POLITIKA KOMBËTARE

PËR NJË PAKT MBARËKOMBËTAR

MESILA DODA (Fjalimi i mbajtur në parlament 15.12.2016)

Shqipëria ka qenë qysh në fillesat e saj në përpjekje me mëvetësinë. Etërit e Kombit përherë kanë qenë para një udhëkryqi, i cili vinte në dyshim ekzistencën e tij.

Qysh në frymën e parë e deri më sot shqiptaria është përherë në këtë dilemë; në atë të shpërbërjes ose në atë të lartësimit.
Në Kongresin e Manastirit pas fjalimit të Patër Fishtës, i cili pa asnjë dilemë zgjidhte alfabetin latin, një hoxhë është çuar dhe ka përqafuarpriftin. Sot, nuk e dimë cili ka më shumë meritë në këtë zgjedhje themelore të Kombit, prifti që mbajti atë fjalim tronditës, apo hoxha që kaloi mbi dallimet fetare dhe e sanksionoi me atë përqafim kahjen perëndimore të gjuhës shqipe, të shkrimit të saj. Burrat e asaj kohe, të cilët ende na bëjnë hije, nuk zgjodhën gërmat arabe, as ato cirilike apo greke, por zgjodhën latinin, Perëndimin.

Të njëjtën zgjedhje bën këta shtetformues ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Firmëtarët vinin nga të gjitha krahinat e pushtuara si nga Kosova, Çamëria, gegë e toskë dhe zgjodhën Republikën, zgjodhën Perëndimin.

Sa herë në historinë e kësaj toke forcat e errëta kanë fituar, këtë vend e ka pllakosur mjerimi, fatkeqësia, vëllavrasja. Komunistët zgjodhën Lindjen dhe ja ku jemi sot, të përçarë, në një sherr të vazhdueshëm, të ndarë më keq se kurrë si zogjtë e korbit. Kemi një Shqipëri që rrethohet nga shqiptarë, fqinj me Kosovën me dogana të ngrehura, në jug na pret Çamëria, të cilës po ja thamë emrin na mërziten ca grekofonë që i kanë gjyshërit me emra të pandryshuar në Mihal. Qëmtojmë me qetësi vrasëse se si shqiptarët e Malit të Zi zbrazin tokat e tyre dhe nuk pipëtijmë. Në Plavë e Guci shqiptarët po shkojnë në pakicë. Atje ku u vranë për shqiptari, gjuha shqipe flitet pak e më pak. Në Maqedoni fotokopja e keqe e jetës politike të Tiranës, detyroi që për herë të parë shqiptarët të humbin mandate, por edhe të votohet për LSDM-në sllave, sepse e drejta për flamur atje kufizohet në 30 centimetër.

Në Mitrovicë është ngritur një mur, ne sërish heshtim. Në Preshevë po riluhet tragjedia çame dhe ne sërish heshtim.
Jetojmë në një kohë, kur projekti i famshëm përbashkues i Europës po ngurtësohet, po dështon, kufiri sllavo-rus po na vjen tek dera dhe ne heshtim.
Sot, Shqipëria më shumë teknologjike, me një klasë politike plot hajna dhe banditë, duhet të rimarrë në shqyrtim mëvetësinë e saj. Sërish si Etërit Themelues të dikurshëm kemi të njëjtin udhëkryq; Lindjen apo Perëndimin? Duhet ta bëjmë këtë zgjedhje në kushte tejet të vështira, teksa Europa e Bashkuar nuk ka dëshirë të çelë dyer, teksa po ringjallen aleancat e vjetra. Në rajon janë shtuar qeveritë dhe shtetet që po u pëlqejnë traktatet apo konferencave të paqes të fillimit të shekullit XX. Edhe atëherë ishim të përçarë dhe shkonim nëpër kancelari me një, dy, tre dërgata. Kështu bëjmë dhe sot. Atëherë gjeti vend një i marrë që nisi lëvizjen “Dum babën!”, sot kriminalizimi i tejskajshëm, korrupsioni, retorika antishqiptare, aleancat fluide kanë rithemeluar të njëjtën lëvizje haxhiqamiliste.

Më shumë se kurrë, nëse kërkojmë të mbrojmë mëvetësinë, duhet të rikonceptojmë Çështjen Shqiptare. Kemi nevojë për një Pakt të ri Kombëtar.
Integrimi ynë në Europë ka të bëjë me ekzistencën e pavarësisë. Nuk ka vend për euroskeptikë në Shqipëri, ndërsa sllavët dhe lindorët po trokasin kudo ku kemi sinore.

Por, vetëm ky alarm nuk na bën europianë. Europa e burokratëve e ka të vështirë ta pranojë djalin plangprishës me kaq shumë vese sa tregojmë ne. Thonë që duhet të vrasim disa nga këto vese. Kanë të drejtë, sepse edhe atje çatia fut ujë. Nuk mund të vazhdohet që në darkë e lëmë trafikun të na kalojë nën hundë dhe në mëngjes të bëjmë deklarata shtypi. Nuk ka përse të presim nga ambasadorët të na kërkojnë llogari përse janë banditët jashtë, sepse ata duhet të jenë brenda në radhë të parë për fëmijët që po rriten këtu.
Pika e parë e paktit duhet të jetë: Të prishet aleanca politike me krimin.
Loja e kungulleshkave me reformën në drejtësi duhet të mbarojë sot, këtu, tani. Nuk ka asnjë shqiptar që nuk e kupton që zvarritja sa në Gjykatën Kushtetuese, sa në Komisionin e Venecias dhe sërish në Gjykatën Kushtetuese, është thjeshtë një lojë e të gjithë forcave politike në dëm të shumicës së qytetarëve. Vetingun nuk e bëjmë as për Donald Lu, as për Romana Vllahutin, sepse ata dikur do shkojnë në shtëpinë e tyre. E bëjmë sërish për fëmijët që rriten këtu.

Pika e dytë e paktit duhet të jetë: Reforma në drejtësi pa kushte.
Kështu të ndarë, veç e veç në shtete të ndryshme shpërbërja është e lehtë. Muri i Mitrovicës e rrëfen më së miri, ndaj atë legjendën e Skënderbeut me thuprat nuk ka nevojë ta tregojmë si rrëfenjë në shkolla. Eskursion duhet të bëjmë në Murin e Mitrovicës për të kuptuar që ka nisur shpërbërja. Po bie mëvetësia, teksa ju merreni me sherrnajën tuaj si gjelat në kotec.

Pika e tretë e paktit duhet të jetë: Bashkimi Kombëtar.
Por, bashkimi nuk bëhet me fjalime në Kuvend, analiza në shtyp, polemika në studio apo fitore të Kombëtares. Bashkimi ka të bëj pikësëpari me ekonominë.

Në Samitin e Diasporës Shpëtim Idrizi kërkoi që simbolikisht Diaspora të shpallet zonë e lirë ekonomike. Duhet të heqim barrën fiskale për investimet e shqiptarëve në Shqipëri. Duhet të heqim barrat doganore pikësëpari me Kosovën, të hartojmë një strategji ekonomike ku të përfshijmë shqiptarët e Çamërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, shtetin e Kosovës, Diasporën.

Ta nisim fillimisht me lekun që duhet të jetë monedhë e të gjithë kombit. Të unifikojmë sistemet doganore dhe tatimore me Kosovën. Si fillim, ta kthejmë tregun e Shqipërisë dhe tregun e Kosovës si një autostradë me dy kalime për qarkullimin e mallrave. Porte, rrugë, hekurudha duhen vënë në dispozicion. Të hiqet taksa e Rrugës së Kombit.

Pika e katërt e paktit duhet të jetë: Bashkim dhe prosperitet ekonomik.
Në Maqedoninë e sotme, Marrëveshja e Ohrit nuk pi më ujë. Abetarja atje nuk ekziston e kanë vrarë sllavët, të cilëve u dhamë pushtet dhe aleanca. Në Malin e Zi situata është e ngjashme, në Çamëri as që bëhet fjalë për shkolla shqipe.

Pika e pestë e paktit duhet të jetë: Arsim i unifikuar kudo, ku ka shqiptarë në rajon, Europë dhe gjetkë.
Akademikët nuk mund të merren më me zell se kush e vrau Mehmet Shehun, por të merren me historinë, etnografinë, gjuhësinë, folklorin, arkeologjinë, shkencat në përgjithësi. Qeveria nuk mund të rrudhë më dorën për të investuar në mendjen e Kombit. Duhen bërë botime, publikime, simpoziume, kërkime shkencore, vepra arti, sepse me analfabetë që ka edhe këtu në këtë sallë nuk ulesh dot në një tryezë dialogu, jo më të zgjidhësh Çështjen Kombëtare.

Pika e pestë e paktit duhet të jetë: Të lartësohet Miti i shqiptarit nga lashtësia dhe deri më sot.

Zonja dhe zotërinj,
Sot, po flas për një Marrëveshje Kombëtare, sepse rrezikojmë pavarësinë, rrezikojmë shpërbërjen. Duhet të zgjedhim Perëndimin, duhet të zgjedhim integrimin. Askush nuk duhet të gëzohet përse ka ende shkopinj në rrota, sepse ca nuk na duan, pasi nuk kemi ç’u afrojmë veç veseve. Ca shkopinj i fusim vetë duke rënduar njëri-tjetrin në institucionet europiane, njësoj si dërgatat e dikurshme në konferencat e paqes.
Europa për ne është oksigjen, përndryshe të presim dyndjet sllave në veri dhe nacionalistët e sëmurë në jug. Integrimi për ne do të thotë ekzistencë. Ndaj prioritetet duhet t’i plotësojmë, vetingu duhet të funksionojë, kriminelët duhet të jenë pas hekurave, fushat me hashash duhet t’i mbjellim me domate e speca. Përndryshe, pas pak kohësh shefat tanë do kenë mbiemra që mbarojnë me “viç” apo emra psikopatësh politikë si ata të “Agimit të Artë”. Kush gëzon sot, sepse Shqipëria ka ngecur në procesin e integrimit është veç tradhëtor që fatin e ka të përcaktuar fort mirë në vargjet e Himnit Kombëtar.

Ky Kuvend duhet të ketë veç një prioritet; Integrimin. Çdo ligj, çdo debat, çdo reformë duhet të jetë vetëm në këtë funksion; Integrimin.
Vetëm nëpërmjet integrimit mund të arrijmë të garantojmë mëvetësinë, mund të paraqitemi denjësisht në tregun gjeopolitik të rajonit. Aspirata europiane na jep një përmasë lirie të jashtëzakonshme, na heq të gjitha komplekset e inferioritetit ndaj fqinjëve, ndaj komplekset e tyre të fajit nuk kemi përse t’i shohim si virtyt.

Një pyetje kam unë: Ç’do të thotë probleme me fqinjët?
Do të thotë që ata ngrenë Murin e Mitrovicës dhe ne heshtim?
Do të thotë që ata japin 30 centimetra flamur shqiptarëve në Maqedoni dhe ne heshtim?
Do të thotë që ata kthejnë një zonjë 80 vjeçare në kufi, sepse ka lindur në Çamëri dhe ne heshtim?
Do të thotë që po zbrazin krahinat shqiptare në Malin e Zi dhe ne heshtim?
Do të thotë që po ushtrojnë represion në Preshevë, Bujanoc dhe ne heshtim?

Jo zotërinj, heshtja është halli, sepse kur nis e flet pas një heshtje të gjatë duket sikur kërkon harresën, padrejtësinë që krijon ajo.
Na akuzojnë për Shqipërinë e Madhe dhe kërkojnë Himarën. Na akuzojnë për Shqipërinë e Madhe dhe ngrejnë Murin në Mitrovicë.
Jo, nuk ka si të heshtësh.

Mos kërko luftën, por nëpërmjet paqes kërko zgjidhjen e çështjes. E vështirë është t’ia dalësh, por aspak e pamundur.
Shihni kë kemi fqinj dhe sa të mbrapshtë janë që t’i trajtosh butë. Njëri merr mistrinë dhe ndërton Murin, tjetri vishet si gjeneral dhe shkumëzon në kufi për tanke e avionë. Dy vende anëtare të NATO-s, ku njëri ka Ligj Lufte për tjetrin.

Zonja ministre e Mbrojtjes, të kam çmuar shumë për qëndrimin tënd këto kohë. Nuk zgjodhe të bësh zbor apo të dalësh mes ushtarëve dhe t’ua kthesh dylekëshin. Bëre mirë, sepse si ministre nuk përfaqëson vetëm ata që të kanë votuar, por edhe mua që nuk të kam votuar. Bëre mirë që nuk re pré e zellit mediatik si grek, ashtu dhe shqiptar, të cilët fyen rëndë qënësinë tënde si grua, nënë, zonjë, politikane.

Tani, unë kam një ftesë për ty. Shkojmë të dyja bashkë në kufi, në shtëpinë e Hasan Tahsinit në Ninat të Çamërisë. Mbledhim të rinjtë e Konispolit dhe jo vetëm dhe u flasim për integrimin, Çështjen Kombëtare, pavarësinë e Shqipërisë. E bëjmë jo në fushimet e tankeve, por tek ullinjtë e paqes.

Eja shkojmë dhe nisim bashkë një rrugëtim, i cili jo përherë do na gjejë në një mendje, por do na gjejë në të njëjtën udhë. Ndoshta me ne vijnë dhe të tjerët, sepse më lehtë është të merresh vesh në shqip, se sa në greqisht dhe rusisht.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *