SPORTI

HISTORIKU I KF “SHKËNDIJA”

THEMELIMI MË 1979

Ishte viti 1979 kur në Tetovë ngado që lëvizje dëgjohej lajmi që do themelohej një klub futbolli me emrin ‘Shkëndija’. Pra, një klub futbolli me emërtim në gjuhën shqipe i cili për emblemën dhe fanellën e tij do t’i kishte ngjyrat e flamurit kombëtar, ngjyrat kuqezi. Ideja për themelimin e klubit rrodhi nga intelektualë e sportdashës të guximshëm tetovarë dhe nga entuziazmi i rinisë së kësaj ane. Iniciativat e këtilla me taban kombëtar

Gjenerata e parë e ekipit të KF ”Shkëndija” – 1979 Nga e majta (sipër) Menan Memeti, Zarif Arifi, Nijazi Nuhiu, Rauf Ramadani, Gajur Luma, Ferit Luma, Pajazit Arifi, Qazim Halili, (poshtë) Hebib Shaqiri, Afrim Jonuzi, Iljaz Shahini, Faik Ademi, Shani Fetai, Namik Ramadani, Harun Ceka
Gjenerata e parë e ekipit të KF ”Shkëndija” – 1979
Nga e majta (sipër) Menan Memeti, Zarif Arifi, Nijazi Nuhiu, Rauf Ramadani, Gajur Luma, Ferit Luma, Pajazit Arifi, Qazim Halili,
(poshtë) Hebib Shaqiri, Afrim Jonuzi, Iljaz Shahini, Faik Ademi, Shani Fetai, Namik Ramadani, Harun Ceka

në këtë periudhë kohore ishin të vështira sepse regjimi jugosllav, jo vetëm që ishte diskriminues por kishte fobi ndaj çdo gjëje me elemente kombëtare shqiptare. Të rinjtë shqiptarë e prisnin me padurim themelimin e këtij klubi nëpërmjet të cilit ata do t’i tregonin e zhvillonin shkathtësitë e tyre në futboll dhe do të garonin në kompeticionet e ligave të vendit. Ndër të parët që e morën iniciativën e themelimit ishin Shinasi Karaxhenemi dhe Xhemaludin Abazi. Këta pastaj takohen me Mitat Eminin, i cili disa vite më parë nga fillimi i viteve të ’70-ta, e kishte regjistruar Shoqatën Sportive Shkëndija, në gjirin e së cilës tashmë ishin themeluar disa klube sportive, si Klubi i Volejbollit Shkëndija, Klubi i Karatesë Shkëndija, dhe këtyre tash po u bashkohej edhe Klubi i Futbollit Shkëndija. Karaxhenemi dhe Abazi së bashku me Eminin si kryetar i Shoqatës, shumë shpejt e zgjeruan rrethin e bashkëmendimtarëve dhe formuan këshillin që do të merrej me aktivitetet e mëtejshme. Përpjekjet e tyre këmbëngulëse rezultuan me sukses duke e anëtarësuar klubin në Lidhjen Komunale të Futbollit. Kështu, viti 1979 shënoi fillimin e funksionimit të KF Shkëndija. Drejtuesit e parë të KF Shkëndija ishin: Ismailaki Kuriu (kryetar), Ymer Reka (sekretar), Shinasi Karaxhenemi, Mustafa Mustafai, Mahmudnedim Mahmudi, Xhelal Zoti dhe Hajredin Hajredini (anëtarë kryesie). Emrat e lojtarëve që përbënin gjeneratën e parë të KF Shkëndija ishin: Genc Kuriu (kapiten), Nijazi Nuhiu (portier), Gajur Luma, Beqir Xhaferi, Rauf Ramadani, Naser Kuliku, Stojçe Ilievski (portier), Zarif Arifi, Iljaz Shahini, Pajazit Arifi, Shani Fetai, Afrim Jonuzi, Harun Ceka, Hebip Shaqiri, Menan Memeti, Zeni Arifi, Myrtezan Demiri, Besim Ibraimi, Qazim Halili (portier) ndërsa trajneri i parë ishte Xhemaludin Abazi dhe ndihmës-trajner, Abdyrezak Rustemi – Doda.  Të rinjtë tetovarë e kishin treguar prej vitesh talentin dhe prirjet e tyre jo vetëm për futboll por edhe për shumë disiplina tjera sportive. Që në përballjet e para në fushën e gjelbër, skuadra e Shkëndijës shkëlqente me lojën e bukur që zhvillonte e me rezultatet e larta. Për një kohë të shkurtër klubi arriti të krijojë një skuadër shumë cilësore, kompakte dhe me ambicje të zjarrta për suksese.

Në ndeshjen e parë zyrtare në Ligën Komunale KF Shkëndija luan me KF Kosmos nga fshati Podbredje, Tetovë. Ndeshja u zhvillua në terrenin ndihmës pranë stadiumit të vjetër të qytetit në praninë e rreth 2000 tifozëve, ky takim mbyllet me rezultat 4:0 për Shkëndijën. Autor i golit të parë dhe të dytë ishte Shani Fetai, golin e tretë e shënoi Pajazit Arifi dhe të katërtin, Namik Ramadani.

Skuadra e KF ”Shkëndija” në ndeshjen kundër KF “Kosmos” Nga e majta (sipër) Zarif Arifi, Nijazi Nuhiu, Iljaz Shahini, Gajur Luma, Afrim Jonuzi, Pajazit Arifi (poshtë) Namik Ramadani, Rauf Ramadani, Faik Ademi, Shani Fetai, Harun Ceka
Skuadra e KF ”Shkëndija” në ndeshjen kundër KF “Kosmos”
Nga e majta (sipër) Zarif Arifi, Nijazi Nuhiu, Iljaz Shahini, Gajur Luma, Afrim Jonuzi, Pajazit Arifi
(poshtë) Namik Ramadani, Rauf Ramadani, Faik Ademi, Shani Fetai, Harun Ceka

Kjo fitore e parë dhe e thellë ndaj Kosmos-it i gëzoi shumë tifozët e Shkëndijës dhe gjithë sportdashësit e kësaj ane ndërsa skuadrën e kuqezinjve e inkurajoi jashtëzakonisht shumë. Në periudhën kur Shkëndija po i luante ndeshjet e saj të para, është për tu nënvizuar ndeshja e parë miqësore që kuqezinjtë zhvilluan në Gjakovë me skuadrën gjakovare Vëllazërimi. Ndeshja solli shumë emocion dhe mbi të gjitha, ajo kaloi në atmosferë tejet vëllazërore dhe u mbyll me rezultat gjithashtu ‘vëllazëror’, 2:2. Në këtë periudhë klubi qëndronte mirë financiarisht. E ndihmonin vetë anëtarët e kryesisë si dhe afaristë e mërgimtarë të shumtë por edhe shitjet e biletave siguronin mjete të konsiderueshme financiare. Kjo e bëri të mundur që Shkëndija, fill pas themelimit, nga mjetet e grumbulluara financiare të ndante 12 bursa për talentët e rinj të futbollit. Për një kohë shumë të shkurtër, klubi mori një hov zhvillimi të paparë. Krahas zhvillimit të sportit dhe kalitjes fizike, këtu të rinjtë merrnin një edukatë të shëndoshë dhe në frymë kombëtare. Këtë shumë shpejt do ta vërente pushteti antishqiptar i kohës dhe ëndrrën e rinisë shqiptare, ashtu siç ekzistonte druajtja, e ndërpreu ndalesa për ushtrim aktiviteti që i erdhi në vitin 1981 nga regjimi shovinist jugosllav.

Suspendimi i Klubit (1981)

Përbërja e gjerë e ekipit të KF “Shkëndija” para ndeshjes Shkëndija – Kosova 0:3 (1992) Nga e majta (sipër) Rametullah Baftjari (anëtar kryesie), Xhelal Ahmedi (anëtar kryesie), Feim Ibraimi (anëtar kryesie), Abdyrezak Rustemi (trajner i portjerëve), Rexhep Qamili, Ymer Hasani (anëtar kryesie), Islam Ibraimi, Ibraim Osmani, Latif Sejfullai (anëtar kryesie), Mujdin Memedi, Habil Bexheti (kryetar) Abdyl Kuriu, Ejup Sulejmani, Enver Ramadani, Namikqemal Qahili (anëtar kryesie), Havzi Elezi (kapiten) (poshtë) Murat Ahmedi (anëtar kryesie), Kujtim Vela (anëtar kryesie), Hysein Kadriu, Sunaj Emini, Ismail Sulejmani, Asllan Ismaili, Faik Ademi, Lirim Saiti, xx, Muzafer Livoreka (trajner i grupmoshave të reja) Nexhbedin Sinani (trajner)
Përbërja e gjerë e ekipit të KF “Shkëndija” para ndeshjes Shkëndija – Kosova 0:3 (1992)
Nga e majta (sipër) Rametullah Baftjari (anëtar kryesie), Xhelal Ahmedi (anëtar kryesie), Feim Ibraimi (anëtar kryesie), Abdyrezak Rustemi (trajner i portjerëve), Rexhep Qamili, Ymer Hasani (anëtar kryesie), Islam Ibraimi, Ibraim Osmani, Latif Sejfullai (anëtar kryesie), Mujdin Memedi, Habil Bexheti (kryetar) Abdyl Kuriu, Ejup Sulejmani, Enver Ramadani, Namikqemal Qahili (anëtar kryesie), Havzi Elezi (kapiten)
(poshtë) Murat Ahmedi (anëtar kryesie), Kujtim Vela (anëtar kryesie), Hysein Kadriu, Sunaj Emini, Ismail Sulejmani, Asllan Ismaili, Faik Ademi, Lirim Saiti, xx, Muzafer Livoreka (trajner i grupmoshave të reja) Nexhbedin Sinani (trajner)

Në Jugosllavinë socialiste, sado që proklamohej ‘vëllazërim bashkimi’ dhe barazia mes kombeve, këtu shqiptarët ishin qytetarë ‘të rendit të dytë’ duke qenë të diskriminuar, të persekutuar e nën represion permanent sistematik. Në këtë sens, Klubin e Futbollit Shkëndija, regjimi jugosllav i kohës përveç si klub sporti e shihte edhe si një shkëndijë që te rinia shqiptare do t’i ndizte dhe zhvillonte ndjenjat kombëtare. Fitoret e Shkëndijës në fushën e gjelbër dhe shtimi i tifozëve nga ndeshja në ndeshje përbënin një realitet shqetësues për pushtetin. Sipas strukturave të caktuara të pushtetit, tashmë duhej të nisin inskenimet e incidenteve për të cilat faji do t’i adresohej Shkëndijës, me qëllimin e fundit, shkatërrimin e klubit. Në kuadër të kësaj fushate kundër kuqezinjve, po e kujtojmë ndeshjen e vitit 1980 kur Shkëndija si lider në tabelë u ndesh me skuadrën ‘Çuka’ nga Vollkovia (fshat në rrethin e Tetovës, i banuar me maqedonas) për promovim në rang republikan. Pjesa e parë e këtij takimi që po zhvillohej në Vollkovi mbyllet me një gol të shënuar nga Shkëndija. Sapo nis pjesa e dytë e takimit shfaqet egërsia e tifozëve të ‘Çukës’ por edhe e futbollistëve të tyre ku për pasojë, nga një ndërhyrje e ashpër, vjen lëndimi i rëndë i lojtarit të Shkëndijës, Rauf Ramadani. Në rrethana të tensionuara ndeshja ndërpritet për mungesë kushtesh për lojë, por në fakt, ishte një tensionim i nxitur me të vetmin qëllim që të pengohet Shkëndija në ngjitjen e saj në rang më të lartë garimi.

Skuadra e KF “Shkëndija” para ndeshjes, Shkëndija – Teuta (Durrës) 2:1 Nga e majta (sipër) Ejup Sulejmani, Gajur Sadiki, Muhmed Neziri, Halit Dehari, Naim Selimi, Havzi Elezi (kapiten) (poshtë) Namik Ramadani, Lirim Saiti, Rexhep Qamili, Hysein Kadriu, Skender Jonuz
Skuadra e KF “Shkëndija” para ndeshjes, Shkëndija – Teuta (Durrës) 2:1
Nga e majta (sipër) Ejup Sulejmani, Gajur Sadiki, Muhmed Neziri, Halit Dehari, Naim Selimi, Havzi Elezi (kapiten)
(poshtë) Namik Ramadani, Lirim Saiti, Rexhep Qamili, Hysein Kadriu, Skender Jonuz

Gjithsesi viti 1981 e vështirësoi akoma më shumë situatën edhe për Shkëndijën. Ishte viti kur në viset shqiptare nën Jugosllavi shpërthyen demonstrata masive ku shqiptarët kërkuan të drejta dhe barazi me popujt tjerë të federatës jugosllave. Që nga ’81-shi e deri sa qe gjallë Jugosllavia, struktura të caktuara të pushtetit ushtruan fushatë të egër institucionale kundër shqiptarëve këtu. Me akuzën për nacionalizëm dhe irredentizëm, u dëbuan nga puna shumë shqiptarë të punësuar nëpër shkolla, fabrika, spitale e institucione të tjera shtetërore. Në vazhdën e këtij zullumi të paparë antishqiptar, u suspenduan shumë shoqëri kulturo-artistike dhe klube sportive në mesin e të cilëve u gjend edhe Klubi i Futbollit Shkëndija. Pra KF Shkëndija e mori ‘damkën’ e njërës nga vatrat nacionaliste ku të rinjtë shqiptarë edukoheshin në frymë kombëtare, në frymën e ngjyrave kuqezi.

Ringritja e Klubit (1992)

Shpërbërja e Jugosllavisë dhe fryma e demokracisë që i përshkoi këto anë

Skuadra e KF ”Shkëndija” në një nga ndeshjet e Ligës së Tretë Nga e majta (sipër) Enver Ramadani, Afet Jashari, Lirim Sahiti, Ibraim Osmani, Fadil Idrizi, Adnan Emurllai, (poshtë) Rexhep Qamili, Ibraim Luma, Albert Haxhija, Muhamet Neziri, Qatip Osmani
Skuadra e KF ”Shkëndija” në një nga ndeshjet e Ligës së Tretë
Nga e majta (sipër) Enver Ramadani, Afet Jashari, Lirim Sahiti, Ibraim Osmani, Fadil Idrizi, Adnan Emurllai, (poshtë) Rexhep Qamili, Ibraim Luma, Albert Haxhija, Muhamet Neziri, Qatip Osmani

solli pavarësimin e Maqedonisë nga Federata Jugosllave. Ndryshimet që erdhën në këto hapësira krijuan mundësi për ringjalljen e Shkëndijës për të ecur drejt ëndrrave të projektuesve të saj, për të ecur drejt rrugës së sukseseve e për t’ua kthyer dinjitetin sportdashësve që me ëndje i ndiqnin ndeshjet e Shkëndijës.

Ekipi i KF “Shkëndija” në ndeshjen kualifikuese për në Ligën e Dytë të Maqedonisë kundër KF ”Fortuna” Nga e majta (sipër) Kujtim Vela (trajner i portierëve), Albert Haxhija, Afet Jashari, Lirim Sahiti, Samet Zendeli, Fadil Idrizi, Bexhet Shehu (trajner), Jeton Nesimi, Enver Ramadani, Ibrahim Osmani, Abdurahim Thaçi (fiziotarepist) (poshtë) Ibrahim Luma, Adnan Emurllai, Qatip Osmani, Bekim Ameti, Hysein Kadriu, Rexhep Qamili, Muhamed Neziri, Afet Kurtishi, Naser Qafqani (mjek)
Ekipi i KF “Shkëndija” në ndeshjen kualifikuese për në Ligën e Dytë të Maqedonisë kundër KF ”Fortuna”. Nga e majta (sipër) Kujtim Vela (trajner i portierëve), Albert Haxhija, Afet Jashari, Lirim Sahiti, Samet Zendeli, Fadil Idrizi, Bexhet Shehu (trajner), Jeton Nesimi, Enver Ramadani, Ibrahim Osmani, Abdurahim Thaçi (fiziotarepist) (poshtë) Ibrahim Luma, Adnan Emurllai, Qatip Osmani, Bekim Ameti, Hysein Kadriu, Rexhep Qamili, Muhamed Neziri, Afet Kurtishi, Naser Qafqani (mjek) Shkëndija në vitin e parë të garimit fiton titullin e kampionit dhe siguron pjesëmarrje në Play-Off për plasman në Ligën e Tretë. Në ndeshjen e parë gjysmëfinale Shkëndija del fituese ndaj ekipit të Sllatinës, ndërsa në takimin e dytë (finale) dhe vendimtar pëson humbje nga Saraqina me rezultat 3:1. Në Play-Off trajner i ekipit ishte Aqim Memeti nën drejtimin e të cilit skuadra arriti të kualifikohet në Ligën e Tretë, ku pastaj do të vazhdonin sukseset.

Kështu, në vitin 1992 mblidhet këshilli iniciativ i drejtuar nga Miftar Ziberi dhe fillimisht rithemelojnë Klubin e Volejbollit dhe një javë më pas edhe Klubin e Futbollit Shkëndija. Kuvendi është mbajtur në çajtoren e Kabashit në Çarshi të Epërme në Tetovë ku të pranishëm ishin 12 anëtarë: Habil Bexheti, Ibrahim Kabashi, Irfan Xhelili, Rametulla Baftjari-Tushi, Latif Sejfullai, Kujtim Vela, Nexhbedin Sinani, Murat Ameti, Zeni Arifi, Nakil Abazi, Afrim Junuzi dhe Abdylrezak Rustemi. Nexhmedin Sinani merr detyrën e trajnerit, ndihmës i tij ishte Ismail Sulejmani ndërsa trajner i portierëve, Kujtim Vela.

Në këtë periudhë seancat stërvitore Shkëndija i realizonte te Qendra e Sporteve. Ndërsa në ndeshjen e parë të Ligës Komunale Shkëndija përballet me KF Reçica, ku me golin e shënuar nga Islam Ibraimi, e fiton me rezultat 1:0. Në këtë kohë Shkëndija zhvillon dhe ndeshjen miqësore me KF Teuta nga Durrësi. Këtë ndeshje Shkëndija e fiton me rezultat 2:0, me golat e shënuar nga Namik Ramadani dhe Gajur Sadiki.

Skuadra e KF “Shkëndija” në një ndeshje të Ligës së Dytë (1995) Nga e majta (sipër) Afet Kurtishi, Fadil Idrizi, Skender Jonuzi, Selajdin jerliu, Sheismail Munishi, Jeton Nesimi, Samet Zendeli (portjer) (poshtë) Vladimir Tafani, Nebi Mustafi, Halim Hodai, Qatip Osmani, Ibraim Luma (C)
Skuadra e KF “Shkëndija” në një ndeshje të Ligës së Dytë (1995)
Nga e majta (sipër) Afet Kurtishi, Fadil Idrizi, Skender Jonuzi, Selajdin jerliu, Sheismail Munishi, Jeton Nesimi, Samet Zendeli (portjer)
(poshtë) Vladimir Tafani, Nebi Mustafi, Halim Hodai, Qatip Osmani, Ibraim Luma (C)

Paraqitjet e mira u bartën edhe në këtë kategori dhe në fund të sezonit ekipi ‘kuqezi’ shënon suksesin e radhës duke u ngjitur në Ligën e Dytë të Maqedonisë, Grupi-Perëndim.

Njëra nga ndeshjet për t’u shënuar në historikun e klubit është ajo me KF Fortuna e lagjes Hasanbeg, Shkup. Në këtë ndeshje të luajtur në vitin 1994 kuqezinjtë fitojnë me rezultat 5:1 dhe e sigurojnë kualifikimin në Ligën e Dytë. Krahas lojës dhe rezultatit të mirë, kjo ndeshje do të mbahet mend edhe për numrin rekord të tifozëve të pranishëm në stadium. Sipas llogaritjeve aproksimative shifra është rreth 17 000 dhe sa për krahasim, në të njëjtën ditë në Shkup përfaqësuesja e Maqedonisë është përballur me përfaqësuesen e Ukrainës ku të pranishëm në tribuna kanë qenë rreth 7 000 tifozë.

 

Ngritja në Ligën e Parë (1995)

Kalimi i KF Shkëndija në Ligën e Dytë solli në klub nivel më të lartë organizimi si dhe mobilizim të përgjithshëm për sfidat e reja që do të vinin. Vetë niveli i kompeticionit në këtë Ligë e imponoi një gjë të tillë ndërsa në këto rrethana, Shkëndija u gjend në mënyrën më të mirë të mundshme. Në këtë periudhë Shkëndija bën kthesë cilësore duke sjellë në radhët e veta një numër lojtarësh që kishin bërë emër në trevat tona e më gjerë si dhe trajnerin e njohur kosovar Hysni Maxhuni. Vetë kalibri i stafit dhe lojtarëve imponoi organizim akoma më të përsosur edhe te menaxhmenti i Klubit.

Ekipi i KF ”Shkëndija” që për herë të parë e promovoi klubin në Ligën e Parë të Maqedonisë Nga e majta (sipër) Ajet Shosholli (trajner), Zeqir Zeqiri, Elez Xheladini, Rexhep Veliu, Ibrahim Osmani, Skender Jonuzi, Sheismail Munishi, Ismail Sulejmani (nd.trajner) (në mes) Muharem Dosti , Ekrem Skenderi, Biroll Topçiu, Gajur Sadiku, Bashkim Sopi, Shpëtim Hajdari, Besim Opre, Samet Zejneli (ulur) Besar Ibrahimi, Rexhep Qamili, Halim Hodai, Qatip Osmani, Abdylhadi Vejseli (kryetar), Erxhan Menga, Refik Arifi, Rezeart Cami, Nebi Mustafi
Ekipi i KF ”Shkëndija” që për herë të parë e promovoi klubin në Ligën e Parë të Maqedonisë. Nga e majta (sipër) Ajet Shosholli (trajner), Zeqir Zeqiri, Elez Xheladini, Rexhep Veliu, Ibrahim Osmani, Skender Jonuzi, Sheismail Munishi, Ismail Sulejmani (nd.trajner) (në mes) Muharem Dosti , Ekrem Skenderi, Biroll Topçiu, Gajur Sadiku, Bashkim Sopi, Shpëtim Hajdari, Besim Opre, Samet Zejneli
(ulur) Besar Ibrahimi, Rexhep Qamili, Halim Hodai, Qatip Osmani, Abdylhadi Vejseli (kryetar), Erxhan Menga, Refik Arifi, Rezeart Cami, Nebi Mustafi

Shkëndija e këtij niveli ia bëri me dije të gjithë opinionit sportdashës në vend dhe më gjerë se ambicjet e klubit ishin mjaft të larta dhe se synohej Liga e Parë e Maqedonisë, ku objektivisht Shkëndija e kishte vendin.

Në sezonin e parë të garimit në Ligën e Dytë, Shkëndija për pak nuk arriti të ngjitej në Ligën e Parë. Mbyllja e stinorit e ndali në pozitën e tretë në renditje por kjo nuk e demoralizoi skuadrën, përkundrazi e bëri ekipin më të përkushtuar e më të vendosur. Me vullnetin dhe angazhimin e madh të të gjitha strukturave të klubit, në sezonin e ardhshëm 1994/1995 Shkëndija bindshëm e fiton vendin e parë në Ligën e Dytë dhe me këtë sukses e siguron promovimin historik, ngjitjen në Ligën e Parë të vendit.

Në këtë periudhë kryetar i klubit ishte Abdylhadi Veseli, trajner i ekipit Ajet Shosholli nga Kosova, ndërsa kapiten Ibrahim Osmani. Në këtë stinor, pra kur Shkëndija e fiton titullin e kampionit të Ligës së Dytë (grupi Perëndim), golashënues më i mirë i skuadrës ishte Qatip Osmani, ndërsa mes tjerash në kujtesë mbeten ndeshjet me Teteksin (fitore 2:0 me golat e Qatip Osmanit) dhe ajo me Shkëndijën e Haraqinës (fitore 1:0), kur stadiumi ishte përplot me spektatorë. Ndeshja e parë e Shkëndijës në elitën e futbollit të Maqedonisë u zhvillua më 18 gusht të vitit 1996 në stadiumin e qytetit në Tetovë kundër skuadrës Bellasica nga Strumica. Këtë ndeshje Shkëndija e fitoi me rezultat 1:0 me golin e shënuar në minutën e 48-të nga Ixhet Jusufi, autor i golit të parë të Shkëndijës në Ligën e Parë.

Takimi i radhës me Bregallnicën në Shtip Shkëndijës i solli disfatë prej 3:0, ndërsa në xhiron e tretë në Tetovë, Ibrahim Osmani dhe Skender Jonuzi shënuan për fitoren 2:0 kundër skuadrës Sasa nga Makedonska Kamenica.

Moment nga ndeshja Shkëndija-Bellasica (Tetovë – 18 gusht, 1996)
Moment nga ndeshja Shkëndija-Bellasica (Tetovë – 18 gusht, 1996)

Me këtë grup shumë të mirë lojtarësh Shkëndija edhe në xhiron e katërt e mbajti ritmin pozitiv kur në Tetovë e mposhti Slloga Jugomagnatin (tash KF Shkupi) me rezultat 2:0, golat i shënuan Qatip Osmani dhe Skender Jonuzi. Ndeshja e 15 tetorit me Tikveshin në Shtip solli sinjalet e para për skenare kundër Shkëndijës. Në këtë ndeshje Shkëndijës iu imponua humbja 1:0 me një gol të paqenë, pra me një gol të cilin e kishin parë vetëm arbitrat. Në të vërtetë, topi kalon pranë portës ndërsa arbitrat me pretendimin se rrjeta kishte qenë e shqyer, golin e quajnë të rregullt. Kjo ndodhi në xhiron e pestë, ndërsa në të gjashtën do të vinte humbja e parë në Tetovë me rezulatat 1:4 nga kampioni dhe dominuesi i atëhershëm i kampionatit, Sileksi. Në xhiron e shtatë Shkëndija duke barazuar pa gola me Pelisterin në Manastir rrëmbeu pikën e parë nga një ndeshje si mysafire. Skuadra vazhdoi me ecurinë pozitive duke qenë një rival i vështirë për t’u mundur në Tetovë dhe fundi i pjesës vjeshtore të stinorit e gjeti në pozitën e shtatë në mesin e 16 skuadrave garuese.

Me fillimin e pjesës pranverore të stinorit, Shkëndija ndeshjen e parë e humb me rezulatat 3:0 nga Bellasica në Strumicë, ndërsa xhiroja e dytë kur Shkëndija takohet me Bregallnicën në Tetovë shënoi fillimin e rënies së kuqezinjve. Në këtë ndeshje edhe arbitrat ‘luajnë’ për Bregallnicën dhe në këtë mënyrë Shkëndijës ia bëjnë të pamundur fitoren. Duke qenë tej mase të provokuar e të indinjuar, disa nga lojtarët kuqezinj i sulmojnë arbitrat fizikisht. Pas kësaj ngjarje, për Shkëndijën vijnë ndëshkimet rekorde nga Komisioni i Disiplinës pranë Lidhjes së Futbollit të Maqedonisë. Masat ndëshkuese ishin, dhjetë ndeshjet vijuese të zhvillohen 100 km larg Tetovës si dhe pezullim-aktiviteti dy vjeçar për trajnerin Ajet Shosholli dhe futbollistët Ibrahim Osmani, Skender Jonuzi, Muharem Dosti dhe Halim Hodai. Ndërsa gjoba për klubin ishte rreth 100.000,oo DEM (marka gjermane) në llogari të LFM-së. Kjo situatë do të rezultonte e pakalueshme për klubin, dhe megjithë rezistencën që bëri deri në xhiron e fundit, Shkëndija e humbi statusin në Ligën e Parë. Situata në klub u bë e papërballueshme edhe për sponsorin Abdylhadi Veseli i cili u tërhoq nga klubi ndërsa presidencën e mori Rexhep Bexheti por që nuk arriti ta shmang më të keqen. Në xhiron e fundit Shkëndijës i duhej fitorja për ta siguruar mbetjen në ligë dhe ky ishte takimi me Vardarin në Strugë. Fatkeqësisht rezultati doli barazim 1:1, pra që rezultoi me rënie në kategorinë e dytë, vetëm pas një vit garimi në Ligën e Parë.

Rikthimet në Ligën e Parë (2000, 2004)

Skuadra e KF ”Shkëndija” në ndeshjen kampionale kundër KF ”Sasa” – Liga e Parë e Maqedonisë Nga e majta (sipër) Muharem Dosti, Nadi Ibraimi, Enver Idrizi (mysafir), Enver Sulejmani, Isak Sulejmani, Namik Ramadani, Sheismail Munishi, Nebi Mustafi, Abdyladi Vejseli (president), Salajdin Jerliu, Ibraim Osmani, Samet Zendeli, Ajet Shosholli (trajner), Miftar Ziberi, Abdylmenaf Bexheti, Adnan Idrizi (poshtë) Besim Opre, Qatip Osmani, Byroll Topçiu, Refik Arifi, Skender Jonuzi, Besart Ibraimi, Halim Hodai dhe Ismail Suljemani
Skuadra e KF ”Shkëndija” në ndeshjen kampionale kundër KF ”Sasa” – Liga e Parë e Maqedonisë
Nga e majta (sipër) Muharem Dosti, Nadi Ibraimi, Enver Idrizi (mysafir), Enver Sulejmani, Isak Sulejmani, Namik Ramadani, Sheismail Munishi, Nebi Mustafi, Abdyladi Vejseli (president), Salajdin Jerliu, Ibraim Osmani, Samet Zendeli, Ajet Shosholli (trajner), Miftar Ziberi, Abdylmenaf Bexheti, Adnan Idrizi
(poshtë) Besim Opre, Qatip Osmani, Byroll Topçiu, Refik Arifi, Skender Jonuzi, Besart Ibraimi, Halim Hodai dhe Ismail Suljemani

Shkëndijën, pas oscilimesh 2-3 vjeçare në ligën e dytë, fundi i stinorit 1999/2000 e gjen në kreun e tabelës së kësaj lige dhe skuadra sërish promovohet në elitën e futbollit vendor. Edhe kësaj radhe, si me performansë ashtu dhe me rezultate, Shkëndija po avansonte shumë mirë, por për shkak të konfliktit të 2001-shit, në këtë stinor ndryshuan gjërat. Këto rrethana, konflikti i armatosur dhe situata e tensionuar politike bënë që në sezonin garues 2001/2002 Shkëndija të mbetej jasht kompeticionit. Sezoni 2002/2003 skuadrën kuqezi e gjeti sërish në telashe. Federata e Futbollit e Maqedonisë kërkoi që Shkëndija të kthehej prapa për të ristartuar nga Liga Komunale por kjo kërkesë u hodh poshtë falë reagimit të UEFA-s dhe Shkëndija u kthye vetëm në Ligën e Dytë. Stinorin 2003/2004 skuadra e mbyll duke u renditur e dyta në tabelë dhe kjo ia mundëson Shkëndijës ngjitjen e tretë në Ligën e Parë ku qëndroi dy stinorë radhazi.

Ngritja graduale dhe sukseset e skuadrës bënë që në pranverën e vitit 2006 Shkëndija për herë të parë të kualifikohej për finalen e Kupës së Maqedonisë ku do ndeshej me Makedonija Gj.P.

Për fatin e keq të Shkëndijës kjo ndeshje përfundon me rezultat 3:2 për skuadrën kundërshtare.

Në sezonin 2006/2007 Shkëndija, me një skuadër mjaft modeste dhe të shëndoshë, e siguroi mbetjen në Ligën e Parë edhe në kampionatin vijues.

Pas kësaj periudhe Shkëndija sërish u gjend në krizë të thellë financiare, u larguan disa nga futbollistët dhe si rrjedhojë erdhi rënia në Ligën e Dytë në v. 2008.

Periudha 2008 – 2010

Pas 30 vjet përpëlitjesh, e gjendur sërish në mëshirën e fatit, pa financa e pa sponsor, Shkëndija përsëri do të gjejë mbështetjen e tetovarëve të cilët nuk e shikonin dot skuadrën e zemrës të mbetej e vetmuar. Kësaj radhe ishin mërgimtarët tanë ata që e riorganizuan dhe e stabilizuan ekipin financiarisht. Messi Group ishte kompania sponsoruese dhe nën drejtimin e bashkëkombasve tanë skuadra mori kthesën drejt sukseseve që s’i kishte parë ndonjëherë më parë. Në stinorin 2008/2009, duke u radhitur e treta në tabelë, Shkëndija nuk arriti të ngjitej në Ligën e Parë por në stinorin vijues 2009/2010 në mënyrë bindëse shpallet kampione e Ligës së Dytë dhe për herë të katërt promovohet në Ligën e Parë. Dhe kësaj here Shkëndija u shfaq me një fuqi të jashtëzakonshme që la gjurmë në historinë e klubit e të futbollit në Maqedoni.

Shkëndija fiton kampionatin (2010/2011) 

Me një forcë të paparë gjer më tani, në këtë stinor Shkëndija arriti ta fitojë Kampionatin e Ligës së Parë të Maqedonisë madje duke shënuar 16 fitore radhazi e duke mos patur asnjë humbje në pjesën pranverore.

Kjo do të jetë një ëndërr e bërë realitet për të gjithë tifozët dhe dashamirët e Shkëndijës. Ndeshja e fundit e këtij kampionati ishte ajo përballë Metalurgut ku Shkëndija, duke mos patur nevojë për pikë, bëri spektakël të papërshkrueshëm. Mbi 16 000 spektatorë të pranishëm në tribuna, atmosferë e jashtëzakonshme, koreografi e paparë dhe gjithçka rreth e rrotull e bënë 28 Majin e vitit 2011 të paharrueshëm për të gjithë ata që e duan sportin dhe Shkëndijën. Festa vazhdoi me orë të tëra edhe në sheshin e qytetit me një program të pasur artistik e me fishekzjarre.

Kryetar i klubit në këtë periudhë ishte Nuriman Shaqiri, Shef i stafit teknik – Qatip Osmani, ndihmëstrajner – Erhan Selimi, trajner i portierëve – Enver Ramadani, kapiten skuadre – Nebi Mustafi. Ndërsa, lojtarët e gjeneratës së Shkëndijës që e arritën këtë sukses historik ishin: Suat Zendeli, Adis Velii, Burim Guxhufi, Mexhit Neziri, Ilir Elmazovski, Xhelil Abdulla, Vladimir Nikitoviq, Sedat Berisha, Nebi Mustafi (c), Ardian Nuhiu, Ardian Cuculi, Izair Emini, Kemal Alomeroviq, Ferhan Hasani, Muhamed Useini, Ersen Sali, Valmir Nafiu, Marjan Mickov, Elmedin Rexhepi, Marian Bilbilovski, Bllagojçe Gllavevski, Jasir Selmani dhe Nasir Azizi.

Shkëndija fiton Superkupën e Maqedonisë (2011)

Pas shpalljes kampion, Shkëndijën e pritën edhe suksese tjera. Shkëndija do të mbahet mend edhe si fituesja e parë e trofeut të Superkupës së Maqedonisë, pasi si kampione e vendit me rezultat 2:1 e mundi fituesin e Kupës, Metalurgun. Ky ishte edicioni i parë i Superkupës i organizuar nga Federata e Futbollit të Maqedonisë. Nebi Mustafi nga penaltia dhe Ersen Sali ishin autorët e golave që Shkëndijës ia sollën trofeun e Superkupës.

Shkëndija debuton në Kupat Europiane-Liga e Kampionëve (2011)

Fitimi i kampionatit ia solli Shkëndijës kualifikimin e parë në kupat Europiane. Debutimi ndodhi në eliminatoret e Ligës së Kampionëve ku ‘kuqezinjtë’ shorti i vuri përballë Partizanit të Beogradit. Ndeshja e parë në Beograd solli një Shkëndijë dinjitoze por sidoqoftë, duke qenë përballë një skuadre me traditë dhe përvojë të gjatë ndërkombëtare, ndeshja u mbyll me rezultat 4:0 për Partizanin. Në takimin e kthimit në Shkup sërish Shkëndija tregon nivel të lartë loje por nuk arriti ta fitojë takimin. Kjo ndeshje u mbyll me një gol të shënuar nga Partizani dhe me rezultatin e përgjithshëm 5:0, eliminohen ‘kuqezinjtë’.

Stinori 2011/2012

Përkundër gjendjes jo të mirë financiare në stinorin 2011/2012 për Shkëndijën gjërat nuk shkuan keq. Fundi i kampionatit Shkëndijën e gjen të renditur në pozitën e tretë në tabelë. Kjo pozitë Shkëndijës ia siguroi daljen në Kupat Europiane, kësaj radhe në Liga Europa. Fati u tregua i mirë me Shkëndijën pasi shorti e nxori përballë një skuadre jo të fuqishme, pra përballë skuadrës gjysmë-profesionale Portadown nga Irlanda e Veriut. Kjo solli në klub kurajë e shpresë për ta kaluar një xhiro në Europë, pasiqë fitorja do të ishte një arritje e shënuar për Shkëndijën por edhe një impuls financiar shumë i nevojshëm për klubin. Megjithëkëtë, Shkëndija fatkeqësisht nuk arriti të fitojë, ndeshja e parë me Portadown në stadiumin e qytetit në Kumanovë u mbyll pa gola, ndërsa ndeshja e kthimit, e zhvilluar në Irlandën e Veriut, përfundoi 2:1 për skuadrën vendase.

Nga ndeshja me Portadown në Irlandën e Veriut, ngjarja pozitive për tu mbajtur mend është që Shkëndija e regjistroi shënimin e golit të parë në Europë, autor i të cilit ishte Ardian Cuculi. Me këtë rezultat Shkëndija u eliminua nga gara dhe ky eliminim la të kuptohej se klubi po futet në krizë akoma më të thellë financiare.

Shkëndija rrëmben trofeun në Kupën “Pavarësia” – Vlorë, 2012

Në përvjetorin jubilar, në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, po mbahej edicioni i katërt me radhë i turneut tradicional mbarëkombëtar, Kupa ‘Pavarësia’. Ky Nëntor i vitit 2012 sjell në Vlorë shumë skuadra nga të gjitha trojet shqiptare. Pas shumë ndeshjeve që për dy javë skuadrat zhvilluan me njëra-tjetrën, ndeshjet e fundit ishin ato mes katër skuadrave që dolën më të mira, KF Flamurtari, KF Tirana, KF Prishtina dhe KF Shkëndija. Fillimisht Shkëndija mundi Tiranën me rezultatin 1-0, duke siguruar pjesëmarrjen në finale ku takohet me skuadrën e Prishtinës.

Takimi me Prishtinën mbyllet pa gola dhe vendimtare ishin goditjet nga pika e bardhë e njëmbëdhjetë metërshit që Shkëndijës së strategut Artim Shaqiri ia sollën trofeun e kësaj Kupe. Për nder të 100 vjetorit të Pavarësisë ky turne ishte organizuar në mënyrë të veçantë e spektakolare. Kapiteni Izair Emini ishte i pari nga skuadra e Shkëndijës që e ngriti lart kupën sapo ia dorëzoi atij, kreu i Federatë Shqiptare të Futbollit, Armando Duka.

Stinori 2012/2013

Që në fillim të kampionatit ndjehej kriza financiare por ishte karakteri, vullneti dhe përkushtimi i skuadrës që e mbanin lartë frymën triumfuese dhe nga ndeshja në ndeshje hynin guximshëm në fushën e gjelbër për të dalë fitues që aty. Përkundër vështirësive të shumta financiare e të tjera, këtë kampionat skuadra arriti ta mbyllë duke u radhitur në pozitën e gjashtë, ndërsa në garën e Kupës e eliminon Vardarin në gjysmëfinale dhe kualifikohet për ndeshjen finale me Teteksin, gjithashtu nga Tetova. Ishte data 22 maj 2013 kur në stadiumin e qytetit në Tetovë dolën përballë njëra-tjetrës dy skuadrat me rivalitet tradicional mes vete. Të rrethuar me tribunat përplot tifozë e sportdashës, që të dyja skuadrat po kërkonin me ngulm të fitojnë Kupën e Maqedonisë. Derisa po zhvillohej pjesa e parë e takimit, në minutin e 33-të arbitri ndërpret ndeshjen për shkak të fyerjeve në baza etnike. Zyrtarët e FFM-së vendosin që takimi të ndërpritet dhe të nesërmen vjen vendimi i tyre që ky takim do të mbahet me datë 26 maj në Shkup, por pa prani tifozësh në tribuna. Pas katër ditësh, këtë ndeshje Shkëndija e nisi shumë mirë dhe ndërkohë që avansonte 1 me 0 mbeti pa portierin Velii i cili u ndëshkua me karton të kuq. Në pjesën e dytë të takimit Teteksi e barazoi rezultatin dhe pasi koha shtesë nuk solli ndryshim, ishin gjuajtjet nga 11 metërshi të cilat me rezultat 6:5 e nxorën fitues Teteksin. Ky fat i keq i dëshpëroi dhe i goditi rëndë ‘kuqezinjtë’ duke u dhënë atyre shtytjen që i çoi buzë shkatërrimit.

Kështu, me shpresa të shuara për të gjetur shpëtim për klubin, lojtarë dhe anëtarë të stafit teknik, përkundër dëshirës së tyre, nisën të kalojnë në klube të tjerë ku e gjenin këtë mundësi. Ishte kjo një situatë tejet e pakëndshme që jepte alarmin se Shkëndija po rrezikohej të shpërbëhet e të mbetet përfundimisht jashtë kampionatit në sezonin vijues. Ky dëshpërim në mënyrë të veçantë i plagosi shpirtërisht tifozët e shumtë të Shkëndijës dhe sidomos grupimin ‘Ballistët’. Për klubin e tyre të zemrës këta të fundit nuk i kishin shuar të gjitha shpresat. Ata e dinin se në Tetovën e tyre ekziston gjiganti i përmasave ndërkombëtare i quajtur ‘Ecolog’ dhe se Lazim Destani nuk do ta linte Shkëndijën dhe dinjitetin e kësaj rinie të binte përtokë. Tifozët kërkuan nga Ecolog-u ta ndihmojë Shkëndijën për pagesën e kuotizacionit, shumën prej rreth 15 000 EUR (anëtarësia vjetore që klubet paguajnë në FFM), që ishte kusht për mbetjen e klubit në Ligën e Parë. Kjo ndihmë nuk u mungoi nga Ecolog por megjithatë, problemi financiar i klubit nuk kishte gjetur zgjidhje akoma. Në prag të stinorit vijues 2013/2014 klubi ishte me zero buxhet dhe me një borxh prej rreth 100.000,oo EUR. Prandaj, grupimi Ballistët që udhëhiqej nga kryetari Shkëlzen Meta në bashkëpunim me kryesinë e klubit që drejtohej nga Albion Osmani, duke mos parë rrugëdalje tjetër, sërish i kthyen sytë kah Lazim Destani por tashmë kërkojnë prej tij të bënte shumë më shumë për KF Shkëndija. Kështu Ballistët pa u hamendur e nisën fushatën e tyre, “Ecolog, Thuaj Po!”, ku nga Ecolog do të kërkohej sponsorimi dhe menaxhimi i KF Shkëndija.

Fushata “Ecolog, Thuaj Po!”

Të nxehtët e atyre ditëve verore aspak nuk i ndali tubimet dhe brohoritjet e ‘Ballistëve’ dhe tifozëve të cilët mblidheshin te sheshi i qytetit dhe nën shoqërimin e tupanave vinin përballë godinës së Ecologut për të brohoritur të gjithë së bashku, “Ecolog, Thuaj Po!”. Gjatë fushatës së tyre një mujore ata kërkonin nga Lazim Destani sponsorimin dhe menaxhimin e klubit, dy gjëra që tashmë ishin imperativ mbijetese dhe zhvillimi për klubin e ‘kuqezinjve’.

Kjo fushatë aq shpejt u përhap e bëri jehonë nëpër rrjetet sociale në internet e në media saqë nga mbarë bota vinin mesazhet me trinomin “Elolog, Thuaj Po!”. Në këtë fushatë, me mesazhet e tyre u përfshinë edhe yjet e futbollit europian si Lorik Cana, Xherdan Shaqiri e të tjerë. Mesazhe me këtë mbishkrim vinin nga çdo pikë e globit ku ndodhen tetovarët e bashkëvendasit tanë të cilët fare mirë e dinë se ç’kuptim kishte për ta “Shkëndija”. Dhe në fund të fundit edhe Lazim Destani është një tetovar i cili gjithashtu e kishte njohur prej kohësh shpirtin e Shkëndijës. Ai, gjithsesi i prekur nga jehona e klithjes së Ballistëve dhe gjithë atyre tifozëve të Shkëndijës të përfshirë në fushatë, me datë 31 korrik nën emocione dhe ndjenjë kënaqësie iu përgjigj kësaj kërkese me fjalët;

“Bashkëqytetarë, tifozë dhe Ballistë të nderuar,
Ne jemi të vetëdijshëm se Shkëndija është më shumë se një klub sporti, është pjesë e kulturës së qytetit tonë, është pjesë përbërëse e historisë dhe trashëgimisë sonë, jo vetëm në rajonin e Pollogut por gjithandej trojeve tona… E dashura rini, ju jeni krenaria jonë, pikërishit ju dhe e ardhmja juaj ishte motivi kryesor për t’i bërë kërkesës suaj një trajtim kaq serioz. Andaj përgjigjja ime është, ‘ECOLOG’ thotë, – PO, ‘SHKËNDIJA’.

Le ta shndërrojmë stadiumin e Tetovës në një qendër për Fair Play dhe Klubin e Futbollit Shkëndija ta bëjmë një klub shembull, me menaxhment profesional dhe me principe e rregulla sporti europiane. Rregullat nuk duhet të jenë vetëm fjalë të shkruara në letër, por mënyrë veprimi për çdo ditë dhe për çdo ndeshje, duke nisur nga sjellja e tifozëve, sjellja e zyrtarëve të klubit, respekti ndaj kundërshtarit, respekti ndaj arbitrave, dhe loja pozitive.”

Stinori 2013/2014
Kompania ‘Ecolog’ merr përsipër sponsorimin dhe menaxhimin e KF Shkëndija – verë 2013

Përgjigjja pozitive e Lazim Destanit u prit me gëzim të madh e me festë në qytetin e Tetovës e më gjerë. Shumë shpejt u zgjodh ekipi menaxhues i klubit dhe u formua skuadra. President u emërua Jetmir Bexheti, drejtor sportiv zvicerani Mathias Valter ndërsa menaxher i përgjithshëm Arbër Shaqiri.

Në këto kondita, me mbarimin e këtij sezoni, Shkëndija jo vetëm që arriti të mbetej në Ligën e Parë por edhe e siguroi kualifikimin për Kupat Europiane.

Shkëndija shënon fitoren e parë në Liga Europa (2014)

Daljen në Europë Shkëndija e siguroi në xhiron e fundit të stinorit, dhe ky ishte një sukses që skuadrës ia solli një autobus modern, prodhim gjerman i dizajnuar enkas për klube futbolli. Ishte kënaqësia e Lazim Destanit që t’ia bënte skuadrës një dhuratë surprizë sepse Shkëndija e meritoi këtë duke treguar vullnet dhe entuziazëm për të ecur drejt rrugës së sukseseve.

Data 1 korrik, 2014 do të mbahet mend për fitoren e parë të Shkëndijës në një ndeshje të Kupave Europiane. Kjo ndeshje u zhvillua në Shkup ku Shkëndija përballë skuadrës moldave Zimbru fitoi me rezultat 2:1, me golat e shënuar nga Bojan Vruçina dhe Ivan Mitrov.

Ndeshja e kthimit në Chisinau nuk ia solli Shkëndijës gëzimin e dëshiruar ku humbja prej 2:0 e eliminoi nga Liga Europa. Trajner i Shkëndijës në këtë periudhë ishte kroati Roy Ferençina.

Stinori 2014/2015

Tashmë me një skuadër cilësore dhe me menaxhment me përvojë njëvjeçare, Shkëndija po hyn në sezonin garues 2014/2015 me ambicje për titullin e kampionit dhe Kupën e Maqedonisë. Sadoqë në fillim të stinorit dukej se gjërat do të shkonin më së miri, nuk ndodhi kështu. Gjatë këtij stinori drejtuesit e klubit u detyruan të bëjnë disa ndryshime të cilat pastaj do ta merrnin haraçin e kohës së nevojshme për konsolidim. Lulzim Imeri u emërua kryetar, Nebi Musafi drejtor sportiv, ndërsa Ardian Kozniku shef i stafit teknik. Pasi kaluan disa muaj përpjekjesh në kampionat, sërish gjërat nuk ecnin mirë dhe kjo solli ndërrimin e trajnerit Kozniku. Roli i trajnerit iu besua ndihmës-trajnerit të deritashëm, Jeton Beqirit. Nën drejtimin e Beqirit skuadra pati një seri të gjatë fitoresh si dhe lojë të organizuar e të mirë. Në këtë periudhë Shkëndija dy herë e mposhti Vardarin, 3:2 në Kumanovë dhe 1:0 në Kërçovë.

Shkëndija sërish del në Europë (2015)

Mbarimi i stinorit 2014/2015 Shkëndijën e gjen në pozitën e tretë në tabelë dhe kjo i sjell dalje të re në Europë. Shorti skuadrën e vuri përballë ekipit skocez, Aberdeen. Ndaj ekipit skocez, kuqezinjtë, tashmë me trajnerin e ardhur rishtazi te Shkëndija, Shpëtim Duro, do të bënin paraqitje shumë dinjitoze. Edhe radhët e futbollistëve ishin forcuar me dy emra të njohur, Ferhan Hasani dhe Besart Ibraimi, të rikthyer te klubi i tyre. Ndeshja e parë në Shkup u mbyll me barazim 1:1 me golin e Hristijan Kirovskit.

Takimi i kthimit në Skoci solli paraqitje shumë të mirë të Shkëndijës duke dominuar në fushën e kundërshtarit por që fati nuk e deshi të vijë dhe goli. Ndeshja atje përfundon 0:0, dhe me këtë rezultat të barabartë në dukje, Shkëndija eliminohet për shkak të golit të pranuar në terrenin e vet.

Stinori 2015/2016

Fillimi i këtij stinori e gjen skuadrën më të konsoliduar e të përforcuar me disa lojtarë të rinj ndër të cilët edhe Ferhan Hasani i cili kishte lënë gjurmë me performansat e tij të shkëlqyera disa vite më parë te Shkëndija. Ndryshime ndodhën edhe te stafi teknik dhe te menaxhmenti i klubit. Në postin e drejtorit të përgjithshëm për departamentin e sportit vjen Ibrahim Ramadani ndërsa president i klubit emërohet Profesor Abdylmenaf Bexheti.

Të gjitha ndryshimet që erdhën në këtë stinor sollën frymë të re, stabilitet dhe ishin shumë premtuese që skuadra e Shkëndijës të synojë titullin e kampionit në Ligën e Parë të vendit si dhe trofeun e Kupës së Maqedonisë. Pjesa vjeshtore e kamponatit për Shkëndijën po shkonte mirë por në disa nga ndeshjet e fundit, niveli i performansës pësoi rënie dhe kjo situatë u bë shkak për ardhjen e kryetrajnerit të ri, Bruno Akrapoviq. Kryetrajneri i ri e nisi me Shkëndijën duke e drejtuar skuadrën gjatë përgatitjeve dimërore që u zhvilluan në Ohër dhe në Antalia.

Dhjetor 2015 – Shkëndija merr pjesë në ‘Globe Soccer Awards 2015′

Më 27 dhe 28 dhjetor 2015 u zhvillua edicioni i radhës i dhënies së çmimeve më të mirëve të botës, ‘Globe Soccer Awards 2015′. Kjo ngjarje e shënuar e futbollit botëror këtë vit mbahet në Dubai ku për të parën herë me përfaqësuesit e vet merr pjesë KF Shkëndija. Si çdo vit, edhe sivjet këtu morën çmime më të mirët e futbollit, lojtari më i mirë i vitit, agjenti më i mirë i lojtarëve, klubi, trajneri, referi, etj. Motivi kryesor për pjesëmarrjen e Shkëndijës në këtë event madhështor ishte përzgjedhja e agjentit tetovar Fali Ramadani në mesin e pesë agjentëve më të mirë në botë. Menaxheri i përgjithshëm sportiv i Shkëndijës Ibrahim Ramadani dhe Faton Zylbehari nga zyra për PR e patën kënaqësinë, që me prezencën e tyre në këtë ceremoni, ta sjellin Shkëndijën përkrah klubeve si Barcelona, Benfika, Juventus, Inter e kështu me radhë. Në saje të takimeve të shumta, ku u shkëmbyen përvoja me përfaqësues të klubeve më të njohur në botë, fanella e Shkëndijës si dhuratë nga KF Shkëndija arriti në duart e presidentit të Barcelonës Josep Maria Bartomeu.

Gjithashtu nga një fanellë kuqezi morën si dhuratë edhe agjentët më të mirë të vitit 2015 Jorge Mendes (i njohur si menaxher i Kristiano Ronaldos dhe Hose Murinjos), agjenti turk Amet Bullut si dhe Fali Ramadani i cili pranimin e kësaj dhurate e përjetoi me shumë emocion sepse vinte nga klubi i qytetit të tij të lindjes, klubin që ai e kishte dashur që nga ditët e themelimit dhe që vazhdon edhe sot të veprojë në përkrahje të tij.

Punimet në stadiumin e qytetit sjellin vështirësi për Shkëndijën

Sadoqë klubi ishte i organizuar më mirë se kurrë më parë, Shkëndija e nisi këtë kampionat pa e patur në dispozicion stadiumin e qytetit sepse tashmë këtu kishin nisur punimet për rindërtimin e tij. Në këto rrethana, Shkëndija edhe ndeshjet si nikoqir ishte e detyruar t’i zhvillojë jashtë qytetit të Tetovës aty ku e gjente mundësinë, në Shkup, Kumanovë, Gostivar, Kërçovë, Ohër, etj. Punimet në stadium, në fazën e parë kishin nisur me fushën e gjelbër për të vazhduar pastaj me pajisjet ndriçuese (projektorët) si dhe tribunat me gjithë ambietet tjera përcjellëse, dhomat e zhveshjes, dushet, tualetet e kështu me radhë. Sipas projektit, fusha e gjelbër ku punimet kishin filluar në pranverë duhej të ishte gati nga mesi i shtatorit 2015 në mënyrë që ndeshjet si nikoqir klubet tetovare t’i zhvillonin këtu. Por siç duket, procedurat byrokratike dhe menaxhimi i dobët i punimeve e bënë që edhe pranvera ta gjejë Shkëndijën duke bredhur qyteteve të vendit për ndeshjet e veta si nikoqir. Mungesa e stadiumit të qytetit gjatë këtij stinori gjithësesi e ka prekur Shkëndijën, madje jo vetëm nga ana financiare por edhe e ka nxjerrë në pozitë të pafavorshme përballë kundërshtarëve.

Shënim

Të nderuar lexues,

Ky historik i KF “Shkëndija” është postuar te faqja zyrtare e klubit dhe është shkruar mbi bazën e të dhënave që janë mbledhur brenda një kohë të caktuar e të limituar. Pra, ky tekst nuk e posedon formën definitive, prandaj kushdo prej jush që mund të japë kontribut me të dhëna relevante që i konsideron të rëndësishme, ju lutemi të kontaktoni KF “SHKËNDIJA” për ta bërë këtë historik sa më të plotë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *