POLITIKA KOMBËTARE

RAMA I DORËZON ZGJEDHJET TEK KRIMI

Zgjedhjet e lira në rrezik – Të dërguarit e Ramës në Komisionin e Reformës Zgjedhore kanë marrë urdhër të refuzojnë çfarëdolloj përpjekjeje për të garantuar zgjedhje të lira e të drejta. Edi Rama ka bllokuar prej 4 vjetësh rekomandimet e OSBE-së dhe tani ka përdorur për herë të parë veton, që të mos mundësohet votimi dhe numërimi elektronik. Skema është gati dhe zgjedhjet duhet t’i administrojë krimi, pasi vetëm kështu garantohet aveniri politik i kryeministrit.

Dita e djeshme ishte fatale për demokracinë në vend. Vetoja kundër Reformës Zgjedhore tregon qartazi frikën e Edvinit nga vota e lirë qytetare. Rama e ka treguar hera-herës që është kundër një procesi zgjedhor që respekton mendimin e sovranit. Këtë e tregoi më së miri në zgjedhjet e vitit 2013 me dhënien prioritet kriminelëve dhe narkotrafikut, ndërsa e kurorëzoi këtë me rezultatin e suksesshëm të përqendrimit të pushtetit në duart e bandave. Kandidimi i rilindjes përmes vrasësve, kriminelëve, trafikantëve, pengmarrësve, përveçse sollën hapa pas në vend, gjithashtu hodhën poshtë të gjitha përpjekjet e miqve dhe partnerëve për ecurinë drejt familjes evropiane të vendit tonë. Kjo lidhje e fortë që ka me botën e krimit dhe prej të cilëve siguron të ardhurat për llogari personale, u vulos me veton e djeshme, teksa  u votua kundër platformës së opozitës shqiptare për votim dhe numërim elektronik, si çelësi kryesor i mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme. Rama përmes aktit të djeshëm dëshmoi se është shkatërrues i procesit politik, se ai e ka frikë garën e ndershme elektorale dhe e ka zëvendësuar këtë me një aleancë të çimentuar tashmë me krimin dhe drogën.

Nëse rilindja Rama vendosi kundër votimit dhe numërimit elektronik, kjo është dëshmi e qartë se në zgjedhjet e Qershorit shqiptarët nuk do të kenë mundësi që të zgjedhin me votën e lirë një qeverisje të përgjegjshme dhe përgjegjëse ndaj tyre. Ndaj opozita këmbëngul me të fortë dhe shpalli prej muajsh platformën zgjedhore që t’i paraprijë këtij kaosi të krijuar nga rilindja e krimit. Kërkesa e PD-se për futjen e teknologjisë në votim konsiston pikërisht në verifikimin dhe parandalimin e votimit të shumëfishtë në qendrat e votimit, shmangien e kontrollit të votës, po ashtu edhe përshpejtim të procesit dhe nxjerrjes sa më shpejtë të rezultatit. Në këtë pikë, mazhoranca bie ndesh, pasi teknologjia do t’i vendoste bllokadë cenimit të lirisë së votës, pasi ishte e frikshme ajo çka pamë në Dibër e Kolonjë. Rama dhe aleanca me bandat kanë rrethuar Shqipërinë tashmë në mjerim, kjo prej taksave të larta, terrorit, kërbaçit.

Banda e Edi Ramës është e rrethuar nga një popullsi e dëshpëruar sepse dëshpërim mbollën me mbylljen e vendeve të punës, me çmimet e larta dhe faturat aforfe të energjisë elektrike apo me taksat e larta. Ndaj thirrja e vazhdueshme e opozitës shqiptare është vendosja e pushtetit në duart e qytetarëve, pasi nuk mundet që në këto zgjedhje jetike për vendin të vendos varfëria apo korrupsioni siç ndodhi në zgjedhjet e pak muajve më parë. Në ato zgjedhje, ne pamë fenomene nga më të çuditshmet: qytetarë që transferonin gjendjen civile, të tjerë në mjerim që për një vakt për familjet e tyre bënin kompromis me këta banditë,  punonjës administrate që kërcënoheshin me largim nga vendi i punës nëse së bashku me familjen apo edhe më tej akoma me fisin nuk konfirmonin votën pro rilindjes etj. Të gjitha këto fenomene u dënuan nga vet qytetarët apo edhe nga media(flas për atë media që  ka mbetur e pa kapur nga pushteti), pasi rendshëm po shohim sesi mjaft kanale televizive janë në shërbim të propagandës boshe. Dje ndodhi goditja e radhës nga rilindja e Ramës. Në këto kushte ku gjendemi duhet një reagim i fortë qytetar në mënyrë që t’i hiqet pushteti kësaj klike që ka uzurpuar vendin dhe resurset e tij.

Gazeta 55

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *