OPINIONE

LEZHA SHPËTON NGA “KUÇEDRA“ E PËRMBYTJES VETËM ME NJË PLAN KOMBËTAR

Nga Prof.Asoc.Dr. Gjok Vuksani

Sa herë që bie shi në vendin tonë, në mënyrë të pavetëdijshme ky fenomen natyror asociohet me përmbytjen e zonës së Lezhës.

Kjo fatkeqësi e përvitshme në Lezhë nuk përbën më ngjarje madje as për mediat dhe kjo qeveri me mendjelehtësinë e saj ka filluar që të relatizivojë pasojat e saj.

Çdo përmbytje në vetvete është një drame e jashtëzakonshme për banoret e qarkut të Lezhës pasi shtëpitë, pajisjet madje edhe veshjet e fëmijëve rrëmbehen 2-3 herë në vit nga uji.

Por nga ana tjetër kjo është një katastrofë në zhvillimin bujqësor në rang vendi, sepse zonat e Lezhës dhe nën/Shkodrës prodhojnë rreth 18-20% të gjithë prodhimit bujqësor kombëtar.

Ky prodhim i konvertuar në të ardhura jo vetëm për fermerët por edhe për ekonominë kombëtare sjell rreth 300 milionë dollarë të cilat dëmtohen në mënyrë frekuente nga përmbytjet e këtyre zonave.

Pra përmbytjet e Lezhës dhe Shkodrës nuk janë më vetëm një problem i ca “fshatarëve që kane lindur në ujë“, siç është shprehur një qeveritar i majtë, por është një problem kombëtar.

Për këtë arsye ky problem duhet të përballohet me një Plan Kombëtar për reduktimin e humbjeve në këtë zonë.

Përmbytjet është praktikisht e pamundur të eliminohen me Fondet e Bashkisë së Lezhës, por me ndërhyrje emergjente nga Qeveria Qendrore me qëllim eliminimin e faktorëve të riskut që shkaktojnë këto përmbytje.

Ekosistemi në zonën e Lezhës është mjaft specifik dhe për të janë kryer një sërë studimesh serioze për pellgun e derdhjes së lumenjve Drin dhe Mat që mund të shërbejnë si bazë për një ndërhyrje thelbësore për reduktimin e përmbytjeve.

Unë në rolin e një specialisti të bujqësisë dhe patjetër si një nga njerëzit që i dhimbset Lezha, po rendis disa nga masat me ndikim afatgjatë që duhet të ndërmerren:

– Sistemimi i ujërave të larta përgjatë zonave Kallmet-Tresh-Milot –Laç-Mamurras.

– Thellimi dhe sistemimi i lumit Drin përgjatë gjithë rrjedhjes së tij dhe zgjerimi i grykëderdhjes në mënyrë që të largohet sa më shpejt sasia maksimale e ujit.

– Studimi dhe gjetja e zgjidhjeve (me ngritje mekanike, hidrovor të madhësive të ndryshme) për tokat me depresion me të madh (ish-kënetat) në Torovicë, Tresh, Gorre, Gjorm etj.

– Thellimi çdo vit i kanaleve U-I (Kolektorëve) në të gjithë zonën dhe mbajta e tyre në gatishmëri të plotë, për të siguruar maksimumin e largimit të ujit në një kohë sa më të shkurtër.

– Përmirësimi i kapaciteteve të hidrovorëve të Balldrenit, Tales, Ishullit, Adriatikut dhe furnizimi i tyre pa ndërprerje me energji elektrike, me qëllim që të largohet maksimumi i sasisë së reshjeve në njësinë e kohës etj.

Duke parë që kjo qeveri nuk ka asnjë program për zgjidhjen e përmbytjeve në zonën e Lezhës dhe Shkodrës i bëj thirrje z.Basha, si kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë që të ngrejë një grup pune me profesionistët më të mirë në fushën e Bujqësisë, Hidroteknikës, Inxhinierisë me qëllim hartimin e një Plani Kombëtar për mbrojtjen nga përmbytjet në qarkun e Lezhës. Çdo shpenzim sado i madh që të duket sot, do të sjell shumë më tepër të ardhura dhe siguri për jetën e lezhjanëve dhe gjithë shqiptarëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *