POLITIKA NDËRKOMBËTARE

USHTRIA RUSE MË E FORTË SE ÇDO ARMIK POTENCIAL

Gjatë takimit të fundvitit me shefat e Mbrojtjes dhe Sigurisë, presidenti rus Vlladimir Putin është shprehur se ushtria ruse sot mund të mposhtë çdo armik potencial. “Mund ta themi me siguri tashmë, se ne jemi më të fuqishëm se çdo agresor i mundshëm i yni. Askush nuk mund të na tejkalojë”, tha Putin.

Komentet e tij vijnë në fund të një viti, kur tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit janë mëse të tendosura për shkak të luftës civile në Siri. Tensionet mes tyre nisën të përkeqësoheshin që prej aneksimit nga Rusia të gadishullit ukrainas të Krimesë, në vitin 2014, dhe pas mbështetjes që Moska dha ndaj separatistëve në lindje të Ukrainës.

Marrëdhëniet shkuan në një pikë edhe më të ulët, pasi Rusia nisi vitin e kaluar një fushatë sulmesh ajrore në Siri në mbështetje të forcave besnike të presidentit Bashar al-Assad. Ndërkohë, si Rusia ashtu dhe vendet anëtare të NATO-s kanë zhvilluar një sërë stërvitjes ushtarake pranë kufijve rusë gjatë këtij viti. Kjo ka bërë që Rusia të këmbëngulë se do t’i përgjigjet çdo lloj kërcënimi në rritje nga ana e aleancës atlantiko-veriore.

Duke folur në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë, Putin tha se Rusia duhet të jetë e shpejtë në “përshtatjen e planeve për të neutralizuar kërcënimet potenciale ndaj vendit tonë”.

Fjalimi i Putinit erdhi pasi ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu prezantoi raportin vjetor që lavdëronte arritjet e ushtrisë ruse në Siri dhe përpjekjet e vazhdueshme për të modernizuar ushtrinë.

Shoigu tha se Rusia ka siguruar kufijtë e saj me sistemet paralajmëruese antiraketore për herë të parë. Ai u ankua në lidhje me fluturimet e shpeshta të “drone”-ve të NATO-s në zonat kufitare, si dhe shpalli planet për të dërguar më shumë trupa në perëndim të Rusisë, në jugperëndim dhe në Arktik.

Analistët thonë se forcat ushtarake ruse mbeten gjithsesi më të dobëta materialisht sesa forcat ushtarake të NATO-s, megjithatë po fitojnë terren në aspektin teknologjik, falë edhe ndihmës “agresive” nën komandën e Putinit.

Igor Sutyagin, një ish-studiues i lartë në “think-tank”-un “Royal United Services Institute” të Londrës, tha se, ushtria ruse nuk është më e fuqishmja në botë, por shtoi se performanca e saj është përmirësuar ndjeshëm, veçanërisht për shkak se Putin ka ushtruar më shumë kontroll ndaj ushtrisë së tij krahasuar me kombet e NATO-s.

“Mungesa e kufizimeve i bën ato të pajisur më mirë për luftim, – tha ai. – Ata janë më të fortë sepse, nëse Putin do të dojë t’i përdorë, ai nuk ka nevojë për të marrë këshilla. Atij nuk i duhet të dalë përpara Dumës ruse, siç ndodh me Capitol Hill-in”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *