HISTORIA

KOKËTRASHË SHQIPËTAR!

Nga Faik Konica

Dhjetë vjet e ca më parë, ishim, në një të madhe shkollë mbretërore të Stambollit nja tridhjetë djelm shqipëtarë. Shqipëtarë nga të gjitha anët e nga të gjitha fetë, midis të cilëve ndodheshin, e mbaJ mend, Ndon Vasa, i nipi i Pashko Vasë Pashës, dhe Murat beg Toptani.

Të paktën kohë që ndenja në atë shkollë e shkova si në burg. Kur vajta të parën ditë edhe dola në oborr me të tjerët, më rrethuan disa grekë e disa turq, e si muarnë vesh që isha Shqipëtar, u përdanë më të katër anët e oborreve duke britur, Grekët: akoma enas kokas! Turqit: faha bir kafalhe Arnaut! Me këtë mënyrë, zunë të githë e po talleshin me mua, si me tërë Shqipëtarët e ardhur së riu, më binin më qafë nat’ e ditë, e, kudo që vija, dëgjoja prapa meje: “Kokas” a “kalhen kafalhe Arnaut (do me thënë: kokëtrashë shqipëtar!)

Në mësim, puna s’ndryshonte shumë, kishim për arabishten një mësonjës anadollak nga Kutahaja, i cili tërbohej posa lëviste pakë një Shqipëtar. Shumë herë, me thosh: eju, kalhun kafalhu pis Arnaut, zira Ualhah-Billah ashanunu jakarum! (hajt, rri urtë, i ndyrë kokëtrashë Shqipëtar, se për Perëndi t’a përvëloj zembrën!

Këto të shara me të cilat na ndiqnin nat’ e dit’ s’do thënë që s’ishin për ne si njerëz, po për ne si Shqipëtarë! Se djelmt e shqipërisë sado që rriteshin mes të armëve, kuptojnë shpejt e mirë-në atë shkollë si në shumë të tjera të Mbretërisë-dëfteheshin afro të gjithë të parët në punët e mendjes.

Prandaj osmanllitë ashtu si dhe grekërit talleshin me ne për vetëm një gjë: ishim shqipëtarë. Na shanin pra për atë gjë më të ëmbël në zembërën tonë, për vendin ku u lindmë e ku kemi tanët, për Shqipërinë.

Na kishin ndarë në tre oborre, e me këtë mënyrë në çdo oborr ndodheshim më pakë se dhjetë Shqipëtarë tok.

Një ditë, një Kolonjar i rreptë, na thotë se këto të shara duhet të marrin fund; e, nga që ishim të rinj e shpejt ndizeshim, u muarmë vesh për të zënë një udhë.

Natën, kur binte daullja për të thirrur djelmtë në darkë, pritmë se kaperxeu prakun mjeshtri, pastaj kyçmë derën, shuajtëm dritat, u radhuam më n’janë gjashtë Shqipëtare që ishim n’atë vent, e zumë luftën. Ç’gjenin nën dorë e hidhnim kundra armiqve, bibla (libra) të trasha, kallamare, frone. Bënim hov, e rrëmbyem një djalë (u -ndoth Grek), që t’a vërtitnim nga dritoria, kur u hap porta nuk e di se si, edhe hyjti kryemjeshtri i shkollës me n’ja dy të tjerë. Si u ndesnë dritat, pamë që po rridhnin gjakra…

Nga që s’u provua mirë se ne e kishim nisur, puna s’na u ngarkua, po sidomos na ndaluan tre a katër javë të dalim. Që atë ditë, Turq e Grekër na lëshuan më të qetë.

Kujtime të larkta!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *