POLITIKA KOMBËTARE

A ËSHTË ARRESTIMI I RAMUSH HARADINAJT EDHE PASOJË E POLITIKËS SË SHKELJES SË SYRIT?

SHKRUAN: EDEN BABANI, BRUKSEL

Ndërsa në trojet etnike shqiptare dhe në diasporën shqiptare, që nga Europa në Amerikë, shpërthyen protesta për arrestimin e Ramush Haradinajt, njërit ndër komandantët heronj të UÇK-së, Tirana politike (përjashtuar të djathtën opozitare), reagoi paksa me përtesë, që të mos them pa kurrfarë bonsensusi kombëtar. Me shumë vonesë lëvizi sidomos mazhoranca qeverisëse, thuajse e shtyrë me majën e hostenit. Një letër e Ministrit të Drejtësisë të Shqipërisë, drejtuar “kolegut” të tij francez, ose një deklaratë alla façebook-se, më tepër kontroverse sesa e balancuar e Ministrit të Jashtëm, i ngjanin asaj gjoja-ftesës “më ka çue nana, me la gojën”, në një kohë kur duhet të lëviznin të gjitha organizmat shtetërore, që nga Kryeministria, te Ministria e Jashtme; në një kohë kur duhet të buçitnin të gjitha mjediset e Kuvendit, që nga Komisioni për Politikën e Jashtme, te ai për Integrimin Europian, i cili i takon opozitës, e deri te Salla e mbledhjeve plenare.

Është i kuptueshëm reagimi i zhbalancuar  i mediave, përkatësisht pozicionimit të tyre politik, ama i pa-tolerueshëm gjumi letargjik i OJQ-ve që lëvizin me punë e pa punë, por jo atëherë kur e kërkojnë interesat kombëtarë. E kuptueshme, edhe vonesa e Kryeministrit që, për kësi emergjencash të nivelit mbarëkombëtar, kujtohet si kofini pas së vjeli. Sepse, kur duhej të protestonte fuqishëm në emër të qeverisë që kryeson e të dilte besueshëm përkrah ish-kryeministrit të Kosovës, ai shkroi kësaj here një “artikull” i cili, në vend që të na vërë vetulla, duket se po na nxjerrë sytë, teksa i gërmushet Europës, duke i përvijuar asaj kufijtë e qëndrimeve politikë e gjeopolitikë. Konsekuent ndaj shtysave të veta mësimdhënëse, të cilat nuk ua kursen as “fansave” militantë të PS-së kur e vënë gishtin mbi plagë, (opozitës, jo e jo!), kësaj here leksionet e zotit Kryeministër iu adresuan BE-së, me synimin për të fituar kapital politik nga “arrestimi absurd” i Haradinajt, siç guxoi të shprehej ai, vetëm e vetëm për konsum politik të brendshëm e të jashtëm.

Absurditeti nuk ka nevojë për retorikë. Aq më tepër e ashtuquajtura “real-politikë”, që kujton se po ndjek. Absurditetit i duhet vënë pritë aty ku buron. Dhe po ta këqyrësh hollë-hollë, absurditeti fillon e rrjedh bash në çastin që zoti Kryeministër i shkel syrin në shenjë miqësie Kryeministrit të Serbisë, njërit prej atyre që hartonte planet e pastrimit etnik dhe të dhunës policore në Kosovë, kur Ramush Haradinaj përgjakej me forcat ushtarake e paraushtarake të Milosheviçit e të Arkanit. Me këtë rast, nëpër mediat e Tiranës janë rikthyer thashethemet për “krime” që paskëshin bërë do komandantë të UÇK-së në një “shtëpi të verdhë” në territorin e Shqipërisë së Veriut, sipas një raporti të zviceranit Dick Marthy, bash për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Raporti u përket viteve kur Haradinaj ishte në proces hetimi, kur ai ishte paraqitur dy herë me këmbët e veta në atë Gjykatë, madje ishte mbajtur edhe në  burg, por u shpall i pafajshëm më 2012. Mua më habit sidomos njëra  syresh, ndaj së cilës (pse ta fsheh?) kam qasje pozitive pavarësisht ndonjë lajthitjeje vend e pavend.

Në një editorial të këtyre ditëve, portali në fjalë tërhiqte vëmendjen se Ramush Haradinajn nuk e burgosi Edi Rama. Ashtu është. Madje, do të shtoja edhe se Edi Rama nuk mund ta arrestonte Haradinajn në territorin e Shqipërisë, pa u çmendur më përpara, pavarësisht fletë arresteve të kohës kur Vuçiç-i ishte Ministër i Informacionit në qeverinë e kasapit të Kosovës, Milosheviçit. Së këndejmi, më duhet të sjell në kujtesë se Vuçiç-i – sot Kryeministër i Serbisë dhe mik i Kryeministrit tonë – kryesonte Partinë Radikale Serbe, themeluar nga ultranacionalistit Sheshel, tamam në kohën që luftohej në Bosnje (1992-1995). Nga pozitat e një skifteri nacionalist, Vuçiç-i kërcënonte asohere liderët boshnjakë që luftonin për pavarësi: “Nëse ju vrisni një serb, ne do të vrasim 100 myslimanë”. Nga ana tjetër, s’duhet harruar edhe se kërcënimi i Vuçiç-it u shkonte boshnjakëve në korrik të 1995-s, pak ditë pas masakrës së Serbrenicës, ku u vranë 8000 myslimanë nga forcat serbo-boshnjake.  A thua të ketë ndërruar ky Vuçiç-i brenda pak më shumë se një dhjetëvjeçari? Jo. Ai vazhdon të luajë me sukses kartën e pendesës, të cilën e ka hedhur në fushën e bixhozit, qysh në vitin 2010, kur pati mohuar pjesë të deklaratave të tij të kahershme, ndërsa synonte nivelet më të larta shtetërore të Serbisë, duke u shtënë kinse pro europiano-perëndimor. Botuesit e portalit në fjalë e dinë këtë të vërtetë më mirë se kushdo tjetër, përderisa janë shprehur fare haptas në raste të tjera të qasjes së dy liderëve ndaj njëri-tjetrit.

Gjithsesi, nuk do të ishte kjo lajthitja e radhës e portalit të sipërpërmendur, që edhe mund të gëlltitej ose të komentohej gjithfarësoj. Ajo çka ngjall shqetësime, sipas meje, është shkaku për të cilin portali e sheh “pas hekurave” Haradinajn. Ja çfarë konstaton artikullshkruesi: “Ndërsa lideri i AAK, dy herë i gjykuar në Hagë, jo se ka luftuar përkrah NATO-s kundër Serbisë, por për krime lufte gjatë kësaj periudhe, gjendet akoma pas hekurave, këtej nga ne ka nisur një fushatë fshikulluese kundër kryeministrit Shqiptar, Edi Rama”.

S’ma do mendja që një gazetar kritik ndaj bëmave e mosbëmave të Kryeministrit tonë të futë nën ombrellë një “dështak”. E citoj jo pa qëllim këtë emërtim që portali e përdor rëndom, – sipas meje, me të drejtë, – për një lider me të vërtetë të dështuar. Në këto kushte, s’ka sesi të mos më shkojë mendja se konstatimi përse Haradinaj gjendet pas hekurave, t’i ketë kaluar përmasat e një lajthitjeje. Sepse, ku e mbështet konstatimin artikullshkruesi? Dhëntë Zoti, jo te ndonjë nga ato shpikjet për shtëpinë e  verdhë.

Gjatë dhjetëvjeçarit të parë të këtij shekulli, u përfol shumë për një shtëpi të verdhë këtej kufirit shqiptaro-shqiptar, në të cilën kryheshin operacione kirurgjikale për transplantimin e organeve të robërve serbë. Synimi ishte i qartë: të njollosej lufta çlirimtare e shqiptarëve të mbetur jashtë kufirit londinez, të goditeshin komandantët e UÇK-së, të krijoheshin premisat që pavarësia e Kosovës të mbahej peng nga Serbia. Ish-Prokurorja e Gjykatës së Hagës, Del Ponte, e cila asohere e kishte përfunduar mandatin, nxitoi t’i thoshte gazetës “Tages-Anzeiger” se në atë shtëpi dhe në rrethinat e saj ishin gjetur shenja gjaku dhe se ishin parë disa rroba me njolla gjaku. Kjo, sipas zonjës Del Ponte, “ishte prova që atje ishin kryer ndërhyrje kirurgjikale”.

Për të qeshur e për të qarë. Sidomos, për të qarë.

Në një artikull timin të asaj kohe, shkruaja: “A e njeh zonja zvicerane zonën ku tentoi të hetonte? Mos ishin vallë shenja gjaku të ndonjë pule të therur? Sepse, helbete, njerëzit duan të jetojnë jo vetëm në parajsën e Alpeve Helvetike, por edhe atje ku ha pula gur”. Kurse sot, dëshiroj t’i pyes ata që u kanë besuar dhe që, kushedi, vazhdojnë t’u besojnë përrallave me krime të treguara prej nacionalistëve të Sheshelit: Sa vetë do të kishin vdekur në botë, po të kishin pranuar të transplantonin organe të mara me përdhunë në kushte ku higjiena do të ishte ëndërr, pale steriliteti? Një dhëmb të transplantosh, dhe kërkohet sterilitet i mjedisit, jo më të heqësh një veshkë apo një zemër e pastaj ta shesësh, që blerësi ta trafikojë në ndonjë klinikë moderne e, më në fund, kirurgët t’i shpëtojnë jetën ndonjë fatkeqi!…

Bash në këtë kontekst, pra, – në kontekstin e miqësisë me Vuçiç-in, një ultranacionalist serb i pandreqshëm, – arrestimi i Ramush Haradinajt në Francë, nuk e shkarkon Kryeministrin tonë nga përgjegjësia. Për fat të keq, ideja e tij se “shqiptarët dhe serbët e këtij shekulli të ri mund të bëjnë përmes njëri tjetrit për veten e tyre dhe për Ballkanin atë që francezët dhe gjermanët bënë shekullin e shkuar për vetveten dhe Europën”, sado tërheqëse, mbetet një utopi. Macja me miun, zor se mund të miqësohen aq lehtë, saç kujton Kryeministri ynë…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *