OPINIONE

NJË ÇOKOLLATË NGA PEJGAMBERI

SHKRUAN: KIMETE BERISHA

Para nëntë ditëve, në sheshin Nënë Tereza, një vajzë e mbuluar me ferexhe, e mbante një tepsi me çokollata, të cilat ua shpërndate kalimtarëve.

Ajo ishte e shoqëruar me një djalë me mjekër, i cili me mirësjellje më ndaloi edhe mua, dhe me zë të ulët më tha: Sot është ditëlindja e Pejgamberit Muhamed, dhe më ofroi ta marrë një çokollatë, që ua kishte bashkangjitur nga një mesazh, dhe i kishte lidhur me kordele të kuqe.

Sheshi ‘Nënë Tereza’ i zbukuruar para festave të fundvitit. Në sheshin ‘Zahir Pajaziti nuk ke ku e qet këmbën prej të rinjëve të tubuar rreth shtëpizave të drunjta, pranë bredhit, ku gjithë ditën e natën pihet vera e kuqe.

Ende pa filluar të habitem se si dy të rinjtë e festonin ditëlindjen e Profetit, publikisht, edhe me ata që nuk vishen, nuk duken dhe nuk besojnë njësoj si ta, e lexova mesazhin e Profetit ‘për mua.

Sikur të isha lindur e rilindur edhe njëqind herë, nuk do ta kisha ndërruar porosinë e Profetit që shkruhej aty, e që thoshte: ‘Virtytet më të mira të besimit janë durimi dhe toleranca’.

Bash ky mesazh mua ma ftoh gjakun.
Se me durimin nuk qëndroj edhe aq keq, durimin deri diku jam duke e mësuar, ama tolerancën s’ma kap truri, se ka të bëjë me diçka që s’e kuptoj dot, me ‘me lshu pe’.

Unë nuk e dija se në Prishtinë festohej Ditëlindja e Pejgamberit.
Kur e lidha datën e lindjes së tij me zodiakun, më doli se ka qenë Shigjetar në horoskop, si Ibrahim Rugova!
Këta tipa janë të mirë, edhe kur hakmerren-nuk hakmerren, në fund, i bien pishman.

Thashë me vete, do ta kisha pasur shok të mirë, se neve binjakëve na shkon shumë shoqëria me shigjetarë!

Viteve të fundit ekstremistë myslimanë na kanë lodhur me dashurinë e tyre ndaj vdekjes, me urrejtjen dhe neverinë që kanë ndaj jetës dhe festave. Ndaj ditëlindjeve dhe ndaj babadimrit, të cilin e urrejnë thuajse është përnjëmend!

Por, sa më shumë që kanë folur kundër dashurisë ndaj jetës, dhe ndaj festave, aq më shumë janë nxehur shqiptarët pas qejfit, të festojnë, si gjithmonë, së bashku, secilën festë, festat e njëri-tjetrit.
Festa jote, është festa ime, vëlla!

Në gishta të njërës dorë numërohen ato qendra tregtare, dyqane e kafiteri në Prishtinë ku nuk dëgjohet kënga e Krishtlindjeve.

Ne duhet ta festojmë jetën, dhe do ta festojmë, sa të mundemi, derisa të jemi gjallë.

Rrini ju në terr!
Dhe dijeni, se Askush nuk ju do!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *