Dita e Flamurit, Francë 1991
HISTORIA

VULLNETI I MIRË DO TË TRIUMFOJ

Profesor Abas Ermenji, Letër dërguar nga Parisi për Kongresin e Ballit Kombëtar – 1954

Të dashur shokë!

Me këtë kongres të Ballit Kombëtar në mërgim kemi dashur të shikojmë se ku gjindemi me mendime e me pikëpamje, passi u-bë një kohë e gjatë që jemi çkëputur prej Vendit t’onë dhe ndodhemi të përndarë në të katër anët e botës. Dhe njeriu ndrron shpeshëherë pikëpamje sipas vendit ku ndodhet, sipas punës që bën, sipas interesavet të veçanta që e rrethojnë. Pasi s’ka qënë praktikisht e mundur që të mblidheshim të gjithë në një vend, kemi bërë një varg kongresesh të vogël (çdo grup antarësh, atje ku ndodhet), dhe ky i sotmi është për të shqyrtuar përgjigjet e dhëna prej seicilit dhe për të caktuar vijën politike të Ballit Kombëtar në bazë të mendimit të përgjithshëm të antarëvet.

Shohim me kënaqësinë më të madhe se mendimet e antarëvet pajtohen e përputhen unanimisht me pikat e programit të Partisë. As largësitë oqeanike, as kalimi i kohës, as rrethi ku ndodhen s’kanë mundur t’i ndalin antarët e Partisë s’onë nga ideali i përbashkët : gjejmë ndër ‘ta bashkim mendimesh, bashkim pikëpamjesh, bashkim zemrash.

Nga se vjen kjo ? Kjo vjen nga se antarët e Ballit Kombëtar nuk kanë qënë rreshtuar në këtë parti me ndonjë qëllim çpërblimi e për interesa të veçanta ; dhe drejtonjësit e tij nuk kanë qënë politikanë të zanatit, nga ata që rrojnë me politikë, e që ndrrojnë ngjyrë e mendime sipas interesavet personale të tyre, sipas erëravet që fryjnë, a siç i lot dora e ndonjë padroni të jashtëm, si kukullat në vitrinë.

Antarët e Ballit Kombëtar nuk duallën në skenë kur kish rroga e karrike zyrash. Ata duallën atëhere kur Shqipëria thirri ” Jam në rrezik ! “, dhe kërkoi ndihmë nga bijt e saj. Vetëm atëhere djemt e Partisë s’onë duallën në shesh, jo për të marrë çpërblime e ofiqe, po për të pritur plumba krahërorit. Ky është shkaku sepse mendimet t’ona përputhen, dhe s’i ndajnë dot as largësitë oqeanike, as vjetët që rrokullisen. Mendimet t’ona janë një, sepse qëllimi i ynë është një : liri e popullit Shqiptar.

Shokë të dashur !

Shumë gjëra janë thënë e thuhen kundër nesh, shumë çpifje dhe propaganda bëhen nga armiqtë dhe kundërshtarët t’anë, për t’ju përçarë juve dhe për të turbulluar mendjen e Shqiptarëvet. Por të gjithë ju e dini se lufta që na bëhet neve s’është tjetër veçse lufta që i është bërë mot e jetë popullit Shqiptar. Lufta që na bëhet neve, është lufta që u bëhet idealevet të Shqipërisë. Dhe, passi ne jemi të vetëdijshëm për këtë, nuk përgjunjemi, nuk epemi as përçahemi, por qëndrojmë më të bashkuar e më të vendosur se kurrë. Na kanë thënë “trathëtarë” ata që na luftonin me dorën e huaj kur ne i bëheshin mburojë Shqipërisë. Na kanë thënë “diktatorë” ata që shtypnin me hu e me litar çdo tendencë demokracie kur ne luftonim për lirinë e përgjithshëme e për të drejtat njerëzore të popullit Shqiptar. Na kanë thënë “ekskluzivistë” ata që duan t’a mbajnë Shqipërinë çiflik të njëqint vetave kur ne kërkojmë të drejta jetese për të gjithë Shqiptarët. Por çpifje e propaganda si këto, zakoni që t’i thuhet së bardhës ” e zezë ” dhe së zezës ” e bardhë ” nuk janë të sotme në historinë e njerëzvet prandaj s’na nxehin as na ftohin.

Balli Kombëtar dolli atëhere kur Atdheu ndodhej ndënë një pushtim të huaj dhe që po i kanosej një tjetër pushtim i huaj. Dolli për të mprojtur Shqipërinë nga dy valët imperialiste të kohës s’onë, fashizmi dhe komunizmi. Dolli si një lëvizje e natyrshëme, sportane, e popullit Shqiptar ; lëvizje e organizuar, me një program të prerë, drejt një qëllimi të vetëm : liri e Shqipërisë, liri e Shqiptarëvet.

Mjerimin e njerëzisë, në ditët t’ona, e kanë shkaktuar dy rryma politike të gabuara, imorale, çnjerëzore : klikat fashiste, të kryesuara gjer dje prej Hitlerit e Musolinit, dhe diktatura komuniste që drejtohet prej Moskës. Të parat kërkojnë mbajtjen e masavet popullore ndënë robërinë politike dhe ekonomike të njëj grushti feodalo-kapitalistësh, dhe nënështrimin e kombevet të vegjël ndënë më të mëdhenjtë. E dyta kërkon shtypjen e çdo të drejte njerëzore ndënë tiraninë e hierarqisë komuniste – që zëvëndëson hierarqinë feodalo-kapitaliste – dhe nënështrimin e të gjithë popujvet ndënë diktatin e Moskës.

Siç dihet, të dyja këto rryma janë robëruese, shtypëse, imorale, të bazuara vetëm në ligjin e forcës e prandaj kundër harmonisë dhe paqes.

Në mes të këtyre ekstremeve është rruga e bashkëpunimit të lirë, rruga njerëzore e drejtësisë, e mirëkuptimit dhe e paqes. Në këtë rrugë dhe mbi këtë bazë qëndron Partia e jonë demokrate.

Kjo lindi, siç thashë, për të mprojtur lirinë kombëtare kundër dy rrymave imperialiste, dhe për të harmonizuar jetën e brendshëme të popullit t’onë në një ekuilibër ekonomik e shoqëror të pajtuarshëm me kuptimin e drejtësisë, të lirisë dhe të demokracisë. Dhe kurrë Partia e jonë nuk e ka trathëtuar këtë ideal.

Në pikëpamje kombëtare, ka dhënë provë që kërkon pamvarësinë e plotë të Shqipërisë.

Në pikëpamje ekonomike e shoqërore, kërkon emancipimin e fshatarit bujk me anën e reformës agrare dhe të lartësimit kulturor të tij ; kërkon sigurimin e jetesës, sigurimin e lirivet, e të drejtavet të punëtorit, të zejtarit, të profesionistit, të intelektualit, të të gjithë shtresave që punojnë e prodhojnë ; kërkon, jo nënështrimin e një klase a të një shtrese të popullit ndënë një tjetër, por harmonizimin e sferavet të ndryshme ekonomike e shoqërore në një tërësi kombëtare të drejtë, të lirë, të lumtur.

Në pikëpamjen e methodhës politike, Partia e jonë, edhe në rrethanat më të vështira, ka ndjekur me plot besim parimin e demokracisë.

Ne u zgjatëm dorën komunistëvet, në Mbledhjen e Mukajt, në Gusht të 1943-së, për një bashkëpunim të drejtë mbi një bazë programi kombëtar e demokratik. Ata nuk i qëndruan fjalës, sepse komunistët s’kanë asgjë që të quhet kombëtare ose demokratike. Pastaj, duke hedhur poshtë nga ana e jonë çdo ekskluzivizmë a paragjykim partie, kemi kërkuar vazhdimisht, mbi baza demokratike, bashkëpunimin e çdo grupi a personi që mendonte e punonte për të mirën e Shqipërisë.

Në mërgim, pranuam të bashkëpunojmë me grupe të së djathtës, mbi një program kombëtar e demokratik, në Komitetin ” Shqipëria e Lirë “, që u-formua në Gusht të 1949-s, për të ndihmuar çlirimin e Vendit t’onë nga komunizmi. Dhe i qëndruam besnikërisht bashkëpunimit përsa kohë që u-mbajtën programi dhe baza mbi të cilën ish formuar Komiteti.

Por kur ish-Komiteti ” Shqipëria e Lirë ” u-shndërrua në një kukull politike, në një grumbull bejlerësh e feodalësh, dhe u-kërkua prej nesh të mbetemi aty brenda si mercenarë të fashizmit ose si sejmenë të çiflik-sahibinjvet, për të gënjyer popullin, natyrisht s’mundëm të qëndrojmë. Qëndrimi i ynë n’atë lloj komiteti do t’ish një tallje si me ndërgjegjen t’onë, ashtu edhe me popullin Shqiptar. Dhe ne s’kemi zakon të tallemi as me njërën as me tjetrin.

Përsa i përket politikës së jashtëme, Partia e jonë ndjek me durim rrugën e mirëkuptimit dhe t’arritjes në një bashkëpunim të sinqertë me popujt e tjerë, me Demokracitë e Perëndimit dhe me fqinjët. Ne jemi gjithmonë për paqe, për afrimin dhe bashkëpunimin ndërmjet popujvet. Do të mundohemi në çdo rast të jemi një element pajtimi në mes të fqinjëvet të tokës e të detit, një element harmonie në jetën ndërkombëtare, një element paqeje e vëllazërimi në Ballkan.

Siç shihet qartë nga vepërimi i ynë i gjertanishëm, ne jemi për paqen, për bashkëpunimin vëllazëror, si brenda kuadrit kombëtar ashtu edhe në fushën ndërkombëtare. Por kjo dëshirë e jona për afrim e vëllazërim lyp dy kondita të domosdoshme : pamvarësinë kombëtare dhe respektimin e parimit të demokracisë. Atje ku mungojnë këto dy kondita, ne s’munt të hyjmë as të bashkëpunojmë.

Në t’ashtuquajturin Komitet ” Shqipëria e Lirë ” të sotmë, këto dy kondita janë fort të dyshimta. S’kemi arsye të besojmë se ai komitet do të sigurojë pamvarësinë e Shqipërisë, kurse grupe nga ata që e përbëjnë kanë qënë përdorur, në të kaluarën, për robërimin e Vendit t’onë. Dhe s’ka njeri aqë të leht nga mendja sa të besojë se ai komitet do t’i kthejë popullit liritë demokratike, kurse brenda në ‘të ka klika që gjer dje kanë shtypur me forcë çdo tendencë demokracije.

Në rrethanat e sotme sidomos, kur lufta bëhet kundër komunizmit – dhe komunizmi ka ardhur si konsekuencë e abuzimevet dhe e shtytjes politike e ekonomike ushtruar nga klikat fashiste – të mendosh se ato klika të çkredituara, që ishin gjer dje në shërbim t’imperializmit fashist, që s’kanë asnjë forcë morale në vetvehte dhe asnjë arsye të qënuri, do të përmbysin komunizmin dhe do të drejtojnë sot dinamizmin e popujvet, është jo vetëm një utopi por edhe një gabim i tmerrshëm. Nëqoftëse për popujt e Evropës s’ka tjetër udhë përveç komunizmit t’egër, gjakësor, por i disiplinuar e dinamik, më nj’anë, dhe klikavet fashiste të kalbura e pa asnjë forcë vitale, n’anën tjetër, komunizmi e ka të fituar davanë.

Komunizmi munt të luftohet vetëm duke i vënë përballë një kuptim më të lartë të jetës, të drejtësisë shoqërore e të lirisë. Vetëm atëhere buçasin forca të reja nga gjiri i popujvet, ndizet enthusiazmi, fitohet vullneti i masavet të gjera, i bujqvet, i punëtorëvet, i djalërisë. Vetëm atëhere ecet me gjith mend drejt paqes, harmonisë dhe lumturisë së përgjithshëme. Por kur lufta antikomuniste merr karakteret e fashizmit të djeshëm dhe bëhet vetëm n’interes të disa klikave që kanë humbur çiflikët e privilegjet, ose të bankjerëvet që kanë humbur tregjet, s’besonj të ketë shumë njerës budallenj që t’i prestohen kësaj lodre.

Në konditat e sotme politike, me një Shqipëri të shkelur nga komunizmi dhe me një grumbullim klikash të çkredituara përjashta, që pretendojnë t’a çlirojnë, detyrat e Partisë s’onë dhe të patriotëvet Shqiptarë përgjithërisht janë bërë shumë më të rënda. Sepse midis këtyre dy ekstremeve, mbetet një zbrazësirë e madhe politike të cilën duhet t’a mbushim ne me popullin Shqiptar dhe me patriotët e vërtetë. Midis dy ekstremevet antipopullore, mbetet populli me aspiratat e tij, të cilin duhet t’a sqarojmë, t’a drejtojmë dhe t’i tregojmë të vërtetën. Mbetet brezi i ri, djalëria e hovshëme dhe tërë zjarr, që vështron tek ne. Mbeten të gjithë ata që besojnë në t’arthmen e Shqipërisë, në luftën dhe programin t’onë. Duhet t’i bashkojmë e t’i organizojmë të gjitha këto forca, dhe t’i drejtojmë nga qëllimi i vetëm i tyre që është : liria e Shqiptarëvet.

Dhe kam besim të patundur se do t’i a arrijmë qëllimit. Provën e parë e bëmë në këta muajtë e fundit : jo vetëm antarët e Partisë s’onë, por edhe patriotë të tjerë, të shpërndarë nëpër botë, janë treguar solidarë me ne rreth problemevet Shqiptare, dhe na kanë premtuar ndihmën e tyre morale e materiale për të vazhduar punën e nisur. Dhe u japim fjalën se do t’a vazhdojmë.

S’ka dyshim se edhe populli brenda, edhe djalëria e frymëzuar me idealet e reja do të tregohen të bashkuar me ne, ashtu siç po tregohen patriotët e mirë përjashta. Këtu qëndron forca e jonë.

Shokë të dashur !
Le të vazhdojmë me ballë-hapur e me shpirt të fortë në rrugën e detyrës e të lirisë. Le të kërkojmë me zemër të gjerë e me dashuri të vërtetë bashkimin e Shqiptarëvet rreth interesavet kombëtare. Le të kërkojmë miq e aleatë në botën e jashtëme, mirëkuptim me fqinjët e Shqipërisë dhe pajtim pikëpamjesh e interesash me Demokracitë e Perëndimit.

Të jini të sigurtë se nuk jemi vetëm ne që duam t’ecim drejt lirisë, drejtësisë dhe paqes. Eshtë vullneti i përgjithshëm i njerëzisë mbarë që po kërkon të ngjitet në këtë kuptimin e lartë të jetës. Dhe vullneti i mirë do të triumfojë.

Të bashkuar e të vëllazëruar si gjithmonë, le të shpresojmë që Kongresin e arthmë të Partisë s’onë t’a mbajmë në Shqipërinë e liruar.

Gazeta FLAMURI, janar-mars 1954

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *