OPINIONE

Caro Carlo

SHKRUAN: EDISON YPI

Ne ishullarët shqiptarë që mësuam italisht nga RAI dhe njihnim divat e gazetarisë italiane, ne që mbanim ment çfarë tha në këtë e atë rast, jo për Shqipërinë e mjerë që s’u kujtuan kurrë, por për lindjen komuniste, Jash Gavronski, Demetrio Volcic, Sergio Zavoli, Enzo Biagi, të pamë me shumë simpati mes mitingjeve të Partisë Demokratike të sapoformuar. Por pas pak po aq edhe u çuditëm me simpatinë tënde për krahun tjetër, krahun e atyre që vinin nga vrasjet, burgosjet, internimet, zvarrisjet. Me gjasa, atë zgjedhje ti e bëre duke çmuar më tepër latimin kallp të bijve të nomenklaturës se sa vrazhdësinë autentike të viktimave të etërve të tyre vrasës. Nuk të falet që nuk kuptove të vërtetën uluritëse se bijtë e persekutorëve, jo pak prej të cilëve kishin parë Italinë, Europën, botën, nuk mund të ishin ndryshe veçse lajkatarë të zellshëm, servilë komunikativë, si dhe nuk konstatove se e drejta nuk ishte në anën e tyre por në anën e të ardhurve nga burgjet dhe internimet, në anën e viktimave të tyre të shumvuajtura, të cilët, mes tjerave taksirate, kishin dhe aftësi të pakta komunikative. Me këtë zgjedhje na ngatërrove keqas. E kemi ditur se i majti nuk është në anën e të rehatuarve por në në anën e të dobtëve, të pambrojturve, çka në rastin tënd nuk u vërtetua.

Megjithatë, ne që kurrë nuk kemi qënë të ngurtë në gjykime por vetëm tolerantë, përtej keqkuptimit tënd moskuptues, zgjedhja jote nuk na bëri fort përshtypje. Pranuam dhe respektuam profesionalizmin tënd gazetaresk, risitë që solle, shembullin që dhe në gazetari. Aq e vërtetë është kjo, sa sot e kësaj dite, sa i përket formës, gazetat më të mira shqiptare janë ato që më së shumti i afrohen modelin që solle ti. Një numur shkrimesh që unë me shumë qef i kam sjellë në gazetat e tua, janë prova e kësaj simpatie. Kështu pra, ti duke ndjekur instinktin tënd, ne duke mbrojtur pikëpamjet tona, kemi operuar brenda një harmonie dialektike produktive. Falë këtij mirkuptimi, s’ka asnjë problem edhe që ti duke kombinuar gazetarinë me biznesin ngre televizione e gazeta kur në pushtet është njëri dhe i shet kur në pushtet vjen tjetri.

Mirpo mes nesh dhe teje është çfaqur një problem i madh.
Kam edhe unë një telekomandë që duke shetitur kanal më kanal ndal ndonjëherë edhe kanalin tënd, ku shoh me tmerr se je duke bërë diçka që më së paku është një keqkuptim dramatik, më së shumti krim. Ka ca kohë je duke dhënë rregullisht soc-filma.

Ata filma ty ndoshta të duken gjëra qesharake, groteske, dëshmi të një kohe që s’kthehet më, gjëra që përderisa i pëlqen audienca mund të transmetohen. Nuk është ashtu. Nuk është si mendon ti. Sido që të duken në sipërfaqe, ata filma janë bërë për të fshehur krime, burgosje, tortura. Përderisa kanë qënë të tilla në atë kohë, nuk mund të jenë ndryshe sot. Është e pabesueshme të bësh ti atë që nuk guxojnë ta bëjnë të tjerët. Është tepër e rëndë. Është goditje e ulët e pabesë, është atentat, ndaj gustos së publikut, ndaj vetë Demokracisë.

Duhet ti heqësh urgjentisht këllirat kriminale nga ekrani. Nëse do vazhdosh, do bësh gjënë më joprofesionale dhe më të pandershme, më të palejueshme; Duke pretenduar që po bën gazetari, do bësh politikë. Gazetaria politikën nuk e bën. Gazetaria politikën e interpreton.

Ngri, shit e bli sa të duash gazeta e televizione. Po deshe bëji të gjitha tunelet muzeume. S’ka asnjë problem. Sot i bën si di ti, nesër i ndreqim ne. Por nuk mund të mbash në qarkullim propagandë kriminale përmes filmave. Jo për një e dy e tre arësye. Për të gjitha arësyet. Ti mund të thuash se statistikat tregojnë se kaq e aq shqiptarë vazhdojnë ta duan kurvin, dhe përderisa e duan ata, ti je në të drejtën tënde që këtë dashuri tua shtosh duke i bërë ta duan edhe më tepër. E ke gabim. Përveç arsyeve materiale ka dhe një prag moral nën të cilin askush nuk duhet të zbresi. Nuk duhet të lejosh që një pjesë e fajit për simpatinë ndaj kurvit kriminal të bjerë mbi ty. Është revoltuese, është tmerruese, është absolutisht e palejueshme, ndodhet përtej çdo mirkuptimi, përtej çdo tolerance, norme, bonsensi, madje përtej çdo përfytyrimi. Nëse nuk do ta ndalësh çfaqjen e atyre filmave, sot, tani, këtë çast, do na detyrosh të besojmë diçka të hidhur për ty dhe për ne; se patën të drejtë ata që vite më parë të espulsuan si ngatrrestar të pandreqshëm. Do na detyrosh të mendojmë kështu përderisa nuk do mund të kemi asnjë shpresë për të parë tek ty një gazetar profesionalst idealist, por një materialist djallëzor shfrytëzues të rrethanave i cili në vendin e tij hiqet për demokrat liberal ndërsa në vendin e shumvuajtur fqinj bën çmos për promuovimin e një vrasësi pafundësisht më të egër se Musolini dhe të një ideologjie pakrahasimisht më kriminale se fashizmi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *