HISTORIA

GJYQI SPECIAL

SHKRUAR NGA ÇELO HOXHA

Në mars 1945 në Shqipëri erdhi një trupë teatrore jugosllave me një dramë të titulluar Pushtimi. Ajo u përcoll të luhej në rrethe – si Elbasan, Korçë, etj, – por jo në kryeqytet. Kinema Kosova, e vetmja në Tiranë që kishte skenë të përshtatshme për teatër, ishte e zënë. Aty zhvillohej Gjyqi Special. Ajo që u luajt në atë skenë nuk ishte dramë, por tragjedi e vërtetë, në fund të së cilës u ekzekutuan 17 persona dhe përfunduan në burgime të gjata 39 persona të tjerë. Për regjimin, Gjyqi ishte festë linçimi publik i 60 njerëzve të pafajshëm, pjesa më e madhe personalitete me kontribute të dobishme në historinë e Shqipërisë.

Pse gjyq dhe jo gjykatë?

Historia e Gjyqit Special fillon më 15 dhjetor 1944, me vendimin e KANÇ-it për krijimin e tij.[1] Neni 1 i vendimit thotë: “Të krijohet një Gjyq Special në Tiranë për kriminelët kryesorë të luftës, shqiptarë ose të huaj.” Nga shqyrtimi i dokumenteve, duket që vetë anëtarët e gjyqit (ose gjykatës) kanë qenë konfuz nga fakti që KANÇ-i urdhëroi krijimin e një Gjyqi dhe jo një Gjykate. Në kokën e procesverbalit të Gjyqit është shkruar: “Qeveria Demokratike e Shqipërisë/ Gjyqi Special për krijimin e kriminelëve kryesor të luftës dhe armiqve të popullit, Tiranë.” Kurse kokën e vendimin të gjyqit, shkruhet: “Qeveria Demokratike e Shqipërisë/ Gjykata Speciale e Tiranës.” Siç e dimë, gjykata është, dhe kështu ka qenë gjithmonë, institucion (strukturë ligjesh dhe njerëzish), ndërsa Gjyqi është, e kështu ka qenë gjithmonë, një proces që ndodh në gjykatë. Veç kësaj, një dallim tjetër i rëndësishëm mes këtyre dy koncepteve është: Gjykata nënkupton një institucion drejtësie, gjyqi nënkupton kryesisht një proces ndëshkimi.

Mendësia që kishte çuar në krijimin e gjykatës kishte përparësi ndëshkimin, jo drejtësinë. Bazuar në dokumentet e tij, Gjyqi Special nuk kishte lidhje me drejtësinë. Ai ishte një gjyq partizan, i cili, në vend të maleve, u zhvillua në kërthizë të Tiranës dhe qytetërimit shqiptar. Mesazhi që përcjell formulimi i nenit 1 të vendimit 26 është: arrestoni ca persona, gjykojini dhe ekzekutojini ose futini në burg. Ky vendim i KANÇ nuk ndryshon shumë nga vendimi i KQ të PKSH, 24 mars 1944, për gjykimin e një komandanti partizan, të cilin udhëheqja dëshironte ta hiqte qafe: “Tele Baçin duhet ta arrestoni, ti bëni gjyq dhe ta pushkatoni.”[2] KQ nuk i interesonte procesi, por fundi i tij, vrasja e personit. Ndryshimi i gjyqeve partizane me atentatet është që gjyqet përfshijnë më shumë njerëz në vrasje. Në kohën e Gjyqit Special, KANÇ-i dhe KQ i PKSH kishin thuajse të njëjtën përbërje që kishin pasur në mars 1944.

Dalja nga korniza ligjore

Në kohën që u krijua Gjykata Speciale, Shqipëria komuniste nuk kishte ligj për krimet e luftës, por, sipas vendimit 26, “kriteret mbi kriminelët e luftës, dënimi i tyre dhe procedura të bëhen në bazë të rregullores mbi gjyqet ushtarake.”[3] Ligji nuk e përcakton cila ishte kjo rregullore: me datë, numër dhe organin që e kishte miratuar. Në arkiva gjenden disa rregullore që kanë qarkulluar në duart e komandave partizane gjatë luftës (përkthime nga ushtria e komunistëve jugosllavë). Këto rregullore, ose ajo që përmendet në vendim, kanë rëndësi vetëm për faktin se, duke këqyrur dokumentet e Gjyqit, zbulojmë që baza ligjore nuk është “rregullorja” e përmendur në vendim, por “Ligji mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake”, nr. 41, i botuar në Fletoren Zyrtare, më 23 janar 1945. Megjithatë, Gjykata Speciale nuk i qëndroi besnike as detyrës që i ngarkonte Vendimi nr. 26 për krijimin e saj dhe as Ligjit nr. 41. Gjykata Speciale gjykoi 60 persona. Nga ata, 24 u dënuan si kriminelë lufte, 17 me vdekje dhe 7 me burgime të ndryshme. Gjithë të pandehurit e tjerë u dënuan për akuzën “armik i popullit”, e cila nuk ishte në juridiksionin e Gjykatës Speciale.

Detyra e saj ishte e përcaktuar qartë: të gjykonte kriminelët kryesorë të luftës, shqiptarë ose të huaj. Ata që konsideroheshin “armiq të popullit”, mund të ishin gjykuar nga një gjykatë tjetër. Në Aktakuzë, Prokurori u shpreh se krimet për të cilat akuzoheshin të pandehurit parashikoheshin në nenin 14 dhe 15 të Ligjit nr. 41. Gjykata Speciale, nëse do të ishte e interesuar për zbatimin e ligjit dhe dhënien e drejtësisë, nuk duhet t’i konsideronte për gjykim akuzat bazuar në nenin 15, sepse ai nen përfaqësonte kriminelët e quajtur “armiq të popullit”.

Me përmbajtjen e Pretencës së prokurorit gjërat ishin më të lehta. Ajo kishte një mal me akuza, për njerëz që atë çast ndodheshin në emigrim ose kishin vdekur gjatë luftës, por nuk kishte asnjë referencë ligjore. Nga 60 të pandehurit, në Pretencë u përmendën shumë pak prej tyre. Më shumë se një dokument profesional, ajo ishte një fjalim politik vulgar. Në vendimin e Gjykatës Speciale ka dhe artikulime qesharake në nivele të paimagjinueshme, por që, fatkeqësisht, pasojat ishin të rënda: u shkatërruan shumë fate dhe u shkaktuan shumë drama njerëzore. Sipas vendimit, gjykata e ka formuluar kështu dënimin për 13 nga të pandehurit: “Për kriminelët e luftës ose armiqtë e popullit… nga 30 burg e punë të detyrueshme” ose “nga 15 vjet burg e punë të detyrueshme.”[4] Pas një muaji e gjysmë gjyq, Gjykata Speciale nuk kishte arritur dot të përcaktonte se çfarë lloj krimesh kishin kryer të pandehurit në fjalë, që t’i deklaruar si kriminelë lufte apo si armiq të popullit, apo të dyja bashkë. Padyshim, që dyzimi i gjykatës tregon se ata nuk ishin as njëra dhe as tjetra, por ishin krejt të pafajshëm. Këta 13 persona po i listoj: Sokrat Dodbiba, Mihal Zallari, Etëhem Cara, Ndoc Naraçi, Andon Kozmaçi, Lazër Radi, Sami Koka, Sulejman Vuçiterni, Gjergj Bubani, Rrol Kolaj, Bilal Nivica, Ismet Kryeziu, Jakov Milaj. Gjykata Speciale dha 19 vendime me vdekje, dhe ekzekutoi 17 prej tyre. Çfarë u bë me dy të tjerët? Po kjo Gjykatë, në të njëjtin vendim, dy prej të dënuarve me vdekje – Qemal Vrionit dhe Tefik Mborjes – ua hoqi këtë masë dhe i dënoi me burg. Këtë vendim Gjykata e argumentoi kështu: Qemal Vrioni ishte dorëzuar para afatit të caktuar nga KANÇ-i për dorëzimin e kriminelëve, ndërsa Tefik Mborja, pas rënies së qeverisë së Shefqet Vërlacit më 1941, ishte tërhequr nga politika, kishte simpatizuar “lëvizjen”, e kishte ndihmuar atë, etj. Nga ana njerëzore, ky diletantizëm juridik ka qenë një gjë e mirë, sepse shpëtoi nga vdekja dy jetë njerëzish, por nga ana juridike ky veprim është një turp në historinë e institucioneve të drejtësisë shqiptare. Historikisht, në Shqipëri e në vende të tjera, vendimet e një gjykate janë ndryshuar (dhe në periudhën para vitit 1945) vetëm nga një gjykatë superiore. Kjo ndodhi jo vetëm pse më 1945 në Shqipëri ishte shkatërruar sistemi gjyqësor, por dhe për shkak të formimit të mangët juridik e qytetar të njerëzve që ishin ngarkuar të bënin detyrën e gjykatësve, prokurorëve, etj.

Aktakuza

Ligji 41, neni 14, konsideronte kriminel lufte atë person ose grup personash që kishin frymëzuar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar këto vepra kriminale: vrasje/ tortura/ turpërim femrash/ shpërngulje të detyrueshme popullsish/ dërgim në fusha përqendrimi/ dërgim popullsish në punë të detyrueshme/ grabitje, djegie, vjedhje, shkatërrim, plaçkitje të pasurisë shtetërore e private/ ata që kanë qenë bashkëpunëtorë ose ndihmesa të aparatit terrorist dhe formacioneve terroriste të okupatorit/ ata që kanë urdhëruar dhe ndihmuar mobilizimin e popullit shqiptar për ushtrinë e armikut.[5] Në aktakuzë, Prokurori ngriti 11 akuza ndaj të pandehurve. Disa nga akuzat, edhe nëse do të kishin qenë të vërteta, nuk përbënin krim lufte. Të përmbledhura shkurtimisht këto akuza ishin: 1) Përgatitje dhe lehtësim i pushtimit të Shqipërisë nga ana të pandehurve (veçmas ose bashkërisht). Dihet, që pushtimi u krye nga ushtria fashiste dhe në të s’kishte asnjë shqiptar, as si drejtues e as si ushtar i thjeshtë. 2) Disa nga të pandehurit kishin marrë pjesë në kabinetet “e formuara prej okupatorit”, një veprim që nuk përbënte krim lufte. 3) Të pandehurit, në bashkëpunim me gjermanët, kishin krijuar Asamblenë Kombëtare dhe Komitetin Ekzekutiv, sipas akuzës, institucione servile ndaj gjermanëve. Krijimi i këtyre institucioneve nuk ishte krim lufte. Madje, këtu mund të shtojmë se Prokurori, duke i akuzuar disa nga të pandehurit, se kishin dalë me parullën “e independencës dhe të neutralitetit”,[6] rezulton të ketë qenë kundër pavarësisë së Shqipërisë, e për rrjedhojë kjo përputhej me interesat e pushtuesve. 4) Një pjesë e të pandehurve kishin bashkëpunuar në krijimin e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, që prokurori i konsideron “tradhtare” dhe “mercenare”, ose kishin qenë eksponentë të këtyre organizatave. Bazuar në Ligjin 41, neni 14, këto veprime nuk përbënin krim e lufte. 5) Një akuzë tjetër ishte që të pandehurit, bashkërisht ose veçmas, kishin tradhtuar luftën nacionalçlirimtare. Tradhtia, së pari, do të kishte ndodhur vetëm në rast se të pandehurit do të kishin qenë pjesë e nacionalçlirimtares dhe më pas të ishin larguar prej saj, por asnjëri prej tyre nuk kishte qenë pjesë saj. Megjithatë, edhe sikur ta kishin tradhtuar atë luftë, bazuar në ligjin ushtarak, kjo nuk përbënte krim lufte. 6) Një pjesë e të pandehurve u akuzuan si publicistë, agjitatorë, informatorë e spiunë të pushtuesit. Sërish, argumenti është i njëjtë: të gjitha këto veprime nuk përbënin krim lufte.

Nga ana tjetër, disa akuza që dukej se përshkruanin veprimtari që përbënin krim lufte, gjithmonë bazuar në Ligjin 41, neni 14, si – pjesëmarrja në formacionet ushtarake të pushtuesit, ndihma në aparatet e terrorit dhe formacionet terroriste, shkatërrimi i urave, fushave, limaneve – si pasuri e popullit, nuk u vërtetuan. Mënyra si akuzat ishin formuluar, për të cilën do të flas më tej, e tregon më qartë falsitetin e akuzave dhe pafajësinë e të pandehurve. Në kinema Kosova kishte dhe njerëz me vetëdije të lartë ligjore, të cilët, për shkak se bazuar në logjikën e tyre qytetare nuk kishin kryer asnjë krim, nuk u larguan nga Shqipëria dhe, fatkeqësisht, përfunduan para togës së pushkatimit, ngaqë njerëzit që përfaqësonin drejtësinë ishin një tufë injorantësh dhe servilë. Kol Tromara nuk ishte i diplomuar për drejtësi, nuk kishte arsim të lartë hiç, siç kishin pjesa dërrmuese e të pandehurve, por, kur prokurori i kërkoi ta quante Mustafa Krujën tradhtar, iu përgjigj: “Për Mustafa Krujën deri s’ka ndonjë vendim gjyqi s’mund të them se ka qenë tradhtar.”[7] Bahri Omari, i diplomuar për administratë e jo drejtësi, reagoi në përputhje me formimin e tij, kur tha se, nëse Ismail Golemi “ka thënë që ka bashkëpunuar Balli me Gjermanët në Gjirokastër, ai duhet të ketë pasur letër të shkruar nga Komiteti Qendror.”[8] Solla vetëm dy shembuj, sa për të treguar se cila ka qenë pritshmëria e të pandehurve nga gjykata. Ata kanë pasur bindjen që gjykata do të gjykonte bazuar në dokumente e fakte, dhe kjo ishte fatkeqësia e tyre: ata kishin në kokë modele institucionesh të përgjegjshme.

Si u sajuan akuzat

Komisioni Qendror për zbulimin e krimeve e kriminelëve të luftës i dorëzoi Gjykatës Speciale për gjykim materialet hetimore që u përkisnin të pandehurve të arrestuar. Përmbajtja e këtyre materialeve, të cilat nuk gjenden në dosjen e Gjyqit Special, të paktën jo në atë që mua më është vënë në dispozicion, nuk njihet. Megjithatë, duke shqyrtuar dokumente që flasin për mënyrën e funksionimit Komisioni Qendror për krimet e kriminelët e luftës, shihet qartë që hetimet kanë qenë po aq diletante e po aq të motivuara politikisht sa gjykimi. Më 22 dhjetor 1944, Komisioni Qendror u dërgoi një qarkore të gjitha këshillave nacionalçlirimtare të prefekturave dhe nënprefekturave, me anë të cilës urdhëronte krijimin e komisioneve hetuese për zbulimin e krimeve dhe kriminelëve të luftës, shqiptarë ose të huaj. Komisionet do të përbëheshin nga 9 anëtarë: 2 anëtarë të këshilli nacionalçlirimtar të prefekturës ose nënprefekturës, një delegat i gruas antifashiste (komuniste), një anëtar i rinisë antifashiste, dy anëtarë të ushtrisë nacionalçlirimtare, dy anëtarë të frontit nacionalçlirimtar dhe një gjykatës i emëruar nga komiteti ekzekutiv i prefekturës ose nënprefekturës. Në rast se nuk gjendej një gjyqtar, atëherë vendin e tij e zinte një nga anëtarët e gjykatës ushtarake të zonës. Ky anëtar gjykate jo domosdoshmërish mund të ishte me formim juridik, por në shumicën e rasteve mund të ishte dhe analfabet ose me 3-4 klasë shkollë. Komisionin e kryesonte gjyqtari, ose personi që e zëvendësonte atë. Për zhvillimin e hetimeve nuk ishte e domosdoshme që të gjithë anëtarët e komisionit të mblidheshin bashkë, ata mund të punon veç e veç.[9] I vetmi kualifikim që kërkohej për hetuesit ishte “të gëzonin besimin e popullit”. Një cilësi e paverifikueshme, e papërcaktueshme, e pamatshme. Logjikisht mund të thuhet se njerëz të emëruar nga dikush që nuk i përkiste popullit, nuk mund të gëzonin besimin e popullit, përderisa nuk ishin të zgjedhurit e tij. Pëlqimi i popullit mund të merrej vetëm me një mënyrë, dhe kjo ishte votimi.
Në qarkore u përcillej njësive lokale dhe përkufizimi i kriminelëve të luftës, me 11 pika. Ky përkufizim përbën bazën e dy neneve të Ligjit 41 (14,15), për kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit.[10] Udhëzuesi më i mirë për zbulimin e krimeve, sipas qarkores, do të ishte “dhe opinioni i përgjithshëm i popullit”. Më shkoqur: thashethemet. Në rastet kur nuk ishte e mundur “marrja e provave të faktuara, do të mjaftohet me deponimet e disa personave të ndershëm për të bërë të besueshme [jo për të vërtetuar] fajet që ngarkohen të pandehurve. Një mënyrë tjetër për “zbulimin” e krimeve ishte pyetja e të pandehurve për persona të caktuar dhe arrestimi i tyre në bazë të këtyre deponimeve. Informacion të vlefshëm, sipas qarkores, mund të jepnin personat që kishin punuar në zyra, si përkthyes, sekretarë, etj.[11] Komisioni thërriste si dëshmitarë banorët e fshatrave ku ishin bërë vrasje gjatë kohës së luftës, si burimi kryesor për vërtetimin e krimeve, por, sipas një qarkoreje të datës 27 dhjetor 1944, nuk ishte e nevojshme që personat që dëshmonin t’i kishin parë me sytë e tyre faktet që raportonin. Ishte e mjaftueshme që të kishin dëgjuar të flitej për këto krime nga populli.[12] Nga ana tjetër, kjo qarkore theksonte: “Dëshmitë e lëshuara nga persona të ndryshëm për sjelljet e mira të tradhtarëve që ndodhen të arrestuar, jo vetëm që nuk merren parasysh, po për ti prerë hovin këtyre manovrave dhe për të drejtësisë të merren masa kundër çdo personi që në të ardhmen do të japë firmën e tija për të shfajësuar kriminalitetet që kanë shkaktuar një mjerim në vendin tonë.” Pra, krimet ishin kryer, fajtorët ishin përcaktuar, dhe komisioneve hetimore u mbetej vetëm të gjenin njerëz që të “dëshmonin” lidhjen e fajtorëve me krimin. Drejtësia, pavarësisht sa herë mund të përmendet në dokumente, s’kishte lidhje fare me Gjyqin Special dhe gjithë gjyqet ushtarake kundër të ashtuquajturve kriminelë lufte e armiq të popullit. Këtë e ka artikuluar qartë ministri i Drejtësisë së kohës dhe kryetar i Komisionit Qendror për Krimet dhe Kriminelët e Luftës, Manol Konomi: “Procesi gjyqësor i tyre do të ketë rëndësi për luftën t’onë Nacionalçlirimtare. Dhe do të jetë një vepër politike e madhe,” shkruan ai në qarkoren e 22 dhjetorit[13]

Gjyqi Special dhe Gjyqi i Nyrnbergut

Vendi përgjegjës për Luftën e Dytë Botërore ishte Gjermania. Autorët kryesorë të krimeve të luftës që ajo bëri u dënuan në Gjyqin e Nurembergut (nëntor 1945-tetor 1946). Ky gjyq gjykoi 24 persona, njëri u deklarua mendërisht i paaftë për t’u gjykuar, njëri vrau veten para dhënies së dënimit, 12 u dënuan me vdekje, njëri në mungesë, të tjerët u dënuan me burgime të ndryshme. Kurse Gjyqi Special shqiptar gjykoi 60 persona, 17 i dënoi me vdekje, 39 me burgime të ndryshme, 2 me kusht. Nurembergu shpalli të pafajshëm 3 prej të akuzuarve, Gjyqi Special 2. Sipas statistikave, Shqipëria, e cila ishte viktimë në Luftën e Dytë Botërore, rezulton të ketë pasur kriminelë lufte më shumë se Gjermania naziste. Për organizmin e gjyqeve speciale ka shumë rëndësi legjitimiteti organizatorëve të tyre. Gjyqin e Nurembergut e organizuan qeveritë legjitime të aleatëve (me përjashtim të Bashkimit Sovjetik qeverinë e të cilit e mbanin me dhunë komunistët që nga 1917, por, sidoqoftë, ishte ndërkombëtarisht e njohur). Gjyqin Special në Tiranë e organizoi një qeveri e ardhur në pushtet me dhunë, përmes një lufte civile. Dhe Gjyqi, sipas ministrit të Drejtësisë, ishte vazhdim i kësaj lufte.
Një tjetër dallim themelor mes dy gjyqeve ishte përbërja e turpit të akuzës dhe gjykimit. Prokurorët e gjyqit të Nurembergut ishin figurat më të larta të prokurorisë në vendet pjesëmarrëse: Bashkimi Sovjetik merrte pjesë me Prokurorin e Përgjithshëm të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan me një anëtar të Gjykatës e Lartë, Britania e Madhe u përfaqësua me Prokurorin e Përgjithshëm, Franca me Ministrin e Drejtësisë që më vonë u bë Prokuror i Përgjithshëm i Francës. Edhe gjykata përbëhej nga gjyqtarë me përvojë në vendet e origjinës. Kryetari Gjyqit u caktua një gjyqtar britanik, anëtar i Gjykatës së Apelit për Anglinë dhe Uellsin (zëvendësi i tij nga Britania e Madhe ishte anëtar i Gjykatës së Lartë të Anglisë dhe Uellsit). Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan me ish-Prokurorin e Përgjithshëm dhe një kandidat për në Gjykatën e Lartë të SHBA. Akuza në Gjyqin Special përfaqësohej nga një person, Bedri Spahiu, pa formimin juridik më minimal. Ai ishte një ish-ushtarak, i cili as për këtë profesion nuk kishte kualifikim universitar. Kurse Gjykata, e përbërë nga 9 anëtarë, kishte vetëm gjyqtarë. Kryetari i Gjykatës ishte Koçi Xoxe, me arsim fillor, e teneqexhi në profesion. Në grupin e të akuzuarve kishte më shumë juristë, 7 gjithsej, 5 të diplomuar në Itali, 1 në Francë dhe 1 në Jugosllavi. Në vendimin e Gjyqit të Nurembergut thuhet: “Një pjesë e madhe e provave që iu paraqitën Gjykatës nga ana e Akuzës, ishin dokumente e dëshmi, të kapura nga ushtritë aleate në shtabet e Armatës Gjermane, në godinat qeveritare dhe në vende të tjera. Disa nga dokumentet u gjetën në kripore, të groposura në tokë, të fshehura në pseudomuret dhe në vende të tjera që quheshin të pamundur në pikëpamjen e gjetjes së këtyre dokumenteve. Në këtë mënyrë, akuza kundër të pandehurve mbështetet në shkallën më të madhe në dokumentet e hartuara nga ata vetë, autenticiteti i të cilave nuk diskutohet, me përjashtim të një ose dy rasteve.”[14] Kurse Gjykata Speciale e Tiranës, siç e përmenda më sipër, u mbështet në dëshmitë gojore të veglave të komunistëve.

Kriminelët e vërtetë të luftës

Në Kinema Kosova, gjatë kohës që u zhvillua Gjyqi Special, kishte dhe kriminelë lufte, krimet e të cilëve ishin të lehta për t’u vërtetuar, por ata ishin pjesë e akuzës dhe gjykatës. Dokumentet që dëshmojnë krimet e tyre gjenden në AQSH. Bedri Spahiu, prokurori, është përgjegjës për shumë krime të kryera nga qarkori i PKSH së në Gjirokastër, anëtar i të cilit ai ishte. Në një raport për KQ Provizor të PKSH, përgatitur nga qarkori, komunistët e Gjirokastrës pranojnë që kanë vrarë 11 persona, 10 prej tyre shqiptarë, mes tyre nënprefekti i Kurveleshit Novruz Taçi, me qëllim “për të dominuar krahinën”.[15] Si anëtar i Shtabit të Zonës I Operative, si anëtar i KANÇ, si anëtar i KQ të PKSH, Bedri Spahiu është përgjegjës për shumë krime të tjera. Por, në mënyrën më cinike, gjatë kohës që Trenc Toçi gjendej në burg, dhe Bedri Saphiu e dënoi me vdekje, të afërmit e Saphiut i kishin zaptuar shtëpinë.[16] Koçi Xoxe, si anëtar i KQ të PKSH dhe i KANÇ është përgjegjës për një numër krimesh. Më 11 nëntor 1943, Koçi Xoxe ka firmosur një qarkore të KQ të PKSH, drejtuar gjithë qarkorëve, ku i vë në dijeni për vrasjen e Zef Ndojës me vendim të KQ të PKSH.[17] Ai ka qenë në dijeni, në mos e ka urdhëruar, vrasjen e 6 ballistëve në Devoll, të cilët, në letrën e tij drejtuar Enver Hoxhës, ai i quan “gjithë shtabi i Ballit në Devoll”.[18] Hysni Kapo, anëtar i Gjykatës Speciale, mund të dënohej si kriminel lufte për një radhë krimesh lehtësisht të vërtetueshme, si zv/komisar i Zonës I Opreative apo si komisar i Brigadës V. Mund të përmendim: për pushkatimin e dy xhandarëve në Shpat (zona e Tomoricës); pushkatimi i partizanit Imer Romësi, si dezertor; grabitje pasurie në Balbardh (Berat); për pushkatimin e një ballisti në Pajun (Kërrabë e Madhe);[19] për rekrutim me forcë të popullsisë; për vrasjet në Kurdari të Matit, për djegien e fshatit Sinë në Dibër, etj. Në Plenumin e Beratit, 23-27 nëntor 1944, ai u tregua qejfmbetur që Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha nuk ia kishin ngarkuar atij vrasjen e Sadik Premtes, sepse ai mund ta bënte më mirë se Mehmet Shehu, i cili dështoi.[20] Beqir Balluku, anëtar i Gjykatës Speciale, si komandant i Brigadës së dytë, mund të dënohej si kriminel lufte grabitjen e pasurisë së Mazllëm Skënderit, Hodo Skënderit, Seid Skënderit, në Frashër të Përmetit; për djegien e shtëpisë dhe grabitjen e pasurisë së Izet Hysniut nga Zavalani i Kolonjës; për djegien e shtëpisë së Sabri Nuredinit nga Piskali i Dangëllisë dhe për grabitjen e 5 deleve të Shaqir Myslimit; për djegien e shtëpisë, grabitjen e pasurisë dhe marrjen peng të djalit të Qazim Goblarës nga Bablazi i Dangëllisë; për grabitjen e pasurisë së Avni Radovickës nga Radovicka e Dangëllisë; për grabitjen e pasurisë së Nexhi Mustafait dhe Fadil Abdurrahmanit nga Miçani i Dangëllisë. Të gjitha këto krime janë kryer me urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ dhe implikojnë në krim dhe urdhëruesit.[21] Të gjitha këto krime të tyre janë të dokumentuara. Një pjesë janë botuar disa herë, një pjesë i kam botuar unë në librin “Krimet e komunistëve gjatë luftës” (2014), dhe të gjithë dokumentet origjinale gjenden në AQSH. Anëtarët e tjerë të gjykatës speciale kanë qenë anonimë gjatë luftës dhe mund të jetë e vështirë t’i akuzosh nominalisht. Por ka me qindra dokumente që dëshmojnë krimet e luftës të kryer nga krerët e lartë të regjimit komunist, të atyre që kishin urdhëruar krijimin Gjykatës Speciale.

Përfundime

Gjyqi Special ishte vazhdim i luftës civile, në një formë tjetër. Në thelb, ai ishte një instrument në duart e komunistëve për zhdukjen e kundërshtarëve politikë. Projektimi i Gjyqit Special si një vepër e madhe politike, siç e quajti ministri i Drejtësisë Manol Konomi, që ekzekutoi 17 vetë dhe ndëshkoi me burgime të gjata 41 persona të tjerë, e klasifikon atë automatikisht si një vepër terroriste. Ky është terrorizmi: përdorimi i dhunës për të realizuar qëllime politike.
_______________________________
[1] Gazeta Zyrtare, nr 2, 23 dhjetor 1944. Vendimi për krijimin e Gjyqit Special.
[2] AQSH, F. 14, V. 1944, D. 75, Fl. 3. Letër e KQ të PKSH për Tuk Jakovën.
[3] Gazeta Zyrtare, nr 2, 23 dhjetor 1944. Vendimi për krijimin e Gjyqit Special.
[4] Të gjithë citimet nga dokumentet gjyqësore janë marrë nga dosja e Gjyqit Special, e cila është ruajtur në gjendje të keqe, duket që mungojnë shumë dokumente, dhe numrat e fletëve i ka të ngatërruara. Në një fletë gjenden 2-3 numra faqeje dhe është e vështirë për t’u vendosur si pikë reference. Ky citim është marrë nga vendimi i Gjyqit.
[5] Gazeta Zyrtare, nr 3/bis, 23 janar 1945. Ligj mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake.
[6] Dosja e Gjyqit Special, Pretenca, fl. 24.
[7] Nga deponimi i Kol Tromarës në gjyq, 14 mars 1945.
[8] Nga deponimi i Bahri Omarit në gjyq, 12 mars 1945.
[9] AQSH, F: Gjyqi Politik i Kriminelëve të luftës, V. 1944, D. 1, Fl. 1-3. Qarkore e Komisionit Qendror për Krimet e Kriminelët e Luftës drejtuar këshillave nacionalçlirimtare të prefekturave dhe nënprefekturave, 22 dhjetor 1944.
[10] Po aty.
[11] Po aty.
[12] AQSH, F: Gjyqi Politik i Kriminelëve të luftës, V. 1944, D. 1, Fl. 10-11. Qarkore e Komisionit Qendror për Krimet e Kriminelët e Luftës drejtuar këshillave nacionalçlirimtare të prefekturave dhe nënprefekturave, 27 dhjetor 1944.
[13] AQSH, F: Gjyqi Politik i Kriminelëve të luftës, V. 1944, D. 1, Fl. 1-3. Qarkore e Komisionit Qendror për Krimet e Kriminelët e Luftës drejtuar këshillave nacionalçlirimtare të prefekturave dhe nënprefekturave, 22 dhjetor 1944.
[14] “Procesi i Nurembergut”, vëllimi i dytë, ONUFRI, Tiranë, 2005, faqe 411.
[15] AQSH, F. 14, V. 1942, D. 6, Fl. 3. Raport i ish-komitetit qarkor të Gjirokastrës për KQ Provizor të PKSH.
[16] Rita Tocci, Terenzio Tocci, babai im, (Tiranë: Toena, 1996) 171.
[17] AQSH, F. 14, V. 1943, D. 11, Fl. 23. Qarkore e KQ të PKSH.
[18] AQSH, F. 14, V. 1943, D. 28, Fl. 9. Letër e Koçi Xoxes për Enver Hoxhën, 18 tetor 1943.
[19] AQSH, F. 14, V. 1944, D. 53, Fl. 37. Raport i Manush Myftiut për veprimtarinë e Brigadës V, 1 korrik 1944.
[20] Drejtori e Përgjithshme e Arkivave, “Politikë antikombëtare e Enver Hoxhës”, EURORILINDJA, Tiranë, 1995. Procesverbal i mbledhjes së KQ të PKSH. Diskutimi i Hysni Kapos. Faqe 89.
[21] AQSH, F. 41, V. 1944, D. 83, Fl. 5-6. Raport i Shtabit të Brigadës II për Shtabin e Përgjithshëm, 25 qershor 1944.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *