OPINIONE

MEDITIM GJATË NJË NDESHJE FUTBOLLI

SHKRUAR NGA RESHAT KRIPA

Me një grup miqsh ishim mbledhur për të parë ndeshjen ndërkombëtare Danimarkë-Shqipëri, për eliminatoret e kampionatit europian të futbollit. Patjetër që pika më kulminante e ndeshjes ishte rezultati i barabarte zero me zero. Por mua ajo që më tërhoqi gjithashtu vëmendjen ishin tifozat kuqezi, të gjithë me nga një qylaf mbi krye me simbolin e shqiptarizmës, shqiponjën dykrenore në mes. Nuk ishin një e dy të tillë por të gjithë tifozat e pranishëm në atë takim historik. Në atë mori qylafësh nuk pashë asnjë me yll të kuq. Atëherë më doli nga shpirti një thirrje që prej vitesh e mbaja të fshehur:

Ky është nacionalizmi shqiptar! Kjo është Shqipëria e vërtetë!

Shikoja dhe meditoja. Para syve më dilnin vargjet e pavdekshme të poetit të madh Gavril Dara i ri që në poemën “Kënga e fundit e Balës” shkruante:

Mori bilë, bilë e lalës,
Mori e bukur dhe e ndritur,
Pse më solle në mon e shkuar?

Si me magji këto vargje më kthyen gjashtëdhjetë vite më parë, atëherë kur isha ende një fëmijë i paformuar. Por komunizmi nuk pyeste nëse ishe fëmijë apo plak. Ai nuk kishte peshore t’i ndante njerëzit. Të gjithë i fuste në të njëjtin thes dhe i degdiste në humnerat më të thella. Kështu më përplasi edhe mua. Por ky ndëshkim ishte shpëtimi im. Unë nuk u bëra një lake sahan lëpirës i çorbës komuniste pasi, në ato hone të thella, ndesha ata burra të rrallë që u bënë mësuesit e mi. që nuk do t’i vijnë më këtij vendi dhe që më bënë ky që jam sot.

Shihja qylafët e bardhë me zhgabë dhe para syve më shfaqesh figura e Abdurrahman Kreshpës, të cilit vetëm dy ditë më parë i kremtuan njëvjetorin e ndarjes nga jeta. Ishim në kampin e punës së detyruar të Urës Vajgurore. Ai na grumbullonte ne të rinjve rreth vetes dhe, si një mësues i paarritshëm, na mësonte se kush ishte nacionalizmi shqiptar. Kur fliste sytë i shndrisnin dhe goja i ligjëronte mbi dhjetë pikat e pavdekshme të programit patriotik shqiptar. Na fliste për dishepujt që e kishin përpiluar këtë program dhe ne e dëgjonim të mahnitur. Na fliste edhe për qylafët e bardhë me zhgabën dykrenore dhe ne e pyesnim: – Çfarë përfaqësonte ai qylaf? Dhe ai përgjigjej:

Ishte simboli i shqiptarizmës, simboli i lirisë.

Më dilte para syve figura madhështore e Pater Mëshkallës që na predikonte: Bëhuni të mirë që t’i shërbeni sa më shumë atdheut. Natyrisht, edhe atij i bënim të njëjtën pyetje. Përgjigja e tij ishte:

Shqipërinë, flamurin kuq e zi me zhgabën dykrenore në mes.

I të njejtit mendim ishte dhe juristi i shquar Xhevdet Kapshtica. Ai na mësonte se si duhej të silleshim në shoqëri, si të mos binim pre e propagandës së atyre që nuk kishin as fe dhe as atdhe. Ne e dëgjonim dhe, natyrisht, edhe atij i drejtonim pyetjen. Përgjigja e prerë e tij ishte: Ai qylaf simbolizon thirrjen: Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!

Këto figura më dilnin para syve në ato çaste kur në stadiumin e Kopenhagenit pashë ata burra, të gjithë me qylaf të bardhë dhe shqiponjën dykrenore në mes. M’u duk sikur në ato qylafe pashë Shqipërinë e vërtetë, për të cilën ishin sakrifikuar aq dhe aq burra të shquar, ku edhe unë kisha vënë një gur, sado të vogël për ringjalljen e tij. Pashë këta qylafë dhe nga sytë më rrodhën, pa dashje, dy pika lot.

Përse? – më tha miku që kisha pranë. Mos më pyet, – iu përgjigja. – As vetë nuk e di. Po të mendohesh më thellë do ta kuptosh.

Miku heshti për disa minuta. Pastaj me një zë ku më tepër shprehej dhimbja tha: Mos e ke fjalën për thirrjet tona që kanë mbetur një zë në shkretëtirë dhe nuk i dëgjon askush?

Unë heshta, ndërsa ai vazhdoi: Mos e ke fjalën për të rënët tanë që ende nuk kanë ende një varr ku të afërmit të derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë me lule?

Unë përsëri nuk iu përgjigja. E kuptoja se ku donte të dilte ai, por e shikoja se përgjigja ime ishte e kotë. Zëri i mikut tim ushtoi përsëri: Shikoji qylafët e bardhë! Ndjenja kombëtare nuk mund të shuhet kurrë. Ndaj nuk duhet të heshtim.

Keni të drejtë, miku im, ne nuk do të heshtim Do ta ngremë zërin tonë deri në kupë të qiellit. Do ta ngremë se, në fund të fundit, ne jemi fitimtarët e vërtetë të asaj lufte të madhe kundër sistemit komunist. Jemi ne fitimtarët sepse, ndërsa atyre iu zunë duart kallo duke duartrokitur sistemin e tmerrshëm që sundoi për dyzetegjashtë vjet dhe drejtuesit e tij tiranë, ne patëm kurajo t’i kundërvihemi dhe megjithëse u vramë, u burgosëm dhe u internuam, përsëri mbijetuam dhe sot jemi përsëri gjallë, përsëri për t’u ngritur kundër çdo lloj padrejtësie.

Ndoshta, tani për tani nuk kemi pushtet. Atë e kanë gllabëruar ata që na shtypën dje. Ndoshta, tani për tani, jemi ende të varfër, por do të vijë dita që e drejta të triumfojë dhe në mos ne, bijtë tanë ose nipërit tanë do të dijnë si duhet udhëhequr ky vend. Para syve vazhdonin të më dilnin qylafet e bardhë me shqiponjën dykrenore në mes dhe në veshët e mi buçiste fuqishëm parulla e vjetër nacionaliste që na i citoi Xhevdet Kapshtica:

“Për liri, për Shqipëri, për flamurin kuq e zi”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *