OPINIONE

MJEKËT E BURGOSUR NË SPAÇ

Shkruar nga Maks Rakipaj

Në Spaç është edhe një ambulancë, ku gjen një mjek dhe ndihmësin e tij. Është edhe një dentist, që kuron dhëmbët tanë të shkatërruar prej ujit acid të Spaçit. Kuron, të kuptohemi, është një mënyrë të shprehuri, sepse dentisti i shkretë ka vetëm pinca për të shkulur dhëmbë, për t’i mbushur dhëmbët as që flitet…”ja, presim të na vijë material nga Tirana”…dhe dhëmbi bëhet për t’u shkulur duke shkatërruar të gjithë gojën pak nga pak. Është edhe një mjek me profesion, por që punon minator në zonën e parë. E quajnë Jetulla, është kosovar. Ka dhënë dorëheqjen dy herë si mjek.

Herën e parë kur komanda zhvlerësonte raportet e tij si mjek ku ai rekomandonte që filan i dënuar të mos dalë në punë, duke i detyruar të dënuarit që edhe me temperaturë të dilnin në punë, Jetullahi u paraqit në komandë ku dha dorëheqjen si mjek…”unë jam mjek, ju nuk mund të më detyroni të bashkëpunoj me ju për t’i vrarë të burgosurit”….Filloi punë në minierë. Pas disa kohësh, meqë mjeku që ishte u liruar, në pritje deri sa të arrestohej ndonjë mjek tjetër, komanda u detyrua të emëronte sërish Jetullahin si mjek, por këtë radhë pa i vënë kushte. Për pak kohë…Sapo erdhi një mjek tjetër në Spaç, filluan përsëri presionet. Operativi i kërkoi bashkëpunim…”te ty kanë besim njerëzit dhe hapen me ty…nëse na ndihmon, do të lirohesh shumë shpejt, po nuk pranove, në minierë e ke vendin”. Të nesërmen mjeku rifilloi punën si puntor nëntoke. Peshonte pak a shumë 50 kg, eshtak,i qetë në të folur, i zbehtë në fytyrë. Por është burrë. Dhe burrat këtu respektohen. Është edhe T. Agolli, shefi i guzhinës, një gjigand, 150 kg, një artist cirku i njohur, por kur bie fjala për të të burgosurit thonë “150 kile mut”.

Sot në demokraci e kanë dekoruar. Kanë dekoruar edhe një artist tjetër, një muzikant, që dëshmoi me gjithë bashkëshorten ruse kundër artistit të madh, këngëtarit bas me përmasa botërore Lukë Kaçaj…Turpi që dekorohet?!!! Por le të vijmë te mjekët. Kur erdhi në kamp si mjek Isuf H.,më dërgoi për një grafi dhe skopi për mushkëritë (isha një javë me temperaturë të lartë) bashkë me 5-6 të burgosur të tjerë. Në autobuz nga Spaçi për në spitalin e Rrëshenit ishim 7 të burgosur të lidhur me pranga dhe 20 policë të armatosur. Mbërritëm në oborrin e spitalit. Gjysma e policëve zbritën. Një grup fëmijësh nga ana e djathtë e autobuzit filloi të thërriste duke na sharë…policët buzëqeshnin…..pastaj fëmijët (nga 10-12 vjeç) filluan të bërtisnin në kor “o ballistat në litar, o ballistat në litar”…policët u gajasën. Kur beftas, se nga doli një fëmijë më i rritur, nja 13-14 vjeç dhe filloi tu gjuante me shkelma dhe me grushta dhe duke i sharë rëndë fëmijët e tjerë, që nga frika u zhdukën. Fëmija më i rritur, që i përzuri, i skuqur dhe me sytë me lot, u kthye nga ne, u përkul dhe lëvizi pak buzët: -“na falni….”…Sytë i ndrinin nga lotët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *