HISTORIA

TË NDARË PËRGJITHNJË

SHKRUAN: XHAFER SADIKU

Të deleguarit e Partisë në rreth, më në fund i “bindën” komunistët e fshatit të pranonin vendimin e Byrosë së Partisë. Mblodhën popullin për të shpallur kulak një bashkëfshatar të tyre të moshuar, ti hidhnin detyrimin dyfish dhe ta demaskonin. 

Për ti rënë shkurt, fjalën e mori përgjegjësi i ekipit të komitetit të Partisë. Pasi foli për Partinë, për Bashkimin Sovjetik dhe Stalinin, theksoi se nën shembullin e tij duhet të luftonin armiqtë e fshatarësisë, kulakët.

Fshatarët nuk po kuptonin asgjë, por sakaq i deleguari përmendi emrin e të moshuarit dhe tha se ai ishte kulaku i fshatit të tyre, ai ishte armiku i tyre. Disa burra u ngritën menjëherë në këmbë të revoltuar duke thënë se ai ishte patriot dhe se për këtë do të ankoheshin lart. Njëri nga të deleguarit uli kokën, i nxirë në fytyrë.

Ai, vazhdoi shefi, ka shfrytëzuar punën e të tjerëve. Prapë revoltë nga fshatarët…

Ndërkohë operativi i sigurimit, i pranishëm në mbledhje, pa nga disa të rinj. Njëri prej tyre u ngrit sakaq:
-Ky, tha i riu, na ka shfrytëzuar.
– Pa na trego, si? – e nxiti drejtuesi i mbledhjes.
-Po, kur kishte të birin partizan, më mori për të punuar tokën. Punova shumë ditë tek ai.
Ndërkohë, i deleguari që kishte ulur kokën e ndërpreu:
– A të pagoi dhe sa?
I riu tha se e kishte paguar dy herë më shumë se sa e paguanin të tjerët, për të njëjtën punë. Tha se i kishte dhënë bukë çdo drekë dhe çfarë i tepronte e merrte në shtëpi.
– Kaq kisha për të thënë, dhe u ul.
Operativi u kthye përsëri nga të rinjtë. U ngrit një tjetër:
-Edhe unë kam punuar tek ky, tha i riu, kam ruajtur kecat.
– A të dha paratë? – e pyeti i njëjti i deleguar.
– Po, tha i riu dhe tregoi sa e kishte paguar. -Ushqimin e drekës ma jepnin me vete.
-Çfarë të jepnin, e pyeti përsëri i deleguari? – Mish, djathë, kos, ç’të hanin vet.
-Tu kishte dhënë më mirë një helm, – tha i deleguari dhe ngriti kokën i lehtësuar. Iu drejtua shokëve të tij:
-Në vitet e luftës, tek ky kemi ngrënë bukën, tani po i përmbysim sofrën…Po i bëjmë varrin!

Në të vërtetë, po atë vit, i moshuari vdiq. Në varrimin e tij morën pjesë qindra njerëz, por ai ishte rasti i fundit kur bashkëfshatarët nuk iu bindën Partisë. Ishte rasti i fundit kur ishin te bashkuar. Në shtëpinë e tij nuk shkelën më. As ata dhe as miqtë. U ndanë… përgjithnjë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *