OPINIONE

Dil Klement

Shkruan: Edison YPI

O Klement Balili, bela’ me ty o burr i dheut. Je tepër i vështirë për tu klasifikuar. S’ke asgjë të ligë në pamjen tënde. Më ngjan si dy dajot e m’i, Seferi dhe Xhaferri, të cilëve u ke marrë, të parit inteligjencën, tjetrit shpirtin e aventurës. Nuk ke asnjë nga ato shenjat që kanë në surrat kriminelat. Nuk dukesh si vrasës, si cub, si Robin Hud. Nuk dukesh madje as si keqbërës. Natyrisht që nuk dukesh as si Baba Teqeje apo Dervish. Je krejt i natyrshëm. Balli yt si livadh andej nga Buzi. Hunda jote si breg shkëmbor nga ato të Këlcyrës. Nofullat e tua si brigje anës Vjosës. Dukesh si çdo gjirokastrit, përmetar, lab, kolonjar, leskoviqar. Nga ata që unë i takoj anës udhës. Duke pirë ujë tek Çesma e Pacomitit pasi ka ngrënë byrek Kosine. Duke vajtur për të ngrënë Hashër për Sulltan Novruz tek Teqeja e Alipostivanit. Duke pirë kafe në Këlcyrë. Duke u drekosur me mish e pilaf te Uji i Ftohtë. Dukesh pra një shqiptar krejt normal.

Klement, ka dy lloj ngatrrestarësh në këtë botë.
Janë ata që të keqen e kanë në thua, në fis, në gjak, në qelizë. Ata që duke qënë të liq vetë, grumbullojnë ku janë e ku s’janë të tjerë të këqinj rreth vetes për të bërë sa më tepër prapësira. Këta çdo shoqëri i burgos. Ligjet dhe burgjet për këta janë shpikur. Që të dënohen të tillët dhe dënimin ta vuajnë kokërr më kokërr.

Lloji tjetër i ngatrrestarëve janë ata që përbrenda vetes nuk kanë asnjë të keqe, përbrenda janë qehlibar. Janë të fuqishëm të shëndetshëm, të papërtuar për çdolloj pune që të jetë nevoja. Pra janë ata që duan t’i jetojnë sa më intensivisht ditët që u ka falur Allahu. Këta, meqënse bien në sy si të fuqishëm, të besës, të vendosur, ngjallin besim, dhe populli i vë në krye. Një bari të tillë komuneti nuk e zgjedh me votë si bëhen, për shembull, zgjedhjet parlamentare. E zgjedh vetvetiu, gjatë një procesi njohje dhe verifikimi të dyanshëm që zgjat në kohë. Ka ndodhur dhe ndodh. Është dukuri e njohur. S’ka asgjë për tu çuditur që një komunitet problematik, ta zemë ai i kultivimit dhe trafikimit të hashashit, zgjedh të udhëhiqet nga një njeri i mirë. Nëse mardhënia zgjat, bariu dhe kopeja japin e marrin me njëritjetrin duke kërkuar që secili ta bëjë tjetrin si vetja. Bariu nis e bëhet i bagëtia, bagëtia përvetëson disa tipare të bariut. Besoj e more vesh se ku desha të dal. Ti je bariu i mirë që të ka zënë bishtin rrota e qerres së stanit që transporton bulmetin.

Në këto rrethana, ty Klement të përket të kuptosh disa gjëra. Të kuptosh dhe të bindesh se sa më tepër të rrish i fshehur, aq më tepër do t’i ngjash problematikut të llojit të parë, atij të ligut, atij të pandreqshmit që maçokun e ka brenda barkut. Nga ana tjetër, sa më parë të dorzohesh, pra sa më parë të bësh të ditur se nuk je një i lig i lindur por një i mirë fatkeq i rrethanave, aq më i lehtësuar do ndjehesh, aq më pak do dënohesh. Po ta them edhe tjetrën; Mos të duket hiç çudi nëse duke ndejtur i fshehur të hash ndonjë koqe plumbi nga s’e pandeh prej atyre që përmes vajtjes tënde n’hale t’gomerëve mbyllin hesapet e veta. Ndërsa po u dorzove do jetë krejt ndryshe, do jetë shumë më mirë. I pari që do të vizitoj në burg nuk do jenë ata familjarët budallenj që të telefonojnë në mes të natës për të të thënë se krushqit u nisën, por unë me një trastë me të gjitha të mirat, trahana të bërë vetë, fasulnik, dhallë. Nuk do rrish gjatë në burg. Do rrish derikur pas pak të bëhet e qartë se kanabisin nga Shqipëria nuk e shkulin dot as të gjitha ushtritë e botës.

Klement, dil q’aty ku je fshehur. Dil sa më shpejt. Me këto teknologjira që kanë këta, s’të shpëtojnë dot as telefonatat e kushurinjve me krushq që vijnë në mesnatë dhe asgjë tjetër. Mos i lodh kot policirat, interpolat, forcat speciale, mediat, prokurorirat, gjykatat. Ti s’je njeri i zakonshëm. Je shumë më tepër. Ti që po tund dhenë duke e vënë Shqipërinë në qëndër të vëmendjes botërore, je një fenomen i natyrës. Madje edhe më tepër. Je një vepër Arti.

Nuk është burrnore të rrish fshehur Klement. Dil. Dil, se s’ka polici që e lidh erën. S’ka ushtri që e ndal Vjosën. S’ka burg që e nxë Dhëmbelin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *