HISTORIA

KUR SHQIPTARËT VRANË DY KONSUJ RUSË

SHKRUAN: DAUT DAUTI

Serbia dhe Mali i Zi u ndanë të pakënaqura me rezultatin e luftërave ballkanike pasi që nuk i morën të gjitha tokat shqiptare siç planifikuan së bashku me Greqinë. Krijimi i shtetit shqiptar ishte problem i madh për lëvizjen pansllave. Serbisë nuk iu lejua të ngopej me toka shqiptare dhe ajo vendosi të zgjerohej duke e përfshirë territorin e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe për këtë arsye e organizoi vrasjen e Franc Ferdinandit, në Sarajevë.

Rreziku që vinte nga lëvizja pan-sllave i detyroi shqiptarët t’i rezistonin kësaj ideje që ishte vdekjeprurëse për ta. Në fillim të vitit 1903, Fuqitë e Mëdha e detyruan sulltanin që ta pranonte hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë, e cila e kishte për detyrë mbrojtjen e të krishterëve sllavë, të cilën e kundërshtuan shqiptarët. Aksioni i parë i shqiptarëve kundër levizjes pan-sllave është vrasja e konsullit rus Grigorije Stepanovič Šcerbin, që u bë në Mitrovicë, më 18 mars 1903. Edhe më herët, por sidomos nga ky vit, nacionalizmi shqiptar vazhdoi të zhvillohej edhe si rezultat i rezistencës anti-sllave.

Më 8 gusht 1903, një ushtar shqiptar e vrau në Manastir edhe një konsull rus, i cili quhej Aleksandar Arkadieviq Rostkovski. Kjo nuk ishte vrasje politike, sikur ajo në Mitrovicë, por përfundoi si e tillë. Konzulli rus, Rostkovski, e kishte një shprehi të keqe. Ai në dorë e mbante gjithmonë një kamxhik dhe me te, kur ecte në këmbë ose nga pajtoni, i kamxhikoste njerëzit rrugës. Një herë, siç rrëfen Edith Durham, konsulli i kishte rënë kamxhik një gruaje dhe fëmijës që ajo e mbante për dore. Dhe, kështu Rostkovski i kamxhikoste njerëzit derisa një ditë ra në një “hundëlesh”, siç thotë populli.

Në mëngjesin e 8 gushtit pajtoni i Rostkovskit po i afrohej një postblloku ushtarak, në dalje të qytetit (Manastirit). Një ushtar shqiptar po qëndronte ulur dhe nuk po ngrihej në këmbë për ta përshëndetur karrocën që e përfaqësonte Rusinë cariste në Manastir, veprim të cilin e priste Rostkovski. Prandaj, Rostkovski doli nga pajtoni për ta qortuar ushtarin ose ndoshta edhe për ta kamxhikosur, siç e kishte shprehi. Kur ushtari shqiptar e kishte vërejtur se rusi po i afrohej duke bërtitur, ishte ngritur në këmbë, e kishte drejtuar pushkën e kishte marrë në shenjë konsullin dhe e kishte tërhequr këmbëzën. Rostkovski kishte rënë përtokë, duke dhënë shpirt në vend.

Pastaj, nga karroca kishte dalë mësuesi i djalit të Rostkovskit për t’ia bërë me dije ushtarit se e kishte vrarë konsullin rus. Në këtë moment, ushtari shqiptar, i cili nuk e kuptonte gjuhën ose nuk dëshironte ta kuptonte, kishte shtënë edhe në mësuesin, por ky, së bashku me karrocierin, kishin ikur nga vendi i ngjarjes. Konsullata ruse dhe sllavët e Maqedonisë organizuan një funeral sikur Rostkovski të kishte qenë ndonjë hero sllav. Edith Durham, e cila ato ditë kishte qëlluar në Maqedoni, funeralin e konsullit e ka përshkruar në këtë mënyrë: “Aq mirë ishte inxhinieruar funerali i Rostkovskit sa që fshatarët vendas sllavë e shikonin atë si martir të kauzës sllave e jo si një njeri i cili ia solli vetes dënimin e merituar”.

Rusia e shfrytëzoi këtë rast që t’i portetizonte shqiptarët si myslimanë konfliktuozë, anti të krishterë dhe, si të tillë, anti-evropianë. Kjo propagandë ruse, tërësisht pro-sllave, ka vazhduar të krijojë efekte edhe gjatë kohës kur ekzistonte Bashkimit Sovjetik dhe ka depërtuar mjaft edhe në kokat e disa shqiptarëve.

Sot, Rusia, me po të njëjtën politikë, e cila e ka për qëllim zgjerimin e territoreve sllave ose zgjerimin e ndikimit të saj, e kërcënon jo vetëm Azinë dhe Ballkanin, por tërë Evropën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *