të blinduar.

Ai do t`i sugjeronte vëllait të tij Fazliut, atëherë nënkryetar dhe tani kryetar i Nëndegës të LDK-së, në Republikën e Rheinland Pfalz-it, në Gjermani, “për ta blerë një veturë të blinduar, sepse jeta e Presidentit Rugova është në rrezik nga bandat e SHIK-ut” Kërkesa u realizua pa asnjë hezitim, mëdyshje. Dhe, e gjithë kjo shton dyshimin e bazuar, se përbën një arsye më shumë për vrasjen në pusi të trimit Smajl Hajdaraj.

Nga ekspozeja e bërë rezulton se Familja Hajdaraj për një shekull ka rezistuar, është përgjakur, duke dëshmuar atdhetarinë e saj. Edhe Smajl Hajdaraj, në vazhdë të traditës familjare, është shquar si punonjës shkencor, kuadër drejtues dhe komandant i luftës. Atëherë shtrohet pyetja: Pse duhet vrarë kuadri i LDK-së, komandanti ushtarak i Rugovës, dhe deputeti i Parlamentit të Kosovës, Smajl Hajdaraj?!

Përgjigjen pse duhej vrarë Smajl Hajdaraj me shokë, e ka dhënë njëri nga SHIK-asit vrasës, por i penduar: “Porosia ishte se duhej vrarë x-y-ni, për ta marrë pushtetin në atë komunë”.

Nëse Istogu i Shaban Manaj, kishte 70 % të votave për LDK-në; Theranda e UKë Bytyçit printe me 72 % të votave. E sigurtë ishte edhe Klina e Ismet Rracit. Por, edhe Peja nuk do të ishte në këtë katandi, po të jetonte sot Smajl Hajdaraj. Të gjitha vrasjet politike në Kosovë, kanë një emërues të përbashkët: marrjen e pushtetit me dhunë e terror fizik dhe psikologjik.

Kush e vrau Smajl Hajdaraj me shokë, është një pyetje tjetër, e cila nuk mund të tejkalohet duke e heshtur. Edhe këtë përgjigje e ka dhënë kuadri i lartë i PDK-së, duke denoncuar: “Ata që po i vret UÇK-ja, po i vajton LDK-ja”. Edhe vajtimi është i saktë.

Por lindë pyetja: Cila UÇK-e vrau Smajl Hajdarajn? Ajo që Smajli i komandonte formacionet e saj, apo një “UÇK-e” tjetër, e ideuar dhe e themeluar në vilat e Bllokut të Tiranës, nga zyrtarët partiakë, krerët e LPK-së, hafije të UDB-së dhe Sigurimi Shqiptar enverist. Dhe, kjo “UÇK-e”, identifikohet me Organizatën kriminale e terroriste SHIK-un.

Përgjigja e prerë është se vrasjet i ka bërë kjo, “UÇK-ja” e dytë, UÇK-ja e SHIK-ut, e themeluar enkas për marrjen e pushtetit me dhunë, me eksponentë Presidentin dhe Kryeparlamentarin aktual me shokë. Andaj edhe krimi politik nisë në Tiranë me vrasjen e gazetarit Ali Uka, ministrit të luftës Ahmet Krasniqi, zhdukja pa gjurmë e oficerit Sadri Ramqaj dhe qindra të tjerëve në Shqipëri dhe Kosovë.

Është kjo “UÇK-e” që iu shmang luftës kundër pushtuesit, për çka i akuzon edhe shefi i Shtabit, Sylejman Selimi, duke shtuar se “nuk ishte Ibrahim Rugova ai që nuk deshti unifikimin e faktorit ushtarak, por ishin krerët e PDK-së të sotme dhe të Parlamentit”, të cilët, ai i përmend me emër, duke sjellur fakte se “nuk ishin pjesë e luftës dhe se në Rambuje nuk kishin përfaqësim, ishin të paligjshëm, ndërkohë që pretendonin ta kryesonin atë”, – thotë ngulmueshëm e faktueshëm, Sylejman Selimi.

Ndërsa UÇK-ja e Smajl Hajdaraj, me serinë e betejave të Kosharës të Sali Çekaj e Agim Ramadanit, me oficerët dhe ushtarët trima; betejën fitimtare të Loxhës, me komandant kolonel Tahir Zemaj dhe të tjera, legjitimoi luftën e Kosovës.

Për krimin e organizuar politik në Kosovë, tashmë, nuk ka asnjë enigmë, asnjë të panjohur. Jo vetëm tani, që janë berë vetëdenoncues pjesëmarrësit në krime faktike, por edhe më parë dihej se në timon qëndronte PDK-ja me partitë simotër të saj AAK-në.

Sepse në një vrasje merrnin pjesë një duzinë njerëzish. E pabesueshme, por krejt e vërtetë, se një gazetë e ekstremit të majtë, lajmin për vrasjen e kolonel Tahir Zemaj me djalin Enisin dhe kushëririn Hasanin, përshkrimi i aksionit, është dorëzuar në shtyp pesë minuta para ekzekutimit!!!

Oborri i shtëpisë, korridori i saj, janë mjedise ku njeriu ndjehet i lirë, i sigurtë. Por, UÇK-ja bandë e SHIK-ut e përdhosi shenjtërinë e oborrit, të shtëpisë. Madje me terror në familje konkuruan dhe tejkaluan pushtuesin. Edhe Smajl Hajdaraj u ekzekutua pikërisht në korridorin, para derës të shtëpisë. Në prag të shtëpisë, edhe brenda shtëpisë, në mesin e familjarëve, u ekzekutuan edhe shumë të tjerë.

Tashmë, nuk ka hamendje se UÇK-ja e SHIK-ut është një bandë kriminale, madje, terroriste. Sepse ekzekutimet e ushtarakëve dhe të veprimtarëve të Ibrahim Rugovës i ka bërë bujshëm e zhurmshëm. Është thyer çdo normë e kod ligjor e kanunorë. Janë terrorizuar familjet dhe qytetarët. Janë kryer akte fashizoide, që assesi nuk harrohen dhe nuk mund të tejkalohen pa ndëshkimin meritor.

Nuk mund të fajësohen ndërkombëtarët, çlirues faktik të Kosovës, pse e identifikojnë “UÇK-në” me krimin në Kosovë. Fajtorë janë institucionet e drejtësisë vendore, por edhe populli, të cilët, në vend që të ndajnë “shapin nga sheqeri”, ta denoncojnë dhe ndajnë UÇK-në e SHIK-ut, nga UÇK-ja tjetër, e painkriminuar, ulurijnë turpshëm, rrugëve e bulevardeve, vendore e ndërkombëtare, madje, për afro dy dekada, në mbrojtje të kriminelëve faktikë e numerikë të -UÇK-së të SHIK-ut!

Presidenti jonë është peng i krimit, sepse janë këta eksponent të krimit, të cilët e kanë sjellur PDK-në në pushtet dhe atë në kupolën e shtetit. Kur mësoi se EULEX-i do ta fillojë hetimin për krimin e organizuar politikë në Kosovë, ai i strehoi në Parlament, duke i veshur me imunitetin e deputetit, shefat e SHIK-ut, shefat e krimit.

Një biçim “komandanti”, në LLap, të dënuar nga gjykata me burg, për krimin e torturës, por edhe i akuzuar për vrasjen e të burgosurëve gjatë luftës, e bëri deputet, bile edhe kryetar të Komisionit Parlamentar për Siguri!!

Shtrohet pyetja: A duhet ndejur duarkryq dhe vetëm të presim përvjetorët për vajtim, apo të kërkojmë llogari e drejtësi? Askush nuk i bën gjyq vetës, as banda e kuqe e Lëvizjes, e SHIK-ut, e krimit. Atëherë, çfarë ka bërë e po bënë LDK-ja e përgjakur? Mendoj se vetëm po i vajton të vrarët dhe asgjë më shumë. Kjo është skandaloze, madje e pafalshme për një parti numerike dhe dinjitoze.

Për çudë, LDK-ja nuk ngriti një Shtatore në Pejë dhe as nuk kërkoi titullin meritor Hero i Kosovës për Komandantin e Rugovës dhe deputetin e Parlamentit të Kosovës, Smajl Hajdaraj!!

Lavdi jetës dhe veprës të Smajl Hajdaraj me shokë!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *