POLITIKA KOMBËTARE

TËRMET POLITIK NGA PROKURORIA

Tahiri, Selami dhe Roshi fshehën dënimet, të shkarkohen

Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar se në kuadër të kontrollit të formularëve të vetëdeklarimit të zyrtarëve ka konstatuar fshehje të të dhënave nga deputetët Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami, si dhe kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi.

“Prokuroria ka siguruar të dhënat si vijon: deputeti Tahiri nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit se në vitin 1995 është proceduar nga policia në Foxhia për “falsifikim parash” dhe në 2009 është proceduar në Ravena për “drejtim mjeti me dokumente të falsifikuara”. Për paratë false ai ka thënë se është mashtruar nga kamarieri”, ka sqaruar zëdhënësja e organit të akuzës në një deklaratë për mediat.

Ndërsa deputeti Selami, sipas saj, nuk ka treguar masën e arrestit me burg nga gjykata italiane në vitin 1994 për “pjesëmarrje në organizatë kriminale”.

Ndërsa kryebashkiaku Elvis Roshi nuk ka deklaruar veprën penale të “përdhunimit në grup” në Itali dhe as emrat e ndryshëm të përdorur në Zvicër.

“Në 14 maj të vitit 1993, Roshi është ndaluar nga policia e Zyrihut për drogë dhe është dënuar. Në vitin 1997 ka hyrë me emër tjetër në Zvicër dhe ka kërkuar azil, por pak muaj më vonë është dëbuar. Pak vite më vonë, DEA lajmëroi policinë zvicerane për një rast droge kur ishte i përfshirë Roshi”, ka vijuar zëdhënësja.

Ajo ka shtuar se, prokuroria ka nisur hetimet për veprën penale të falsifikimit të formularëve, ndërsa po vijon zbatimin e ligjit të dekriminalizimit për një numër të caktuar zyrtarësh.

DEKLARATA E PLOTE E PROKURORISE

Prokuroria e Përgjithshme pas verifikimeve te thelluara, ka konkluduar, se dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe një kryetar Bashkie janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, në bazë të ligjit per “Verifikimin e Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” ose te njohur ndryshe si Ligji i “Për Dekriminalizimin”.

Sektori i posaçëm i “Verifikimit të Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” në Prokurorinë e Përgjithshme, në bazë të kërkesave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka kryer verifikim të thelluar, në bazë të të cilit ka konkluduar se janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës, funksionarët:

Dashamir Tahiri, me funksion “Deputet”

Shkëlqim Selami, me funksion “Deputet”

Elvis Rroshi, me funksion Kryetar i Bashkisë Kavajë

Në mënyrë të përmbledhur, Sektori i “Dekriminalizimit” në Prokuroria e Përgjithshme ka siguruar të dhënat, si vijon:

Shtetasi Dashamir Tahiri, me funksion “Deputet” rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit” të dhëna:

Në vitin 1995 është raportuar nga policia në Foggia për krime lidhur me falsifikimin e parave;

Në vitin 2009 është dënuar nga Gjykata në Ravena (për të vuajtur 9 muaj burgim) për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar.

Subjekti është kontrolluar disa herë nga policia;

Subjekti Tahiri ka dhënë shpjegimet e tij në Sektorin e “Dekriminalizimit”, duke deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të dënimit me burgim në Ravena. Ndërsa, lidhur me procedimin për “fallsifikim parash”, ka deklaruar se bëhet fjalë për një episod në autostradë, kur ai është mashtruar nga një kamarier lokali, i cili i ka dhënë para fallse.

Shtetasi Shkëlqim Selami, me funksion “Deputet”, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit” të dhëna për një masë sigurimi “arrest me burg”, nxjerrë ndaj tij nga ana e gjykatës së Brindizit, si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me “Trafikim të qënieve njerëzore”. Masa ndaj tij është dhënë në vitin 1994 dhe është ekzekutuar në vitin 2006. Në kuadër të kësaj mase, ai ka qëndruar një javë në paraburgim në Brindizi dhe më pas është lënë i lirë, në vijim të hetimit.

Shtetasi Elvis Rroshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin “Për Dekriminalizimin”, si vijon:

Një dënim për veprën penale të “Përdhunimit” në grup, në vitin 1995 në Itali

Nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër

Në prill 1993 ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil, 14 maj 1993, është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe është dëbuar 4 muaj më vonë.

Në korrik 1997 ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Në gusht 1997 është dëbuar sërish.

Në vitin 2015 DEA/US , ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash.

Në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar zyrtarisht mbi rezultatet e verifikimit Komisionin Qendror te Zgjedhjeve, duke konstatuar se subjektet deklarues të mësipërm përfshihen në fushën e ndalimit të parashikuar në nenin 2, pika 1, gërma a) dhe pika 2, gërma a) dhe b) të ligjit.

Për të tre këto raste, krahas konstatimit të kushteve të ndalimit për ushtrimin e funksionit, Prokuroria ka nisur edhe hetimet për veprën penale të “Fallsifikimit te for,ulareve, neni 190 I Kodit Penal..

Ndërkohë, po vijon procedura e verifikimit në kuadër të ligjit “Për dekriminalizimin” edhe për një numër të konsiderueshëm zyrtarësh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *