HISTORIA

SHQIPTARËT E ILIRIDËS NË KUVENDIN KOMBËTAR TË PRIZRENIT, 2 KORRIK 1878

SHKRUAR NGA PROF. DR. VEBI XHEMAILI

Në këtë Kuvend u themelua Komiteti Kombëtar, ku u zgjodhën 56 anëtarë nga të gjitha krahinat shqiptare. Ndër më të njohurit ishin: Abdyl Frashëri, Iljaz pashë Dibra, Ali pashë Gucia, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Ahmet Koronica, Haxhi Shabani, Binak Alia, Ali Ibra, Ali pashë Draga, Ali bej Tirana, Qazim bej Gjirokastra, ndërsa nga Shqipëria Lindore më i njohuri ishte diplomati i shquar i kohës, Sheh Mustafë Tetova.

Udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, kur panë rrezikun nga dominimi i elementit proturk në Kuvendin e Prizrenit, organizuan një Kuvend të fshehtë në shtëpinë e Shuaip Spahiut në Prizren, më 1 korrik 1878. Kuvendi i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit i filloi punimet më 1 korrik 1878, në Prizren, ku nga 300 delegatë sa ishin të ftuar, morën pjesë vetëm 140 përfaqësues, nga të cilët 96 nga Kosova, ku bënin pjesë kazatë e Dibrës, Matit, Ohrit, Tetovës, Shkupit dhe Manastirit, pasi që në këtë periudhë nga aspekti administrativ bënin pjesë në të njëjtin vilajet. Ndërkaq, nga Shkodra ishin 26 dhe nga Vilajeti i Janinës ishin 20 sish.

Pas dy ditë debatesh të nxehta, në mbrëmje të 2 korrikut u zgjodhën anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, që më vonë në bazë të funksioneve që barte ky Këshill, u pagëzua si Komitet Kombëtar, duke miratuar Rezolutë të re, (Kanun të ri), që shënonte fitoren e plotë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Kanuni i ri, shpalli botërisht organizatën e formuar  në Prizren, si Lidhje Shqiptare, si dhe organin e saj qendror e pagëzoi Komitet Kombëtar. Statuti i ri u pastrua nga karakteri fetar islamik, po ashtu u zhvesh nga vasaliteti dhe besnikëria ndaj Portës, më 10 qershor 1878. Kuvendi vendosi që Lidhja Shqiptare të drejtohej  nga Komiteti Kombëtar, me seli në Prizren.

Kjo është lista e delegatëve shqiptarë që morën pjesë më 1-2 korrik 1878. Nga Shkupi: Jashar Beu, Mehmet Xheladini, Abduraman Siri. Nga Tetova: Sheh Mustafë Tetova, Haxhi Sadik Tetova, Riza Fuati, Hasan pashë Derralla, Esat pashë Tetova, Mehmet Efendiu, Rexhep beu. Nga Gostivari: Haxhi Zylbehari. Nga Dibra: Iljaz Pashë Dibra, Mehmet Sadik Hoxholli, Ahmet Sabri Karahasani, Bajram Masar Nuredini. Nga Dibra e Sipërme: Iljaz Pasha, Sadik Beu, Ahmet Sabri Karahasani, Ismail Aga, dhe i biri i tij Ismail Marku. Nga Dibra e Poshtme-Rrethi Rekës; Haxhi Iljazi, Mahmud Muja. Nga Manastiri: Ali Tefiku, Ibrahim Ethem Dokëzezi. Nga Ohri: Mehmet Rashit beu. Nga Velesi: Osman Qupërlia. Nga Gjilani: Salih Aga, Mehmet Rashiti. Nga Prizreni: Abdyl Halimi,  Haxhi Shabani. Nga Gjakova: Abdulla Pashë Dreni,  Ismail Ethemi, Mehemt Kahramani. Mehmet Shaqiri. Nga Mati: Riza Beu, Myrteza Efendiu. Nga Luma: Mehmet Sherifi. Nga Peja: Shaban Hamdiu. Nga Vushtrria: Adyrahman Ilmiu, Kadriu. Nga Prishtina:Mehmet Zija Beu, Haxhi Çaushi, i biri i Zija Beut, Rauf Aga. Nga Mitrovica: Ali Draga, Osman Qamili, Ebu Beqiri. Nga Tasliça: Myftiu, Mehmet Nuredini. Nga Jeni Pazari: Ali Aga, Ejup Aga. Nga Sjenica: Mustafë Aga, dhe një emër që nuk lexohet. Nga Gucia: një delegat. Nga Podgorica: Jusuf Skunik efendiu, (sot Podgorica i takon Malit të Zi). Nga Shkodra: Selim Tahir Beu, Jusuf Haxhi Miftari. Nga Malësia e Shkodrës: 12 përfaqësues.

Mbledhjet e këtij Kuvendi mbahen gjatë ditës, në xhami, kurse në mbrëmje në sarajin e guvernatorit. Në këtë Kuvend u themelua Komiteti Kombëtar, ku u zgjodhën 56 anëtarë nga të gjitha krahinat shqiptare. Ndër më të njohurit ishin: Abdyl Frashëri, Iljaz pashë Dibra, Ali pashë Gucia, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Ahmet Koronica, Haxhi Shabani, Binak Alia, Ali Ibra, Ali pashë Draga, Ali bej Tirana,  Qazim bej Gjirokastra, ndërsa nga Shqipëria Lindore më i njohuri ishte diplomati i shquar i kohës, Sheh Mustafë Tetova. Si kryetar ngeli edhe më tutje Iljaz pashë Dibra, por të gjitha veprimtaritë diplomatike të Lidhjes i kryente Sheh Mustafë Tetova. Ky ka qenë diplomati më  i shquar gjatë gjithë veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), jo vetëm në hapësirat e Kosovës, por njihej në tërë Shqipërinë. Sipas diplomatëve të huaj që raportonin nga Kosova, “Vendimet e marra në këtë Kuvend çonin drejt autonomisë së Shqipërisë”. Të gjitha vendimet me karakter kombëtar janë marrë me nënshkrimin e Sheh Mustafë Tetovës. Prandaj nuk qëndron fakti se ky ishte i parapëlqyer i Sulltanit. Ky ishte një strateg i ngjarjeve politike në Ballkan, i cili që në atë kohë paralajmëronte, se: “Turqia po shembet, ndërsa shqiptarët duhet patjetër të gjejnë shpëtimin e tyre”. Pra, qëndrimi i tij fare nuk përputhej me politikën zyrtare të qeverisë turke. V.Xh).

Mirëpo me zhvillimin e ngjarjeve të reja në Ballkan, pas Kongresit të Berlinit, Sulltani ishte shumë i shqetësuar, pasi duhej të plotësonte disa vendime të Kongresit që ishin në kundërshtim me interesat shqiptare. Prandaj, Sulltani  do të ushtrojë presion ndaj Sheh Mustafë Tetovës, që të mos veprojë kundër interesave të Perandorisë. Sulltani kishte njohuri se Sheh Mustafa në bashkëveprim me Iljaz Pashë Dibrën, ishin të parët që nga fillimi i Lidhjes dhe morën poste më të larta që nga dita e parë e Kuvendit. Sheh Mustafë Tetova ishte një nga përfaqësuesit më të lartë të Shqipërisë Lindore, që përfaqësonin Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Sheh Mustafë Tetova ishte i vendosur në rrugën e autonomisë, ndërsa kjo u pa edhe me rastin kur i vunë nënshkrimet te Kararnameja e 17 Qershorit, Sheh Mustafë Tetova nuk e vulosi, edhe pse pati presion të fuqishëm nga njerëzit e Sulltanit.

Kanuni i miratuar më 2 korrik 1878, shënonte fitoren e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ndaj rrymave proturke, që ishin dominues nga 10 qershori deri në atë kohë në kuvendin themelues të Prizrenit. Në veçanti, situata ndryshoi kur Iljaz pashë Dibra, me ithtarët e vet, arriti që kërkesat e forcave nacionaliste me një rezolutë t’i aprovojë Lidhja, më 2 korrik. Me miratimin e kësaj rezolute, rryma prosulltaniste pësoi fiasko në lidhje me situatën në tërë Shqipërinë, e në veçanti me themelimin e Komitetit Kombëtar në kuadër të Lidhjes. Kjo  ishte një fitore vendimtare për të mbrojtur jo vetëm trojet shqiptare, por me këtë  përfundimisht e shpalli Lidhjen e Prizrenit në një organizatë politike të pavarur në aspektin kombëtar dhe i dha të drejtë legjitime për ta përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Ky dekret ligj-kanun, i shpallur në këtë Kuvend i dha të drejtën Lidhjes që të formojë organet paralele të pushtetit. Nga ky Kuvend, ajo themeloi organet e veçanta shqiptare; administratën, buxhetin, gjyqet e veta lokale dhe Ushtrinë Kombëtare. Pra, ngjashëm me ato të Kuvendit të Lezhës, në kohën e të Madhit Skënderbe, që themeloi Shqipërinë Mesjetare. Po ashtu, në këtë kuvend u mor qëndrim që Lidhja të mbledhë sa më shumë forca të mundshme për të kundërshtuar me armë çdo lëshim territori shqiptar, që mund t’i bëhej Malit të Zi, Serbisë dhe Bullgarisë. Në këtë Kuvend u themelua edhe Komiteti Kombëtar, ku bënin pjesë nacionalistët më të shquar të Vendit. Ky komitet do të ushtronte funksione ekzekutive në vend, si organ më i lartë politik. Komiteti Kombëtar përbëhej nga 13 anëtarë (që luante rolin e Qeverisë së Përkohshme në Shqipëri), ndërsa për Kryetar u emërua Haxhi Ymer Prizreni. Komiteti Kombëtar përbëhej nga tri komisione, të pajisura me funksione dikasteresh (ministri), numri i anëtarëve nuk u ndryshua, por mbeti i njëjtë si më parë. 1. Komisioni i Punëve të Jashtme: do të udhëheqë politikën  për çështje shqiptare. Në këtë komision bënin pjesë: Abdyl Frashëri kryetar, Galip Shkupi, Shaban Peja dhe Asaf Manastirliu. 2. Komisioni i Punëve të Brendshme: për ruajtjen e rendit publik, me mëkëmbjen  e organeve të pushtetit dhe me ndjekjen e çështjeve gjyqësore. Ky dikaster do të udhëhiqej nga  Haxhi Shaban Prizreni, për anëtarë ishin: Qorr Abdyl Shkupi, Mahmud Efendi Qupërliu dhe Esat Pashë Tetova. 3. Komisioni i Punëve Financiare: kishte për detyrë të administronte buxhetin e Lidhjes Shqiptare, por të siguronte në të njëjtën kohë edhe pajisjen e forcave të armatosura me armë,  municione, pajime, veshmbathje, ushqime. Kryetar i këtij komisioni u caktua Sulejman Vokshi. Me anëtarë, Zija Prishtinën dhe Shefik Gjilanin.

KOMITETI KOMBËTAR, në programin e vet shpalli këto vendime: 1. Krijimi i Komitetit Qendror, me seli në Prizren; 2. Në çdo kryeqendër të sanxhaqeve të  Shqipërisë të zgjidhen nën-komitete, të bëhet mobilizimi i njerëzve, blerja e ushqimeve, shpërndarja e armëve dhe municioneve do të jenë atributet e tyre; 3. Të gjithë burrat e aftë, me përjashtim të një burri për familje, duhet të marrin armët; 4.  Sanxhaku i Shkodrës, duke përfshirë madhësinë, duhet të japë 30 mijë burra; 5. Parashihej që 30.000 burra nga rrethet e Tiranës, Elbasanit, Ohrit, Matit dhe Dibrës të shkojnë në Shkodër, për të formuar një Korpus të vetëm, me kontingjentin e këtij sanxhaku. 6. Pikat e grumbullimit të korpuseve do të jenë: Prizreni, Peja, Kosova, Novi –Pazari dhe Shkodra. 7. Për të plotësuar nevojat e korpuseve të dhjetat, nizameja (e drejta për përjashtimin e të krishterëve nga shërbimi ushtarak), si edhe një taksë që do të vihet mbi jo luftëtarët, do të vilen nga nënkomitetet për këtë qëllim; 8. Porsa të njoftojë Kongresi i Berlinit vendimet e tij, dhe në qoftë se këto përmbajnë lëshime territoriale ndaj Malit të Zi dhe Serbisë në dëm të Shqipërisë, këto principata do të urdhërohen që të zbrazin pozicionet që kanë pushtuar dhe, në rast se nuk pranojnë do të hidhen me forcë në kufijtë e tyre të vjetër. 9. Është sjellë vendim me vdekje, për cilindo që nuk do t’i përgjigjet thirrjes së nën-komiteteve për të marrë armët, ose që do t’i shmanget armikut.

Me e rëndësishme në këtë Kuvend ishte Rezoluta e 2 Korrikut, ku u themelua Ushtria Kombëtare Shqiptare (UKSH), e cila parapërgatiste ushtarë shqiptarë për mbrojtje të territoreve të  Shqipërisë Etnike, që hapte rrugën e armatosur  drejt autonomisë së saj. Kjo shprehej edhe në rezolutë: “Lidhja është absolutisht e pavarur nga Porta e Lartë”. Ndërkaq të gjithë anëtarët  e saj u shprehën: ”Do t’i rrokim armët për t’i çliruar këto vise dhe askujt nuk do t’i lëshohet asnjë pëllëmbë tokë”.

Pra, me shpërndarjen e Kuvendit të Përgjithshëm pas 2 korrikut, Lidhja Shqiptare e Prizrenit shpalli veten si Këshill i Përgjithshëm, ndërsa Lëvizja Kombëtare Shqiptare u pavarësua nga 2 korriku 1878, “doli nga frymëzimi i Sulltanit dhe Porta e Lartë nuk do t’i ketë më nën kontroll shqiptarët”. Lidhja e Prizrenit po merrte zyrtarisht fizionominë e saj si “Lidhja Kombëtare Shqiptare”. Diplomacia angleze do t’u raportojë zyrtarëve të saj se Lidhja Shqiptare me seli në Prizren, po shkon drejt formimit të një qeverie të përkohshme shqiptare në territorin e saj etnik. Po ashtu, në një raport vjetor nga Vilajeti i Kosovës dërguar kryeministrit turk, thuhet: Popullsia e kazave që gjendet brenda Vilajetit të Kosovës, sikurse janë: Tetova, Gjakova, Peja, Luma, Dibra e Epërme dhe krahina e Rekës, e Matit, edhe disa viseve tjera të këtij Vilajeti, që disa vite më radhë nuk janë duke i dëgjuar dhe pranuar urdhrat e Sulltanit, madje janë vazhdimisht në kryengritje e sipër. Më vonë, kjo pa dëgjueshmëri kaloi në tërë Vilajetin Kosovës, duke përfshi: Shkupin, Velesin dhe qytetin e Koçanës.

Për rrymën pro-turke të shtresave çifligare që ishin të lidhura ngushtë me sistemin ekzistues, ishte e papranuar kërkesa për autonomi dhe shkëputja e shqiptarëve nga Perandoria Osmane. Këta assesi nuk ishin dakord me forcat nacionaliste shqiptare. Një kërkesë e tillë për vetëvendosje të Shqipërisë, nuk mund të imagjinohej në kokat e përfaqësuesve të rrymës pro-turke. Për ta sidomos ishin të papranueshme vendimet e Kuvendit të Përgjithshëm dhe të Komitetit të këtij kuvendi, të aprovuar më 2 korrik 1878. Në nenin 8 të vendimit të Komitetit Kombëtar Shqiptar të Prizrenit, thuhej: ”Të mbrohet çdo pjesë e territorit shqiptar dhe të kundërshtohet dhënia e këtij territori  Malit të Zi dhe Serbisë”.

Pas kësaj mbledhjeje, diplomatët e huaj, në veçanti konsulli grek, informonte ministrin e jashtëm të tij që ndodhej në Berlin, se në: Prizren funksiononte shteti brenda në shtet, se shteti shqiptar tashmë funksiononte në Prizren, ku nga 17 bejlerë të krahinave të ndryshme, si nga Prishtina, Rreka e Ultë dhe e Lartë (Dibra), Tetova, Gjakova, Tashlixha dhe Mati, kishin formuar një shtet të përkohshëm: “Shqipëria ishte formuar nga katër vilajete: ai i Shkodrës, Manastirit, Kosovës dhe i Janinës, me gjithsej  9 milionë shqiptarë, që kërkonin të vepronin si komb i pandarë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *