POLITIKA KOMBËTARE

Ballist Morina, në shënjestër të serbëve dhe të mercenarëve amoral të padronit Edi Rama

“Pasqyra është gracka ku shpirti i mercenarit, skllavit në liri, kapet si laraska”

SHKRUAR NGA SALI BERISHA

Thuhet shpesh se fjala vret, madje ndonjëherë më keq se arma, dhe ky është rasti tipik i fushatës mediatike amorale mercenare që përdorin fjalën si hanxhar kundër tjetrit, edhe kur ai është arrestuar dhe akuzuar, pavarësisht se është i pafajshëm, për motive politike, për gjërat më të rënda sipas vendimeve të padronit të tyre. Në një kurth policesk, Edi Rama, në prag të ndeshjes me Serbinë arrestoi Ballist Morinën, njeriun më të kërkuar nga shërbimet serbe, me akuzën monstruoze se donte të vriste kryeministrin e Serbisë gjatë pranisë së tij në Elbasan Arena. Për të provuar akuzën e tij perverse, Rama, paraqiti si dokument të vetëm një tufe biletash për ndeshjen dhe dy revole të Ismail Morinës, të ofruara atij nga agjentë të policisë kriminale. Mirëpo, sapo shkoi në gjykatë, shqiptarët mësuan se akuza monstruoze për një Sarajevë të ngjashme apo Gavrilo Princip të ri, pas 101 vjetësh, por kësaj radhe shqiptar, ashtu siç do ta donin shumë serbët, ishin mashtrim i radhës së Edi Ramës.

Ismail Morina u mbajt në burg për armëmbajtje pa leje, pavarësisht se ai i kërcënuar kishte kërkuar mbrojtjen e policisë së shtetit për kërcënimet që kishte marr dhe se, më 4 dhjetor të vitit 2014, mediat në Tiranë dhe Beograd, kishin njoftuar se një biznesmen me origjinë serbe kishte vendosur një milionë dollarë për vrasjen e Ismail Morinës. Tashmë dihet botërisht se Ballist Morina është një i ri emigrant shqiptar në Itali, që natën e 14 tetorit 2014 u bë personazh i njohur në mbarë botën për dronin me një flamur sui generis por kuqezi me portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Buletinit që ai ngriti, më dt 14 tetor 2014 në darkë mbi stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes së ekipeve kombëtare të dy vendeve. Ky xhest apo akt, ngriti në nivel tërbimi zemërimin e demonëve të nacionalizmit serb. Autoritet më të larta të Serbisë shpallën, ende pa u boshatisur stadiumi, si autor të këtij akti një shqiptar, të cilin të gjithë ata që e njohin e dinë se është apatrid, par excellence, Olsi Ramën apo të vëllain e Edi Ramës. Olsi, vërtet ishte si spektator së bashku me 20 tifozë të tjerë shqiptare në një llozhe të stadiumit të Beogradit, të filmuar dhe regjistruar në çdo skaj të saj dhe që ndodhej vetëm pak metra nga llozha e kryespektatorit të ndeshjes, Presidentit Nikoliç. Autoritetet më të larta të Serbisë jo pa qëllim shpallën Olsin “dronman”, apo autorin e aktit publik më armiqësor ndaj tyre, gogolin e Shqipërisë së madhe në zemër të Beogradit. Padyshim që e dinin se aq sa kish të bënte Edi Rama me dronin po aq kishte të bënte me të Olsi Rama. Por qëllimi i tyre ishte vetëm një, t’i thonin Edi Ramës se deri sa ti të na gjesh autorin e dronit, për ne, ai është Olsi Rama dhe se ti je në armiqësi familjare personale me Beogradin.

Në takimin kokë më kokë Rama – Vuçiç në Beograd, droni i Olsit ishte patatja e nxehtë për të cilën u diskutua dy të tretat e kohës së takimit dhe Ramës iu bë e qartë se, akuza e dronmanit do t’i hiqej Olsit, vetëm pasi Edi Rama do “dorëzonte” autorin e vërtet të dronit, Ballist Morinën. Vetëm pas kësaj marrëveshje të nivelit më të lartë, Kryeministri i Serbisë do të vinte në Tiranë dhe do njoftonte si rezultat të vetëm konkret të vizitës së tij historike në Shqipëri “amnistimin”, çlirimin e Olsi Ramës dhe familjes kryeministrore nga akuza e dronmanit, duke deklaruar para mediave pa e pyetur njeri se, dronmani famëzi për serbët nuk ishte më Olsi Rama por dikush tjetër. A e bëri këtë deklaratë publike, e cila Aleksandrit do t’i regjistrohet në muret e kohës, sepse ia kërkoi Edi Rama, apo e bëri për të fyer Edi Ramën, apo për të qetësuar ultrat e tij se ai vërtet po qëndronte në krah të Edvinit por, dronin me flamurin sui generis të Shqipërisë së bashkuar, nuk e kishte ngritur Olsi Rama por dikush tjetër, të cilin vet Rama do ta arrestojë!

Në përpjekjet banale gjer në nauzë (neveri) të Ramës për të personalizuar apo qeverizuar fitoren historike të ekipit të kombit, hija e Ballist Morinës të burgosur nuk ju nda atij për asnjë sekondë që nga momenti që ai urdhëroi arrestimin e tij. Njëlloj siç shoqëron bloza tymin e zi, ajo e shoqëroi Ramën në çdo hap të tij, në çdo veprim fjalë të tij për ndeshjen dhe ekipin e kombit. Ajo qëndroi në krah të Ramës tek hynte në aeroportin “Nënë Tereza” ku kuqezinjtë e fishkëlluan dhe e përcollën me vuuuu-ra të zgjatura, saqë e detyruan të braktiste në kthim eskortën e tij e të kthehej i mbrojtur në autobusin e kombëtares, të cilin pacipërisht, nga frika se do agresohej, nuk e lejoi të ndalonte në mënyrë që futbollistët të përshëndeteshin me fansat e tyre që po i prisnin aty prej shumë orësh.

Hija e Ismail Morinës me hekura në duar, qëndronte në krah të Edi Ramës tek shkallët e avionit tek shtrëngonte një nga një duart e futbollistëve, ajo hypi së bashku me Ramën në autobuzin e ekipit si për ta siguruar se fansat e ekipit nuk do ta gjuanin me vezë atë në hyrje të aeroportit. Ai qëndronte në krah të Ramës tek kalonte para zyrave të tij rojën e nderit. Ismail Morina me hekura në duar hyri dhe u ul së bashku me futbollistët fitimitarë edhe ai në zyrën e Ramës, për çka Rama, kur e pa u trondit dhe u zbeh duke menduar se meqë nuk vrau dot Vuçiçin, ai do të shkrehë patllaken kundër tij. Por vetëtimthi u kujtua se nuk ishte Ismaili, ai ishte i ndryrë thellë në qeli por aty ishte hija e tij ndaj dhe vazhdoi duke dihatur të lexojë pamfletin e urrejtjes ndaj opozitë dhe fansave kuqezinj.

Por, agravimi i sindromit Morina (fat i madh që asnjëri nga futbollistët e pranishëm vetëm për rastësi nuk kishin mbiemrin Morina) kulmoj pasi në sheshin “Nënë Tereza”, jo vetëm mijëra tifozë për edhe disa futbollistë të shquar të ekipit, kërkuan publikisht lirimin e Ballistit, armikut gjenetik të Ramës dhe Aleksandrit kryeministër. Rama, i tmerruar nga hija që nuk i ndahej nuk shkoi në shesh, por as hija e Ballistit nuk kishte qëndruar në shesh. Ajo kishte rendur fluturimthi drejt Surrelit dhe kishte ndalur vrapin mbi çatinë e xhamtë të sarajeve të Ramës, duke kaluar edhe pesë palë rrethimet e Gardës!

Në këto kushte, Rama, i pafuqishëm në betejën e tij të pashpresë me hijen, kthehet menjëherë në zyrën e tij, mblodhi me urgjencë këshillin mediatik të papagajve të tij, si dhe Culën dhe këllirën. Pas një diskutimi nervoz, ata së bashku vendosën të organizojnë me shpejtësi fushatën e denigrimit, depersonalizimit, të Ballistit, ta paraqisnin atë si simbolin e të keqes të cilin, në të vërtetë edhe me burgosjen politike nuk po e shuanin dot. Këshilli konkludoi se, me akuzat e tij monstruoze fallco dhe arrestimin e tij për armëmbajtje pa leje, Rama po e ster-heroizonte me shpejtësi Ballistin armik të dy kryeministrave. Duhej menjëherë shkatërruar me çdo kusht miti i armik Morinës. Por kjo detyrë e vështirë nuk mund t’ju besohej papagajve të diskretituar të qeverisë ndaj dhe u vendos që të thirrej me urgjencë nga Kosova, këshilltari i Ramës për çështjet e nacionalizmit, Haxhia, i cili, në rastet me kritikë, thirret nga Rama në debatet televizive, si dëshmitari i rremë më i kualifikuar.

Personi i dytë i zgjedhur nga vet Rama, ishte kriptoavokati i Ramës, i miri apo Andushi i gjyshes, i cili, pas fitores së Ramës është afruar me këtë të fundit. Por ajo që shkriu të dy në një dhe që ju nuk mund ta besoni, është akti i dekorimit nga Rama të gjyshes së Andit si sekretare e më pas ministre e Enver Hoxhës. Pikërisht në ketë moment, ai, si më i miri i gjyshes botoi prozën poetike për Mrikën. Por këto pak rëndësi kanë. Rëndësi ka e vërteta, që Rama dhe Andushi qëndrojnë të bashkuar të dy në kultin e gjysheve si nipër të ngjashëm, po thuaj binjak në shpirt pavarësisht se gjyshet i kanë diametralisht të kundërta njëra me tjetrën, njëra guvernante në Pallatin Mbretëror, tjetra sekretare lufte e Enver Hoxhës.

Në funksion të detyrës, binomi Haxhia – Bushati, të ftuar në emisionin Opinion, me një fjalor të padenjë për analistë por në mision të pamundur, bën gjithçka në kundërshtim me çdo rregull etik e moral për të halabakizuar, asgjësuar, denigruar moralisht e madje me dëshirë edhe fizikisht, njeriun që Rama e akuzoi për organizim të atentatit kundër Vuçiçit në Tiranë, pra armikun e pamëshirë të dy kryeministrave, i cili nuk mund të fliste, nuk mund t’u përgjigjej prokurorëve të kryeministrave sepse Rama i kishte mbyllur atij gojën me llozin e rëndë të qelisë. “Banalistët”, siç kanë filluar të quajnë rëndomë ata që pa asnjë respekt për publikun i lejojnë vetes të trillojnë, shajnë, mashtrojnë e shpifin për të tjerët dhe e bëjnë ketë gjithnjë të paguar, kur panë se misioni i tyre në debat i shërbeu më shumë Morinës se sa dyshes Rama – Vuçiç, u hodhën në sulm të dëshpëruar në portalet dhe blogjet e tyre.

Të dy këta zotërinj janë bërë famoz për gënjeshtrat e tyre ekzemplare para publikut shqiptar. Madje, në atë shkallë sa janë betuar para pasqyrës se, po të mos jetë i vërtetë mashtrimi i tyre i radhës, nuk do shkelin më në studio. Për të kapërdirë pa dalë prej saj, atë e deklaruan dhe pritur me padurim debatin tjetër për të paraqitur sa më shpejt për mashtrimin e radhës.

Nuk preferoj të rreshtoj këtu serinë e mashtrimeve të tyre, nuk ia vlen, sepse duken më mirë kur ata i gëzojnë ato. Por sulmet e tyre çnjerëzore ndaj një të burgosuri politik, tregojnë se këta zelltarë, mercenarë, janë shumë më të ligj se sa padroni i tyre.

Kështu, ne emisionin “Opinion” kushtuar Ismail Morinës, ata për të mbrojtur Edi Ramën, padronin e tyre nga hija e Ismail Morinës, zgjodhën sulmin në dy drejtime ndaj tij.

Së pari, eksperti i madh i Serbisë e paraqiti Morinën si një bandit, të cilin Serbia edhe mund ta vrasë; Se çfarë donte të thonte me këtë, se Serbia ka të drejtë të vrasë, vetëm prokurori i dy kryeministrave e di. I dha ai, në emër të Ramës apo të Vucic, licencë për të ekzekutuar Morinën, armikun e tyre, apo e bëri ketë për të paraqitur njerëzor Ramën që po e mban në burg për t’i shpëtuar jetën sepse Serbia jashtë mund ta vrasë atë, vetëm Batoni e di. Por, në të vërtetë, në atë emision, zotëria ishte me një mision të vetposhtërues, prokurori kundër një njeriu të arrestuar, për shkak të një marrëveshjeje politike.

Kurse, kriptoavokati tjetër i Ramës, i miri i gjyshes por dhe i këllirës, kishte marrë përsipër të shpëlante arrestimin e Ballistit nga akuza për arrestim politik dhe përveç vlerësimeve denigruese për qytetarin e arrestuar me akuzën e përgatitjes së atentatit ndaj kryeministrit Vuçiç, bënte be e rrufe se Ballisti u arrestua për shkak të botimit në mediat ndërkombëtare, të deklaratës se tij, si ai mbante armë!! Dhe se tani ndërkombëtari Edi Rama nuk kishte rrugë tjetër veçse të arrestonte atë për armëmbajtje pa leje, paçka se ai, siç kishte treguar revolen gazetarit të huaj, i kishte treguar dhe breshërinë e mesazheve me të cilat kërcënohej me jetë Ballisti i lig. Më duhet të them se në ketë rast ky mjeran, bën dhe dudumin për klientin e tij, pasi beson se mund të na e mbush mendjen sikur Rama nuk dinte se Morina kishte dy revole, apo e arrestoi Morinën vetëm se ai bëri publike revolen e tij në mediat ndërkombëtare, të një vendi ku shumica dërmuese e qytetarëve mbajnë armë të blera lirshëm në dyqane e armëve.

Duke përfunduar, më duhet të perifrazoj Shekspirin që shkruan se “drama është gracka ku shpirti i mbretit kapet si laraska”. Në rastin tonë del se “pasqyra është gracka ku shpirti i mercenarit, skllavit në liri, kapet si laraska”!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *