Avdi Hamidi, kusheriri i autorit qe e theu kufirin me Pazarin e Ri
HISTORIA

BALLISTËT E FAMILJES SË ALI AGËVE NGA TURJAKA!

Gjyshi e Xha Sulo- ”Kapedani”, që e deshën Kanunin. Baba, Ukë Imeri që e ruajti Kufirin në Plavë e Guci dhe Kusheriri, Avdi Hamidi që e kaloi Vigun e Urën me Pazarine Ri!

Xha Sulo Kapedani
Xha Sulo Kapedani

Në shenjë të kujtimit për gjyshin tim, Imer Seferi, Babën- Ukë Imeri dhe kusheririn, Avdi Hamidi, që nuk diti çka është friga.

Ballistët e Familjes së Ali Agëve nga Turjaka!

(Disa herë kisha mendua të shkruaj për Ballistët e Kaçakët e Rrethit tim, të Fisit e të Farës time, Familjes së Ali Agës- KASTRATI nga Turjaka. Edhe kësaj radhe vetëm po i përmend, kujtoj)

Fragmente nga një pjesë më e gjatë e Ditarit tim

Gjyshi im që kurrë nuk ndejti me gra, nuk e di a e deshi gjyshën time, Gjezidëm por me te i pat 8 fëmijë e kurrë nuk zbriti nga oda, aty ku i priste musafirët, miqt e të panjohurit, sepse thonte ai: Oda âsht e të gjithëve!

Nipi i Dragabilit!

Kështu i thonte Smajl Zeneli plaku më i vjetër i katundit:

Nipi Dragabilit, nipi i Avdylit (Avdyl Fejzullahit!)

Imer Seferi, bashkë me Metë Xhemajlinë, Avdi Hamidin e pleq të tjerë të fshatit rrinin në mal, në kohën kur erdhën ”shokët” partizanë sepse kërkoheshin nga ta, si anmiq se iu jepnin bukë e tesha e iu bënin konakë Ballistëve të tjerë nga Kosova, Krasniqja e Bajram Currit, Luma, Shkodra, Malësia e Mirdita.

Imer Seferi, Gjyshi i autorit
Imer Seferi, Gjyshi i autorit

Këto ditë pasi u ngrit Muri dhe e ndau qytetin e Mitrovicës, e kjo përseri u bë ”sherr sebep” për llafe ”teknike” për “me kalarua kalin” Edita, ”si pela pa fre” në mes të ”Prishtinës” dhe Beogradit e Brukselit në një anë dhe grupeve të armatosura, me maska e ”veteranëve” nga Drenasi, Drenica dhe pjesëve të tjera të Kosovës, që duan ”ta rrxojnë” MURIN, mu kujtuan ngjarjet që sa e sa herë i kisha dëgjua nga gjyshi im, Imer Seferi, ndjesë paste!

Ai zgjohej herët në mëngjes. Kishte shume qejf me fol. Shumica e kohanikëve i kishin vdekur. Tregonte ngjarje të ndryshme që i kish dëgjua e vetë kishte marre pjese në ato ndodhi. Pasi e falte sabahin, e pinte kafenë që vete e piqte në prush të Oxhakut, e dredh`te cigaren me duhan kaçak e fillonte ngadalë bisedën sikur asgjë s`kishte ndodhur. Por herë pas here e qonte kryet e na shikonte: A po më dëgjoni ? Fliste për Urën e Ibrit dhe Qafën e Qakorrit e për trimat e asaj kohe, si Avdullah Qorrin e katundit Javiq, Halit Sakolin, Jakup Tafën e Haxhi Fazlinë e Carravranës, Sadri Hisenin e Damanekut, e … Avdi Hamidin e Turjakës.

Gjyshi ulej afër Oxhakut në odë të burrave që kurrë nuk kishte ngrënë bukë në një sofër e as ndejt me gra, me gjyshën time e as me 5 rejat e dy vajzat… Pasi e dhezte cigaren me duhan kaçak e na bënte tym, fillonte bisedën për Bajrakatarët (Ballistët) e Astrazubit; Murat e … Qerim Bajraktarin, M`stafë Ibishin e Kramavikut, M`stafë Rahavecin, M`stafa Krujën, Muharrem Bajraktarin e Lumës, Hazir Prrellovcin (shoq, i fisit Kastrat), Hazir Gariqin, Hazir Xhakën e Oshlanit, Shaban Palluzhën (Shoq, i fisit Kastrat, Udhëheqësi më i Madh i Luftës në Drenicë), Adem Nishorin, Hajrullah Rexhepin, miq shtëpie, Mulla Januzin e Pejës, shoq, Kastratt, Ahmet Selacin, Ahmet Delin e djalin, Murselin nga Prekazi, Dan Retinë e Dan Derovcin, Halil Hamzën e Hasan Qantiqin e Rahavecit … e shumë të tjerë.
Padyshim se vendin kryesor të bisedës e zienin Kastratët, si Hasan Zatriqi, Kaçaku më i njohuri i asaj ane, për kohën që edhe sot e njohin të gjithë, deri në Gjakovë.

N`Grykë t`Cakorrit e deri në Nokshiq e kemi ruajt kufinin pi shkive e komunist`ve!

Ukë Imeri, babai i autorit Sinan Kastrati
Ukë Imeri, babai i autorit Sinan Kastrati

Baba, im Ukë Imeri, bashkë me Sali Xhemajlinë, Avdyl Imerin, Lil Drgutin, Azemin, djalin e Veli Bajramit, Nezir Sinanin e Lubizhës, Dajën Rexhep të Dragabilit e shumë të tjerë, e ka ruajt dhe mbrojt kufirin me Malin e Zi, jo në Qafë të Qakorrit por në Plavë e në Gusi e te Imer Maliqi, sh`pi e njoftun ”han e dan”, në Nokshiq, dy herë e kemi hangër Sillën e Bajramit ndërsa tash hashimat … e isat duan me na prua kufinin në rrafsh Dukagjinit, afër Pejës e Mitrovicën e ndanë në dy qytete, në dy komuna, me Lumë e me Murë, sikur deshën ti murosin ândrrat tona..

Në të parën, gjyshi im Imer Seferi bashkë me shumë vullnetarë nga rrethi i jonë, që është njoft edhe si “Bajraki i Astrazubit”, më vonë si “Serezi Rahavecit”, Rrethi i Llapushes, u nisën nga Kullat e Hajdar Malokit nga Pllaqica, shkua vullnetrarisht me iu ndihmua vëllezerëv të gjakut, te Pazari i Ri (Novi Pazar) që iu ishin nënshtrua sulmeve e dhunës të qetnikëve të Drazha Mihajlovicit, në fillim të Luftës së dytë botërore…

AGA i Zatriqit, Avdi Hamidi nga Turjaka e ka thye Kufirin!

Edhe atherë sikurse sot, Lumi Ibër ishte kufiri, por vullnetarët nga të gjitha anët e Kosovës shkuan në kufi, në Leposaviq dhe hynë në urë e dualën e andej. I pari që ka thye frontin ka qenë Avdi Hamidi i Turjakës, stërnipi i Ali Ages. I dyti, pas Avdi Hamidit, ka qene Haxhi Fazlia i Carravrranës dhe i treti, ka hyp në Vig, Sadri Hiseni i Damanekit, dajë i Babës Ukë.

Ata ishin vullnetarë, nuk ishin ushtri e rregullt sikurse uck-ja e jakupave e as …. e ramizave.

AGA i Zatriqit, Avdi Hamidi nga Turjaka e ka thye Kufirin në Leposaviq dhe ka hy në Sannxhak ndërsa sot, policia e Kosovës me afro 7.000 policë dhe me afro 70.000 veteranë, kufirin e kanë pru në mes të qytetit, në mes të Mitrrovicës e Kosovën e kanë ndarë në Veri e Jug.

Sinan Kastrati, Suedi
Malmö, 20 dhjetor 2016

2 thoughts on “BALLISTËT E FAMILJES SË ALI AGËVE NGA TURJAKA!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *