HISTORIA

SHKUPI, JA PSE ISHTE SHQIPTAR NË SHEKUJT XIX-XX

Shkruan: Marenglen VERLI

Në Fjalorin Enciklopedik (Kamus’ul alam) të dijetarit të madh shqiptar Sami Frashëri, një ndër veprat më madhore të kohës, të botuar në gjashtë vëllime, Shkupi vlerësohet si një ndër qytetet shqiptare kryesore në kuadrin e katër vilajeteve, përkatësisht të Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës, me identitet të qartë etnik. Brenda hapësirës gjeografike Tivar-Mitrovicë-Shkup-Prevezë, Samiu i shquar e gjente popullsinë autoktone shqiptare si një shumicë dërrmuese në një territor kompakt mjaft të përcaktuar. Të njëjtat konsiderata gjenden edhe në shkrimet e disa udhëtarëve e diplomatëve evropianë të shek. XIX, të cilët ofrojnë harta e dokumente etnografike dhe shifra statistikore. Harta e H. Kiepertit (Berlin 1876), etj., cilëson si treva shqiptare, në krahun lindor, të gjithë territorin në perëndim të vijës nga Leskovci në Kumanovë, Shkup e Veles . Të njëjtat konsiderata gjenden edhe në hartën e J.I. Ketberit, botuar në vitin 1920 në Berlin. Sipas studiuesit Roberto Almagias, në një hartë me të dhëna të vitit 1875, (Romë, 1930) trevat shqiptare ndodheshin në perëndim të vijës që kalonte nga Nishi në verilindje të Vranjës e deri në Manastir, duke marrë brenda Preshevën, Kumanovën, Shkupin, Tetovën, Gostivarin e Kërçovën . Në regjistrimet osmane të shek. XIX, fillimi i shek. XX, madje edhe në regjistrimin zyrtar jugosllav të vitit 1921 (harta linguistike dhe ajo e përkatësisë fetare), përfshijnë në viset etnike shqiptare, Preshevën, Kumanovën, trevën e Shkupit dhe viset deri në afërsi të Velesit.

Georg von Hahn, Ami Boué, Antonio Baldacci, Gabriel Louis Jaray e shumë studiues të tjerë dhe, mbështetur të gjithë në statistikat zyrtare, qofshin ato osmane, austriake ose bullgare, arrijnë në të njëjtin konkluzion: Shkupi në shek. XIX dhe në fillim të shek. XX ishte qytet shqiptar. Me këtë rast citojmë Gabriel Louis Jaray-in, i cili, më 1913 shkruante se “Shkupi është njëherësh një nga kështjellat pararojë të shqiptarëve, si edhe një nga qytetet e tyre me rëndësi … Shkupi ka afro 45.000 banorë, nga të cilët 25.000 janë myslimanë, pothuajse të gjithë shqiptarë, 10.000 ose 15.000 bullgarë, 3.000 serbë dhe 2.000 hebrenj” . Një dekadë e gjysmë më vonë dijetari gjerman Leonhard Schultz, në librin e tij Makedonian, botuar në vitin 1927, duke vlerësuar etnikisht popullsinë rurale të rrethit të Shkupit të vendosur në 82 katunde, konsideron shqiptare 56 katunde, bullgare 14, serbe 9 dhe turke 3 katunde (Gureler ose Konjare e Madhe, Konjare e Vogël dhe Kojlice).

Në shekullin e XIX

Gjatë shek. XIX Shkupi bënte pjesë te 3-4 qytetet më të mëdha ndër 31 qendrat urbane të trevave shqiptare. I njohur si vendbanim i rëndësishëm qysh në periudhën romake e bizantine, Skupi (Shkupi) kishte qenë qyteti ku më 1345 u kurorëzua Car (perandor) Stefan Dushani. Në shek. XV, ai kishte qenë qendër e rëndësishme osmane, madje, qendër e organizimit të fushatave ushtarake të Perandorisë për pushtimin e Ballkanit . Në mesin e shek. XIX, qyteti numërohej si një qytet i madh jo vetëm në kuadër të viseve shqiptare, por edhe në kuadër të gjithë viseve të Ballkanit Osman. Në vitin 1861 konsulli i Austrisë, Han, shkruante se qyteti i Shkupit kishte mbi 20.000 banorë, përkatësisht 13.000 myslimanë, 7.000 kristianë dhe 800 hebrenj, çka do të thotë se, në këtë kohë, në Shkup popullsia sllave, e cila ishte përgjithësisht e krishterë, zinte më pak se 30% të të gjithë popullsisë . Ndërkohë, shqiptarët përbënin shumicën ndër myslimanët, por që ishin jo të pakët edhe midis të krishterëve, kalonin me sa duket mbi 60% të popullsisë së qytetit. Ndër banorët e Shkupit bie në sy numri jo i vogël i hebrenjve (të cilët ishin të konsiderueshëm në numër edhe në dy qendra të tjera të vilajeteve të njohura si vilajete shqiptare, ku kishte një gjallëri ekonomike të rëndësishme, përkatësisht në Janinë dhe Manastir), që mendohet se kishin ardhur në këto vise nga Spanja në shek. XV .

Duke analizuar përbërjen etnike të popullsisë së Shkupit, por edhe atë të kryeqendrave të tjera të katër vilajeteve shqiptare, konstatohet se në tre ndër katër prej tyre (përjashtim bënte Shkodra), ajo ishte e përzier. Konkretisht në Shkup shumica e popullsisë ishte shqiptare, kurse në Manastir e Janinë shqiptarët ishin popullsia që numerikisht renditej e para, por në të tri rastet ishin dukshëm të pranishme edhe komunitete të tjera etnike . Është e kuptueshme se në këto qendra vilajetesh, që ishin metropolet urbane të kohës, ku gravitonin popullsitë rurale të periferive, popullsia ishte e përzier. Përbërja etnike e këtyre qyteteve dëshmonte përbërjen etnike të periferive, që, në rastin e Shkupit, atëherë, sikurse edhe sot, në tri anë rrethohej e rrethohet nga vendbanime rurale shqiptare. Përbërja nacionale kishte përcaktuar edhe shumë-llojshmërinë e objekteve të kultit në qytetin e Shkupit. Gjatë shek. XIX aty, përveç objekteve të kultit të fesë islame, kishte edhe objekte të feve të tjera. Madje, në Shkup, kisha ortodokse ishte e organizuar në nivelin e mitropolisë.

Është me rëndësi të theksohet se, nga mesi i shek.XIX, reformat e ndërmarra në Perandorinë Osmane për likuidimin e marrëdhënieve feudale ndihmuan në rritjen e popullsisë dhe ekonomisë qytetare, si edhe në krijimin e lidhjeve të rregullta ekonomike, por edhe politike, kulturore etj., midis krahinave të ndryshme shqiptare, duke krijuar një treg të përbashkët kombëtar. Shkupi, pa dyshim ishte pjesë e këtij tregu, ku rrihte vrullshëm pulsi i jetës shqiptare. Në këtë kohë qyteti shquhej për përpunimin e lëkurëve, një nga zejet më të njohura të kohës, e cila mori hov edhe për shkak të rrjedhës së lumit të Vardarit, që kalonte përmes qytetit, nga sigurohej uji i nevojshëm për procesin e regjjes së lëkurëve. Sipas Salnamesë së vilajetit të Manastirit, si edhe njohësve të mirë të trevës, në Shkup tabakët kishin bizneset në vendet e quajtura allaxhe xhivari, afër faltores Medah Xhami, si edhe pranë lumit Vardar ku punoheshin sasi të mëdha lëkurësh. Konsulli francez Viet, më 1864, përmend se në Shkup “ka … disa tabakhane të pasura, si edhe një pazar të madh”. Sipas Sami Frashërit “mjeshtëria e regjjes së lëkurëve të këtij vendi [Shkupit] motit kish qenë shumë në zë, sa edhe sot aty gjenden disa punishte të tilla”. Sipas G. Hanit ndonëse Shkupi zhvillonte një tregti të gjerë me Shkodrën, prej nga prodhimet e tij të lëkurës eksportoheshin me det në Trieste, e në brendësi të Austrisë, ngarkesat i çonte me karvanë edhe drejt Veriut, përmes Beogradit deri në Hungari. Destinacione të tjera ishin Bosnja dhe Dalmacia. Vetëm nga fundi i shek.XIX, për shkak të konkurrencës së industrisë europiane, zeja e sipërpërmendur hyri në krizë dhe humbi rolin e dikurshëm.Gjatë shek. XIX, Shkupi me rrethinë u shqua dhe për rritjen e krimbit të mëndafshit dhe prodhimin e copave prej mëndafshi, duke u renditur pas Prizrenit në këtë drejtim, dhe duke lënë pas Tetovën, Vranjën, Qyprylinë, Shtipin, Koçanën etj., të gjithë këto qytete të shquara në Ballkanin Osman në zejen në fjalë.

Zejet e shqiptarëve

Zeja tjetër, ndoshta më e famshmja në sytë e evropianëve, tradicionale për viset shqiptare, duke përfshirë edhe Shkupin, ishte ajo e armëtarëve. Deri në mesin e shek. XIX, ajo njohu një rritje të dukshme dhe mbulonte një përqindje të madhe të eksporteve nga trevat shqiptare edhe përtej rajonit të Ballkanit. Ndonëse në këtë zeje nuk arriti nivelet e Prizrenit, Tetovës, Gjakovës apo Shkodrës, Shkupi bënte pjesë ndër qendrat e rëndësishme të kohës për prodhimin e armëve. Argjendaria ishte një zeje tjetër e shquar për Shkupin. Cilësia e produkteve të Shkupit në këtë lëmë, sikurse konstatonin nëpunësit e Perandorisë Osmane, nuk e arrinte atë të Prizrenit, që vlerësohej në mënyrë të veçantë, por gjithsesi, ishte mjaft e lartë.

Në periudhën e fundit të sundimit osman, në viset shqiptare dora-dorës ishin ngritur edhe një sërë ndërmarrjesh kapitaliste, ndonëse shumica e tyre ishte larg parametrave për t’u cilësuar të tilla. Më tepër ato kishin pamjen e punishteve të mëdha me disa makina e pajisje dhe punësonin disa dhjetëra vetë. Në dekadën e parë të shek.XX, numëroheshin rreth 40-50 ndërmarrje të tilla, nga të cilat 20 njësi janë regjistruar në Shkup. Shkodra, qyteti i dytë në viset shqiptare me më tepër fabrika, ku zhvillonin aktivitetin rreth 12-15 të tilla, duhej të pajtohej me faktin se Shkupi printe në viset shqiptare në krijimin e ndërmarrjeve të tipit të ri kapitalist. Humbja e Ulqinit dhe Tivarit të aneksuara nga Mali i Zi, sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit, kishin pasur një impakt të dukshëm negativ për Shkodrën, ndërkohë që ndërtimi i hekurudhës Selanik-Mitrovicë në vitet 1873-1874, i kishte dhënë qytetit mbi Vardar mundësi të reja për të fituar pozitën e një qendre kyç në rajonin e Ballkanit Qendror. Padyshim, Shkupi në këtë kohë filloi të merrte një rol parësor në kuadër të tregut kombëtar shqiptar, veçanërisht në regjionin Mitrovicë, Prishtinë, Ferizaj, Shkup, por edhe më gjerë, në rajonin ballkanik deri në Beograd, Budapest, Bukuresht, Selanik etj. Mallrat dhe kapitalet austro-hungareze, që vinin nga krahu i Shkodrës, dhe ato anglo-franceze, madje dhe italiane, që vinin nga Selaniku, në konkurrencë midis tyre për të zotëruar tregjet në Ballkan, ndikuan si një rast i mirë për t’i dhënë hov zhvillimit ekonomik të Shkupit. Në Shkup, në dekadat e fundit të shek.XIX, bizneset kapitaliste u zhvilluan kryesisht në industrinë e blojës me motor të drithërave, përkatësisht mullinjve me motor, mandej në ndërtimin e fabrikave të birrës dhe të akullit, fabrikave të tekstilit, të duhanit, ndërmarrjeve grafike, atyre të përpunimit të lëkurës etj. Sipas të dhënave të kohës një pjesë e këtyre bizneseve, përkatësisht mullinjtë e blojës, si edhe fabrika e birrës dhe e akullit, e krijuar më 1891, ishin tërësisht në pronësi të shqiptarëve, kurse të tjerat në pronësi të përzier ose në pronësi të elementëve bullgaro-maqedonas.

Vihet re qartë se Shkupi në dekadat e fundit të sundimit osman po orientohej me efikasitet drejt formave të reja të prodhimit e tregtimit, duke u përpjekur të gjallërojë, në kushtet e reja, lavdinë e së kaluarës. Bezistani i famshëm i shek.XVII, i cili nuk ekzistonte më në gjysmën e dytë të shek.XIX, (ai nuk figuron sipas Salnamesë të v.1887), ua kishte lënë vendin formave më moderne të tregtimit. Qyteti kishte tani rrjetin e magazinave e hambarëve për depozitimin e mallrave të ndryshme, kishte zyra të tregtarëve të pasur, që mbulonin eksport-importin, të grupuara në zonën e stacionit hekurudhor etj. Në një numër të këtyre magazinave depozitoheshin dhe produktet bujqësore të rrethinave të qytetit, të destinuara për tregun vendas dhe për eksport. Në Enciklopedinë e Sami Frashërit, në listën e prodhimeve në zë të viseve shqiptare, evidentohet për Shkupin, grosha e famshme, që me sa duket prodhohej në sasi të konsiderueshme në fushat përreth, por edhe më tej në Pollog . Tregu i Shkupit, në fund të shek. XIX, ofronte në sasi të konsiderueshme edhe lesh, prodhime të tij, lëkurë e prodhime lëkure, prodhime metalesh etj.

Infrastrukturën e tregut të Shkupit e plotësonte edhe një numër i madh hanesh, që shërbenin për akomodimin e udhëtarëve dhe tregtarëve të shumtë, të cilat në periudhën e fundit të sundimit osman filluan të konkurrohen nga hotelet, që ofronin shërbime sipas parametrave evropianë. Pjesë e kësaj infrastrukture të rinovuar u bënë edhe restorantet, zyrat postare, telegrafet, lulishtet dhe shëtitoret publike etj. Qysh në vitin 1866, filli telegrafik lidhte Shkupin me Prizrenin, Pejën, Nishin, Shkodrën dhe vise të tjera të Perandorisë Osmane .Është për të vënë në dukje se, në kuadër të zhvillimit ekonomik dhe të konsolidimit të tregut kombëtar shqiptar në trevat shqiptare, mori përhapje masive edhe përdorimi i gjuhës së shkruar shqipe (me alfabet të ndryshuar, kryesisht me gërma latine) në marrëdhëniet e biznesit. Kjo dukuri me rëndësi të madhe shoqërore e karakter kombëtar, e çuar përpara veçanërisht nga sipërmarrësit e sferës së tregtisë, zuri fill që në shek.XVIII por, sipas të dhënave arkivore, në shek. XIX, ishte bërë masive dhe ndeshej jo vetëm në trevat shqiptare qendrore por edhe në kufijtë skajorë të trevave shqiptare, përkatësisht nga Tivari e Ulqini, duke përfshirë Podgoricën, mandej, të gjithë qendrat kryesore të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës, deri në Shkup .

Është e qartë se Shkupi në periudhën e fundit të sundimit osman ishte përfshirë në rrjetin e lidhjeve solide tregtare me viset e tjera shqiptare, që mundësuan krijimin e një bashkësie ekonomike të mbështetur mbi një taban etnik shoqëror, politik e kulturor të përbashkët, në krye të së cilës, me sa duket, rrezatonte gjithnjë Shkodra. Tregtarët shkodranë mbanin lidhje të forta me ata të Prizrenit, Gjakovës e Shkupit, madje kishin krijuar magazina në këto qytete etj., deri në Manastir, ndonëse prania e tyre në qendrat evropiane si Venediku, Triestja etj., ishte pakësuar disa herë krahasuar me fundin e shek.XVIII . Por, falë pozicionit gjeografik, rritja e Shkupit si një qendër e madhe e botës shqiptare, ishte e dukshme dhe sfiduese. Në pozicionin e përshtatshëm midis dy krahinave shqiptare shumë të rëndësishme në planin ekonomik, Kosovës dhe Pollogut shqiptarët e Shkupit po luanin një rol të dorës së parë në zhvillimin ekonomik të qytetit, çka reflektohej edhe në përbërjen etnike të tij.

Rritja ekonomike

Zhvillimi ekonomik, padyshim, ishte shkaku që solli gjatë shek.XIX, rritjen e popullsisë së Shkupit. Rritja e shpejtë e qytetit dhe përbërja etnike e tij, që ruajti raportet e mëparshme, u pasqyrua edhe në urbanistikë. Ndonëse në tërësi qyteti kishte tiparet e qyteteve të Ballkanit Osman, në Shkup jo vetëm te bullgaro-maqedonët, por edhe te shqiptarët, vëreheshin banesa të ngjeshura pas njëra-tjetrës, pa hapësira të lira nga të gjitha anët, sikurse ndërtoheshin banesat e shqiptarëve në qendra të tjera urbane . Kjo ishte pasojë e dukshme e intensitetit të jetës urbane të qytetit. Ndërkohë, banesat fshatare në rrethinën e Shkupit, të tipit kullë, me hapësira të bollshme përreth, me origjinë nga periudha osmane, vijuan të ndërtohen deri në vitet e Luftës së Parë Botërore . Shekulli XX e gjeti Shkupin një qytet me shumicë të padiskutueshme shqiptare, qendër e një treve rurale kryesisht shqiptare dhe një ndër qytetet më të mëdha të Ballkanit. Sipas prof. Kristaq Priftit, që ka studiuar posaçërisht situatën demografike në trevat shqiptare në periudhën e fundit të sundimit osman, në vitet 1902-1904, Shkupi kishte 33.456 banorë, nga të cilët 20.667 ose 61.77% ishin shqiptarë (350 katolikë), 9.000 ishin bullgaro-maqedonë, ose 26,47%, 825 serbë (2.46%), 444 romë (1.3%), 1300 hebrenj (3.9%) dhe 1220 vllehë (3,64%).
Kurse si kaza, rrethinat e Shkupit kishin edhe 155 katunde e 10.300 shtëpi. Popullsia e kazasë në tërësi arrinte kështu në 87.117 banorë, nga të cilët 49.112 ose 56.37% ishin shqiptarë (3205 katolikë), 25765 ose 29.53 % bullgaro-maqedonë (23265 ekzarkistë dhe 2500 pomakë), 8015 (9,28%) serbë, 1705 (2%) romë, 1300 (1,5%) hebrej. Është për t’u theksuar se popullsia qytetare zinte 39% të popullsisë së kazasë. Gati një dekadë më vonë qyteti i Shkupit numëronte rreth 45.000 banorë gjithsej, nga të cilët rreth 25.000 myslimanë (që përgjithësisht ishin shqiptarë). Këto të dhëna, që i kemi përmendur në fillim të këtij shkrimi janë të Gabriel Louis Jareyt (1913) , ndihmojnë për të përcaktuar strukturën e popullsisë së kazasë së Shkupit me konkluzionet në të cilat ka arritur edhe prof.dr. Ramiz Abdyli. Ai thekson se më 1912, kazaja e Shkupit në 65,33% banohej nga popullsi myslimane, kryesisht shqiptare, kurse popullsia bullgaro-maqedone zinte 32,24 % të popullsisë dhe ajo serbe vetëm 10,34 %. Sipas tij romët kishin 0,6% dhe hebrenjtë 1,59%.

Periudha postosmane, do të sillte pasoja të llojllojshme, që ndikuan në situatën demografike të Shkupit. Ai kaloi në disa duar pushtuesish në vitet 1912-1944. Ushtritë serbe e bullgare dhe një sundim 22 vjeçar i Mbretërisë Jugosllave, në periudhën midis Dy Luftërave Botërore, lanë gjurmë të ndryshme, por në të gjitha rastet ata që pësuan, në mënyrë permanente e më së shumti, ishin shqiptarët. Gjithsesi ata do të mbeten popullsia shumicë. Edhe statistikat zyrtare jugosllave të publikuara mbi bazën e regjistrimit shumë të manipuluar të vitit 1921, madje në një kohë kur prej gati 10 vjetësh asgjësimi ose largimi i shqiptarëve kishte qenë masiv (1912-1921), dëshmojnë praninë e madhe të shqiptarëve në këtë qytet dhe në periferinë e tij. Sipas tyre, Shkupi kishte në këtë kohë 38.023 banorë, nga të cilët 15.713 shqiptarë myslimanë dhe 22.310 të krishterë të ndryshëm, kurse si rreth, ndër 54.089 banorë 24.299 vlerësoheshin shqiptarë myslimanë (18.032 shqiptarofonë), kurse 29.790 të krishterë të ndryshëm.

Sipas statistikave zyrtare, në vitin 1936, popullsia e qytetit të Shkupit përbëhej nga 66.893 banorë, prej të cilëve 42.664 ortodoksë, 22.951 myslimanë, 1873 katolikë dhe 3302 hebrenj. Ndër ortodoksët rreth 30.000 konsideroheshin serbë të ardhur . Sipas regjistrimit të bërë nga komuniteti mysliman (Uema Mexhlisit) i Shkupit, në vitin 1939, për gjithë popullsinë myslimane në Jugosllavi, që nuk ka qenë pa mangësi, të dhënat e të cilit u botuan në Sarajevo në kalendarin e vitit 1941, rrethi i Shkupit rezultonte, ndër rreth 134.400 banorë, me 57.791 myslimanë kryesisht shqiptarë, çka përbënte 43% të popullsisë. Sikurse vërehet lehtë nga krahasimi i shifrave politika specifike e Mbretërisë Jugosllave e kishte bërë të vetën. Me infiltrimin në qytet të serbëve të ardhur në periudhën midis Dy Luftërave Botërore (një pjesë si nëpunës, ushtarakë, punëtorë, kolonë etj.), vetëm deri më 1925 në rrethin e Shkupit ishin ngritur 22 koloni ). Së bashku me të ardhurit, elementi sllav i marrë në tërësi e kaloi numrin e shqiptarëve, ndonëse edhe në këtë kohë po të llogaritej vetëm popullsia sllave vendase, shqiptarët vazhdonin të kishin gjithnjë shumicën absolute .

Situata pati një ndryshim afatshkurtër në vitet 1941-1944, kur serbët e ardhur u larguan nga Shkupi dhe, sipas H. Kokalarit, diplomat shqiptar i njohur, rezident në përfaqësinë e Shqipërisë në Shkup, qyteti më 1943 kishte 51.000 banorë, nga të cilët 29.000 shqiptarë, 15.000 sllavë maqedonë, 1.000 torbeshë, sipas tij shqiptarë myslimanë të sllavizuar, 1.500 arumunë, 500 grekë, 1.000 serbë e malazezë, 1.000 sllovenë e kroatë, 1.500 ciganë dhe 500 të tjerë, turq, gjermanë etj., çka do të thotë se shqiptarët për pak kohë, edhe njëherë do të përbënin rreth 65% të popullsisë . Në të njëjtën kohë në fshatrat e periferisë, sipas ndarjes politike të kohës, jetonin 45.000 banorë, nga të cilët rreth 80% shqiptarë. Nga rreth 90 fshatra vetëm 3 ishin turke, 10 serbe, 14 bullgaro-maqedone, kurse koloni e ngulime të krijuara midis Dy Luftërave ishin rreth 45. Por situata do të ndryshonte sërish pas vitit 1945, madje dukshëm në dëm të shqiptarëve. Popullsia e vjetër shqiptare e Shkupit, në një hark kohor rreth 100 vjeçar, që vjen deri në ditët tona, pothuajse u zhduk. Qendër për administratën e shpronësimit agrar të shqiptarëve dhe për grumbullimin dhe deportimin e tyre në Anadoll, qoftë në vitet e Mbretërisë Jugosllave, qoftë në Federatën Socialiste të Titos, Shkupi mbeti pa hapësira për shkupjanët e vjetër shqiptarë. Gjithsesi nga popullsia shqiptare rurale e grumbulluar për t’u shpërngulur dhe nga të ardhurit sporadikë prej periferive të afërta apo të largëta, qyteti e ruajti disi fytyrën shqiptare .

Në gjysmën e dytë të shek.XX., elita politike e Republikës së Maqedonisë, e krijuar rishtas në kuadër të RSFJ, me një politikë specifike shumëplanëshe, të miratuar në kryeqytetin federativ Beograd, arriti të përmbysë raportet dhe t’u sigurojë bullgaro-maqedonasve, të quajtur përfundi-misht maqedonë, dominim numerik në Shkup, që me këtë rast ishte bërë kryeqytet i Republikës së Maqedonisë. Në Shkupin e kësaj periudhe, shqiptarët nuk ishin më as politikisht as ekonomikisht dhe ishin fundosur plotësisht në fushat e arsimit e të kulturës. Sipas regjistrimeve zyrtare të Republikës së Maqedonisë, popullsia në rrethin e Shkupit u rrit nga 172.146 banorë në vitin 1948 në 213.586 në vitin 1953. Ndërkohë popullsia shqiptare ra nga 35.635 banorë në 23.696 banorë, ajo maqedone u rrit nga 95.211 në 115 846 banorë, popullsia turke u rrit nga 15.717 në 44.645 banorë, kurse komitetet e tjera etnike shkuan nga 24583 në 29.399 banorë. Përsa i përket komunës apo qytetit të Shkupit, situata evoluoi me një rritje të popullsisë nga 96.051 në 129.631 banorë. Në këtë kuadër maqedonët u shtuan nga 56.329 në 74.411 banorë, shqiptarët u pakësuan si asnjëherë (edhe si pasojë e pakësimit fiktiv nga konvertimi në turq) nga 7.861 në 3.884 banorë, turqit u shtuan nga 14.092 në 25.173 banorë, kurse grupet e tjera etnike nga 17.769 në 22. 163 banorë. Duke cituar burime autentike, studiuesi Qerim Lita shënon se vetëm në vitin 1954 dhe vetëm nga qyteti i Shkupit ishin shpërngulur 872 familje me 4.364 anëtarë, çka përfaqësonte 70% të numrit të familjeve dhe 68,61% të numrit të të shpërngulurve nga Maqedonia. Rreth 500 familje të tjera me 2220 anëtarë parashikohej të shpërnguleshin në vitin 1955. Më 1956 u shpërngulën edhe 19.210 persona, shumica shqiptarë, por që në regjistra figuronin 13.970 turq, 2.228 shqiptarë, 2.106 pomakë, 151 të tjerë. Llogaritur për gjithë periudhën nga viti 1951 deri në 15 mars 1959, nga Maqedonia u shpërngulën 143.800 banorë (11% e popullsisë së Republikës), të cilët në një masë të madhe, mbi 100.000, ishin shqiptarë dhe, në kuadër të këtij komuniteti, një përqindje e madhe e tyre ishin larguar nga Shkupi.

Shpërnguljet masive të shqiptarëve nga Shkupi e rajoni përreth nuk do të ndaleshin deri në vitin 1966, kur, pas Plenumit të Brioneve dhe goditjes së ministrit të Punëve të Brendshme të RFSJ, Aleksandër Rankoviç, u vu re një politikë më tolerante ndaj shqiptarëve. Megjithatë në mënyra nga më të ndryshmet, përfshi edhe emigrimin “për punë” në botën e jashtme, reduktimi i popullsisë shqiptare nuk u ndal. Zhvillimet e 20 vjetëve të fundit, pas shpërbërjes së RSFJ dhe pavarësimit të Republikës Federative të Maqedonisë, përbëjnë një kapitull më vete, po kjo periudhë nuk është objekt i këtij artikulli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *