OPINIONE

Buçiti Lasgushi

SHKRUAN: EDISON YPI

Pa asnjë vështirësi, pa asnjë pengesë, pa më spiunuar katundari, pa më gjakosur teli, pa më kafshuar qeni, arratisesha natpërnatë nëpër botë, me radio.

Një pasmesnatë me kufje në vesh po arratisesha në Itali, Angli, Amerikë. Kur papritmas, të mbytura, të largëta, veshi më zuri ca fjalë Shqip. S’mund të ishte Radio Tirana. Radio Tirana nuk pëshpëriste. Radio Tirana buçiste. Ato ishin fjalë të buta të bukura shoqëruar me muzikë, ishte këngë, ishte “Trioleta” nga Radio Prishtina. Më mbeti mendja tek fjalët që sapo dëgjova; “Varg e varg o me kujtime parasysh më venë e vinë”. Si i ka gdhendur Murgu i përgjëruar për “mallet e shkuara”, ato fjalë janë; “Varg e varg me përgjërata, parasysh më venë e vinë”.

Ajo natë mbeti e bardhë.
Të nesërmen paradite në punë, në ndërmarrje, pranë kolektivit, bashkë me puntorët, për të tejkaluar planin, për të çarë bllokadën.
Në mbrëmje, drejt e te Lasgushi. Rrugës për tek Murgu koka zjente; Zoti Lasgush, mbrëmë, duke dëgjuar radio me kufje ushtarake kineze të cilat një mik i vodhi në një repart për mua, dëgjova një kosovar që po këndonte Trioletën. Mirë që e këndonte, halli se duke i ndryshuar 1 fjalë, Poezinë e kishte kishte ftohur, e kishte plevitosur, e kishte tharë, e kishte mpirë, e kishte ngrirë, e kishte bërë diamantin baltë, e kishte bërë perlën bajgë. “Përgjëratat” e thella, të gjalla, të nxehta, i kishte bërë “kujtime” të cekta, të thata, të ftohta. Tani e gjeti kosovari të na e bëjë këtë gjëmë. Tani kur kurvi ende s’ka ngordhur, pluralizmi nuk është shpallur, mediat e lira nuk kanë shpërthyer, Interneti nuk është shpikur, duhet menduar çfarë dënimi t’i japim kosovarit që na preku shenjtërinë e fjalës kaq herët. Si mendoni ju Zoti Lasgush, a do ishte e mjaftueshme t’i themi kosovarit të bëjë para kolektivit punonjës të Prishtinës një bisdë konstruktive në formën e një autokritike sa të ndjerë dhe të thellë, të kërkojë një ndjesë të sinqertë, të rrëfejë shkaqet pse e bëri proçkën, kush e shtyu, kush e nxiti, dhe në fund të japi fjalën se atë gabim e atë krim nuk do ta përsërisi më kurrën e kurrës.

Po nuk u bind për autokritikë, të marrim ndaj atij armiku të pandreqshëm një masë më të ashpër, ta sjellim këtu në Shqipëri, diku në bazë, diku në gjirin e popullit, ku njerëzit punojnë, proletarët bëjnë shpikje dhe racionalizime, fshatarët mbjellin e korrin, pionierët mbledhin kallëza, poetët vargëzojnë, daullexhinjtë shurdhojnë, rapsodët përdridhen, ushtria mbron, kufitari kap shkelësat, sigurimi vigjëlon armiqtë, për ta mësuar mes tyre rëndësinë fatale të një fjale të vetme kur ndryshohet kuturu, pa etikë politike, pa përgjegjësi proletare, pa etikë klasore, pa gjëprejgjëje. Apo, për ta bërë të reflektojë si na mëson partia për mënyrat e pabesa dhe dinake që përdorin armiqtë e betuar të popujve për ta depërtuar mes nesh kulturën mikroborgjeze, ta internojmë mes baltrave në një barrake të fëlliqët andej nga Karavastaja, ku bashkë me goca të internuara të cilat i kemi degdisur atje pasi i kemi cilësuar kurva vetëm sepse janë të bukura, dhe të tjerë kosovarë të syrgjynosur në ato moçalishte, të gjithë së bashku, të zenë ment edhe ata. Me këtë rast e bëjmë spiun të Sigurimit. E hedhim në Kosovë, në Prishtinë, të na shërbejë për shtimin e dashurisë së kosovarëve për bac kurvin. Mundemi edhe ta burgosim. Burgu për poetë është. I hedhim hekurat e kalbim nja dhjetë vjet në Spaç të riedukohet duke shtyrë vagona minerali bakri. Nëse nuk do pranojë të spiunojë bashkëvuajtësit, i shtojmë edhe nja dhjetë të tjera. Më tepër se kaq nuk mundemi. Andej nga ’90-a vjen demokracia dhe atentati ndaj fjalës do çvlerësohet, do inflacionohet, në lumin e fjalëve që do mund t’i shqiptojë çdo halabak, 1 fjalë e vetme sado e hatashme nuk do ketë më kuptim, nuk do bëjë më sens.

Ik e ik duke menduar ca gjëra të tilla, befas u ndodha përballë shtëpisë së Lasgushit. I rashë portës. Hyra brenda. Lasgushi si Faraon këmbëmbikëmbë mbi një minder me dy jastëkë te shpina. Me konsensusin e plotë të Murgut, “Letërkëmbim” dhe “Lamtumirë”, klithur e uluritur sa su shemb tavani. Momenti për ta plasur bombën erdhi. Sapo i thashë se mbrëmë një kosovar i kishte ndryshar Trioletës 1 fjalë, nuk më la të vazhdoj, më ndali dhe buçiti; Atij që më prek 1 fjalë, ja çaj barkun me sëpatë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *