HISTORIA

Balli Kombëtar Demokrat – PARTI E SHQIPTARIZMIT

Shkruan: Çelo HOXHA

Për krijimin e organizatës Balli Kombëtar, gjatë periudhës 1945-1991, në Shqipëri qarkulloi një version historik i vetëm, dhe ky i sajuar nga kundërshtarët politikë të tij. Sipas këtij varianti, Balli u krijua nga fundi i vitit 1942, “me nxitjen e pushtuesve” dhe “si reaksion kundër vendimeve historike të Konferencës së Pezës” , e cila u mbajt në 16 shtator të atij viti.

Me rënien e diktaturës ranë dhe muret e kontrollit të informacionit, por mashtrimi u zëvendësua nga kakofonia. Jo në të gjitha rastet historianët janë përgjegjës. Balli u krijua në kohë të trazuara, Shqipëria sa ishte pushtuar nga Italia, themeluesit e tij nuk ishin një grup burokratësh, në një ditë normale pune, që, me shqetësimin t’i dëshmojë eprorit punën e kryer, janë aq fanatikë me shkresat, saqë shpesh mbushja e letrave rezulton i vetmi qëllim i tyre. Hasan Dosti, një nga themeluesit, thotë se Balli u krijua “si organizatë e mëshehtë në muejin Prill 1939, vetëm pak ditë pas okupacionit të 7 Prillit 1939.” Anëtarët themelues të organizatës ishin pesë: Mid’hat Frashëri, Fuat Dibra, Nuredin Vlora, Hasan Dosti dhe Faik Quku.

Me kthimin e shumë emigrantëve politikë në atdhe, nga fundi i majit radhët e Ballit u shtuan. Ndër emigrantët e kthyer ishte dhe Sejfi Vllamasi. Ai nuk u bë kurrë pjesë e Ballit Kombëtar, por, vite më vonë, në burg, shkroi për ngjarjet e verës 1939. Në kujtimet e tij*, ai tregon se një natë kishte qenë në shtëpinë e Fuat Dibrës. Kur u largua, bashkë me të doli dhe Mid’hat Frashëri. Gjatë rrugës, ky iu afrua dhe i tha me zë të ulët: “Sejfi, hajde të formojmë një grup për një aktivitet të fshehtë.” Grupi i fshehtë që Mid’hat Frashëri kishte në mendje ishte Balli Kombëtar. Historiani Tanush Frashëri shkruan gjatë e bindshëm që Balli është krijuar në vitin 1939. Rrëfimi tij, megjithatë, i përcjell ngjarjet si një kamera e fokusuar te Ali Këlcyra. Ali Këlcyra u kthye nga emigracioni 15-vjeçar në fillim të gushtit 1939. Në Tiranë bisedoi me Mid’hat Frashërin për organizimin e një rezistence kundër fashizmit. Mid’hat Frashëri e vuri në dijeni se kishte folur me disa miq për këtë çështje. Sipas Tanush Frashërit, në shtator u krijua organizata që u quajt, përkohësisht, Komiteti i Rezistencës dhe u formua një qëndror (kryesi): Mid’hat Frashëri, Fuat Dibra, Kol Tromara dhe Hasan Dosti. Më vonë u shtuan edhe Nuredin Vlora dhe Ali Këlcyra. Nga mesi i tetorit 1939, sipas të njëjtit autor, në shtëpinë e Fuat Dibrës u organizua një mbledhje ku u shqyrtua emri i organizatës, programi dhe përmbajtja e një thirrjeje për popullin (trakt). Organizata u quajt Fronti i Rezistencës Nacionale. Programi, i quajtur Nacionalizma Shqiptare, është një tetëpikësh që përmban vizionin e njohur të nacionalizmit shqiptar:

Shqipëria e pavarur, me kufijtë entikë, e përparuar, dashamirëse me fqinjët, jo shoviniste, me parime patriotike dhe bindja se gjithçka mund të arrihet vetëm me sakrificat e shqiptarëve.

Përmbajtja e programit dhe e traktit janë e njëjta gjë, por trakti, përveç vlerës politike për kohën, është i çmuar dhe për dy arsye: në të shfaqen për herë të parë dy elementë të rëndësishëm për historianët, emri Balli Kombëtar dhe viti 1939. Në maj 1942, sipas kujtimeve të Ali Këlcyrës, në shtëpinë ku ai banonte në Tiranë, u organizua një mbledhje ku u vendos që organizata të quhej Balli Kombëtar, me kryetar Mid’hat Frashërin. Me burime alternative më të shumta, historiani Uran Butka duket më afër një versioni të qëndrueshëm. Balli Kombëtar është krijuar në mbrëmjen e pushtimit të Shqipërisë nga Italia, 7 prill 1939, në shtëpinë e Mid’hat Frashërit, që u bë edhe kryetari i tij. Data është deklaruar nga vetë Mid’hat Frashëri në Kongresin e Parë të Ballit, janar 1944. Programi, Nacionalizma Shqiptare, është botuar në 1 qershor 1939. Sipas gazetave të marsit 1944, në gusht 1939 ishin krijuar dega e Ballit në Shkodër dhe në Korçë. Në gusht ishte krijuar dhe dega e Vlorës, sipas një burimi më të hershëm, gazeta “Mbrojtja Kombëtare”, 12 dhjetor 1943. Përcaktimi i një date, si qëllim në vetvete, do të ishte ambicje qesharake. Një statistkë e tillë mund t’u interesojë vetëm atyre që duan të fiksojnë përvjetorët e organizatës së Ballit. Kjo datë mund të jetë 8 prilli. Atë natë biseda mund të mendohet që ka zgjatur deri afër mëngjesit dhe të nesërmen është artikuluar jashtë rrethit të themeluesve emri i organizatës. Ajo që ka rëndësi është e pakundërshtueshme:

Balli Kombëtar nuk u krijua në fund të vitit 1942, me nxitjen e pushtuesve dhe për t’iu kundërvënë Partisë Komuniste. Siç shihet, e siç u zhvilluan ngjarjet më vonë, mund të thuhet se Partia Komuniste dhe Konferenca e Pezës u krijuan për t’iu kundërvënë Ballit Kombëtar, sepse Balli ishte një organizatë e hapur për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga pozita sociale ose ideologjike e tyre, ndërsa Partia Komuniste ishte një forcë politike e centralizuar, e tipit stalinist, e cila nuk gëzonte simpati në popull, sidomos prej faktit që në udhëheqjen e saj ishin shkiet. Krijimi i Front Nacional-Çlirimtar, sipas modelit jugosllav, ishte një mënyrë që PKSH të maskohej. Pas këtij emri ajo u fsheh deri në Kongresin e Parë, 1948, ku e emërtoi veten Partia e Punës e Shqipërisë. Konferenca e Pezës, siç rrëfen vetë Enver Hoxha, u organizua nga Miladin Popoviçi, emisari jugosllav që udhëhiqte de facto Partinë Komuniste të Shqipërisë, në Pezë, nën direktivat e Kominternit, për të gjetur një zgjidhje alternative për zgjerimin e radhëve të forcave partizane shqiptare. Qëllimin e Frontit Nacional-Çlirimtar, Mid’hat Frashëri e sqaron në letrën për një përkrahës të Frontit: “Partia Komuniste po na del në shesh tash jo si Parti Komuniste, porse si parti nacionalçlirimtare. Komunistët me këtë emën të ri po duen me mashtrue popullin e me ba për vedi, tue i thanë se gjoja punojnë për Shqipni e për atdhe, kurse në të vërtetë kjo Nacionalçlirimtarja nuk asht tjetër veçse Partia Komuniste vetë, qi asht bashkë me serbët e malazezët, edhe merr urdhëna prej tyre për me na prishë Shqipërinë.”

Jugosllavët e kanë pranuar që Balli Kombëtar “u themelua në 1939 si Lëvizje e Rezistencës kundër pushtimit italian.” Kjo i jep kuptim dhe një pike të rezolucionit të themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, 1941, ku thuhet se s’duhej harruar rreziku “nga influenca nacionaliste” dhe luftës së mëvonshme të Frontit Nacional-Çlirimtar kundër nacionalistëve shqiptarë. Jugosllavët ishin themeluesit e PKSH dhe ata përcaktuan vijën e saj politike.

Në rezolucionin e botuar si pjesë e veprave të Enver Hoxhës, vite më vonë, kur ishin prishur marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, rreziku nacionalist është retushuar në “rrezikun e influencës së nazizmit”. Balli Kombëtar ishte një front real. Dallimi është themelor: partia synonte pushtetin, fronti luftën kundër pushtuesit.Kjo u vërtetua. Komunsitët e futën vendin në luftë civile*, sepse qëllimi i tyre ishte të eleminonin kundërshtarët e mundshëm politikë, që në këtë rast ishte Balli. Siç vërenin britanikët me mision në Shqipëri gjatë luftës, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu nuk i ngrinin formacionet ushtarake për të luftuar gjermanët, por për të kontrolluar Shqipërinë për hesapet e tyre.

Në Plenumin e Dytë të Beratit, 23-27 nëntor 1944, Tuk Jakova deklaroi se në ushtri ishte zhvilluar fryma terroriste, shumë njerëz ishin vrarë pa gjyq dhe pa faj, ai kishte qenë i pranishëm në akte të tilla, dhe, sipas tij, ushtria dukej sikur kishte dalë për të mbytur popullin. Askush nuk e kundërshtoi, Gogo Nushi thjesht bëri një plotësim: “Tuku tha se në ushtri ka tendenca terroriste. Jo vetëm në ushtri, por edhe në Parti, në udhëheqje bile.” Sejfulla Malëshova e cilësoi PKSH “një bandë kriminelësh” . Një reagim që pati ishte pro tij. “Unë jam dakord me Sejfullain,” u shpreh përfaqësuesi jugosllav në plenum, Velimir Stojniç. Në publik, këta dhe pjesa tjetër e PKSH deklaronin armik të atdheut dhe popullit Ballin.Balli Kombëtar ishte i vendosur që të vazhdonte rezistencën anikomuniste, por kjo mund të arrihej vetëm nëse aleatët hiqnin dorë nga përkrahja për partizanët dhe me një zbarkim të tyre të mundshëm në terren, në përkrahje të nacionalistëve, siç ndodhi, në Greqi për shembull. Mirëpo, fati i Shqipërisë ishte përcaktuar ndryshe.

Në një letër të misionit anlgez në Shqipëri, që ra në dorë të Ballit, shkruhej: “Duket qartë se fuqitë e rezistencës kombëtare (Balli e Legaliteti) janë caktuar të humbasin dhe të lëshohen doret. Plani i Mid’hat Frashërit për të formuar një front me parti e grupe antikomuniste në Shupal, nuk mund të realizohet, sepse Gjonmarkajt kanë vendosur të humbasin bashkë me gjermanët.” Në realitet, Gjonmarkajt nuk kishin aq shumë peshë sa në letër. Fati i rezistencës antikomuniste u vulos nga lajmet që sollën të dërguarit e Ballit për bisedime me Shtabin e Komandës së Mesdheut, në Bari të Italisë.

Shtabi aleat nuk mori përsipër të ndihmonte Ballim Kombëtar dhe Legalitetin. Në fakt, aleatët kishin kaluar në anën e komunistëve që në konferencën e Teheranit, 29 nëntor-1 dhjetor 1943, ku u vendos të ndihmoheshin me ndihma materiale komunistët jugosllavë. Kjo prishi barrierat ideologjike mes misioneve aleate (kryesisht britanike) dhe komunistëve shqiptarë, të cilët i orientuan ndihmat për komunistët. Kryetari i Ballit, Mid’hat Frashëri, i cili atë kohë ndodhej në veri, e kuptoi situatën dhe bëri lëvizjen e fundit. Para largimit përfundimtar nga Shqipëria, ai mblodhi në Shkodër gjithë krerët e Ballit dhe i informoi për gjendjen reale. Më pas, me dhimbje dhe vetëdije institucionale e historike të kthjellët, ai bëri formalitet e fundit për të mbyllur kapitullin e parë të tragjedisë që do të vazhdonte të luhej për gjymë shekulli në Shqipëri.

“Marr përgjegjësinë t’ju deklaroj se e çbëjmë organizatën e Ballit Kombëtar. Ajo e kreu misionin e vet historik. Mirë apo keq, këtë do ta tregojë e ardhmja,” – tha ai. Këtu merr fund veprimtaria e organizatës Balli Kombëtar. Tani e tutje shumë nga ish-krerët dhe ish-anëtarët e tij do të merreshin me politikë, në mërgim.

Natën e Vitit të Ri, 31 dhjetor 1945, në Rexhio Emilia të Italisë, u krijua Partia e Ballit Kombëtar Demokrat, me program bazë parimet kryesore të Nacionalizmës Shqiptare (1939), Dekalogut (1942) dhe me kryetar Mid’hat Frashërin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *