HISTORIA

ÇKA I SHKRUANTE ENVER HADRI DAJËS SË TIJ SAID KRYEZIU NË VITIN 1976?

Shkruar nga Bajram MJEKU

Avokati Zanfir Kryeziu, djali i Dervish Bej Kryeziut nga Gjakova, këto ditë më ofroi një letër interesante dhe të papublikuar tash 40 vjet. Letra është e veprimtarit të shquar kosovar Enver Hadri, kryetar i Rezistencës Kombëtare të Shqiptarëve të Kosovës. Ajo mban datën e 29 tetorit të vitit 1976. Hadri ia dërgon letrën dajës së tij Said Kryeziu, sekretar i Përgjithshëm i Komitetit “Shqipnija e Lirë”, i cili u themelua në gusht të vitit 1949 në Paris, kryetar i të cilit ishte dijetari, Mit’hat Frashëri.

Enver Hadri me profesion arkitekt dhe me vokacion politikan, u vra nga Shërbimi sekret jugosllav më 25 shkurt të vitit 1990 në Bruksel. Kur u vendos në kryeqytetin belg në vitin 1972, Hadri për respekt të diplomatit të shquar shqiptar, Faik Konica nisi të banonte në shtëpinë e tij ku kishte jetuar shumë vjet më parë në Rue Gachard, 2 boit 9 në Bruksel.

Historianët tanë të ndikuar për gjysmë shekulli nga ideologjia komuniste, anatemuan padrejtësisht gjashtë vëllezërit Ali, Murat, Hysen, Hasan, Gani dhe Said Kryeziu, më saktë djemtë e Riza Beg Kryeziut, njërit nga personalitetet e shquara të Lidhjes së Prizrenit. Nga injoranca në njërën anë dhe nga smira në anën tjetër, mbajtën fshehtë të vërtetën e madhe se Enver Hadri ishte nip i Kryezinjëve. Nëna e Enver Hadrit, Ifakete Kryeziu, ishte bija e Sylejman Bej Kryeziut, njëri nga themeluesit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Se si ishin bërë shqiptarët pikë e pesë brenda dhe në migracion gjatë regjimit komunist pas ndërhyrjeve flagrante të shërbimeve sekrete të Beogradit e Tiranës, e kuptojmë më së miri përmes letrës së Enver Hadrit, i cili për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore vendosi kontakte me dajën e tij Saidin. Lidhja midis nipit e dajës ndodhi falë kolonel Muharrem Bajraktarit, një personalitet i shquar i kohës dhe oficer i Lartë i Gardës Mbretërore.

Daja i Enver Hadrit, Said Kryeziu, në vitin 1962 doktoroi në Fakultetin e Shkencave Politike në Sorbonë të Francës dhe konsiderohet diplomati i parë i moderuar kosovar. Enver Hadri, përmes letrës, ia shpërfaqë dajës së tij shqetësimet për mungesë uniteti midis partive dhe organizatave politike shqiptare në mërgim. Ia shpjegon edhe sprovat e tij që kosovarët t’i tërheqë nga organizatat politike siç thotë ai të “Shqipnis së Vjetër”, me qëllim që të krijojë vizion politik për çështjen e pazgjidhur të Kosovës.

Hadri shkruan edhe për organizatën politike Lidhja e Prizrenit, e cila sipas tij është vegël e Ballin Kombëtar dhe e cila “asht e mbushun plot me njerëz të Beogradit”. Hadri dëshmon edhe për thyerjet e mëdha ideologjike midis shqiptarëve në migracion, për bashkëpunimin e shërbimeve sekrete të Beogradit e Tiranës, por edhe për veprimtarë shqiptarë, të cilët bëjnë aktivitete të dyfishta; si anëtarë të partive e organizatave politike dhe si bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete të Sigurimit Shqiptar dhe UDB-së jugosllave.

Mbi të gjitha, në këtë letër shquhet shpirti demokrat dhe fryma properëndimore e Enver Hadrit, për dallim nga grupet marksiste-leniniste, të cilat u themeluan në mërgatë dhe në viset shqiptare në ish-Jugosllavi. Këto organizata ilegale, të nxitura nga propaganda e regjimit të Enver Hoxhës, i bënin dëm Kosovës dhe çështjes së pazgjidhur të saj.

Letra e Enver Hadrit dërguar Said Kryeziut, është shkruar me dorë dhe ka gjithsej dy faqe e gjysmë tekst. Që të njihet më mirë shpirti dhe vizioni politik i veprimtarit Enver Hadri, autori i këtyre radhëve vendosi që letrën të publikojë (si më poshtë) të plotë pa asnjë ndërhyrje.

“I dashtuni dhe i Ndershmi Dajë,

Unë ju pata shkrue dhe më parë para tri vjetëve, por me sa shof adresa nuk ka qenë e mirë e tash adresën e juej më dha zotni Muharrem Bajraktari, me të cilin kam bisedime të shpeshta.

Më parë më lejoni që të prezentohem. Jam nga Peja, djali i Islam Hadrit dhe Ifakete Kryeziut, vajzës së madhe të Sylejman Beg Kryeziut nga Gjakova. Ka afër katër vjet që gjendem në Belgjikë. Ika nga Jugosllavia, mbasi një pjesë e grupit që patën organizue kundrejt këtij shteti okupues qe zbulue. Këtu në Evropë, megjithëse materialisht qëndroj mirë mbasi që jam tue punue në një byro të arqitekturës e po ashtu jam rregullue me banesë. Edhe nanën me fëmijë i kam tërhjekë këtu. Por, jeta e migracionit përsëri ka disa të meta të veta… ju sigurisht e njihni shumë ma mirë se unë.

am mendue dhe kam arrijt që ta formoj një grup kosovarësh këtu në Evropë, prej shqiptarëve tanë nacionalist dhe në të njëjtën kohë ta vej luftën për pavarsinë e Kosovës në rend të parë, por pos luftës që kemi prej agjenturave të Beogradit e të Tiranës, në të njëtën kohë edhe partitë dhe grupet politike të Shqipnisë së Vjetër, po i mbesim besnik emnit të luftës e të aspiratave tona, që e quejtëm: ‘Rezistenca Kombëtare e Kosovës’, nuk asht parti por janë luftarët që kërkojmë pamvarsinë e Kosovës dhe në të njëjtën kohë luftojmë komunizmin. Për këtë i pata dërgue protestë Mbledhjes ballkanike në Atinë e po ashtu Konferencës së Kollombos. Jemi tue përgatitë dhe një shtyp (një revistë) “Zani i Kosovës”.

Mendoj që nji organizatë e fortë, e pastërt dhe e madhe kosovare frigos ma së shumti Beogradin dhe Tiranën e në të njajtën kohë me nxjerrë kosovarët prej çdo partije të Shqipnisë së Vjetër. Tek zotni Bajraktari kam hasë shumë mirëkuptime, derisa “Lidhja e Prizrenit” e cila kryekput asht vegël e “Ballit” asht e mbushun plot me njerëz të Beogradit. “Rinia Kosovare” nën agrorën e të gjitha partitë tjera i keqpërdorin kosovarët e po ashtu edhe Shqipnija sot tue shfrytëzue atdhedashuninë e kosovarëve.

Unë e pata takue Tatin (është fjala për Esad Kryeziun, djali i Ceno Bej Kryeziut dhe djali i motrës së mbretit Zog – v.j.), por në vend se me më dhanë kurajo bani të kundërtën. U dëshprova se ne nipat e juej që në fëmini kemi formue legjendën për ju – na keni qenë qëllim i jetës dhe teshat e zeza ne familja e ruejtën urrejtjen për armikun. Mu për atë, antarët e Legalitetit këtu na kishin frigën tue thanë se kanë ardhë me nxjerrë gjakun e dajës Cenë. E mu këta antarë janë vegël e keqe jugosllave – nga këtu shkojnë dy tri herë në vjet në Jugosllavi e për atë ne kemi një moto: Luftë çdo armiku, çfardo forme dhe ngjyre që të ketë.

Zotni Bajraktari afërsisht më njoftoj me atë që Ju i shkrueni në letrën e fundit dhe jam me ju se Kosovën gjithnji e kanë çfrytzue si urë kaluese për fronin e Tiranës dhe se në të njëtën kohë duhet ti luftojmë armiqët që i kem këtu.

Herën tjetër i dashtuni Dajë do të ju shkruej ma zgjanimisht – apo nëse do të kem rastin me ju pa do t’ua them. Në dhomën time asht fotografija e Dajës Cenë dhe mu për atë shpresoj se do të më ndihmoni me këshilla se në të njajtën kohë ndihmoni Kosovën e Lirë në të nesërmen e besoj se asht edhe ideali Juej.

Zotni M. Bajraktari më tha që asht e mundun që të vini këtu – për atë ju lutem të më lajmëroni e aq më tepër mbasi që Nanën e kam këtu. Ajo kishte taku Verën e dajës Hasan dhe e kishte pyet për Ju. Ajo gëzohet që jeni mirë e atë e dëshiroj dhe unë që kjo letër të ju gjej Juve dhe Zonjën e Juej mirë. E di se emigracioni ka mërzi të posaqme dhe njeriu plaket shumë ma shpejt por shka me ba. Për atë, çdo dëshirë e këshillë e jueja që ju mendoni që asht në dobinë e kombit – Kosovës – do ta vej në veprim dhe do ta zbatoj unë me shokët e mi.

Për mos me marrë ma shumë nga koha Juej, këtë letër po e përfundoj me kaq tue prit letër nga Ju që ashtu të dij për Dajët e mi nga Ju e jo prej tjerve.

Ju përshëndes e ju përqafoj tue ju puth dorën si unë Nëna e tanë familja ime.

I Jueji nipi i juej përherë

Enver Hadri”.

One thought on “ÇKA I SHKRUANTE ENVER HADRI DAJËS SË TIJ SAID KRYEZIU NË VITIN 1976?”

  1. Kam pas takime te rregullta me Kollonel Muharrem Bajraktarin eme Enver Hadrin kemi formu organizaten R.K.Sh.K. koSOVES NE Bruksell ne vitin 1974 JEMI NJOFTU permes Dr.Idriz Bashes nga novosej dhe Z.Zotri Sait Kryziun ekam taku ne hotel me bajraktarin Qekaq per qetesh::

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *