POLITIKA KOMBËTARE

QEVERIA E MUNDIMEVE

Puna e vetme e ministrave të Edi Ramës është të shkarkojnë çfarëdolloj fature të luksit të tyre tek më të varfrit dhe më të pazëshmit. Prej qeverisë prodhohen vetëm mundime, të cilat përditë nxjerrin në protesta mësuesit, mjekët, laborantët dhe të papunët. Qeveria e Mundimeve miratoi dje një tjetër buxhet të luksit dhe të grabitjes paraelektorale, i cili do të sjellë rrënimin e ekonomisë dhe rritjen e numrit të azilantëve, si e vetmja rrugë për t’u shpëtuar ministrave-xhahilë

Edi Rama erdhi në pushtet falë premtimeve të tij propagandistike për Rilindjen e Shqipërisë, por pa kaluar pak javë, Rilindja doli gënjeshtër, ashtu sikundër të gjitha premtim-mashtrimet e tij. Kjo pasi u kuptua që qeveria nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej shqetësimeve reale të shqiptarëve, problematikës së tyre, paga dhe pensione më të larta, vende të reja pune, taksa dhe çmime të ulëta sipas standardit të jetesës. Por çfarë ndodhi realisht?

Përmes një politike fiskale vulgare, qeveria rriti mënyrë rigoroze taksat, nga Janari i 2014-ës, vetëm 4 muaj pasi ishte ulur në karrigen e pushtetit. U intensifikua një qëndrim dekurajoz ndaj biznesit të madh dhe të vogël, përmes politikës së taksave të larta si dhe frymës së urrejtjes që jo pa qëllim u komentua edhe si politikë shtypëse kundër biznesit privat. Në këto kushte të rrepta shtrënguese, biznesi u tkurr, duke bërë që të humbasin mijëra vende pune si dhe rënie e ndjeshme e të ardhurave në buxhetin e shtetit.

Në këtë mënyrë, përmes kësaj politike neomarksiste kundër privatit, kemi më shumë të papunë, më shumë të varfër dhe më pak të ardhura. Vëmendja ndaj qytetarëve është në kufijtë e shpërfilljes totale, për të mos thënë zero. Ajo çka shqiptarët dëgjojnë nga goja e kryeministrit, është kënga me refrenin e çakorduar, se po punon për shqiptarët, kur në fakt ai është përqendruar me mish e shpirt mbi biznesin e drogës dhe dhënien pushtet kriminelëve. Këtë e realizoi qysh në muajt e parë të qeverisjes, ndërsa varfëria, izolimi, mjerimi po vijojnë të shoqërojnë vendin. Politikat e tij antisociale prekën çdo fushë. E nisi me shëndetësinë, në këtë sektor aplikoi koncesionet më të shumtë në numër dhe më të panevojshmit, kjo vetëm për t’i shërbyer interesave të klientëve.

Përmes reformës në Arsim, la jashtë dyerve të universitetit mjaft të rinj, ndërsa përmes këtij ligji i dha prioritet universiteteve private në pronësi po të miqve të vet. Sa i takon politikave sociale, ndryshoi kriteret dhe procedurat për përfitimin e ndihmës ekonomike, si edhe llogaritjen mbi bazën e së cilës do të përcaktohet shuma mujore për secilën nga familjet në nevojë duke lënë jashtë saj një numër të madh familjesh që e meritonin këtë ndihmë. Skandalet që shkaktoi edhe me familjet që kanë në përbërjen e tyre persona me aftësi të kufizuar, janë denoncuar shpesh nga mediat sesi kanë mbetur jashtë kësaj skeme dhe janë lënë në mëshirë të askujt, sepse edhe fati, me ardhjen e Ramës në pushtet, duket se nuk është më në anën e Shqiptarëve. Jo më larg se disa ditë më parë, me krenari ai iu servir atyre shpërblimin që ju ka vjedhur dhe ju ka mohuar gjatë kësaj kohe, me qëllim riciklimin e parave të kanabisit, ku dëshpërimisht mundohet të gënjejë me lëmoshë qytetarët që i varfëroi gjatë viteve të fundit. I çoi ata në limit të suportimit, dhe në prag të dramës, duke u hedhur ndonjë kockë, ku më tepër sesa për t’i mbyllur gojën, e bën për t’i mashtruar në prag zgjedhjesh.

Gjendja është e vështirë. Sot, shqiptarët vuajnë prej njëmijë halleve dhe mundimeve, ku ato më të mëdhatë burojnë prej paaftësisë së Edvinit dhe dështakëve të tij në qeveri për të ofruar punë apo rroga mbi kufijtë e mbijetesës. Shqipëria e 2016-ës është vendi i dytë më i varfër në Evropë, me statistika skandaloze ku shumica e popullsisë gëzon paga sa për të ngrysur muajin, ndërsa mijëra të tjerë enden rrugëve të pashpresë, e të braktisur prej kryeministrit të tyre, të cilit nuk i mjafton fakti që nuk e mbajti premtimin për 300 mijë vende të reja pune, por shkon e harton ligje për t’i goditur të varfëritë. Shqipëria sot ka në krye të saj një palokyreministër arrogant, që paaftësinë e tij e shndërron në ironi, me të cilën godet çdo shtresë të shoqërisë përveçse oligarkisë që ka ndërtuar rreth vetes dhe që i dorovit me tendera e me miliarda dollarë për t’i bërë të lumtur, ndërkohë që shqiptarët e thjeshtë herë flenë të ngopur e herë të pangopur. Ndaj çdo formë proteste apo kundërshtimi që i drejtohet kësaj qeverie të kalbur nga grupe të caktuar të shoqërisë, të cilat nuk duan t’i nënshtrohen censurës, papunësisë që vjen si alternativë nga establishmenti dhe aferave korruptive që shoqërojnë çdo hallkë dhe veprim të anëtarëve të këtij kabineti është legjitime.

Është legjitme që sot të ndalësh babëzinë e ministrave të Edi Ramës, t’i dalësh e t’i bësh ballë shtetit kriminel e kanabist, që barrën e mundimeve ia qëndis popullit si një kostum, i cili i peshon çdo brezi dhe është i mbushur me varfëri, papunësi dhe padrejtësi. Kështu pra edhe protestat e mësuesve të dëshpëruar, të cilët prej tre vitesh nuk arrijnë të marrin shpërblimin e fundvitit apo paga të tjera shtesë që ia lejon ligji, sepse ministria e tyre harxhon para për të lyer fasada e për të mbushur xhepat e vetë, janë më se të drejta në këtë vend ku intelektualët dhe administrata, pensionistët, punonjësit e sektorit shtetëror janë nëpërkëmbur për tre vite me radhë. Gjithashtu në emër të idealit të demokracisë që kërkon të ndiqet linja e shtetit të së drejtës dhe jo korrupsioni dhe pabarazisë përpara ligjit, edhe protesta e laborantëve, të cilët rrezikojnë të mbeten të papunë pas konçesionit të skemës së hajdutërisë Publik-Privat në shëndetësinë e marrë peng nga Ilir Beqja dhe Vilma Nushi, është më se legjitime dhe duhet të vazhdojë për t’i treguar Edvinit se qeveria e tij e stërmundimeve nuk mund t’i rëndojë më shqiptarëve dhe të devijojë rrugën e tyre për të arritur mirëqenien. / G55

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *